Artan Cena
Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dje dënimin e Shpëtim Sadikut pas vrasjes për 100 mijë lekë të Palok Lazrit. Zbardhet se si ndodhi krimi i rëndë në datën 20 nëntor 2013
Kërkohen 35 vjet burg për Shpëtim Sadikun, i cili akuzohet për “Vvrasje me paramendim për hakmarrje”. Kjo është pretenca e dhënë nga Prokuroria e Shkodrës. Sipas saj, Sadiku është hakmarrë ndaj Palok Lazrit dhe ngjarja ka ndodhur në 20 nëntor 2013 në zonën e quajtur Ura Dervishbeg. I pandehuri akuzohet gjithashtu edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas hetimit të Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se viktima Palok Lazri ka pasur një konflikt me vëllanë e të dyshuarit, për shkak të një borxhi që nuk ia kishte kthyer. Viktima ishte ndërtues dhe vëllai i autorit, Ardit Sadiku punonte tek kompania e Lazrit si roje dhe shofer. Ardit Sadiku kishte pretendimin se Lazri i kishte detyrim rreth 100 mijë lekë të reja, për punën e kryer dhe të papaguar. Raportet mes Palok Lazrit dhe vëllait të autorit kishin qenë konfliktuale prej disa kohësh para ngjarjes, madje në një rast, vëllai i autorit e ka qëlluar me thikë të vogël shtetasin Lazri në vitin 2012 dhe për këtë është dënuar me 8 muaj burgim. Pas dënimit, konfliktet mes dy personave nuk janë shuar, pasi pagesa që pretendohej nuk ishte likuiduar. Kështu, më 20 nëntor 2013, Shpëtim Sadiku, i hipur mbi një motoçikletë së bashku me një bashkëfshatarin e tij (i cili nuk kishte dijeni për ngjarjen) ka ndjekur lëvizjet e Lazrit dhe e ka qëlluar për vdekje me pistoletë.
Si ndodhi krimi
I pandehuri Shpëtim Sadiku në datën 20 nëntor 2013 ka dalë në qendër të Komunës Bushat ku me vete ka pasur edhe çante të vendosur në krah-qafë, ku ka takuar bashkëfshatarin e tij S. M., me të cilin njihen, pasi janë nga e njëjta zonë. I pandehuri Shpëtim Sadiku i ka kërkuar për të bërë një xhiro me motorin e tij deri ne Barbullush. Qytetari me inicialet S. M. ka pranuar, por i ka thënë se nuk kishte benzine dhe as lek me vete dhe i pandehuri Shpëtim i ka thënë se do ia hidhet ai benzinën motorit dhe pasi kanë shkuar në këtë fshat, pra në Barbullush kanë bërë xhiro dhe janë kthyer për të shkuar në fshatin Rranxa të Komunës Bushat. Më pas, i pandehuri i ka kërkuar për ta dërguar deri në Melgushë. Më pas kanë përshkruar rrugën nga fshati Rranxa, Bushat, në fshatin Melgushë dhe kur shkuam aty i ka thënë dëshmitarit me inicialet S. M., të kthehen për në Bushat. Më pas ai i ka kërkuar për ta dërguar deri në Shkodër se kishte pak punë. Kështu që ata kanë ardhur nga Melgusha drejt e në qytetin e Shkodrës pa u ndaluar askund dhe kur kanë mbërritur tek sheshi i “Isa Boletinit”, i pandehuri i ka thënë bëje rreth rrotullimin dhe më pas janë drejtuar tek kryqëzimi i Parrucës. Kështu ka vepruar S. M., me motoçikletë dhe e ka pyetur se “çfarë don me ba, çfarë punët ke atje”. I pandehuri Shpëtim Sadiku i ka thënë se dua të takoj Palok Lazrin. Dhe kështu ai ka lëvizur nga sheshi i “Isa Boletinit” për të dalë tek kryqëzimi i Parrucës. Pak para se të dalin tek kryqëzim i Parrucës, i pandehuri Shpëtim Sadiku i ka thënë drejtuesit: “Ndale motorin se e pashë Palok Lazrin”. Në këtë moment duke ndalur shpejtësinë e motorit, pa ndaluar mirë akoma, i pandehuri Shpëtim Sadiku ka kërcyer nga motori dhe ka ecur me vrap në këmbë drejt një lokali me xhama ku ishte lokal eurolloto. Kur ka zbritur nga motori, i pandehuri Shpëtim Sadiku e ka kapur nga xhaketa shtetasin Palok Lazri, duke e tërhequr dhe e ka qëlluar 3 herë me pistolete ndaj tij dhe pas kësaj Shpëtim Sadiku ka ecur me vrap në këmbë nga drejtimi Isa Boletinit.
Tiranë, sherr në familje, vëllai plagos me thikë vëllain e tij binjak
Një krim në familje ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në Tiranë, ku vëllai ka plagosur me thikë vëllain e tij binjak. Burimet zyrtare bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orën 15:00 të së hënës, në rrugën “Babë Rexha” në banesën e shtetasit me inicialet A. M., 35 vjeç. Fillimisht vëllezërit kanë shkëmbyer fjalë fyese me njëri-tjetrin dhe më pas situata ka degjeneruar në përleshje fizike. I dëmtuari ka përfunduar në spital prej plagës së marrë nga goditja me thikë. Dy orë më vonë Policia e Tiranës arrestoi në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes, vëllanë L. M., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Dinamit dhe fishekë, “Shkozeti 2015” prangos një të ri
Një i ri është vënë në pranga nga Policia e Durrësit pasi është kapur me lëndë eksplozive he fishekë. Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Shkozeti 2015”, në përfundim të të cilit u arrestua një 34-vjeçar dhe u sekuestrua një sasi municioni, dinamiti dhe fishekësh. Fatmir Nezha, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë, në bazë të informacioneve që policia kishte marrë në rrugë operative. Pas arrestimit, efektivët e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e tij. “Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një çantë me municione, një kallëp dinamiti, dy detonatorë ndezës, një fitil ndezës, një granatë ofensive me kapsollë ndezëse, 94 fishekë model “56” dhe 25 fishekë pistolete”, – bëri të ditur Policia e Durrësit. Ndërkohë, materialet i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme për veprën penale “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Trafikoi 3 të mitura, kërkohen 20 vite burg për tutorin shkodran
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 20 vjet burg për Xhevahir Osjen, i cili akuzohet për shfrytëzim prostitucioni për tri vajza të mitura në qytetin e Shkodrës. Burime zyrtare të Prokurorisë bëjnë të ditur se Osja ka gjetur vajzat, i ka studiuar, i ka joshur me pretekstin e gjetjes së klientelës, u ka gjetur klientët dhe u ka marrë paratë e përftuara nga ushtrimi i prostitucionit. Bëhet fjalë për tre vajza, B. M., F. K. dhe G. B., të cilat janë rekrutuar nga i pandehuri, me pretendimin se do i ndihmonte të gjenin mjete të përshtatshme jetese. G. B. ka qenë banore e qytetit të Shkodrës në një banesë me qira dhe është njohur me Osjen në rrethana shoqërore. Kjo shtetase për shkak të marrëdhënieve jo të mira me familjen e saj është detyruar të largohet nga banesa e saj duke u strehuar me qira. Kjo shtetase ka ushtruar prostitucion për disa kohe me radhë ku fillimisht ka ushtruar prostitucion për të dënuarën Agime Likaj. Më pas e dëmtuara G. B. është shkëputur nga e dënuara Agime Likaj dhe ka rënë në kontakt me të pandehurin Xhevahir Osja. Duke përfituar nga njohja e tyre e mëparshme i pandehuri ka ditur gjendjen e të dëmtuarës si dhe punën me të cilën merrej ajo. Së bashku me G. B. ka qenë dhe F. K., shtetase rome dhe B. M., F. K. rezulton të jetë e braktisur nga familja e saj dhe nuk ka pasur një vend të saktë në të cilin të jetonte. Ajo ka qenë strehuar më parë tek Agime Likaj, vend nga i cili është larguar së bashku me G. B. Edhe e dëmtuara F. K. ka ushtruar prostitucion duke qenë e trafikuar nga shtetasja Agime Likaj. Ka qenë e dëmtuara G. B. personi që e ka njohur dhe e ka prezantuara të dëmtuarën F. K., me të pandehurin Osja. Të dëmtuarat përfaqësojnë tre të mitura duke marrë parasysh të dhënat e gjendjes civile për moshën e tyre, ndaj Osja akuzohet për “Trafikim të të miturve”.




