Policia e Ramës dhunoi edhe turistin italian/ Marco Benvenuto: Më goditën, 3 ditë në qeli pa kontaktuar ambasadën

Policia e Ramës dhunoi edhe turistin italian/ Marco Benvenuto: Më goditën, 3 ditë në qeli pa kontaktuar ambasadën

Dhuna policore gjatë revoltave studentore kundër qeverisë së Edi Ramës nuk ka kursyer as shtetasit e huaj që ndodheshin rastësisht në protestat në Tiranë.

Një qytetar italian, Marco Benvenuto, me profesion shef kuzhine dhe vizitor në Shqipëri, rrëfen për Syri-n se si u ndalua dhe u dhunua nga efektivët e policisë, ndonëse, sipas dëshmisë së tij, nuk ishte pjesë e protestës dhe kishte mbërritur në zonë vetëm 10-15 minuta më parë. Ai tregon se u godit nga policë të maskuar, ndërsa më pas kaloi tri ditë në qeli pa mundur të kontaktonte menjëherë Ambasadën Italiane.

Në intervistën me gazetaren Alba Kepi, Benvenuto përshkruan momentet e arrestimit, dhunën që pretendon se përjetoi gjatë shoqërimit dhe dëmtimet fizike që i shkaktuan, duke treguar se për dy ditë nuk mundi të ecte normalisht.

Dëshmia e tij ngre pikëpyetje të rënda mbi mënyrën se si policia ka vepruar gjatë revoltës studentore dhe trajtimin e personave të ndaluar, ndërsa vetë italiani shprehet se policia duhet të jetë institucioni që mbron qytetarët, jo ai që i godet kur kërkojnë të drejtat e tyre.

Më poshtë intervista:

Alba Kepi: Marco, mirë se erdhe. Fillimisht, dua të prezantohesh. Kush je, si quhesh dhe nga vjen?

Marco Benvenuto: Quhem Marco Benvenuto, vij nga Napoli. Me profesion jam shef kuzhine japoneze, merrem me përgatitjen e sushit. Në Shqipëri kisha ardhur për pushime.

Alba Kepi: Kur mbërrite në Tiranë?

Marco Benvenuto: Mbërrita më 14 tetor. Më pas udhëtova në disa zona të Shqipërisë, për të takuar miqtë e mi, pasi kam shumë të njohur këtu. Nuk qëndrova në Tiranë gjatë ditëve të para. Ditën e arrestimit u ktheva në kryeqytet.

Alba Kepi: Çfarë ndodhi atë ditë? Ku ndodheshe?

Marco Benvenuto: Isha në qendër të Tiranës, pranë sheshit kryesor. Kishim mbërritur prej vetëm dhjetë apo pesëmbëdhjetë minutash. Po shikonim situatën bashkë me miqtë e mi. Në fillim gjithçka dukej e qetë, kishte shumë policë kudo.

Papritur filloi ndërhyrja me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Situata u tensionua dhe ne u larguam. Por policia na preu rrugën nga një rrugicë. Na ndaluan dhe mua më goditën.

Alba Kepi: Pra, ti nuk ishe pjesë e protestuesve, por ndodheshe aty për të parë çfarë po ndodhte?

Marco Benvenuto: Jo, nuk isha pjesë e protestës. Nuk pata as kohë të përfshihesha, sepse kishim vetëm dhjetë minuta që kishim mbërritur. Po shikonim situatën nga kurioziteti. Nuk e besoja se do të shihja diçka të tillë, edhe pse e dija se prej disa muajsh kishte protesta paqësore në Shqipëri.

Alba Kepi: Çfarë ndodhi pasi ju ndaluan?

Marco Benvenuto: Mua, shokun tim dhe disa persona të tjerë na morën dhe na çuan fillimisht në një rrugicë. Na detyruan të uleshim në tokë dhe filluan të na godisnin gjatë marrjes në pyetje. Ne përgjigjeshim, ndërsa ata vazhdonin të na qëllonin.

Ishin rreth 40 policë dhe ishim të rrethuar. Nëse nuk do të kishin ndërhyrë dy apo tre efektivë për të më mbrojtur, do të isha dhunuar edhe më shumë. Disa policë, sidomos ata me maska në fytyrë, ishin shumë agresivë. Mendonin vetëm të godisnin.

Pata fatin që disa prej tyre kuptuan se isha italian dhe më bënë mburojë. Shokut tim, për fat të keq, nuk i ndodhi e njëjta gjë. Ai vazhdoi të goditej.

Alba Kepi: Çfarë ndodhi kur të çuan në komisariat?

Marco Benvenuto: Aty filloi një tjetër problem. Më thanë se nuk kishin numrin e Ambasadës Italiane dhe se nuk kishin përkthyes. Më kërkuan të firmosja një dokument ku thuhej se isha kapur në flagrancë.

Meqenëse flisja vetëm italisht, më vendosën pranë një personi tjetër që fliste italisht, i cili ishte arrestuar bashkë me mua. Më pas na çuan në qeli. Për tri ditë nuk arrita të merrja asnjë informacion.

Alba Kepi: A kërkove të kontaktoje Ambasadën Italiane në Tiranë?

Marco Benvenuto: Po, e kërkova disa herë. Edhe në burg ua përsërita policëve se isha shtetas italian dhe se duhej të kontaktoja ambasadën. Ata më thanë se nuk mund të bënin asgjë, sepse njoftimi duhej të nisej nga komisariati.

Kam folur edhe me disa deputetë, të cilët më këshilluan të kontaktoja ambasadën, por më pas nuk mora më asnjë informacion prej tyre.

Arrita të takoja një përfaqësues të ambasadës vetëm pesë minuta përpara se të dilja para gjyqtarit.

Alba Kepi: Pra, përfaqësia diplomatike italiane nuk u vu në dijeni menjëherë për arrestimin tënd?

Marco Benvenuto: Jo, sepse nuk ishte bërë telefonata nga komisariati. Për këtë arsye u desh kohë që të kuptohej se në burg kishte një shtetas italian. Në fund, sipas procedurave, u paraqita para gjykatës me një avokat të caktuar kryesisht.

Alba Kepi: Si ishte trajtimi gjatë tri ditëve që qëndrove në qeli?

Marco Benvenuto: Dua të jem i sinqertë. Kushtet nuk ishin të mira. Nuk flija në një krevat, por mbi një dyshek të vendosur në tokë, me një batanije. Në qeli isha me personin që fliste italisht dhe që ishte arrestuar bashkë me mua.

Alba Kepi: A pati dhunë edhe gjatë qëndrimit në qeli?

Marco Benvenuto: Jo. Në qeli jam trajtuar shumë mirë. Pothuajse të gjithë policët kanë qenë të sjellshëm. Madje, kam parë edhe solidaritet njerëzor nga disa prej tyre.

Por kjo nuk e ndryshon atë që ndodhi në rrugë. Të gjithë jemi njerëz dhe është e padrejtë të trajtohesh në atë mënyrë, sidomos kur kërkon të mbrosh të drejtat e tua.

Alba Kepi: Të rinjtë shqiptarë që janë arrestuar gjatë protestave kanë denoncuar dhunë të rëndë nga policia në rrugë, ndërsa më pas një trajtim krejt të ndryshëm në qeli. Edhe ti konfirmon se policët me maska kanë qenë më agresivët?

Marco Benvenuto: Po, pa asnjë dyshim. Ata me maska më kanë lënë përshtypjen më të keqe. Kanë treguar një mizori të jashtëzakonshme.

Nuk e kuptoj: pasi ke arrestuar një person, përse duhet ta godasësh më tej? Përse duhet të abuzosh me pushtetin? Kur një person është i arrestuar, ai është i pambrojtur. Nuk mund të bëhesh gjykatës dhe ekzekutues përpara se të ketë një vendim apo një hetim.

Alba Kepi: Çfarë mendon për sjelljen e policisë ndaj protestuesve?

Marco Benvenuto: Policia duhet të jetë institucioni ku ne drejtohemi kur kemi një problem. Jo institucioni që na godet kur ngremë zërin për të denoncuar një problem.

Nuk është drejtësi kjo. Kur një qytetar ngre kokën, gjithmonë brenda ligjit, për të kërkuar të drejtat e tij, nuk mund të heshtet me dhunë. Kjo prek drejtpërdrejt lirinë personale dhe është një nga gjërat më të gabuara që mund të ndodhin.

Alba Kepi: A ke pasur dëmtime fizike nga dhuna e ushtruar ndaj teje?

Marco Benvenuto: Kam pasur mavijosje dhe gërvishtje në gju. Për dy ditë nuk kam mundur të ecja normalisht, për shkak të goditjeve në këmbë dhe dëmtimit të nervit. Nuk kam pasur nevojë për trajtime të mëtejshme mjekësore, por dhimbjet kanë qenë të konsiderueshme.

Alba Kepi: A ishte kjo vizita jote e parë në Shqipëri?

Marco Benvenuto: Jo, kam ardhur katër herë. Shqipërinë e dua shumë dhe kam miq të ngushtë këtu. Kam qëndruar edhe nga njëzet ditë. Nuk shkoj në hotel, sepse miqtë e mi më presin në shtëpitë e tyre, ashtu siç bëj edhe unë kur ata vijnë në Napoli.

Alba Kepi: Pas kësaj përvoje, çfarë mendimi ke për Shqipërinë, Tiranën, politikën dhe qeverisjen?

Marco Benvenuto: Mendoj se qeveria duhet të punojë për interesat e popullit. Qytetarët duhet të trajtohen si qenie njerëzore dhe jo si mish për top.

Institucionet duhet të na mbrojnë dhe të na garantojnë një jetë të qetë. Por kur ato nuk dëgjojnë qytetarët, njerëzit dalin në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre.

Pagat nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet normale të jetesës. Këtu nuk po flasim më për mirëqenie, por për mbijetesë. Kjo ndodh në Shqipëri, në Itali dhe në vende të tjera.

Alba Kepi: Çfarë të tregojnë miqtë e tu shqiptarë për vështirësitë ekonomike në vend?

Marco Benvenuto: Kam miq që kanë toka dhe merren me bujqësi. Ata mbjellin në fillim të sezonit, investojnë para dhe punojnë për muaj të tërë. Por kur vjen momenti për të shitur prodhimin, çmimet janë aq të ulëta sa nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet.

Në disa raste, preferojnë ta hedhin prodhimin sesa ta shesin me një çmim qesharak. Pas gjithë asaj pune, nuk marrin as shpërblimin që meritojnë. Atëherë njeriu pyet veten: përse të punojë?

Nuk mund të jetë zgjidhja që njerëzit të largohen gjithmonë nga vendi i tyre për të jetuar më mirë diku tjetër.

Alba Kepi: Ti jeton në Itali, por vjen shpesh në Shqipëri. Kur sheh luksin, makinat e shtrenjta dhe ndërtesat e mëdha në Tiranë, ndërkohë që miqtë e tu fermerë nuk arrijnë të shesin prodhimet, si e shpjegon këtë kontrast?

Marco Benvenuto: Për mua, kjo tregon një çekuilibër të madh në menaxhimin e vendit dhe në nivelin e jetesës. Dikush ka aq shumë pasuri sa shpërdoron, ndërsa dikush tjetër është aq i varfër sa detyrohet të hedhë prodhimin e vet.

Më duket absurde. Në vitin 2026 nuk mund të pranohet një situatë e tillë. Duket sikur askush nuk dëshiron të bëjë diçka të mirë për popullin. Të gjithë mendojnë për xhepat e tyre dhe jo për njerëzit që kanë nevojë të sigurojnë bukën e gojës.

Alba Kepi: Po për zhvillimin urban dhe ndryshimet që po ndodhin në Shqipëri, çfarë mendimi ke?

Marco Benvenuto: Mendoj se Shqipëria po zhvillohet nga dita në ditë dhe kërkon të përshtatet me vendet e tjera. Por, sipas mendimit tim, disa ndryshime bëhen pa krijuar kushtet e nevojshme për qytetarët.

Nëse dëshironi të ndryshoni stilin e jetesës dhe të rrisni standardet, duhet t’u jepni njerëzve edhe mundësinë ekonomike për t’i përballuar ato. Nëse rritni çmimet e gjithçkaje, por nuk rritni pagat, njerëzit vuajnë.

Duhet të sigurohen kushte për të pasur ushqim në tryezë, shërbime shëndetësore dinjitoze dhe arsim të mirë. Përndryshe, qytetarët detyrohen të marrin borxhe edhe për të jetuar normalisht.

Alba Kepi: A mendon se njerëzit po largohen nga vendi sepse nuk ndihen më të mbrojtur nga shteti i tyre?

Marco Benvenuto: Po. Kur shteti nuk punon për interesat e qytetarëve, njerëzit fillojnë të largohen. Por largimi nuk është zgjidhja. Është njësoj sikur të të dëbojnë nga shtëpia jote.

Ne duhet të përmirësojmë shtëpinë tonë, vendin ku jetojmë. Kur nuk ndihesh më mirë në vendin tënd, do të thotë se ambienti është bërë toksik. Dhe kjo është një situatë shumë e trishtueshme.

Alba Kepi: A ke angazhuar një avokat personal për të ndjekur çështjen tënde në Shqipëri?

Marco Benvenuto: Ende jo. Po lëviz me qetësi. Kam folur me avokatin në Shqipëri dhe duhet të rikthehem për të kontaktuar një avokat vendas ose një avokat italian që merret me çështje ndërkombëtare dhe mund të ndjekë situatën time në Shqipëri.

Duhet të kontaktoj edhe avokatët që ambasada më ka vënë në dispozicion, për të mbuluar të gjithë situatën ligjore.

Alba Kepi: Pas lirimit, u ktheve menjëherë në Itali?

Marco Benvenuto: Jo. Unë e kisha planifikuar kthimin në Itali më 23 tetor, kështu që pas lirimit qëndrova edhe tri ditë në Shqipëri, duke përfunduar pushimet që kisha planifikuar.

Alba Kepi: Do të rikthehesh në Shqipëri?

Marco Benvenuto: Patjetër. Shqipëria më pëlqen shumë. Nuk e fsheh që do të kthehem. Kam miqtë e mi më të mirë këtu dhe nuk mund të shkëputem prej tyre. Sigurisht, këtë herë do të vij me sytë pak më të hapur.

Alba Kepi: Dua të sqaroj edhe një herë: ti je shef kuzhine?

Marco Benvenuto: Po, jam shef kuzhine japoneze, merrem me sushi. Edhe pse jam napolitan, nuk bëj pica, por kuzhinë japoneze.

Alba Kepi: Faleminderit shumë, Marco. Shpresoj të takohemi në rrethana të tjera, edhe për të promovuar artin tënd si shef kuzhine.

Marco Benvenuto: Do të ishte kënaqësi. Edhe në Shqipëri kam ardhur për të parë mundësitë që ofron vendi. Saranda dhe Vlora janë zona shumë të bukura gjatë sezonit veror. Do të ishte shumë bukur të zhvillohej edhe puna ime atje.

Marco Benvenuto: Faleminderit, Alba. Shpresoj të kem qenë i dobishëm. Përshëndes Shqipërinë!

Share it :