Rama i quajti gagarelë dhe maskarenj, Unioni i Gjyqtarëve: Ndal sulmeve përgjithësuese

Unioni GjyqtarevePas deklaratave të kryeministrit Rama në emisionin “Opinion”, ku pasi foli për operacion të pamëshirshëm në drejtësi tha se ka gjyqtarë maskarenj dhe gjykata gagarelë, reagoi dje Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Duke deklaruar se distancohet me forcë nga fenomen antiligjor, Unioni deklaroi se kreu i qeverisë duhet të ndalë sulmet përgjithësuese ndaj gjyqtarëve. “Me keqardhje të thellë konstatojmë se, kohët e fundit përfaqësues të lartë të politikës po bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, duke anatemuar në mënyrë të përgjithshme dhe pa dallim gjithë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për këtë fenomen dhe bën thirrje për ndaljen e tij pasi, nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend”- thuhej në deklaratën e Unionit. Pak ditë më parë në një intervistë, kreu i qeverisë deklaroi se,: “Ata maskarenj që kanë përdorur togën e zezë për t’u bërë palë me krimin, do e shohin se çfarë i pret.

Në vjeshtë, Parlamenti do të kalojë reformën më të thellë në Shqipëri. Gjykatat tona janë kthyer në gagarele dhe ne do ta tundim nga themelet sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.

Share it :