Propaganda naziste si shembull për propagandën komuniste shqiptare

ILIR HASHORVA

Propaganda naziste si shembull për propagandën komuniste shqiptareDuke paraqitur disa aspekte të terrorit dhe propagandës naziste, do të kuptojmë se sa kopjoi komunizmi shqiptar nga nazizmi gjerman, do të kuptojmë se sa ngjasojnë regjimet kriminale me njëri-tjetrin, qofshin ato perëndimore të djathta, apo lindore të majta.

Nga të parat institucione që krijoi Hitleri kur erdhi në fuqi, ishte Ministria e Propagandës, më 13 mars të vitit 1933. Në krye të kësaj ministrie ai vendosi Josef Gëbelsin, një nga udhëheqësit nazistë më të kultivuar. Detyra kryesore e asaj ministrie ishte të vinte me mjeshtëri nën kontroll të gjitha aspektet e jetës shpirtërore, kulturore dhe intelektuale gjermane. “Sekreti i propagandës është të depërtojë te njeriu tek i cili synon, pa e kuptuar fare ai. Natyrisht, propaganda ka një qëllim, por qëllimi duhet të mbulohet me aq zgjuarsi dhe virtuozitet, saqë njeriu të mos e vejë re fare”, – thoshte Gëbelsi për propagandën.

Më 25 mars, Gëbelsi përcaktoi detyrën e ministrisë si “mobilizuese shpirtërore” e popullit për rikrijimin e qëndrueshëm të shpirtit të ri gjerman në mënyrë që “populli të fillojë të mendojë si një, të reagojë si një dhe të vërë veten me gjithë zemër në shërbim të regjimit”. Gëbelsi donte jo vetëm të paraqiste regjimin dhe politikën e tij në mënyrë krejt pozitive, por edhe të paraqiste të gjithë popullin gjerman si mbështetës të bindur të atij regjimi. Hebrenjtë duheshin mënjanuar nga të gjitha aspektet e jetës kulturore gjermane, sepse ata mbaheshin përgjegjës për minimin e asaj jete, duke futur kudo modernizmin. Në të vërtetë, hebrenjtë ishin më shumë konservatorë, sesa liberalë.

Politikën naziste Gëbelsi e konsideronte art me detyra të përcaktuara mirë. Ai thoshte: “Lëvizja Nacionalsocialiste beson se politika është arti më i madh dhe më fisnik. Ashtu si skulptori që merr një gur të vdekur dhe me daltë e bën atë që të marrë frymë, ashtu si piktori që transformon pigmentet në jetë, ashtu si kompozitori që transformon notat e vdekura në melodi që mrekullojnë edhe qiellin, edhe politikani dhe shtetari kanë për detyrë të transformojnë një masë amorfe njerëzish në një popull të gjallë. Kështu, arti dhe politika qëndrojnë së bashku”.

Më 22 shtator të vitit 1933, brenda Ministrisë së Propagandës, u krijua Dhoma e Kulturës e Rajhut, e cila do të kishte shtatë seksione: atë të literaturës, të teatrit, të muzikës, të radios, të filmit, të arteve të bukura dhe të shtypit. Të gjitha këto, këtej e tutje, do të viheshin nën kontrollin e shtetit.

Më 15 nëntor të vitit 1933, Gëbelsi deklaronte: “Revolucioni që bëmë është total. Ai ka përfshirë të gjitha aspektet e jetës dhe i ka ristrukturuar ato. Ai ka ndryshuar marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin, me shtetin dhe me vetë ekzistencën… Ai ka transformuar kombin gjerman në një popull”. Duke qenë se tashti gjermanët ishin një popull, koha e individualizmit kishte marrë fund. Individi do të zëvendësohej me komunitetin, me popullin.

Nga punët e para që bëri Ministria e Propagandës, ishte vendosja e festave të reja në kalendarin e festave publike. Kështu, u vendos 20 Prilli, si ditëlindja e Hitlerit; 7 Nëntori, si dita e puçit nazist të vitit 1923 dhe 1 Maji, Dita Kombëtare e Punës. Në 1 Majin e parë, kolona të gjata punëtorësh parakaluan me formacione ushtarake duke kënduar himnin nazist “Këngën e Horst Veselit”. Atë natë, në qiellin e ndriçuar prej fishekzjarrësh, Hitleri premtoi se papunësia do të ishte një çështje e së shkuarës.

Mitingje të Partisë Naziste do të bëheshin çdo vit në vjeshtë në Nuremberg, në Mekën e nazizmit, ndërsa parada me pishtarë do të bëheshin çdo 30 janar, për të përkujtuar ditën që Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë. Në mbarë Gjermaninë u ndërruan emrat e rrugëve, duke i zëvendësuar me emrat e heronjve të rinj nazistë.

Personaliteti i Hitlerit u bë kudo mbizotërues. Nga marsi i vitit 1933, filloi një garë midis qyteteve për ta bërë Hitlerin qytetar të tyre të nderit. Në gati të gjitha qytetet, shesheve kryesore iu vu emri i Hitlerit. Në ditëlindjen e Hitlerit, qytetet zbukuroheshin me flamuj, parulla e lule. Kudo kryheshin parada. Kishat mbanin shërbesa të posaçme për t’i uruar Fyrerit jetë të gjatë e të lumtur. Postera të ndryshëm e revista të ilustruara kishin në qendër të vëmendjes Hitlerin. Për të bëheshin dokumentarë të posaçëm filmi që e paraqisnin atë si gjeninë që Perëndia ia kishte dhuruar Gjermanisë.

Një sektor shumë i rëndësishëm propagandistik ishte letërsia. Më 10 maj të vitit 1933, studentët gjermanë organizuan kudo mbledhje kundër shpirtit jo gjerman në letërsi. Ata hartuan një listë të librave që nuk i shërbenin nazizmit, i mblodhën ato, i bënë pirg në sheshe publike dhe iu vunë flakën. Gjithsej u dogjën rreth 25000 vëllime. Në Berlin, në djegien e librave qe i pranishëm edhe Gëbelsi që, me atë rast, tha: “Çdo libër apo vepër arti që vepron në mënyrë subversive mbi të ardhmen tonë, apo godet rrënjët e mendimit gjerman, të shtëpisë gjermane, apo të forcave lëvizëse të popullit tonë, duhet të digjet”. Librat hidheshin në zjarrin e madh të shoqëruara me slogane të tilla si “Kundër luftës së klasave dhe materializmit”, “Kundër dekadencës dhe rënies morale”, “Për disiplinën në familje dhe në shtet”. U dogjën libra të Hainrih Manit, të Tomas Manit, të Xhek Londonit, të Sigmund Frojdit, të Emil Zolasë, të Marsel Prustit, të Albert Ajnshtajnit, të Karl von Osietzskyit, të Erih Remarkut, të Bertolt Brehtit, të August Bebelit, të Karl Marksit, të Ernest Hemingueit. U dogjën librat e Hanrih Hajne-s, i cili pat thënë: “Aty ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit”. Për djegien e librave të tij, Frojdi tha: “Të paktën u dogja me shokë të mirë”, ndërsa Cvajgu – : “E pashë më shumë si një nder, sesa si një turpërim që u lejova të kisha të njëjtin fat me shkrimtarë të tillë të shquar si Tomas Mani, Hainri Mani, Verfeli, Frojdi, Ajnshtaini dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve i çmoj më lartë se të miat”.

Shkrimtarët që nuk shkruanin, apo që nuk kishin shkruar ato që u vinin për shtat nazistëve, u sulmuan. Një numër prej tyre u larguan nga Gjermania. Bertolt Brehti shkoi së pari në Zvicër, më pas në Holandë dhe përfundoi në Amerikë. Erih Maria Remarku u largua nga Gjermania në vitin 1932 për të shkuar në Zvicër. Në vitin 1938 atij i hoqën shtetësinë gjermane. Në vitin 1939 ai shkoi në Amerikë dhe u bë shtetas amerikan. Pas lufte ai u kthye në Zvicër dhe qëndroi aty derisa vdiq, në vitin 1970. Remarku vazhdoi të shkruante, por vepra e tij kryesore mbeti “Asgjë e re në frontin e Perëndimit”, libër që qe shkruar në Gjermani, në vitin 1929. Për të mendohej se ishte hebre dhe se kishte ndryshuar mbiemrin nga Kramer në Remark, duke ndryshuar rendin e germave. Tomas Mani, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1929, ishte një tjetër shkrimtar i madh gjerman që iu desh të linte Gjermaninë së bashku me vëllanë e tij Hainrih Man. Ata përfunduan në Amerikë. Shumë shkrimtarë të tjerë, në përgjithësi hebrenj, u larguan nga Gjermania që në fillim të marrjes së pushtetit prej nazistëve. Në Gjermani, shkrimtarët që ngelën, ose u kthyen në vegla të nazizmit, ose u burgosën. Një gazetar dhe eseist i tillë ishte Karl von Osietzky, botues i periodikes së majtë “Skena Botërore” që, para ardhjes në fuqi të nazizmit, vinte në lojë Hitlerin. Ai u mbyll në kamp përqendrimi fill pasi nazistët morën fuqinë. Ky person u njoh në të gjithë botën dhe u bënë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i dhënë Çmimin “Nobel” për Paqe. Në vitin 1936, atij iu akordua ai çmim. Osietzky nuk u lejua të shkonte të merrte çmimin dhe Hitleri që nga ajo kohë ndaloi shtetasit gjermanë që të merrnin Çmime “Nobel”. Më 4 maj të vitit 1938, Osietzky vdiq në spitalin e burgut.

Një parantezë këtu: Shkrimtarët dhe artistët hebrenj gjermanë që shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Tomas Mani, Hainrih Mani, Erih Maria Remarku etj., u vendosën kryesisht në Kaliforni, në Los Anxheles. Ndonëse aty iu krijuan kushte shumë të mira jetese dhe pune, një pjesë e tyre ranë në depresion duke mos u përshtatur dot me jetën e re. Veprat e tyre në këtë periudhë nuk krahasoheshin dot në cilësi me ato të krijuara në Gjermani. Një pjesë e tyre, sapo mbaroi lufta, u kthyen në Gjermani.

Bibliotekat dhe libraritë vëzhgoheshin me kujdes për libra të padëshiruar nga agjentët e Policisë Kriminale, nga Gestapoja, nga Ministria e Brendshme, nga “Rinia e Hitlerit”, nga organizata të studentëve nazistë, nga trupat SA si dhe nga një qendër që quhej “Autoriteti Suprem i Censurës për Literaturë të Ndyrë dhe të Pavlefshme. Deri në dhjetor të vitit 1933, u ndaluan rreth 1000 tituj librash. Ndërmjet librave të huaj të ndaluar mund të përmendet Oliver Tuisti i Dikensit, Ivanhohe i Valter Skotit, dhe çdo libër hebre. Poeti gjerman me origjinë hebreje Hainrih Haine u cilësua si një imitues sipërfaqësor i literaturës gjermane.

Shtypi u vu i tëri nën kontrollin e shtetit. Gazeta e Partisë Naziste ishte “Vëzhguesi Racial”. Ajo botohej njëkohësisht në Munih dhe në Berlin. Të abonuar në të ishin veçanërisht mësuesit, të cilët e përdornin atë gazetë për të ilustruar mësime në klasë.

Një gazetë e ilustruar, tejet antisemite, ishte ajo që nxirrte një herë në javë Julius Shtrajher (Streicher) “Die Stürmer”. Të gjitha të këqijat, të çfarëdo natyre qofshin, kjo gazetë ia atribuonte hebrenjve.

Një sulm frontal kundër ndikimeve të huaja në kulturën gjermane filloi me sektorin e filmit. Zyra e Filmit do të kishte nën mbikëqyrje të gjithë industrinë e filmit. Prej industrisë së filmit u larguan të gjithë punonjësit hebrenj, qofshin ata artistë, teknikë apo inxhinierë.

Kinematografia gjermane u vu tërësisht në ndihmë të luftës dhe nazizmin, duke luftuar bolshevizmin dhe hebraizmin. Gëbelsi urdhëroi përgatitjen e dy filmave antisemite: “Hebreu Sys” dhe “Hebreu i përjetshëm”. Në filmin e parë, “Hebreu Sys”, me regji të Vait Harlan, paraqitej një hebre fajdexhi i shekullit të tetëmbëdhjetë që u var, sepse u zhvaste paratë gjermanëve të ndershëm si dhe rrëmbente dhe përdhunonte vajza të bukura gjermane. Varja e hebreut simbolizonte fatin e hebrenjve të kohës. Të gjithë SS-ët u detyruan ta shihnin atë film.

 

Share it :