‘Qyteti im po kthehet në qendër krimi dhe ndotjeje’/ Kana: Elbasani nuk është më qyteti i dijeve, por i problemeve
Gjatë një tubimi të mbajtur para Kryeministrisë në kuadër të “Foltores” së Partisë Demokratike, këshilltari demokrat i Elbasanit, Artan Kana, mbajti një fjalim kritik ndaj qeverisjes dhe situatës në qytetin që ai përfaqëson.
Kana u shpreh se Elbasani po përjeton një përkeqësim të vazhdueshëm, duke e përshkruar si një qytet që “po vdes dita-ditës”, ku sipas tij janë shtuar problematikat e krimit dhe ndotjes, ndërsa është ulur ndjeshëm prania e të rinjve për shkak të emigrimit
Një qytet që nga djep dijeje është transformuar në djep krimi dhe ndotjeje,” tha ai, duke shtuar se largimi i rinisë dhe i trurit po e dëmton zhvillimin e vendit.
Në fjalën e tij, Kana kritikoi gjithashtu qeverinë, duke e akuzuar për mungesë përgjegjësie dhe për keqqeverisje që, sipas tij, ka çuar në largimin masiv të qytetarëve nga vendi. Ai theksoi se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë, por duhet ruajtur dhe kultivuar çdo ditë.
Duke iu referuar përvojës së tij personale si ish-emigrant i kthyer, Kana tha se periudha 2005–2009 ka qenë më e suksesshmja për zhvillimin e tij profesional, ndërsa pas kësaj kohe ai ka parë “regres”.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, duke theksuar se heshtja mund të sjellë humbjen e vlerave demokratike. Në përmbyllje, ai falënderoi pjesëmarrësit dhe shprehu mirënjohje për ish-kryeministrin Sali Berisha, duke e konsideruar si një figurë shembull për demokratët.
Kana:
Mirëmbrëma doktor, mirëmbrëma demokratë, mirëmbrëma shqiptarë. Unë jam Artan Kana. Se është hera e parë që vij në këtë podium dhe kam pak emocione. Ndihemi të nderuar të jem përpara doktor Berishës dhe të gjithë këtyre demokratëve të cilët kanë kontributet e tyre në këtë demokraci që ne shijojmë sot, që fatkeqësisht po rrudhet dita-ditës. Unë doja të ngrija një çështje përsa i përket problematikës së qytetit të Elbasanit, ku unë edhe jam këshilltar që përfaqësoj Partinë Demokratike, me aq sa mundem dhe me zërin tim jam munduar gjithmonë që të mbroj interesat e qytetarëve. Por shikoj një qytet që po vdes dita-ditës.
Një qytet i cili nga djep dije, është transformuar në djep, fatkeqësisht, krimi. Nga qytet lulesh është transformuar në qytet ndotje. Nga qytet i cili gëlonte nga rinia e universiteteve në qytet që më tepër, fatkeqësisht, jo për t’i… se kam diçka me moshën e tretë, por më shumë sheh moshë të tretë sesa rini. Dhe kjo është e dhimbshme. Dhe unë nuk e di se si këta qeveritarë që na qeverisin mund të jenë kaq të pashpirt. Si do zhvillohet ky vend, nëse ne nuk kemi rini? Nëse ne na ikën truri dita-ditës? Nëse ne vlerat për të cilat mburremi shpesh, dhe unë e kam shprehjen time që na bën krenarë, jemi shqiptarë, bëjmë atë shqiponjën, por kur vjen puna kur të përballemi me pushtetin, harrojmë që demokracia nuk është një dhuratë që jepet një herë dhe meqë t’u dha ajo vazhdon përjetësisht duke ne mos e ruajtur, duke mos e kultivuar çdo ditë.
Prandaj i bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, se Shqipëria nuk është vetëm e një dore të vogël e cila e ka marrë peng prej kaq vitesh për interesat e tyre politike të ngushta, të sponsorizuar dhe nuk e di, sepse nuk është se jam te politika e madhe, nga forca të tjera jashtë këtij vendi, që ta çojnë këtë vend në këtë derexhe, ku njerëzit vetëm mendojnë që të largohen, a thua se në këtë vend ka ndonjë fatkeqësi natyrore. Nuk kemi burime natyrore, nuk kemi bukuri natyrore, nuk kemi , njerëz të cilët janë produktivë, sepse shqiptarët, se dhe unë jam një ish-emigrant i kthyer në këtë vend për të kontribuar dhe për të bërë diçka për këtë vend dhe për familjen time dhe ja kam dalë në këtë vend falë edhe projekteve, doktor që gjej rastin t’ju falenderoj, asaj periudhe të artë që patëm nga 2005-a deri në 2009-ën, ku unë aty e kam pasur zhvillimin tim më të madh dhe që nga ajo kohë unë vetëm se kam pasur regres.
Dhe nuk e di se si këta njerëz që e quajnë veten shqiptarë, të cilët na udhëheqin, e çuan këtë vend në këtë pikë që ishte e pamendueshme në ’91-shin kur unë isha i vogël dhe dilja në protestat e para dhe me atë entuziazmin bërtisnim liri-demokraci, e duam Shqipërinë si gjithë Europa, dhe tani mbas 30 e ca vjetësh e gjej veten përsëri në këtë bulevard, në protestën e fundit duke bërtitur sërish e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe poshtë diktatura. Prandaj bëj thirrje gjithë shqiptarëve: mos e merrni demokracinë si diçka që vjen një herë dhe ruhet dhe stacionohet aty. Nëse ne heshtim dhe nëse ne mbyllim sytë, atë shumë shpejt mund ta humbim. Shpresoj që fjala ime të ketë pasur ndikim dhe të ketë një reagim sepse nuk mund të vazhdojmë më kështu. Ju falenderoj dhe të falenderoj doktor dhe të kërkoj ndjesë sepse dhe këtu kam një autokritikë për veten dhe për çdo demokrat, duhet të marrim shembull nga doktori. Sikur 10% e asaj që bën doktori t’i bëjë çdo demokrat, ne Ramën e heqim brenda një jave. Faleminderit.




