President mos i “laj duart”!

Nga Akil PANO

Edhe Pilati mendoi se duke heshtur do të shpëtonte. Por Pilati s’ishte i pafajshëm.

Në çdo shoqëri, ligjet janë pasqyrë e vlerave që ajo shoqëri përqafon. Nëse ligji është i drejtë, ai ngrihet mbi themele morale, mbi të vërteta të pakthyeshme dhe mbi një antropologji të drejtë të njeriut. Por kur ligjet ndërtohen mbi ideologji fluide, të ndërtuara nga ekstremi i majtë globalist, ato shndërrohen në mjetet më të rrezikshme për transformimin e heshtur të shoqërisë.

Kryeministri Rama e quajti ligjin e barazisë gjinore “shumë fisnik”, duke e ngritur në rangun e një vepre të qytetërimit evropian. Por kur një ligj “fisnik” duhet mbrojtur me arrogancë, me etiketime, me përçmim ndaj protestuesve dhe përmes retorikës së stilit “qentë le të lehin, karvani ecën”, atëherë ‘fisnikëria’ false e Ramës është maskimi i së keqes përmes gjuhës arrogante të moralizimit politik.

Ligji i barazisë gjinore, në formën e tij aktuale, nuk është neutral, i pafajshëm, e as “evropian” sipas mënyrës si e shet kryeministri.

Ligji për Barazinë Gjinore është thelb i paketës ideologjike të ekstremit të majtë që qarkullon prej vitesh në qarqet ndërkombëtare të financuara nga fondacione transnacionale të stilit Sorros, me synimin e qartë për të shembur konceptet tradicionale të seksit biologjik, familjes dhe antropologjisë teiste.

Pohimi ontologjik i zanafillës se “Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij;… i krijoi mashkull dhe femër.

(Zanafilla 1:27) zbulon se gjinia nuk mund të jetë konstrukt social, por esencë e gdhendur në vetë natyrën e njeriut.

Ligji i ‘Barazisë Gjinore’ ka si qëllim të relativizojnë këtë të vërtetë, duke shembur diferencën natyrore dhe duke e zëvendësuar me identitete fluide, të përcaktuara nga ndjesia e momentit.

Roger Scruton paralajmëronte se:

“Kur e vërteta bëhet relative, ideologjia merr vendin e realitetit.”

Kjo ndodh pikërisht me ligje të tilla: realiteti biologjik zëvendësohet me realitetin ideologjik e më pas krijohet një paradigmë e re sociale, psikologjike, një etnokulturë e re. Ndërsa politika imponohet si moral i ri.

Presidenti Begaj, në fund të afatit ligjor, mund të heshti. Kjo heshtje nuk i duhet Shqipërisë!

Dmth presidenti mund të dekretojë, mund të prapësojë, ose mund të heshtë! Këto janë tre mundësitë ligjore mbi tryezën e presidentit mbi projektligje të votuara në Kuvendin e Shqipërisë. Por heshtja mbi projektligjin përgjatë njëzet ditëve të afatit ligjor mbi tryezën e presidentit, prodhon automatikisht dekretimin e ligjit.

Nëse presidenti ‘hesht’ ndaj një akti me një peshë të tillë si asnjë projektligj tjetër në historinë e Shqipërisë, më sjell ndër mend Ponc Pilatin, i cili në vend që të mbronte të drejtën, zgjodhi heshtjen:

“Unë jam i pafajshëm për gjakun e këtij të drejti,” (Mateu 27:24) deklaroi Pilati pasi vendimin për kryqëzimin e Krishtit ia delegoi klerit Jude’ të kohës, duke refuzuar ta marrë vetë vendimin më të rëndësishëm në histori.

Por Pilati nuk ishte i pafajshëm. Ai u bë pjesë e së keqes përmes mosveprimit.

Edhe Presidenti, duke mos vepruar, i jep dritë jeshile kalimit të ligjit më të debatueshëm të viteve të fundit. Heshtja e tij në këtë rast nuk është neutralitet, por bashkëpunim pasiv.

Dietrich Bonhoeffer – martiri i krishterë që sfidoi Hitlerin, shkruante:

“Heshtja përballë së keqes është e keqe. Vetë mosveprimi është veprim. Zoti do të na kërkojë llogari.”

Me heshtjen, Presidenti Begaj nuk i përgjigjet protestave të qindra qytetarëve, mbledhjes së firmave të mbi dhjetëmijë qytetarëve Shqiptarë që i kërkuan kthimin mbrapsht të projektligjit, familjeve, bashkësive fetare, profesorëve, prindërve, që kërkuan të mos dekretohej.

Presidenti mund dhe të hesht!

Heshtja s’është vetëm mospërgjegjësimarrje, heshtja është mjeti efikas i zhbërjes së moralit kolektiv

Hannah Arendt, kur analizonte totalitarizmin, formuloi konceptin e saj të famshëm i njohur si:

“Banaliteti i së keqes” në të cilin spjegon se “e keqja nuk kryhet nga demonë, por nga burokratë që thonë: Unë vetëm po bëj detyrën time.”

Presidenti, me heshtjen e tij dhe pa asnjë shpjegim publik, është duke u sjellë pikërisht në këtë mënyrë: një figurë neutrale që lejon rrjedhën e proceseve, duke menduar se kjo e shpëton.

Por pikërisht ky është thelbi i banalitetit të së keqes: MOSKUNDËRSHTIMI I SAJ.

Pilati nuk ishte më pak fajtor se turma që kërkoi kryqëzimin. Turma bërtiti; Pilati heshti. Dhe në fund…Zoti i kërkoi llogari të gjithëve, në veçanti njeriut të veshur me pushtet.

Ja katër arsye themelore pse heshtja e Presidentit është në thelb e keqe!

Sepse, heshtja legjitimon të keqen!

Mosveprimi i Presidentit jetëson një ligji të deformuar ideologjikisht, duke e bërë atë pjesë të trupit juridik të vendit. Heshtja kthehet në vulë.

Sepse, heshtja tradhton rolin kushtetues!

Presidenti është gardiani i balancës dhe moralit institucional. Ai nuk është noter i qeverisë. Kur një ligj bie ndesh me vlerat e shumicës, Presidenti është frena e fundit. Heshtja e delegjitimon këtë rol.

Sepse, heshtja përbën braktisje morale të shoqërisë!

Ndërsa qytetarët protestonin me pankarta “Ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”, Presidenti duhej të dëgjonte dhimbjen e tyre. Por ai u mbyll në kullën sterile të presidencës.

Sepse, heshtja prodhon precedent të rrezikshëm!

Nesër çdo ligj ideologjik mund të kalojë pa kundërshtim, sepse Presidenti e ka dëshmuar se frika është më e fortë se detyra. Ky është terri moral ku vendet rrëshqasin drejt autokracive me fytyrë liberale.

Mijëra qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar ligjin, duke mbrojtur vlerat e Familjes dhe traditës, identitetin biologjik dhe të drejtën e fëmijëve për t’u rritur larg ideologjisë gjinore.

Rama reagoi me përçmim, duke i quajtur protestat zëra pa peshë. Madje u shpreh;

“Qentë le të lehin, karvani ecën.”

Kjo frazë nuk është e një lideri demokrat, por e një ideologu që e sheh popullin si numër, një entitet pa ndonjë vlerë, ose zhurmë në sfond. Liderët e tillë e kanë për zakon ta quajnë veten “fisnikë”, ndërsa kundërshtarët – “qen”.

Por një ligj që duhet të imponojë heshtjen për të kaluar, nuk mund të jetë fisnik. Një ligj kundër vullnetit të shumicës është antidemokratik.

Ligji i barazisë gjinore nuk është as i fisnik, as i pafajshëm. Ai është një gur i rëndësishëm në projektin ideologjik të majtë për të riformatuar njeriun dhe familjen sipas modelit antinjeri dhe kundërkulturë.

Presidenti, me heshtjen e tij, nuk po qëndron në anën e popullit, as në anën e moralit shoqëror, as në anën e lirisë. Ai është duke qëndruar në anën e frikës.

Dhe frika e udhëheqësve është dritarja nga ku hyn errësira.

Bonhoeffer kishte të drejtë:

“Mosveprimi është veprim.”

Edhe Pilati mendoi se duke heshtur do të shpëtonte. Por historia e gjykoi.

Historia do ta gjykojë presidentin jo për atë që bëri – por për atë që nuk guxoi të bënte. Këto janë orët e fundit që mund të ngjisin një president në pozicionin e admirueshëm të një burri shteti ose ta vendosin atë brenda kornizave të pragmatizmit dhe turpit.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news