Prokurimet publike në Shqipëri/ Raportet e Ramës kundër dosjeve të SPAK

Përtej përplasjes politike mes Ramës dhe Berishës, dosjet e SPAK tregojnë një sistem prokurimesh ku tenderat rezultojnë të dirigjuar nga ministrat, të shkruar nga privatët, të vlerësuar nga fituesit dhe, në rastin më ekstrem, të përcaktuar nga bandat kriminale.

Kryeministri dhe shefi i opozitës janë përplasur në distancë me dy versione të kundërta për cilësinë e prokurimeve publike, pra për mënyrën se si tenderohen fondet publike, që historikisht kanë qenë thembra e Akilit e administratës shqiptare.

I ndërgjegjshëm se skandalet e kanë zhytur imazhin e tij në një batak korrupsioni, Edi Rama reklamoi një raport ndërkombëtar që e rendit Shqipërinë më lart se Gjermania dhe se Suedia për një kriter të prokurimeve publike, si konkurueshmëria.

Ky ishte raporti i Gjykatës Evropiane të Llogarive, sipas të cilit në tabelën e konkurrueshmërisë, Shqipëria kishte një përqindje në masën 23.5%” dhe në këtë kriter performonte më mirë se shtete si Gjermannia, Suedia, Finlanda, Franca etj.

“Vendi ynë është mbi këto me shumë pak, pra 23.5%” u shpreh Rama që duke marrë shkas nga ky tregues, foli për “ecurinë e jashtëzakonshme” të qeverisë dhe për “punën e jashtëzakonshme” të ekspertëve.

Rama u kujdes ta shmangë artikulimin bajat “Jemi më mirë se Gjermania”, por shtoi se “Shqipëria është e para në rajon në prokurimet publike” dhe se “sistemi i prokurimit publik që ne kemi ngritur vit pas viti në një proces transformues rrënjësor është gjithmonë e më pak i korruptueshëm”.

Natyrisht që një realitet tjetër solli Sali Berisha, që citoi të dhënat nga organizata europiane Open Tender EU mbi gjendjen e prokurimeve publike në Shqipëri. “Kodi i mafies” e vulosi Berisha situatën që në nisje të fjalës së tij.

Berisha tha se 1 miliard e gjysmë euro kanë shkuar vetëm për 10 firma shqiptare, të lidhura me Ramën, një fenomen që e quajti “Koncentrim total mafioz pa tendera”

“Tani, ku kanë shkuar 1 miliard e 500 milionë euro? Lubia. Lubia urdhëroni sa ka marrë. Rreth 1 miliard e 400 milionë. Dhe kur unë thosha që kjo, gjatë gjithë mandatit të saj, ka shpërdoruar, ka vjedhur dhe ka shpërdoruar 12 miliardë euro, kishte njerëz që mendonin se ka një ekzagjerim” u shpreh Berisha.

Në fakt, përtej Shqipërisë së pikturuar nga Edi Rama si kampione rajonale e prokurimeve publike dhe përtej përshkrimit apokaliptik të Sali Berishës për “kodin e mafies”, ka një vend tjetër se ku mund të shihet se si funksionojnë tenderat, konçensionet dhe PPP-të vitet e fundit. Këto janë dosjet e SPAK.

Duke lexuar përgjimet, emailet, shkresat zyrtare, llogaritë financiare, kontratat, udhëtimet, mesazhet telefonike dhe vendimet e gjykatave krijohet një panoramë shumë e qartë se si funksionon ky sistem në vendin tonë.

Lapsi.al i është rikthyer disa prej dosjeve që kanë tronditur nga themelet opinionin publik, me shifra qindra miliona euro dhe ku sistemi i prokurimeve publike është testuar fort.

1. PPP-ja 100 milionë euro e sterilizimit

Një nga aferat që ilustron qartë mënyrën se si u përdorur PPP-të është ai i sterilizimit në shëndetësi, me një vlerë rreth 100 milionë euro. Çështja çoi në arrestimin e biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministrit Klodian Rrjepaj, ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj u hetua pas ndërhyrjes së gjyqtarit Erion Bani, i cili konstatoi se SPAK nuk kishte shkuar deri në fund të përgjegjësive politike.

Në thelb të dosjes qëndron hetimi i mënyrës se si u ngjiz konçensioni. Sipas SPAK dhe më pas vendimit të gjykatës, procedura u negociua në kundërshtim flagrant me ligjin, duke favorizuar operatorin fitues dhe duke rritur kostot për shtetin.

Një nga elementët më komprometues janë marrëdhëniet e afërta mes ministrit dhe biznesmenëve që përfituan kontratën. Dosja dokumenton udhëtime të përbashkëta jashtë vendit mes Beqajt, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe administratorëve të kompanisë koncesionare, para dhe pas firmosjes së PPP-së.

SPAK evidenton se: “Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” … dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit…”ndërsa kontaktet dhe udhëtimet kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese të koncesionit.

Dosja zbuloi gjithashtu se biznesmeni Ilir Rrapaj, që kishte vetëm 1 mijë euro kapital, udhëtonte me makinën e Ministrisë së Shëndetësisë. Vetë Beqaj i ka minimizuar këto kontakte duke deklaruar: “Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë … është gjëja më normale”.

Problemi i dosjes nuk ndalet te udhëtimet. Gjykata arriti në përfundimin se kontrata u transformua gjatë negociatave në favor të koncesionarit. U hoq tavani maksimal i pagesës, iu kaluan shtetit kostot e energjisë dhe ujit, u ndryshuan kushte thelbësore të ofertës dhe u krijua, sipas gjykatës, një “monopol i maskuar” për dhjetë vite.

Në vendimet e ndërmjetme thuhet se procedura koncesionare u përdor “për t’i mundësuar fituesit të paracaktuar një kontratë me afat të gjatë dhe me një vlerë të konsiderueshme”. Pra, ajo që në propagandë u shit si modernizim i kirurgjisë shqiptare, në dosjen e SPAK del si një mekanizëm ku rregullat e prokurimit publik u shtrembëruan për t’i hapur rrugë një kontrate gjigande të paracaktuar.

2) Inceneratori i Tiranës, kur privati shkruante letrat e shtetit

Në dosjen e inceneratorit të Tiranës, një konçension me vlerë mbi 130 milion euro të kontratës kuptohet se si u zhduk kufiri mes administratës publike dhe përfituesit privat nëpërmjet një sistemi inekzistent prokurimesh.

Klodian Zoto është njeriu që del në hetime fillimisht si biznesmen që priste të fitonte koncensionin, pastaj si personi që në realitet hartonte, korrigjonte dhe udhëzonte dokumentet që dilnin nga institucionet shtetërore.

Praktikisht, ndërsa të gjitha procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së “garës” përgatiteshin nga biznesmeni që do të fitonte më vonë garën.

Ishte ky konteksti i një emaili të sekuestruar nga SPAK, ku punonjësi i Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, i dërgonte Zotos një dokument që lidhej me Bashkinë e Tiranës dhe i shkruante: “Shikoje dhe më thuaj nëse je dakord.”

Në vend se të pyeste ligjin, administrata pyeste Klodian Zoton, pra njeriun që ishte në anën tjetër të tryezës.

Sipas dosjes, Zoto hartonte edhe argumentet financiare që Ministria e Mjedisit do t’i dërgonte Ministrisë së Financave për të bindur qeverinë se PPP-ja ishte më e leverdishme se prokurimi publik. Kur Ministria e Financave ngrinte dyshime, përgjigjja ndërtohej sërish nga Klodian Zoto që kishte interes të drejtpërdrejtë në miratimin e kontratës.

Në një tjetër email, Zoto i shkruante punonjëses së Ministrisë së Mjedisit: “Përgjigje përfundimtare MF nga MM.”

Pra, edhe korrespondenca zyrtare e Ministrisë së Mjedisit për Ministrinë e Financave përgatitej nga njeriu që do të përfitonte nga skema. Dosja e SPAK për inceneratorin, zbuloi mes të tjerash se si shteti ishte kthyer në sekretari të privatit, në një mënyrë që e kishte zhbërë totalisht sistemin e prokurimeve.

Në kushte normale, afera e inceneratorëve do të mjaftonte për të rrëzuar çdo qeveri, ndërkohë që sot ende dëgjojmë të flitet për suksesin me tenderat në Shqipëri.

3) Drejtorët e Bashkisë, tenderat në dorë të kompanisë private

Dosja e kompanisë 5D në Bashkinë e Tiranës e çon arrogancën e vjedhjes së fondeve publike në një shkallë më lart. Këtu privati kishte marrë në dorë gjithçka, që nga procedura e vlerësimit, te skualifikimi i konkurrentëve dhe te dorëzimi pranë administratës i rezultatit të gatshëm.

Në tenderin për rikonstruksionin e parkimit te “Selman Stërmasi”, bisedat e administruara në dosje tregojnë se punonjësja e kompanisë 5D, Manjola Bunguri, analizonte dokumentet e konkurrentëve për të gjetur arsye skualifikimibashkë me administratorin e kompanisë private që ishte paracaktuar të fitonte tenderin, Nestor Muhametllari.

“Nestor, Ndregjonit i gjeta plot mangësi. Se këtë kisha merak” i thotë ajo.

Përgjigjja e administratorit të 5D është plot gëzim: “Aaaaa shumë mirë. Shyqyr se atë kisha merak.”

Të njëjtat skualifikime, zbulon dosja e SPAK, i kalonin formalisht autoritetit kontraktor, sikur të ishin produkt i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Në një tjetër bisedë, drejtoresha e Tirana Parking, Eglantina Zëre, ndërsa komunikonte me administratorin e kompanisë fituese pret urdhrin duke pyetur: “C’bën mo… Do e mbyllim apo doni dru”

Ai i përgjigjet: “Ja kam dhënë Manjolës, deri nesër mbyllet.”

Pra, procedura nuk mbyllej nga komisioni publik, por nga kompania private. Administrata thjesht priste që privati të përfundonte punën.

Në një rast tjetër, edhe më flagrant, drejtoreshës së Klubit Sportiv Tirana, Deborah Keçi, i kërkohet t’i dërgojë administratorit të kompanisë 5D, Nestor Muhametllarit kredencialet e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ajo bindet menjëherë dhe ia dërgon username-et dhe fjalëkalimet, pastaj pyet: “Do e bëni ju vlerësimin tani?”

Përgjigjja nga kompania private është e qartë: “Po po patjetër, nesër.”

Në këtë pikë tenderi është i asgjësuar, bashkë me sistemin e prokurimeve. Komisioni ekziston vetëm në letër. Kredencialet i përdor kompania private që del fituese, ndërsa institucionet shërbejnë si noterë të një rezultati të vendosur jashtë tyre.

Vetë Deborah Keçi duket se e kuptonte paligjshmërinë e asaj që ndodhte, kur sipas dosjes shprehej: “Aman kujdes se mos përfundojmë në burg.”

Kjo është fjalia e vetme në dosjen e drejtorëve të Erion Veliajt ku administrata shfaq pak frikë nga pasojat penale.

4) Tuneli i Llogarasë, Balluku që survejonte tenderat hap pas hapi

Dosja e tunelit të Llogarasë është një nga rastet më të rënda, ku 50 milion euro janë grabitur në mënyrën më të trashë të mundshme. Nga hetimet e SPAK del përfshirje direkte e nivelit më të lartë politik në tenderin me vlerë 189 milionë euro.

Sipas SPAK, Belinda Balluku e ndiqte, e orientonte dhe e komandonte procedurën e tenderit në çdo fazë, duke shpërfillur një sistem prokurimi që ka vlerë vetëm në letër.

Në tenderin e parë, ku oferta më e favorshme ishte dhënë nga “Gjoka Konstruksion”, Balluku i shkruan Evis Berberit: “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”. Kaq mjafton që tenderi të anulohet. Pak më pas, urdhri bëhet më i qartë:“Mendoj ta anulojmë. Skualifikoi të gjithë.”

Përgjigjja e Ervis Belerit që nuk flet, nuk dëgjon dhe nuk shikon përtej urdhrit të ministres është po aq e shpejtë: “E mbyllem. Sot e ke të mbaruar.”

Pa asnjë analizë ligjore dhe pa asnjë diskutim, urdhri zbatohet. Tenderi anulohet meqënëse kjo ishte “ndjesia” e ministres.

Më pas hapet tenderi i dytë me gati 50 milion euro më shumë, por ndërkohë ministrja Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama kishin udhëtuar drejt Truqisë, ku kishin takuar përfaqësuesit e kompanisë turke. Kryeministri Edi Rama i ka pranuar publikisht këto takime, ndërkohë që komunikimet tregojnë se takimet e turqve që do të fitonin tenderin e dytë vijuan edhe në Tiranë.

Mesazhet në dosjen e SPAK dëshmojnë për koordinime të drejtpërdrejta me vartësit e Belinda Ballukut. Punonjësja e Ministrisë, Arta Gurabardhi, i shkruan Berberit: “Visi hajde t’i takojmë bashkë se kështu tha shefja”

Pra, “shefja” caktonte takimet me operatorët ekonomikë. Dhe këta ishin kompania që më pas do të lidhej me fituesin e tenderit.

Edhe pas koordinimit, thotë SPAK, konsorciumi turk nuk plotësonte kriteret thelbësore ligjore dhe teknike. Megjithatë, ai u shpall fitues.

Prokuroria e thotë hapur se kjo ka ndodhur “në sajë të veprimeve të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.”

Më tej, e njëjta skemë funksionon edhe për ndarjen e tenderave të unazës së madhe të Tiranës.

Edhe aty është sërish ministrja që jep sinjalin për hapjen e tenderit, ndjek ofertat, takimet dhe cakton fituesit. Kuptohet se komisionet, kriteret dhe procedurat janë thjesht skenografi. Gara pasqyrohet në sistem, por vendimet merren në telefona.

5) AKSHI, kur tenderin e cakton pengmarrja

Edi Rama dhe Ergys Agasi

Rasti i AKSHI-t është ndoshta më ekstremi, sepse tregon kalimin nga truket e administratës te dhuna e bandave kriminale në sistemet e prokurimit. SPAK ka zbuluar se tenderat e teknologjisë, shpesh të klasifikuar si “sekret shtetëror”, kontrolloheshin nga një rrjet biznesmenësh të lidhur me institucionin, ndërsa konkurrentët që ankimonin procedurat përballeshin me kërcënime për jetën.

I tillë është rasti i biznesmenit Gerond Meçe, rrëfimi i të cilit ishte pika që derdhi gotën e sistemit të prokurimeve, që tashmë kishte dalë nga binarët tek AKSHI. Meçe kishte bërë ankime në Komisionin e Prokurimit Publik për disa procedura, duke vonuar kështu paratë për Ergys Agasin dhe për Ermal Beqirin.

Por më 12 gusht 2025, persona të veshur si agjentë të BKH-së e morën peng, e dërguan në zonën e Krrabës dhe i kërkuan të tërhiqej nga ankimimet.

Sipas dëshmisë së tij, pengmarrësit i treguan një letër me tabelë Excel ku renditeshin tenderat për të cilët kompania e tij kishte bërë ankesa. “E njeh këtë letër?” ishte pyetja nën qytën e armëve.

“Janë tendera që ke ankimuar ti dhe duhet të tërhiqesh. Nuk kemi punë me lekët e tua, ne e dimë që ke lekë, i gëzofsh ato, por s’ke punë te këto procedura dhe do të tërhiqesh nga këto procedura” citohet të tregojë Gerond Meçe në dosje.

Pjesa më e rëndë lidhet me ndërhyrjen e dyshuar në Komisionin e Prokurimit Publik. Biznesmeni Gerond Meçe tregon se u mbajt peng derisa kompania e tij të tërhiqej nga ankimimet dhe se lirimi ndodhi vetëm pasi pengmarrësit morën konfirmim brenda pak sekondash se tërheqja ishte depozituar në sistem.

Në dosje shkruhet se: “Ka dyshime se grupi që e mori peng e liroi rreth orës 16:20 të datës 12.08.2025, vetëm pasi mori konfirmim se tërheqjet ishin depozituar nga kompania në sistemin e KPP.”

Dhe më tej, prokurori shpjegon se pse kjo është kaq e rëndë për sistemin e tenderimeve: “Këtë dyshim e lidh me faktin se, nga eksperienca e tij në këtë fushë, për të verifikuar në kohë reale një tërheqje nga procedurat e ankimimit, duhet të ketë një autoritet apo lidhje brenda KPP që ka akses dhe kompetencë për ta bërë këtë verifikim.”

Ky është momenti ku tenderat e AKSHI-t japin prova se dhuna kriminale dhe procedura administrative mund të kenë funksionuar në sinkron. Banda priste sinjalin nga sistemi dhe sistemi i ktheu sinjal bandës.

Meçe përmend edhe emrin e një anëtari të KPP-së, duke deklaruar: “Dyshoj se ky person është shtetasi Kreshnik Timova, anëtar i KPP.”

Ai shton se pasi banditët e kthyen në shtëpi, kompania e tij kërkoi më pas pezullimin e njoftimit të tërheqjes, duke pretenduar se sistemi ishte hakuar, por KPP vendosi me shpejtësi të pazakontë. “Pavarësisht kësaj kërkese për pezullim, KPP, në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim më datë 13.08.2025 për mospranimin e pezullimit të njoftimit të tërheqjes, edhe pse nuk kishte kohë që kjo çështje të shqyrtohej në vetëm një ditë.”

Kjo pjesë e dosjes është dëshmi e fazës më të degraduar të prokurimeve publike: tendera të manipuluar nga brenda dhe një biznesmen që lirohet nga pengmarrja vetëm pasi sistemi i prokurimeve konfirmon se është tërhequr.

Përballë këtyre historive tashmë të cituara në dosjet e SPAK, çdo raport ndërkombëtar që mat procedura, tabela apo indikatorë formalë duket si perde shumë e hollë për të mbuluar një realitet kokëfortë, ku gara rezulton e deformuar në themel, me tendera të dirigjuar nga lart, kompani private që bëjnë punën e shtetit dhe, në rastin më ekstrem, banda kriminale që kërcënojnë me jetë operatorët ekonomikë./Lapsi.al

Share it :