Qeveria s’i jep “fund marrëzisë”, Lojërave të Fatit u mungojnë 2 miliardë lekë…!

Ervin Kaduku

Lojërat të Fatit– Shpërdorime dhe abuzime tek Njësia e Lojërave të Fatit, element kyç i sistemit fiskal të shtetit shqiptar, ja ç’konstaton auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Publikut shqiptar nuk mund të mos i bënte përshtypje qëndrimi arrogant i njërës prej drejtoreshave të reja të katapultuara nga Rilindja nga hiçi, një vit e gjysmë më parë, në krye të një prej sektorëve më problematikë të mbledhjes së të ardhurave fiskale në vend. Kjo zonjë pati kurajën të tallej edhe me deputetët e mazhorancës në Kuvend, ku kishte shkuar për të raportuar lidhur me situatën në njësinë financiare që drejton. Situatë që, në fakt, nuk do t’i jepte kurrkujt guximin të sillej me mendjemadhësi.

Në raportin më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi auditimin e kryer në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Tiranë me objekt “Mbi zbatimin e procedurave të licencimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit të veprimtarisë së subjekteve, që organizojnë lojëra fati, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi”, për periudhën 1.1.2013 – 31.12.2014, vine në dukje fakte skandaloze. Që përfundojnë në një konkluzion të thjeshtë e të dukshëm: Mungojnë 2 miliardë lekë të vjetra, të cilat kjo Njësi nuk ka sjellë në buxhetin e shtetit. Dokumenti i auditit u është përcjellë tashmë znj. Luneda Sufali, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe z. Shkëqim Cani, Ministër i Financave.

 

Mashtrimi me aparatet

Sipas KLSH, në udhëzimin nr. 46, datë 13.11.2009 “Për përcaktimin e procedurave për konfiskimin, magazinimin dhe shkatërrimin e mjeteve të lojërave të aftit”, pika 4 thuhet: “Të gjitha mjetet e konfiskuara të lojërave të fatit makineri elektronike dhe aparaturat e bingos, brenda jo më shumë se 60 ditëve nga data e sekuestrimit, i nënshtrohen procedurës së shkatërrimit”. Nga auditimi është konstatuar se ky afat nuk është respektuar asnjëherë. Kjo Njësi nuk ka ngritur komisionet përkatëse, të inventarizimit, shkatërrimit, asgjësimit, por edhe të kryerjes së procedurave të tjera mbi shkatërrimin, asgjësimin dhe trajtimin e mbetjeve.

 

Abuzimi me “zhvillimin e sporteve”

Kur u ndryshua ligji për lojërat e fatit, u theksua se një pjesë e të ardhurave do të kalohej në favor të zhvillimit të sporteve. Në ligjin nr. 10033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, me ndryshime neni 44 “Detyrimet tatimore”, pika 5.2, “Basteve sportive” shprehet se: “Brenda datës 10 të muajit pasardhës, organizatori i lojërave të fatit derdh në llogari të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 0,2 për qind të shumave të grumbulluara, në përputhje me këtë nen, për zhvillimin e sporteve”. Nga auditimi u konstatua se neni 44 nuk ka gjetur zbatim nga kompanitë e basteve sportive, si dhe, nga NJMLF, nuk është mbikëqyrur zbatimi i këtij detyrimi nga kompanitë.

 

Mashtrimi me aktivitetin

Nga auditimi i ushtruar lidhur me rregullshmërinë e ushtrimit të aktivitetit të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e lojërave të fatit për pikën e punonjësve, vihet re se në disa raste ka kazino që ushtrojnë aktivitet me një punonjës dhe me mbi 10 pajisje për njësi. Ndonëse numri minimal i punonjësve për pikë nuk është një kërkesë e ligjit, ky fakt përbën risk për situatat ku nuk është bërë deklarimi i numrit real të punonjësve dhe për pasojë mundësi për parregullsi në funksionim të subjektit që ushtron aktivitet në fushën e lojërave të fatit.

 

Mashtrimi me gjobat

Nga auditimi është konstatuar se nga NJMLF, për subjektet që ushtrojnë veprimtari të pamiratuar, në kundërshtim me ligjin nr. 10033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, nuk është aplikuar gjobë. Shifra është shumë e lartë: Mungojnë në total 143.500.000 lekë, si më poshtë:

Gjoba në vlerën 4.500.000 lekë, ndaj 9 subjekteve, të cilat nuk kanë derdhur minimumin ligjor në masën 0.5%, të xhiros si detyrim ndaj NJMLF-së;

Gjoba për subjektin “X” sh.a. në masën 500.000 lekë për çdo makineri, në total 175 X 500.000 = 87.500.000 lekë’

Gjoba për subjektin “Y” sh.a. kategoria “Bingo tradicionale”, për zhvillim aktiviteti të palicencuar në masën 30.000.000 lekë.

Gjoba në masën 500.000 lekë ndaj 7 subjekteve “Baste Sportive”, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet kundrejt Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve), në shumën totale 21.500.000 lekë.

 

Detyrime të pashlyera në shumën prej 58.112.287 lekë, nga subjektet që operojnë në fushën e lojërave të fatit, si më poshtë:

Vlera 23.728.414 lekë nga 13 subjekte për detyrim të paderdhur (0.2% e shumës së grumbulluar) nga kompanitë e basteve sportive për llogari të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve për periudhën 2009-2013

Vlera 34.383.873 lekë nga 28 subjekte për detyrim të paderdhur në masën 0.5% e xhiros së kompanive të lojërave të fatit, ndaj NJMLF-së

 

Bie besimi konsumator, ulet ndjeshëm kërkesa për kredi konsumi

Individët kanë ulur ndjeshëm kërkesën për financimin me kredi të konsumit. Banka e Shqipërisë në një vrojtim për ecurinë e kredisë lajmëron se, nevoja e individëve për financimin e konsumit ra në 21 për qind në tremujorin e parë të 2015-ës, nga 39 për qind që ishte në tremujorin e fundit të 2014. Kjo tendencë në kërkesën për kredi nga konsumatorët lajmëron një situatë jo shumë optimiste në konsumin në tremujorin e parë të këtij viti, kur dihet se konsumi është përgjegjësi kryesor për rritjen ekonomike në vend. Kërkesa e individëve për kredi vlerësohet pozitive, por në ngadalësim krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2014. Balanca neto e përgjigjeve që raportojnë bankat, shënoi vlerën 2.9%. Sipas qëllimit të përdorimit, bankat raportojnë kërkesë në rritje për kredinë me qëllim financimin e blerjes së banesës. Ekspertet e bankave kanë vlerësuar në rënie kërkesën për financimin e konsumit. Balanca përkatëse rezultoi -9.4 % nga 7.2% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Faktorët kryesorë që vlerësohet të kenë ndikuar në ecurinë e kërkesës së individëve për kredi kanë vijuar të jenë kushtet e kreditimit të aplikuara nga banka, si dhe nevoja e individëve për të financuar konsumin dhe blerjen e banesave. Sipas perceptimit të bankave, faktori me kontributin kryesor në ngadalësimin e kërkesës në tremujorin e parë të vitit ka qenë rënia e besimit konsumator.

 

 

Shqipëria, penetrimi më i ulët rajonal për pagesat elektronike

Shqipëria vlerësohet të jetë vendi me penetrimin më të ulët të pagesave elektronike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhëna statistikore të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se në Shqipëri shërbimet e pagesave në distancë përmes internetit apo celularit i përdorin vetëm 3.9% e popullsisë. Me këtë shifër, Shqipëria është mbrapa gjithë vendeve të tjera, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës, që qëndron mbrapa nesh, me 2.5%. Një shkallë ndjeshëm më të lartë të zhvillimit të pagesave elektronike kanë Mali i Zi dhe Kosova, ku këto shërbime përdoren përkatësisht nga 7.8 dhe 7.2% e popullsisë. Me diferencë të konsiderueshme në krye është Maqedonia, ku pagesat elektronike përdoren nga afro 22.7% e popullsisë. Këto shifra tregojnë se tregu i pagesave në distancë në Shqipëri, përmes internetit apo telefonit celular, ka potenciale shumë të mëdha për t’u zhvilluar më tej. Vitin e kaluar shqiptarët kanë kryer veprime bankare nga shtëpia, përmes internet banking, mobile banking apo formave të tjera të komunikimit në distancë, në vlerën e 164.5 miliardë lekëve, në rritje me 64% krahasuar me vitin 2013. Statistikat tregojnë se në numër pjesa më e madhe e veprimeve bankare në distancë kryhen nga individët, ndërsa në volume mbizotërojnë transaksionet e bizneseve, që prekin vlera më të larta. Pjesën dërrmuese të veprimeve bankare në distancë e zënë transaksionet përmes internet banking, me rreth 64% të totalit.

 

 

Sa naftë ka nëntoka jonë?

Në media të ndryshme apo në prezantime të administratës publike përmendet shpesh se Shqipëria ka 400 milion ton naftë rezerva. Sot Shqipëria prodhon 1.2 milionë tonë naftë në vit, dhe shifra 400 milion lë përshtypjen se do të kemi naftë dhe për 300 vjet të tjera. Industria e naftës përdor disa kategori rezervash:

Rezerva të provuara (proved reserves, ose rezervat 1P): këtu hyn nafta e zbuluar që ka 90% probabilitet të shfrytëzohet me teknologjinë aktuale dhe me çmimet aktuale të tregut

Rezervat e mundshme (probable reserves) ose P50. Këtu hyn nafta e zbuluar që ka 50% probabilitet për shfrytëzimin e saj (për shkak të pasigurisë mbi teknologjinë, rentabilitetin e nxjerrjes).Rezervat P50 dhe rezervat e provuara së bashku quhen rezerva 2P.

Rezervat e dyshimta (possible reserves). Këtu hyn nafta e zbuluar që ka 10% probabilitet për tu shfrytëzuar (për shkak të pasigurive në gjeologji, teknologji e rentabilitet). Rezervat e provuara, rezervat e mundshme dhe rezervat e dyshimta së bashku quhen rezerva 3P.

Rezerva gjeologjike (oil resources): këtu përfshihen rezervat 3P si dhe burimet e pazbuluara të naftës që gjykohet se mund të jenë nën tokë, por që nuk janë zbuluar ende. Për çfarë lloj rezervash flet media dhe qeveria kur thonë se Shqipëria ka 400 milion ton rezerva naftë?

Sipas Albpetrolit bëhet fjalë për rezerva gjeologjike, pra për sasinë totale të naftës që supozohet të jetë nën tokë, përfshirë naftën e zbuluar dhe të pazbuluar, të shfrytëzueshme me teknologjinë aktuale ose jo, rentabël me çmimet aktuale ose jo. Albpetroli parashikon se nga këto rezerva gjeologjike gjithsej mund të nxirren 110-120 milion tonë naftë. Tashmë janë nxjerrë 57 milion ton, pra mbeten për tu nxjerrë dhe 53-63 milion ton naftë (mjaftueshëm për 52 vjet me ritmet aktuale të nxjerrjes). Kategoria më e përdorur e rezervave në komunikimet e industrisë janë rezervat 2P. Sipas një prezantimi të Petromanas për investitorët Shqipëria në janar 2014 ka pasur 24,6 milion ton naftë rezerva 2P. Bankers Petroleum në 2015 deklaronte 28,5 milion ton rezerva 2P, kurse Stream oil në 2013 deklaronte 4 milion ton rezerva 2P nën liçencën e vet. Pra rezervat me probabilitet mbi 50% për tu shfrytëzuar janë shumë më pak se 400 milion ton, janë tek 33 milion tonshi (mjaftueshëm për 27.5 vjet me ritmet aktuale të nxjerrjes). Deri në vitin 2009 bursa amerikane lejonte të raportoheshin tek investitorët vetëm rezervat 1P. Kurse pas 2010 mund të raportohen dhe rezervat 2P dhe 3P, por me kushtin që të cilësohen se çfarë lloj rezervash janë. Gjithsesi kompanitë amerikane preferojnë të përdorin shifrat 2P dhe 3P në komunikimet e brendshme. Kurse në Shqipëri rezervat gjeologjike (400 milion tonët) përdoren rëndom nga qeveria e media, e për jo-specialistët mund të duket se ka naftë me bollëk. Sipas teorisë së gjeologut M. Hubbert, prodhimi i naftës ka një tipar karakteristik: pasi është nxjerrë gjysma e rezervave të shfrytëzueshme, prodhimi i naftës fillon të bjerë, arrihet ai që quhet Piku i Naftës. Sipas Albpetrolit Shqipëria ka nxjerrë 57 milion ton naftë dhe pritet të nxjerrë edhe 53-63 milion, pra mund të jemi në ose shumë afër pikut të naftës. Pas kësaj prodhimi ynë i naftës do të pakësohet. Specialistë të ndryshëm mendojnë se në total vendet prodhuese të naftës, me përjashtim të SHBA-së dhe Kanadasë, janë në pikun e naftës. Ndërkohë shteti shqiptar investon miliarda dollarë në zgjerim e ndërtim rrugësh me mendimin se jemi të zhytur në naftë e nuk kemi nevojë për shkarbonizim. Realiteti është shumë më i pasigurtë se kaq.

(Marrë nga Ekolëvizja)

 

 

Greqia bëhet gati të paguajë 200 mln euro

Pagesa e ardhshme e Greqisë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vlerë të përgjithshme prej rreth 200 milionë euro me interes arrin më 6 maj, për shkak të festave të Majit në Greqi, deklaroi zëdhënësi i FMN-së, transmeton korrespondenti i MIA-s nga Athina. Xheri Rajs tha se Fondi nuk ka vlerësim “të hollësishëm” të gjendjes me likuiditetin e Greqisë dhe shfaqi shpresë se do të marrë më tepër informata gjatë negociatave të Athinës me FMN-në dhe kreditorët evropianë, të cilat u ripërtërinë dje në Bruksel. Përfaqësues të tregjeve financiare shprehën dyshim për atë nëse Greqisë ka para për ta paguar borxhin ndaj FMN-së këtë muaj, përderisa ende paguan rroga dhe pensione. Kësti i ardhshëm i Greqisë ndaj FMN-së, në vlerë prej 750 milionë eurove, arrin më 12 maj, dhe Athina zyrtare tashmë lajmëroi se do të jetë shumë vështirë ta shlyejë borxhin. Qeveria greke dje sinjalizoi se është e gatshme për lëshime më të mëdha pasi që filloi negociatat me kreditorët për pakon e reformave. Athina po përballet me presion gjithnjë e më të madh brenda dhe jashtë të arrijë marrëveshje me kreditorët evropianë dhe FMN-në që të evitohet falimentimi nacional.

Ndërkohë, agjencia Blumberg, duke iu referuar burimeve të veta, kumtoi se Greqia dhe partnerët e saj evropianë planifikojnë të arrijnë marrëveshje në fillim të javës së ardhshme. Dy palët në mënyrë preliminare e caktuan datën 3 maj për arritjen e marrëveshjes fillestare, në mënyrë që ministrat e financave të vendeve nga eurozona në takimin më 11 maj të mund ta miratojnë marrëveshjen dhe t’i zhbllokojnë mjetet financiare për Greqinë. Faktor kyç i cili mund të çojë në arritjen e depërtimit në negociata është vendimi që Kryeministri Aleksis Cipras të marrë pjesë në to. Megjithatë ekzistojnë pengesa serioze për përfundim të suksesshëm të negociatave, komenton agjencia.

Share it :