Po jetojmë në gjenocid urban, kulturor e shpirtëror’, Kepi: S’na mungon aspirata europiane, por standardet
Në një fjalim të mbushur me akuza nga foltorja e qytetarëve e vendosur përballë godinës së qeverisë, gazetarja Alba Kepi ka denoncuar situatën aktuale në vend, duke e cilësuar atë si një “gjenocid” të shumëfishtë.
Sipas saj, Shqipëria po përjeton një “gjenocid urban” përmes shkatërrimit të historisë dhe identitetit, një “gjenocid kulturor” dhe një “gjenocid shpirtëror” të shkaktuar nga emigrimi masiv që po shkatërron familjet shqiptare.
Duke vënë në kontrast realitetin aktual me idealet europiane, Kepi kujtoi 9 Majin, Ditën e Europës, dhe Traktatin e Shumanit që promovonte liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ajo theksoi se brezat e kaluar luftuan për një drejtësi europiane, por ajo që po ofrohet sot nuk është aspirata për të cilën u sakrifikua.
“Nuk na mungon aspirata europiane, na mungojnë standardet europiane,” deklaroi ajo, duke argumentuar se amaneti i të parëve për një Shqipëri me standarde perëndimore ka mbetur i papërmbushur.
Po jetojmë genocid urban, duke na shkatërruar historinë, identitetin, objektet historike, po jetojmë genocid kulturor, po jetojmë genocid shpirtëror, pasi fëmijët, familjet po shkatërrohen nga emigrimi. Unë sot dua të kujtoj dhe një tjetër datë që po bota e festoi këtë fundjavë. 9 Majin, Dita e Europës, Traktati i Shumanit, i cili në një nga pikat e tij kishte liritë dhe të drejtat e njeriut. Kishte drejtësinë ligjore, drejtësinë europiane. Prindërit tanë, gjyshërit, ne vetë, familjet tona, luftuan për të pasur këtë drejtësi europiane.
Por ne sot ndodhemi përballë një kontrasti të fortë, pasi nuk ishte kjo drejtësia europiane që ne kërkuam dhe amaneti i tyre nuk është ende kryer. Ne jemi në kontrast të fortë me atë çka janë aspiratat tona. Asnjë demokrati këtu, as atyre që po na ndjekin në emigrim, ata që janë të pamundur të jenë sot në shesh për shkak të një halli apo të një sëmundje, nuk i mungon aspirata europiane. Na mungon standardet europiane. Prandaj dhe jemi këtu në shesh, Partia Demokratike mbledh çdo ditë çdo shqiptar, i bën thirrje, i ndërgjegjëson për të protestuar pasi amaneti i demokratëve, familjeve, prindërve, gjyshërve tanë nuk është kryer dhe standardet europiane janë të papërmbushura.
Unë i bëj një thirrje dhe kolegëve të mi gazetarë. Shumë prej tyre më thonë shpesh, Alba, është e lehtë të flasësh kur jeton në një vend europian. Por unë i kujtoj atyre të gjejnë në vetvete atë thirrjen që i bashkoi në pasionin për të bërë gazetarinë, por dhe në deontologjinë e profesionit. Të gjejnë atë pak kurajo, dhe ajo pak kurajo bëhet shumë kurajo për të gjithë, për të mos heshtur edhe u bërë palë me pushtetin, por për të ndihmuar qoftë dhe një kolege gazetare që në një konferencë shtypi dhunohet verbalisht nga një kryeministër. Dhe të mos vijojnë me pyetjen e radhës, po të gjithë bashkë të dalin nga ajo sallë.
Kjo kurajo e përbashkët mund të sjellë një ndryshim të madh. Po ashtu një thirrje dhe elitës. Unë ju kujtoj se Shqipërisë nuk i ka munguar apo shqiptarëve nuk i ka munguar kurrë takimi me historinë. Shqiptarët gjithmonë e kanë marrë, e kanë krijuar vetë historinë. Që me Lidhjen e Prizrenit, kur luftuan për identitet, për mbrojtjen e territorialitetit, për krijimin e një shteti modern dhe sot takimi ynë me historinë është po ai, për të luftuar kundër genocidit urban, kundër genocidit demografik, por dhe kundër genocidit natyror. Po na shkatërrohen prona private, por mbi të gjitha po na vidhet prona publike.




