Protesta/ Tifozët e Tiranës ndërpresin stërvitjen e skuadrës

 

Jurges Veizaj

 Tifozët e TiranësMe parulla tifozët kanë shfryrë inatin e tyre drejt stafit drejtues dhe lojtarëve për dështimin në këtë sezon

Sezoni 2014-2015 për Tiranën rezultoi një dështim i vërtetë. Kjo, pasi nuk kanë arritur që të plotësojnë asnjë nga qëllimet që kishin vendosur në fillim. Humbja me Kukësin i rëndoi dhe më shumë gjërat. Kjo ka bërë që të ndodhë një akt i paprecedent pasditen e djeshme në kompleksin stërvitor “Skënder Halili” të Tiranës. Një grup tifozësh të irrituar për fundin e hidhur të sezonit nuk kanë lejuar skuadrën bardheblu të kryejë seancën e programuar stërvitore për këtë të martë. Tifozët, të cilët kishin vendosur që më parë banderola ku shprehnin gjithë pakënaqësinë e tyre në dyert e hyrjes së kompleksit stërvitor, kanë bllokuar derën e hyrjes, duke mos lejuar stafin dhe futbollistët që të futën për të kryer normalisht stërvitjen. Klubi i Tiranës ka dalë menjëherë me një komunikatë për shtyp, në të cilën shpjegon ngjarjen, e cila ka kushtëzuar anulimin e seancës së parë stërvitore të javës ndërsa shton se klubi i Tiranës ka mirëkuptuar këtë situatë të krijuar dhe ka anuluar stërvitjen duke i kërkuar ndjesë publike tifozëve me premtimin se shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë. Pavarësisht qëndrimit të klubit të Tiranës që kërkon të mos prishë marrëdhëniet me mbështetësit e skuadrës, akti i këtij grupi të tifozëve të Tiranës është një precedent i rrezikshëm për futbollin dhe i dënueshëm kudo në botën e qytetëruar. Në asnjë vend tifozët nuk mund të marrin përsipër të bllokojnë aktivitetin normal të skuadrës aq më tepër kur bëhet fjalë për një seancë përgatitore, sado e rëndë të ketë qenë ecuria e ekipit. Mënyrat nëpërmjet të cilave tifozët mund të shfaqin pakënaqësinë, mosmiratimin apo të shprehin kërkesat e tyre për dorëheqje mund të jenë nga më të shumtat, por kurrsesi nuk mund të legjitimohet një veprim i tillë. Ndërsa këtë fundjavë luhen edhe ndeshjet e fundit të këtij sezoni. Fitorja minimale me Vllazninë në “Qemal Stafa” praktikisht ka siguruar vendin e tretë për Partizanin në Superiore. Në fakt, matematikisht të kuqtë mund ta humbasin këtë pozicion, nëse dështojnë të marrin pikë me Elbasanin, ndërsa Tirana fiton me Teutën. Mirëpo në kampin e kuq as që e mendojnë se Elbasani mund të bëjë rezistencë, aq më tepër që sfida nuk do të luhet në “Elbasan Arena”. Të dyja skuadrat me konsensusin e Federatës Shqiptarë të Futbollit kanë rënë dakord që ky takim të zhvillohet në stadiumin e Kamzës, të Premten në orën 17:00. Trajneri Shpëtim Duro ende nuk i ka nisur përgatitjet për këtë takim formal, pasi i ka lënë futbollistët e tij dy ditë pushim. Mungesa e vetme e Partizanit ndaj Elbasanit do të jetë sulmuesi Raçiç, i pezulluar për arsye kartonësh. Formacionit titullar pritet t’i rikthehet portieri Alban Hoxha, i cili ndaj Vllaznisë mungoi për arsye dëmtimi. Në rast se Partizani fiton me Elbasanin ndërsa Kukësi arrin të marrë tri pikë me Flamurtarin, atëherë formacioni i Shpëtim Duros do të mbyllnin sezonin si nënkampionë të Shqipërisë.

 

 

Hysaj drejt largimit nga Empoli

Shkodrani i kombëtares Hysaj do të largohet nga Empoli. Presidenti i Empolit, Fabricio Korsi, ka bërë të ditur se mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj mund të largohet në verë, sepse, sipas tij, interesimi është i madh nga disa skuadra. “Hysaj është befasi e këndshme, një futbollist i rëndësishëm që është përmirësuar shumë në vitet e fundit dhe mund të ketë karrierë jashtë vendit”, – ka thënë Korsi të hënën në një intervistë dhënë “Radio Olimpia”. Elseid Hysaj 21-vjeçar këtë edicion me fanellën e Empolit në Serinë A ka zhvilluar 34 paraqitje. Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë vlerësohet një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në Itali. Hysaj me Empolin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ai ka qenë edhe në kategoritë e reja të kësaj skuadre italiane.

 

Murinjo mohon kontaktet me Realin e Madridit

Hoze Murinjo ka mohuar raportimet se është kontaktuar nga Reali i Madridit për një rikthim të mundshëm në postin e menaxherit në “Bernabeu”. Gazeta spanjolle “Marca” ka raportuar se klubi mbretëror ka kontaktuar menaxherin portugez për një rikthim të mundshëm te klubi nga i cili u largua në drejtim të Çelsit. Guilem Balage, ekspert i futbollit spanjoll te “Sky Sports”, ka theksuar se të hënën Murinjo ka mohuar një rikthim të mundshëm te Reali si zëvendësues i Karlo Ançelotit që pritet të largohet gjatë kësaj vere. “Ideja është që Reali tani është duke kërkuar një trajner të ri – kjo gjë ndodh kur Real Madridi nuk fiton trofe”, – ka thënë Balage. “Reali ka biseduar me Jurgen Klopin, Rafa Benitezin dhe Hoze Murinjon. Ata kanë biseduar me portugezin, i cili ka refuzuar punën te ky klub”, – ka shtuar ai.

 

Jakini: Dybala, një yll i ri te Juvja

Trajneri i Palermos, Xhuzepe Jakini, ka thënë se Paulo Dybala do të rezultojë i suksesshëm te Juventusi. Sulmuesi argjentinas është kërkuar nga shumë klube të mëdha evropiane, por “Zonja e Vjetër” ka arritur marrëveshje për transferimin e tij në Torino. “Që nga momenti i parë, e kam ditur se ai është lojtar i rëndësishëm. Ishte me rëndësi që ta vendosja në rolin e sulmuesit kryesor, gjë që ia mundësoi ta shihte më mirë portën dhe t’i shfrytëzonte maksimalisht situatat sulmuese. Ai duhet ta presë shansin e tij te Juventusi, të dëshmojë se meriton një shans dhe të luajë kur t’i jepet mundësia”, – ka thënë Jakini.

 

Konte: Juventusi, shembull për ekipet e tjera italiane

Përzgjedhësi i Italisë, Antonio Konte, thotë se arritja e Juventusit në Ligën e Kampioneve është e jashtëzakonshme, por sipas tij, kampioni italian nuk duhet të ndihet i kënaqur me këtë sukses. “Zonja e Vjetër” është skuadra e parë nga Seria A që ka arritur në finale të LK-së, që prej se Interi triumfoi në vitin 2010. “Kualifikimi i një skuadre italiane në finale të Ligës së Kampionëve është një e arritur e madhe dhe e jashtëzakonshme”, – citon “Mediaset” fjalët e Kontes. “Sidoqoftë, ne nuk duhet të kënaqim veten me kaq. Shpresoj që kjo e arritur të jetë vetëm fillimi i një rikuperimi të tërësishëm. Shpresoj që rezultatet e Juventusit në arenën ndërkombëtare të forcojnë edhe skuadrat tjera italiane”, – ka shtuar ish-trajneri i bardhezinjve.

 

Junajtid e lëshon De Gean për 29 milionë euro

Negociata kanë nisur për transferuar portierin e Mançester Junajtidit, David de Gea, nga skuadra e Mançester Junajtidit te Reali i Madridit. Anglezët kërkojnë të marrin nga Reali shifrën e 29 milionë paundëve, për të lejuar mbrojtësin e fundit që të performojë në stadiumin “Bernabeu”. Reali kërkon që në këtë operacion të fusë si këmbim në vlerën financiare mbrojtësin Koentrao. Gardiani spanjoll thuhet se ka rënë dakord në termat financiarë me galaktikët, edhe pse ka edhe një vit e gjysmë kontratë në ishull. De Gea pritet të zëvendësojë portierin Kasijas, i cili kohët e fundit nuk ka treguar formën më të mirë të mundshme dhe është kontestuar nga tifozeria kritike e Realit. Ndërkohë që kapiteni aktual pritet që të hedhë sytë drejt një skuadre tjetër, ku disa ekipe angleze kanë qenë të interesuara për shërbimet e tij, ku kryesori duket Arsenali.

 

Share it :