“Properëndimori” qaraman Vuçiç

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim Mehmeti20-vjetori i masakrës së Srebrenicës mblodhi në një veprimtari përkujtimore krerë të lartë shtetesh, ish-presidentin amerikan Bill Klinton, princër të kurorave mbretërore më në zë të Evropës dhe botës. Midis tyre spikaste edhe prania e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. Ceremonia ishte paramenduar të ishte e tillë, që të tregonte reflektim, përulësi si dhe një mundësi për një perspektivë tjetër në Ballkan. Kryeministri serb gjatë vendosjes së tufës me lule në memorialin që përkujtonte viktimat e masakrës, u ndodh në vërshëllimën e banorëve vendas, thirrjeve kundër tij e deri në hedhje të sendeve të forta, të cilat, sipas të gjitha raportimeve, nuk shkaktuan probleme të rënda në shëndetin e kryeministrit.

Por ndërsa pritej një reagim më gjakftohtë prej krerëve serb, i pari ministri i jashtëm e të gjithë pas tij, shpejtuan të luajnë rolin e viktimës në gjithë këtë ngjarje. Qaramani Vuçiç mobilizoi të gjithë arsenalin e tij mediatik e politik për dy qëllime të rëndësishme: Së pari për të treguar se Serbia, po shtrin dorën e paqes dhe të pajtimit me të gjithë ballkanasit dhe së dyti për të dhënë një sinjal properëndimor, në kancelaritë e vendeve të Bashkimit Evropian e në veçanti në Bruksel. Nëse kthehemi në retrospektivë, pyetja e thjeshtë që ngrihet është se : Incidenti ndaj Vuçiç, ishte thjesht se ai ishte serb, apo se është një prej personave që ka ende mbi shpatull, përgjegjësinë e tij personale, për gjakderdhjen e shkaktuar prej shtetit të tij, në Bosnjë e më gjerë? Natyrisht që kjo e dyta. Nëse kryeministri serb, i ka “harruar” deklaratat e tij për shfarosjen e myslimanëve boshnjak, me një gjuhë fashiste: për një serb të vrarë, vrasim 100 mysliman, këta të fundit dhe bota mbarë i kanë ende ndër mendje. Nëse Vuçiç, mendon se duke lavdëruar djemtë e tij, që e mbrojtën dhe ngritur lart rolin e Serbisë që sipas “tij ka shtrirë dorën e pajtimit”, ja ka hedhur paq, besoj se gabon. Ky grindavec i keq e qaraman i njohur, sa herë që nuk i pëlqen diçka, tregon se ka mbetur po i njëjti politikan i fillimviteve 1990. Kryeministri serb, duhet të bëjë atë që bëjnë për çdo vit, politikanët gjermanë në vendin e tyre dhe në të gjitha vendet që kanë pushtuar në Luftën e Dytë Botërore. Me përulësi të madhe, prej kreut të shtetit gjerman deri tek ambasadorë e diplomatë, njëzëri, dënojnë krimet e nazizmit dhe bëjnë thirrje që kjo kohë e errët të mos kthehet më kurrë. Serbia, vendi që ka për kryeministër Vuçiç, duhet të tregonte me vepra se kishte shtirë dorën e pajtimit. Serbia duhet të kërkonte falje publike, në mënyrë individuale, myslimanëve të Bosnjës, shqiptarëve të Kosovës, kroatëve, për krimet e kryera me gjak të ftohtë, përmes strukturave zyrtare ushtarake dhe ato paramilitare të mbështetura e financuar nga Beogradi. Vuçiç dhe paraardhësit e tij, duhet të ndihmonin me informacionet që posedojnë se ku gjenden varret masive të boshnjakëve dhe shqiptarëve, ku janë fshehur, groposur apo transformuar me mijëra, djem nënash që qahen ende dhe sot, pa patur një varr. Serbia ka mundësinë, që të shëroj një pjesë të plagëve të luftës dhe të shtrijë dorën e pajtimit, duke i dhënë fund ndarjes së Bosnjës dhe nxitur dialogun ndëretnik, në të mirë të të gjithë Ballkanit dhe të ardhmes evropiane në rajon. Vuçiç, duhet të ngrejë një fond të posaçëm për të dëmshpërblyer viktimat e luftës, të shkaktuara nga makineria ushtarake serbe dhe histeria ultranacionaliste e shtetit të tij. Por kjo duket se nuk ka ndodhur dhe vështirë të ndodhi. Serbët ankohen se ju ngrit një dron në një ndeshje, kur një stadium i tërë, thërriste në korr “vritini shqiptarët”. Serbët bëhen bashkë për ta kthyer fushën e lojës në fushë beteje, dhe përsëri ndihen të provokuar. Kryeministri i tyre shkon në Srebrenicë, ku plagët e banorëve kullojnë ende gjak dhe një sulm ndaj tij, që ndodh rëndom edhe në vende më të zhvilluar nga një pakënaqësi që mund të kenë një grup individësh edhe ndaj shtetarëve të vendit të vet dhe përsëri ndihen të provokuar. Po kush janë këta engjëj që të gjithë i kanë inat dhe duan t’i sulmojnë? Janë ish-funksionarë të partisë së Sheshel, këshilltar dhe ministra të Millosheviçit, që mburren me të kaluarën e tyre. Këta shtetar pa një pikë, respekti për shtetin demokratik e modern, veshin kostumin e evropianit, sa herë që u leverdis, atë të nacionalistit sa herë që përmendet qoftë edhe shkarazi fjala Kosovë dhe atë të filorusit, sa herë që duan t’i bëjnë karshillëk Evropës. Kush janë këta shtetarë të sotëm, që hiqen si njerëzit e paqes dhe dialogut? Ata që lejuan qytetarët e vet të shkonin me simbolet e Serbisë së madhe e të ndihmonin separatistët rus në Ukrainë. Mirëpo kjo gjë u kalua shpejt. Në Evropë, duket se nuk bëri shumë përshtypje, ndonëse, paramilitarët serb, janë po kaq të rrezikshëm sa ushtarët e rekrutuar, që shkojnë për të ndihmuar luftëtarët e ISIS. A thua se shtetarët serb, nuk janë në dijeni të kësaj veprimtarie në vendin e tyre? Përse “burra shtetit”, nuk heqin barrikadat në Mitrovicë, në emër të dorës së shtrirë të pajtimit? Përse nuk njohin detyrimet që kanë ndaj shtetit të Kosovës, për vite e shekuj e kanë rrjepur këtë rajon nga pikëpamja ekonomike dhje i ka kthyer shumë pak në formë investimesh? Përse Beogradi nuk anulon fletë-arrestet e lëshuara për disa prej udhëheqësve politik shqiptar, si shenjë e vullnetit të mirë? Mos vallë në emër të paqes të paqes, Serbia detyroi Republikën Srpska, t’i ndalonte hyrjen në Bosnjë zëvendës kryeministrit të Kosovës? Përse Serbia, nuk ndërmerr hapin për organizmin e një forumi ballkanik, për të njohur dëmet që i ka shkaktuar politika ultranacionaliste në Ballkan? Kjo iniciativë, është larg, shumë larg, mentalitetit të serbëve të fort. Ata kujtojnë se janë të parët e Ballkanit dhe se Zoti e historia ju a ka caktuar këtë mision. Ata luajnë rolin e të fortit, plot krenari sa herë që ju jepet mundësia dhe kudo që është rasti. Janë të parët që nuk lënë rast pa dënuar “terrorizmin”, e shqiptarëve, duke harruar krimet makabre të kryera prej tyre, ndaj shqiptarëve e më gjerë. Ata janë të parët që poshtërojnë shqiptarët, hungarezët dhe etnitë e tjera brenda shtetit të vet dhe pretendojnë të respektohen në skenën më të madhe të krimit human pas Luftës së Dytë Botërore, në Srebrenicë. Çfarë pret kryeministri i vendit që ka lejuar hapur një kriminel lufte si Sheshel, të mbledh njerëzit në sheshe e të ulërakë se Serbia ka bërë vetëm detyrën e jo masakra në Bosnjë e në Kosovë? Çfarë respekti, pret ky qaraman-kryeministër, kur në vendin e tij, i vejnë flakën furrave të bukës, se u ngrit një dron në stadium? Me shumë gjasa, Vuçiç e ka dëshiruar shumë një incident në Bosnjë e madhe me përmasa edhe më të mëdha, për të gjetur justifikimin se Serbia është e gatshme të shtrijë dorën e pajtimit, por e ka të pamundur në një rajon, ku të tjerët e sulmojnë dhe nuk e kuptojnë. Ai do të dëshironte pse jo edhe ndonjë viktimë mes radhëve të atyre që e ruanin, që ta përdorte si një armë të fortë, se për “të ecur drejt paqes, përparimit dhe rrugës së Evropës, serbët bëjnë sakrifica njerëzore”. Skenari i mendjes së tij, për fat të mirë të të gjithëve dhe fatkeqësi të Vuçiç, nuk përfundoi sikundër e kishte paramenduar. “Njeriu i pajtimit”, kryeministri serb, ishte qurravitur së bashku me aleatët e tij të medias nj ditë më parë, për “fatkeqësinë që i kishte rënë Serbisë nga vendimi i Lozanës”, në vend që të guxonte, qoftë formalisht, të thoshte, “na falni për thirrjet raciste, në një aktivitet ku më shumë se çdo gjë promovohet, paqja, mirëkuptimi dhe vëllazërimi mes popujve”.

I njohur për shprehjen e tij “provokacja”, që e përdor sa herë që t’i prekte interesi Serbisë, kryeministri serb, nuk dallon shumë, nga politikani i ri i viteve të mëparshme. Nëse do të gjente mundësi, ky politikan qaraman, do të bënte ç’të ishte e mundur që Serbia të mos pranonte asnjë faj, asnjë dëmshpërblim, mos të çonte asnjë kriminel në bankën e drejtësisë. Por tani kohët kanë ndryshuar. Fundi i babait të tij shpirtëror Sllobodan Millosheviç, idhujve të tij Ratko Mlladiç, Radovan Karaxhiç, e kanë kthyer si ai fëmija qaraman-grindavec, që i duket se gjithë lagjja e ka inat, nga që nuk e arrin dot. Nëse do pak paqe në shpirtin e tij dhe për popullin serb që e damkosën me njollën e turpit të një shoqërie të kriminalizuar, të fillojë nga gjestet simbolike të fqinjësisë së mirë, deri tek guximi për të pranuar krimet e kryera në konfliktet ndëretnike, në vitet 1990 si dhe realitetin më të ri politik në Ballkan, Kosovën e pavarur.

Share it :