Rama fut në lojë njësitë e Antiterrorit/ 17 persona në procedim për mesazhet në rrjetet sociale
Drejtoria e Antiterrorit është vënë në ndjekje të qytetarëve që kanë publikuar statuse dhe komente në rrjetet sociale gjatë protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Në një operacion që ngre shqetësime për lirinë e shprehjes, strukturat e specializuara të policisë kanë proceduar penalisht 17 persona, kanë ndaluar një tjetër dhe po kërkojnë të identifikojnë administratorët e tetë llogarive të tjera në internet.
Operacioni shënon një tjetër përshkallëzim të ndërhyrjes policore në kontekstin e protestave që kanë përfshirë vendin që prej 13 tetorit. Tashmë, përveç arrestimeve dhe ndalimeve në rrugë, objekt i hetimeve janë bërë edhe shkrimet, komentet dhe mesazhet që qytetarët publikojnë në Facebook, Instagram dhe platforma të tjera.
Sipas njoftimit zyrtar, Antiterrori, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Kibernetik, ka identifikuar qytetarë që dyshohet se kanë bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave. Megjithatë, policia nuk ka publikuar përmbajtjen konkrete të shumicës së statuseve që kanë shërbyer si bazë për procedimet penale.
Mes personave të proceduar është A. K., 34 vjeç, të cilin policia e akuzon se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram. Autoritetet pretendojnë gjithashtu se ai ka hapur një llogari në GoFundMe për mbledhje fondesh, duke deklaruar se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit iu sekuestrua edhe një dokument me të cilin prezantohej si gazetar.
Një tjetër qytetar, G. P., 37 vjeç, është proceduar pasi ka publikuar fotografi dhe video të punonjësve të policisë, të shoqëruara me komente fyese dhe akuzuese. Policia pretendon se publikimet kanë cenuar privatësinë dhe sigurinë e efektivëve.




