Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës, ka njoftuar se në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ka mundur të sigurojë 300 dëshmitarë.
Sipas Prokurorisë, në procesin gjyqësor do të shfaqen dhe 40 vendndodhje ku mendohet se janë kryer krimet e pretenduara.
Në lidhje me paraqitjen e të gjitha provave, prokuroria arsyeton se i duhen rreth 600 orë përballë trupit gjykues.
Sipas organit të akuzës procesi gjyqësor mund të zgjasë deri në fillim të vitit 2025, por nga ana tjetër mbrojtja ka kërkuar që procesi mos të zgjasë pa fund dhe koha e paraqitjes së provave të shkurtohet.
“Këto shkëmbime mes palëve janë kryer në konferencën përgatitore të 15 shkurtit për këtë proces gjyqësor.
Datë të saktë për nisjen e procesit gjyqësor nuk ka ende, ndonëse zyrtarë të Gjykatës kanë përmendur me raste fillimin e marsit”, shkruan REL.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në deklarimet e tyre ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura.




