Ervin Kaduku
-Të ftosh për të bërë biznes investitorë të huaj me një nivel të lartë taksash, informaliteti dhe burokracie administrative nuk është as mirëpritëse dhe as frytdhënëse, sidomos krahasuar me rajonin
Gjatë periudhës si Kryeministër, Edi Rama ka shkuar vetë disa herë në Itali në kërkesë të investitorëve për të sjellë fonde investimi në Shqipëri. Ndërkohë që qeveria është e gatshme që të japë të gjitha objektet e mundshme me pronësi shtetërore qoftë edhe me pagesë simbolike me vetëm një euro, atëherë çfarë e pengon fluksin e tyre, që ende nuk po shihet? Në rast se konsiderohen investime vetëm kompanitë e premtuara kineze, që ende nuk po nënshkruajnë asnjë nga kontratat e premtuara në infrastrukturë, kjo do të ishte gjithashtu “fitore”, por deri tani gjithçka mbetet vetëm në fushën e fjalëve. Rritja e nivelit të depozitave bankare me 2.2% nuk është një tregues i stabilitetit ekonomik të vendit, por i pasigurisë së klimës për të bërë biznes. Kështu është shprehur deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu. Sipas tij, kjo është rritja më e ulët e viteve të fundit, ndërsa bizneset dhe bankat me kapital të huaj kanë preferuar që fitimet e tyre t’i transferojnë jashtë vendit. Për më tepër, paraja vazhdon të akumulohet nga shtresat e pasura dhe bizneset, një tregues tjetër i pasigurisë për të kryer investime.
Qeveritarët
Megjithëse me një muaj diferencë, dy qëndrime të ndryshme vijnë në lidhje me klimën e biznesit në Shqipëri. Ministri Gjiknuri në një vizitë pune në Hagë në fillim të muajit prill, në takimin me ministrin e Çështjeve Ekonomike Henk Kamp, në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, u ndal tek masat e ndërmarra nga qeveria për të krijuar një klimë sa më miqësore ndaj biznesit të huaj e vendas. Ministri theksoi se Shqipëria ofron mundësi të mëdha falë rezervave të saja në burime natyrore. Më në detaj, bashkëbiseduesit u ndalën edhe në procedurat e ofrimit për aktivitet kërkimi të blloqeve të lira të naftës dhe gazit. Duke marrë në konsideratë edhe rezultatet pozitive të kërkimeve të kompanisë SHELL e Petromanas në zonën e Shpiragut. Me po të njëjtën ftesë, ministri Gjiknuri u foli edhe investitorëve të huaj pjesëmarrës në Forumin e Biznesit, të organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë së Estonisë në Tiranë, duke u përqendruar tek vizioni i tij se Shqipëria nga pikëpamja energjetike mund të bëhet një aktor me rëndësi për Evropën Juglindore. Megjithëse Shqipëria ka një treg të vogël të energjisë elektrike, po punohet që të krijohet infrastruktura që Shqipëria të jetë e ndërlidhur me të gjitha vendet fqinje. Për këtë qëllim pritet të kalojë në Parlament ligji i ri i energjisë, i cili do të jetë një fillim për liberalizimin e tregut të energjisë, tha ai. Ndërkohë, në fund të muajit, në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjatë së cilës u prezantua Indeksi i Biznesit të Am Cham (ABI), i cili mat 27 indikatorë që lidhen me klimën e biznesit, performancën e ekonomisë, reformat dhe politikat e qeverisë, marrëdhënien me administratën tatimore, doganore, Ministritë dhe qeverisjen lokale, furnizimin me energji, sistemin e taksave, rendin dhe sigurinë, klimën e brendshme politike apo edhe vetë performacën e bizneseve si kërkesa për mallrat dhe shërbimet e tyre, investimet, punësimin etj, pavarësisht se Shqipëria shënoi këtë vit një rritje me 2,56 pikë krahasuar me vitin 2013, ambasadori amerikan Donald Lu, pasi vlerësoi punën e bërë në mbështetje të biznesit në vend dhe për adresimin e problemeve të tyre, tha se klima e biznesit në Shqipëri nuk është ende ajo e duhura. Inkurajimet me “jeni në rrugën e duhur” kanë prej vitesh tashmë duke na rrahur shpatullat, ndërkohë që marketingu i qeverisë jashtë vendit mbetet për t’u verifikuar dhe monitoruar. Të ftosh për të bërë biznes investitorë të huaj me një nivel të lartë taksash, informaliteti dhe burokracie administrative, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, nuk duket fort mirëpritëse, sidomos krahasuar me rajonin. Pavarësisht resurseve dhe mundësive të biznesit, një ftesë e tillë mbetet një sipërmarrje në vetvete mjaft e rrezikshme. Por në fund të fundit edhe qeveria duhet të bëjë punën e saj duke ftuar investitorët e huaj, pasi mesa duket ata vendas e shteruan kapitalin investues ose po e ruajnë për ditë më të vështira…
Çfarë kërkon biznesi i huaj?
Po çfarë kërkon konkretisht biznesi i huaj, i pranishëm në Shqipëri? Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crawford, deklaron p.sh. se Shqipëria duhet të rishikojë politikën e taksave, për të mos humbur garën e investimeve me vendet e rajonit. “Nëse shikoni Maqedoninë, ata janë shumë agresivë në thirrjen ndaj investitorëve, me taksa të ulëta dhe me subvencione. Ata kanë marrë së fundmi një investim, që është miratuar nga një prej kompanive më të mëdha në Amerikë, ‘Leart’, pas të cilit parashikohen të punësohen 2 mijë njerëz në Tetovë dhe disa qindra në Gostivar, të dyja këto zona shqipfolëse. Kështu që, përse të mos vinin këtu?”, tha Presidenti i “AmCham Albania”. Sipas tij, pjesa dërrmuese e investimeve të huaja në Shqipëri janë në banka apo pasuri natyrore, çka tregon se vendi nuk është konkurrues për të thithur kapitalin e huaj. “Nëse shohim se sa shumë kompani prodhimi, si ‘Leart’ që kanë shkuar atje për prodhimin e veshjeve të sediljeve të makinës, e sa kemi këtu në Shqipëri, atëherë e kuptojmë shumë mirë se sa konkurruese është Shqipëria”, – shprehet më tej Marc Crawford. Ndaj, në paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë të ulë veçanërisht dy taksa. “Ne jemi duke diskutuar për tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat, ndër më kryesoret që duhen ulur”, – sqaron Crawford. Sipas kreut të Dhomës Amerikane, lehtësimi i taksave, përveçse do të sillte më shumë investime, do të ulte edhe informalitetin në ekonomi.
Ndërsa për Dhomën Britanike të Tregtisë, sipërmarrja private konsiderohet si motori i zhvillimit të ekonomisë. Por vetë sipërmarrja, sidomos ajo e huaj kërkon nga qeveria shqiptare lehtësi procedurale dhe në politikat fiskale. Aktualisht ngarkesa fiskale konsiderohet nga biznesi si më e rënda në rajon, duke pasur parasysh nivelin e taksimit. Kjo ka bërë që mjaft sipërmarrje të huaja të zgjedhin për të investuar një nga vendet e rajonit dhe jo vendin tonë. Kurse Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) vlerëson Shqipërinë si një vend të mirë për të bërë biznes, por nga ana tjetër shprehet se, situata aktuale e bizneseve nuk inkurajon investime të reja. Kjo përshtypje e shoqatës gjermane të biznesit është dhënë në kuadër të prezantimit të rezultateve të anketimit të vitit 2015 për Klimën e Biznesit në Shqipëri, sesa tërheqëse është Shqipëria si vend për investime. Ambasada Gjermane në njoftim për median ka dhënë përmbledhjen, duke u shprehur se, situata në të cilën po kalon klima e biznesit në vend nuk favorizon investimet e huaja.
Fillon investimi 16 milionë USD për rrjetin elektrik në Paskuqan-Babrru
Pas reduktimit të nivelit të humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar fazën e investimeve në terren me synim përmirësimin e cilësisë së furnizimit për qytetarët. Dje kanë nisur punimet për rrjetin e tensionit të mesëm 20 kV Paskuqan-Babrru. Projekti për ndërtimin e rrjetit të ri elektrik të këtyre zonave përmban rrjet me tensionin e mesëm 20 kV, kabina transformacioni me tension 20/0.4 kV si dhe ndërtimin e lidhjeve të tensionit të ulët me kabllo ABC. “Loti nr.4 që përfshin zonën e Paskuqanit dhe Babrrusë ku janë të parashikuara pesë lote. Shuma e investimit, për Paskuqanin dhe pjesën e Babrrusë shkon në rreth 16 milionë dollarë. Afati i investimeve shkon nga 6 deri në 8 muaj. Investimet përfshijnë rreth 91 kabina të reja, 130 kilometër kabllo për tensionin e mesëm. Kjo zonë ka një rrjet shumë të amortizuar mbi 30-vjeçar dhe nevojat ishin primarë për të nisur nga këtu”, – u shpreh administratori i OSHEE-së, Adrian Çela. Fiderat aktualë që furnizojnë Paskuqanin dhe Babrrunë rezultojnë me humbje në vlera shumë të mëdha që arrijnë në 56%, ndërsa një vit më parë humbjet shkonin madje në 65%. Punimet duhet të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për rreth 16.000 abonentë (familjarë dhe biznese).




