Qeveria nxjer në shitje për klientët e vet 4 kala historike

Qeveria nxjer në shitje për klientët e vet 4 kala historike

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hapur konkurrimin për dhënien në përdorim të 700 metrave katrorë ambiente shërbimi në kalatë e Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës. Kontratat parashikohen deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi, ndërsa investimet do të financohen nga operatorët fitues.

Katër procedurat, të publikuara në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të 19 tetorit 2026, synojnë rijetësimin e hapësirave të përcaktuara brenda monumenteve të kulturës të kategorisë së parë, përmes projekteve që do të realizohen nga subjektet e përzgjedhura në konkurrim.

Sipërfaqja më e madhe e ofruar ndodhet në Kalanë e Kaninës, në Vlorë, ku konkurrimi përfshin një ambient shërbimi prej 300 metrash katrorë. Në Kalanë e Rozafës, në Shkodër, është përcaktuar një hapësirë prej 200 metrash katrorë në oborrin e tretë.

Dy procedurat e tjera përfshijnë nga 100 metra katrorë në oborret e kalave të Prezës dhe Petrelës, në zonën e Tiranës.

Objekti i konkurrimit është dhënia në përdorim e ambienteve të përcaktuara të shërbimit dhe jo e kalave në tërësinë e tyre. Të katër pasuritë gëzojnë statusin e monumentit të kulturës dhe përdorimi i hapësirave duhet të jetë në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore.

Subjektet e interesuara duhet të dëshmojnë kapacitete të mjaftueshme financiare, teknike dhe profesionale për realizimin e projekteve dhe administrimin e pasurive kulturore.

Kriteret kërkojnë një garanci financiare për miradministrimin e pronës, në një vlerë jo më të ulët se 10% e investimit të propozuar. Gjithashtu, xhiroja mesatare vjetore e tre viteve të fundit duhet të jetë të paktën sa 50% e vlerës së investimit të parashikuar.

Projektet do të vlerësohen mbi bazën e planeve për ndërhyrje ruajtëse dhe mbrojtëse, nivelit të investimit dhe cilësisë së projektit të rijetësimit. Secili prej këtyre tre kritereve vlerësohet me nga 20 pikë, nga 100 pikë gjithsej.

Pjesa tjetër e vlerësimit lidhet me përputhshmërinë e veprimtarisë me funksionin dhe vlerat kulturore të monumentit, promovimin e trashëgimisë, garantimin e aksesit publik dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Operatorët duhet të sigurojnë gjithashtu burime financiare vjetore për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pasurive kulturore. Në rastet kur janë të pranishme vlera ose gjurmë arkeologjike, kërkohet edhe sigurimi i burimeve për studimet përkatëse. Afati për dorëzimin e ofertave është 12 nëntori 2026, ora 10:00. /Monitor

Share it :