Armët po marrin në dorë fushatën e 21 qershorit
Mziu: Nuk ka asnjë qeveri, polici, që të ndalë fitoren tonë dhe jam i bindur që rezultati i datës 21 qershor do të dyfishohet
Kërcënimi i përditshëm që Kryeministri Rama i bën kandidatit të opozitës për kryebashkiak të Kamzës, Xhelal Mziu, ka dhënë dje frytet e para. Një militant i majtë duket se është eksituar dhe stimuluar nga deklaratat e kryesocialistit dhe ka shkrehur pistoletën ndaj kandidatit të opozitës. Dy rrugët që trumbeton Rama çdo ditë në takimet e tij elektorale “o në shtëpi o në burg” kanë shfrenuar idetë e Liman Litës, mbështetës dhe pjesë e shtabit elektoral të Safet Gjicit, i cili ka gjetur të propozojë dhe veprojë për të krijuar një rrugë të tretë. Rrugën e eliminimit fizik të kundërshtarit. Sipas deklaratës publike të shtabit të Xhelal Mziut, militanti i majtë Liman Lita fillimisht ka tentuar të pengojë aktivitetin elektoral dhe më pas ka nxjerrë armën duke qëlluar, por ka qenë ndërhyrja e stafit të z. Mziu që kanë mundur të neutralizojnë ndonjë ngjarje të rëndë të mundshme.
Shtabi elektoral i kandidatit Mziu deklaron se kjo ngjarje vjen si pasojë e panikut që ka përfshirë kandidatin humbës, Safet Gjicin, nga humbja e sigurt që e pret më 21 qershor, por vjen e frymëzuar edhe nga deklaratat e Kryeministrit Rama, i cili bën gjykatësin duke sulumuar kandidatin Mziu në takimet elektorale të PS-së. “I kujtojmë Gjicit dhe Ramës se pavarësisht këtyre tentativave dëshpëruese i pret një humbje spektakolare si gjithnjë në Kamëz dhe Paskuqan”. Kandidati i djathtë akuzoi Kryeministrin si frymëzues të kësaj ngjarjeje, e cila, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Vetë kandidati Xhelal Mziu në deklarimin e tij për mediat theksoi: “Në bisedë e sipër, duke kërkuar me ngulm largimin tonë nga kjo lagje, Liman Lita nxori pistoletën dhe jam i sigurt që falë shkathtësisë së dy personave që ishin pranë meje, bënë të mundur çaktivizimin e armës dhe uljen e grykës së saj dhe ju e shihni vetë se si ka gjuajtur në asfalt. Por ky është thjesht një vegël e qeverisë. Nuk është hera e parë që persona si ky person, sidomos këto kohët e fundit, duke e parë me sytë e tyre humbjen dhe një masivizim të demokratëve në takimet e mia ku të pranishëm kanë qenë edhe socialistët e Kamzës dhe Paskuqanit, të cilët janë të angazhuar më shumë sesa kurrë jo vetëm thjesht për të qenë pjesë e qeverisjes për katër vitet që do të vijnë, po për t’i thënë stop kësaj qeverie, e cila ia ka sjellë në majë të hundës këtij populli”. Kryetari aktual i Bashkisë Kamëz ka akuzuar Policinë e Shtetit si të lidhur me segmentet e shtabit të Safet Gjicit dhe si palë në këtë fushatë.
I deleguari i PD-së për zgjedhjet në Kamëz, z. Jemin Gjana, në deklarimin e tij para mediave i kërkoi Kryeministrit të ndalë nxitjen e vrasjeve politike: “Kryeministrit i kërkojmë të distancohet publikisht nga akte të tilla. Janë në grahmat e humbjes. Edhe një herë e përsëris që ne jemi tërësisht të qetë, kemi një fitore të sigurt në Bashkinë e Kamzës dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të shmangim çdo lloj tentative dhe kushdo që të tentojë, do t’i ndodhë ashtu siç i ndodhi atij sot, do t’i rrëmbehet arma dhe pastaj edhe ndonjë gjë tjetër më shumë, por ne nuk dëshirojmë të shkojmë më tutje”.
Bogdani: A janë paratë e Dzanashvillit që mbulojnë luksin elektoral të Erion Veliajt?
Partia Demokratike vazhdon të akuzojë kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, se nuk bën transparencën për paratë e përdorura në fushatën e tij të luksit. Deputeti demokrat Gerti Bogdani i kërkoi llogari Veliajt se ku i ka gjetur lekët me të cilat ka përmbytur televizionet me spotet e tij elektorale. Shifra e deritanishme e referuar nga opozita, sipas KQZ-së, kalon 1.2 milionë euro. “Është zbuluar se deri dje, Erion Veliaj ka shpenzuar më e pakta 1 milion e 144 mijë euro vetëm për spote televizive, sipas tarifave zyrtare që mediat kanë depozituar në KQZ. Kjo shifër sa vjen e rritet, sepse Erion Veliaj çdo ditë që mbetet, e shton me dëshpërim shpenzimin e tij me reklama. Por asnjë ditë ai nuk po bën transparencë për miliona euro që janë hedhur, ndërkohë që vendi është zhytur në varfëri, e familjet mezi mbyllin muajin”. Ligjvënësi i selisë blu i drejtoi disa pyetje kandidatit të majtë për kryebashkiak dhe shprehu besimin se qytetarët e Tiranës do t’i japin përgjigjen e merituar në 21 qershor. “Nga vijnë paratë e Erion Veliajt? Kush është burimi i tyre? Pse nuk jep shpjegime për lidhjet me rastet e bëra publike deri tani të pastrimit të parave? A janë paratë e Dzanashvillit që mbulojnë luksin elektoral të Erion Veliajt? Pse është zonja e tij gjithnjë dezhurn, sa herë bëhet fjalë për pastrim parash? Erion Veliaj mund të fshihet, por këto janë fakte për të cilat ai do të gjykohet pas 5 ditësh, nga qytetarët e Tiranës. Sepse nuk mund t’i besojmë votën dhe të ardhmen një njeriu që punën e bazon vetëm në reklama dhe reklamën e bazon në gënjeshtra”.
Vokshi: Oligarkia vendosi Diana Milen në Pogradec për interesa korruptive
Albana Vokshi në emër të Partisë Demokratike ka akuzuar kandidaten e majtë të Bashkisë së Pogradecit për disa afera korruptive dhe përfitim të fondeve publike. Ligjvënësja demokrate ka përmendur një sërë investimesh publike para të taksapaguesve të cilat janë përfituar nga kompani të lidhura me Diana Milen. Zonja Vokshi theksoi se pavarësisht varfërisë lukunia e LSI-së dhe të majtës nuk ka të ndalur. “Abuzimet me fondet e qytetarëve të cilët vuajnë për bukën e gojës tregojnë se kjo mazhorancë nuk ka prioritet hallet e qytetarëve, por të marrë sa më shumë nga paratë e tyre. Rasti i fundit është ai i Pogradecit. LSI në Pogradec kandidon për Kryetare Bashkie një BINOM aferash korruptive me fondet publike, Kryetarin e Komunës Buçimas në Pogradec Roshi Tollozhina dhe Drejtoreshën e Urbanistikës së kësaj Komune Diana Mile”. Deputetja e PD-së u bëri thirrje qytetarëve të Pogradecit të votojnë kandidatin e djathtë dhe të braktisin përfaqësuesen e dyshes Rama Meta. “Qytetarët e Pogradecit nuk mund e nuk do të votojnë kurrësesi një kryetar Bashkie që siç e ka dëshmuar edhe në këto raste përdor fondet publike vetëm për interesat e saj personale. Qytetarëve të Pogradecit u duhet një kryetar bashkie për punë dhe t’u rikthejë atyre dinjitetin që ata meritojnë”.




