Sonila Mesareja
Akuza e mbërritur me letërporosi/ Dhuna barbare, kërcënimi me therje dhe abuzim seksual me të miturën brenda në banesë në një fshat të Selanikut në Greqi
Abuzimi seksual me mbesën e tij vetëm 13 vjeçe do t’i kushtojë 35 vite të jetës së tij, nëse kërkesa e Prokurorisë së Elbasanit do të pranohet nga gjykata. Kaq ka qenë masa e dënimit e kërkuar dje nga akuza e këtij qyteti për 35-vjeçarin Eno Eshi, i cili akuzohet për kryerje të “Marrëdhënieve seksuale me të mitur”, në dëm të mbesës së tij 13 vjeçe në momentin e kryerjes së krimit. Ngjarja për të cilën akuzohet shtetasi Eno Eshi ka ndodhur në shtator 2013 në fshatin Serres, në Selanik të Greqisë. Sipas hetimit ka rezultuar se i akuzuari ka përfituar nga fakti që ka qenë vetëm me të afërmen e tij të mitur në shtëpi dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, duke e kërcënuar edhe me jetë. Këto fakte janë provuar edhe nga aktet e ekspertimit përkatëse, të realizuara në kuadër të këtij hetimi. Menjëherë pas ngjarjes, familjarët e vajzës kanë bërë kallëzim pranë autoriteteve greke në zonën ku jetojnë. Gjithashtu, një kallëzim i tillë është dorëzuar edhe pranë autoriteteve shqiptare, në qytetin e Elbasanit. I pandehuri, menjëherë pas kryerjes së veprës penale, ka kaluar kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Pas kallëzimit të familjarëve të të miturës në Elbasan, Prokuroria e këtij qyteti ka nxjerrë urdhër-ndalimin, i cili është ekzekutuar një vit më parë, në dt. 1.10.2013. Më pas, urdhëri i ndalimit është konsideruar i ligjshëm nga gjykata dhe ditën e djeshme, prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal, me 35 vjet, për të akuzuarin e kësaj vepre të rëndë penale.
Akuza
Prokuroria e Elbasanit ka paraqitur dje konkluzionet përfundimtare ndaj 35-vjeçarit Eshi, për të cilin ka kërkuar dënim maksimal, aq sa dhe vite mban mbi shpinë, plot 35 vjet burg. Në fjalën e saj të fundit, Prokuroria ka renditur dinamikën e ngjarjes së ndodhur, provat që disponon, të cilat janë dërguar me letërporosi nga Greqia. Sipas akuzës, më datë 21.09.2013 rreth orës 16.00 vajza e quajtur K. Ll., e datëlindjes 11.07.2000, e ndodhur vetëm në banesë me familjarin e saj të quajtur Eno Eshi, 35 vjeç, është keqtrajtuar fizikisht nga ky i fundit dhe më pas ndaj saj është ushtruar marrëdhënie seksuale me dhunë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Serres në Selanik të Greqisë. Gjatë ditës së ngjarjes, ka qenë ditë e shtunë, i pandehuri gjatë paradites kishte lëvizur në vende të ndryshme brenda fshatit. Ka të dhëna që gjatë kësaj periudhe ai kishte konsumuar pije alkoolike. Rreth orës 15:00, vajza K. ka qenë duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së saj. I pandehuri Eno e ka thirrur të futet brenda në shtëpi. Ajo është futur dhe i pandehuri ka filluar t’i bërtasë me pretekstin se nuk kishte bërë punët e shtëpisë. I pandehuri ka mbyllur dritaret e shtëpisë, ka mbyllur me çelës derën e saj dhe çelësin e ka futur në xhepin e pantallonave të tij dhe ka marrë aparatin celular të vajzës. Ai ka përgatitur terrenin për të kryer veprën kriminale. Më pas, i pandehuri i është afruar vajzës dhe ka filluar të prekë atë në pjesët intime. Aty e ka zhveshur vajzën, është zhveshur edhe vet, dhe duke ushtruar një dhunë të pashoqe fizike, ka kryer marrëdhënie seksuale.
Kërcënimi
Po ashtu, sipas akuzës, i pandehuri gjatë kryerjes së aktit seksual ka mposhtur rezistencën e vajzës nëpërmjet forcës dhe dhunës fizike dhe psikike. Ai ka përfituar nga mosha e mitur e vajzës, karakteristikat fizike, situata befasuese dhe pamundësia e saj për të reaguar me të njëjtat mundësi dhe intensitet fizik ndaj të pandehurit. Këqyrjet e personit konfirmojnë dallimet dhe epërsinë fizike mes të pandehurit dhe viktimës së tij. I pandehuri e ka kërcënuar me vrasje dhe therje me thikë të dëmtuarën si para, gjatë, ashtu edhe pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Ai e ka kanosur atë jo vetëm për të mposhtur rezistencën e saj, por edhe për të siguruar mosreagimin e mëpasshëm të saj ndaj veprës kriminale të kryer. I pandehuri Eno ka shfrytëzuar faktin se ka qenë më parë në burg për të trembur dhe terrorizuar viktimën e tij. Traumat e parikuperueshme psikologjike tek e mitura janë konstatuar nga ekspertimi psikologjik i saj. Vajza i është nënshtruar dhunës fizike gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale, fakt që konfirmohet nga hematomat, mavijosjet dhe dëmtimet e shumta. Provat e marra, si edhe deklarimet e të dëmtuarës marrë në prani të psikologut, konfirmojnë një fakt të tillë. Janë administruar me anë të letërporosisë materialet hetimore të autoriteteve gjyqësore greke për rastin në fjalë, nga të cilat ka rezultuar dhuna seksuale ndaj të miturës, dhe dhuna fizike trupore ndaj saj gjatë kryerjes së veprës penale.
Gjyqi i Arben Frrokut/ Nuk ndihet mirë dëshmitari, dështon dëshmia e Fatmir Vladit
Për të disatën herë dështon dëshmia e Fatmir Vladit, dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë në gjyqin ndaj biznesmenit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Fillimisht ishte teknologjia ajo që e la për disa orë të priste Vladin në një nga sallat e gjyqit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, kjo e fundit e gjendur dje nën masa të rrepta sigurie dhe e rrethuar nga forcat speciale. Më pas, në orën 12:30 kur ishte vendosur të vijohej me ballafaqimin e Vladit me të pandehurin, ai ka shfaqur probleme shëndetësore, duke i kërkuar kryesuesit të trupës gjyqësore, gjyqtarit Dritan Hallunaj shtyrjen e seancës. Kjo kërkesë u pranua dhe dëshmia është lënë të vazhdojë të mërkurën e ardhshme, ndërsa shtyrja e saj u kundërshtua nga i pandehuri dhe avokatët që kërkuan të vijojë seanca. Burime pranë kësja gjykate bëjnë me dije se në momentin që do fillonte dëshminë, Vladit i ka rënë tensioni dhe nuk ndihej mirë, për këtë shkak kërkoi edhe shtyrjen e seancës gjyqësore. Më herët, ashtu si radhën e kaluar, prokuroria kishte marrë të gjitha masat që dëshmitari të pyetet para gjykatës, duke e sjellë atë nën masa të rrepta sigurie që në ora 8:30 të mëngjesit të djeshëm. Mësohet se Vladi nuk ka pranuar të dëshmojë brenda sallës së gjyqit ku ndodhet i pandehuri por me videokonferencë, e cila kishte problem mëngjesin e së mërkurës. Për shkak të këtyre problemeve teknike, seanca u shty për në orën 12:30, por që edhe në këtë kohë u ndërpre për shkak të gjendjes shëndetësore të Vladit.
Sarandë/ Kërkoi seks me një të mitur në këmbim të vendit të punës, në gjyq Cane
Prokuroria e Sarandës dërgon për gjykim kërkesën për shtetasin Andon Cane, i akuzuar për veprën penale të “Ngacmimit seksual” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Hetimi për këtë shtetas ka nisur pas kallëzimit të një qytetareje, e cila pretendonte se i akuzuari e ka ngacmuar atë seksualisht, si edhe i ka kërkuar favore seksuale prej të bijës së saj, e cila (vajza) është në moshë të mitur. Këto favore, i pandehuri i kërkonte në këmbim të sigurimit të një vendi pune për denoncuesen. Ngjarja për të cilën dyshohet i pandehuri ka ndodhur në mesin e muajit Korrik 2014. Më datë 16.08. 2014 është paraqitur në Komisariatin e Policisë Sarandë shtetasja E. G., e cila ka depozituar një kallëzim me gojë para policisë gjyqësore, duke sjellë fakte dhe rrethana në ngarkim të shtetasit Agron (Andon) Cane, i cili kryente detyrën e përfaqësuesit të deputetit të Sarandës, pikërisht në këtë qytet. Ajo ka pretenduar se ky shtetas në këmbim të një punë, kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale më të dhe vajzën e saj të mitur, pra i dyshuari kishte konsumuar elementë të veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 të Kodit Penal. Lidhur me shtetasen E.G, ai ka sqaruar se e njihte prej janarit të vitit 2014, pasi ajo ishte paraqitur tek zyra ku ai punonte dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u punësuar. Ai e ka dëgjuar dhe më pas ajo është sistemuar si punonjëse tek biznesi i shtetasit K.L. Ajo ka punuar pranë biznesit te lartpërmendurit deri para një muaji. Edhe gjatë kohës që shtetësja E.G ishte në marrëdhënie pune, shkonte dhe takonte të dyshuarin, duke kërkuar ndihmë për të gjetur punë më të lehtë, apo për të përfituar ilaçe për veten e saj apo dhe për fëmijët. Herë pas here kjo shtetase është ndihmuar nga i dyshuari, sipas tij. Personi nën hetim Cane ka sqaruar se edhe pas datës 15 korrik, megjithëse ishte larguar nga puna, përsëri shkonte herë pas herë për të ndihmuar punonjësen tjetër të zyrës. Gjatë kësaj kohe shtetasja E. G. e telefononte dhe kërkonte me insistim ta takonte. Ai nuk pranon të këtë kërkuar marrëdhënie seksuale me kallëzuesen dhe vajzën e saj.




