Raka: Prilli do jetë muaji i përballjes vendimtare me COVID-19

Mikrobiologu Lul Raka, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se prilli do të jetë muaji i përballjes vendimtare me virusin COVID-19 në Kosovë.

Ai thotë se aktualisht Kosova po e mban mirë nën kontroll përhapjen e infeksionit, por bën thirrje për rritje të kujdesit, posaçërisht në mbajtjen e distancës fizike dhe testimin e rasteve që mund të preken nga kontaktet me të infektuarit për të parandaluar përhapjen e shpejtë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë deri tani ka testuar më shumë se 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve 135 janë konfirmuar të prekur me virusin COVID-19, një ka vdekur ndërsa 16 janë shëruar.

Mikrobiologu, Lul Raka, njëherësh bashkërendues i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se shifrat aktuale të të prekurve janë lajm i mirë por ende duhet shtuar kujdesin për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Ky numër i ka dy tregues, i pari krahasuar me shtetet e rajonit flet që kemi numrin më të ulët të rasteve edhe elementi tjetër që poashtu është i rëndësishëm e kemi numrin më të vogël të rasteve të vdekjes deri tash, dy raste deri më tash me këtë rastin që është në Leposaviç. Ky është lajm i mirë mirëpo njëkohësisht nuk duhet të ketë vend për vetkënaqësi sepse pasqyra reale në terren sidomos te shtetet që kanë kapacitete të kufizuara të testimit, e përafërsisht të gjitha shtetet e Ballkanit janë të përafërta me numrin e testimeve për numrin e banorëve nëse i krahasoni, edhe kjo ndonjëherë mund të jep pasqyrën e rrejshme sepse ndonjëherë në terren ka incidencë të ulët mirëpo kjo nuk është e vërtetë sepse me vetshtrirjen gjeografike të rasteve të reja siç është Kamenica, Prizreni, Mitrovica, Fushë Kosova dhe të tjera dhe me zgjerimin e atyre ekzistuese në Prishtinë dhe Malishevë kjo flet se përhapja në komunitet është në rritje e sipër”, tha ai.

Zoti Raka thotë se deri tani institucionet e vendit së bashku me punonjësit shëndetësorë kanë treguar angazhim të mirë në mbajtjen e situatës nën kontroll për mos përhapjen e virusit. Ai thotë se me rëndësi është respektimi i rregullave dhe udhëzimeve nga ana e qytetarëve.

“Rastet e fundit po tregojnë se çdo lëshim, çdo mosrespektim kushton shumë shtrenjtë, rasti i fundit në Kamenicë na e ka dëshmuar më së miri mirëpo edhe te rastet tjera ka ndodhur kjo prandaj këtu duhet të kemi kujdes”, tha zoti Raka.

“Ne të gjithë jemi dëshmitar sepse i shohim edhe nëpër qytetet tona ku jetojmë dhe ku qarkullojmë sa është respektuar ajo, nuk është respektuar në nivel të kënaqshëm sepse edhe këto për zbatimin e normave për të ulur shkallën e epidemisë nevojitet një përqindje shumë e lartë e përmbushjes së rregullave edhe udhëzimeve nga institucionet shëndetësore. Edhe këto gjithsesi kushtojnë por tash lakorën ka me vizatu virusi edhe urojmë që ajo lakore të mos jetë vertikale, të jetë e sheshtë ashtu siç është deri tash”, tha ai.

Zoti Raka thotë se aktualisht është vështirë të parashikohet se kur do të zbutet situata me koronavirusin por sipas tij prilli do të jetë muaji i përballjes vendimtare.

“Mendoj në shtrirjen sepse tash është shtrirë në pjesë të madhe komunave të Kosovës edhe mund të ketë raste tjera në komunat tjera të cilat ende nuk janë identifikuar, pasqyra reale në terren është më e madhe se sa kjo shifër që e kemi sepse prej kontakteve gjithsesi ende ka kontakte pozitive të cilat nuk janë diagnostifiku”, tha ai.

Zoti Raka thotë se Kosova duhet të dyfishoj numrin e testeve në mënyrë që të identifikojë të prekurit dhe të parandalojë përhapjen e virusit.

“Ky është një prej elementëve qenësore në përgjigjen në kohë sepse nëse e rrisim numrin atëherë në kohë reale e dimë gjendjen në terren edhe në kohë reale mund të intervenojmë, në radhë të parë me izolim por poenta është identifikimi i rasteve të kontaktit që nuk kanë simptome sepse ato mund të jenë të rrezikshëm në shtrirjen e infeksionit sepse nëse dikush prej familjarëve ka pas tash ato faktikisht janë të izoluar, nuk dalin dhe mundësia e përhapjes është më e ulët tash, është në një farë mënyre një vetkontroll i tyre por atë e kontrollon edhe vet izolimi edhe karantinimi qoftë i shtëpive qoftë i fshatrave të prekura”, tha ai.

Mikrobiologu Raka thotë se aktualisht komuna e Malishevës dhe Prishtinës mbetën dy vendet më të prekura me koronavirus por kjo edhe mund të ndryshoj ditëve në vazhdim.

“Këto janë disa ngjarje të cilat rrezikojnë rritjen shumë të shpejtë ose të ashtuquajturën super shpërndarje edhe këtu duhet me pas kujdes për këtë arsye vazhdimisht mesazhi ynë mos u grumbulloni sepse është rrezik, shmanguni grumbullimit, kjo është rruga më e mire”, tha ai.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.