Merita Sauku Bruci &
Vittorio Bruno Stamerra
Por tani dëshiroj të rrëfehem para historisë, përpara se të vdes.
Petro Marko
Epilog
Me këto fjalë Petro Marko, përpos paktit që ka nënshkruar me historinë, ka nënshkruar njëherazi edhe një pakt me lexuesin e tij. Ai ka zgjedhur qëllimshëm të jetë rrëfimtar dhe dëshmitar i një jete “që nuk u jetua vetëm, por paralel me historinë dhe me njerëzit”. Interesimi im si studiuese e lexuese para se ta nënshkruaja këtë pakt, në fakt nuk rrok veprën e Markos në tërësi, por lidhet më ngushtë me praninë në dy vepra të tij, si bashkëvuajtës e personazh romani, të figurës një antifashisti të njohur italian: Antonio (Vincenzo) Gigante (2).
Duke ndjekur gjurmën e gjetur nga Stamerra (3), lidhur me praninë e figurës së Antonio Gigante-s në një nga veprat e Petro Markos u bëra kurioze dhe me dëshirën e mirë për t’i ardhur në ndihmë në kërkimet e tij të mëtejshme iu vura punës për ta çuar më tej. Kështu lindi ky kërkim i përbashkët, që harmonizon intuitën dhe këmbënguljen e një gazetari investigativ me analizën e detajeve që vetëm një përvojë e gjatë prej filologu mund të ta japë.
Ajo që fillimisht u duk si gjurmë, pas shfletimit të veprës mori përmasa të tjera. Figurës së A. Gigante-s Petro Marko i kishte kushtuar faqe të tëra. Por a mund të shërbejnë këto referime ndaj kësaj figure të njohur të antifashizmit italian si dëshmi historike për të lidhur fillin e informacionit ku ai këputet? Në këtë shkrim po përpiqemi të paraqesim se sa e vërteta vetjake (subjektive) e Petro Markos i afrohet asaj historike (objektive); ku përputhen e ku ndahen ato. Kemi përdorur si bazë krahasimi tre libra:
(Libri A) V. B. Stamerra, A. Maglio, P. Miano, Vincenzo Gigante detto Ugo – un eroe brindisino, Brindisi, Hobos Edizioni, 2005. Këtë libër, të mbështetur tërësisht në dokumente të gjetura në arkivat italiane si dhe në dëshmi të botuara të njerëzve që e kanë njohur nga afër Antonio Gigante-n, do ta konsiderojmë si dëshmi të pastër historike që mund ta ofrojë vetëm një burim dokumentar.
(Libri B) Petro Marko, Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët), Tiranë, OMSCA, 2000 do ta konsiderojmë si një rrëfim autobiografik, pasi edhe kur flet për veten Petro Marko mbetet në kuadrin e historisë. Ky rrëfim, që përmban vende, data historike e emra njerëzish konkretë, na çon drejt një të vërtete subjektive, por gjithsesi mbart edhe përgjegjësinë në lidhje me atë që ka vendosur të rrëfejë, me njerëzit që citon, që janë ende në jetë apo gjallojnë në kujtimet e të dashurve a bashkëkohësve të tyre.
Siç pohon vetë ai në hyrje të librit: Unë nuk kam mbajtur kurrë shënime, ku të shkruaja ç’kisha parë e ç’kisha dëgjuar, ç’kisha qarë e ç’kisha kënduar, ç’kisha thënë e ç’më kishin zënë veshët, prandaj këto që tani nisa t’i nxjerr nga pellgu i paanë i mbresave të jetës sime shumë, shumë të gjatë, po i nxjerr nga kujtesa që ende nuk më ka lënë.
Nuk po shfletoj as dokumente, as shkresa, as shkrime, por i çel rrugë detit të pafund të mbushur për shtatëdhjet vjet me rradhë. (Libri C) Petro Marko, Një natë dhe dy agime, Tiranë, OMSCA-1, 2002. Këtë roman, të cilësuar nga e bija e autorit, Arianita Marko si roman pjesë jete ose rrëfimi për një fragment historie të jetuar e konsiderojmë si një rrëfim romancesk, i përshkuar nga një autobiografizëm i theksuar, ku Petro Marko, krijuesi dhe rrëfyesi në vetë të parë, nëpërmjet personazhit të Andrea Borës (Petro Marko) përzgjedh të përshkruajë copëza jete të jetuara (vende, personazhe, ngjarje) gjatë kohës së internimit në vitet 1942-43 në ishullin famëkeq të Ustikës (Itali). Nga këndvështrimi filologjik kritik, botimi i parë i këtij romani nën titullin Nata e Ustikës (Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1989) nën redaktimin e Xhevahir Spahiut nuk mund të merret në konsideratë pasi është i reduktuar.
- Ndodhi të vërteta – dëshmi e një kohe të jetuar
FAKT: Skëterra Ustikë – ishull ku dërgoheshin të dënuarit më të rrezikshëm për shoqërinë. Përshkrimi i kontaktit të parë me Ishullin e Ustikës dhe përcaktimi i tij si një vend ku internoheshin, përpos të burgosurve ordinerë edhe antifashistë nga më të rrezikshmit, është shumë rrënqethës.
Pamje dramatike: Në shkëmbinjtë ngjyrë guri të djegur lëviznin si krimba të internuarit, uniformisht, me lëvizje të ngadalta. Nuk mund të bindeshe kurrë se ata ishin njerëz…
Shumë të internuar: zhele, skelete, na shikonin pa hapur gojë.
Kishte dy lloje të internuarish: për faje politike si antifashistë, dhe për faje ordinere. Pak shokë antifashistë internoheshin në Ustikë. Shumica e antifashistëve internoheshin në Ventontene e Ponza dhe pak në ishujt e tjerë. Ata që ishin shumë të rrezikshëm, i internonin në ishuj të vegjël dhe të këqij, si në Ustikë (Libri B f. 355)
Edhe Antonio Vincenzo Gigante, antifashisti i superkërkuar nga policia fashiste italiane, i mbiquajturi edhe “i pakapshmi me njëmijë fytyra (l’imprendibile dai mille volti)”, për shkak se qarkullonte vazhdimisht i maskuar, transferohet në ishullin e Ustikës. Për policinë fashiste italiane kapja e Gigante-s ishte kthyer në një makth. Në qershor të 1931, më shumë se 200 foto të tij u ishin shpërndarë nga Ministria e Brendshme strukturave të policisë në të gjithë vendin për të mundësuar kapjen e tij.
FAKT: Transferimi në ishull të lidhur me zinxhirë.
Një tjetër moment ku dëshmia e Petro Markos në të dy librat përputhet me historinë është transferimi i të internuarve në ishullin e Ustikës të lidhur me zinxhirë (4). Tregues i rrezikshmërisë së tyre, zinxhiri ishte shndërruar në një simbol të vaporit që i transportonte të internuarit fatkeq, saqë nuk thuhej më “erdhi vapori”, por “erdhi zinxhiri”. Edhe Gigante, sipas dëshmisë së Terracini-t i nënshtrohet të njëjtit ritual transferimi për në ishullin e Ustikës (5).
Prania e Antonio Gigante-s në ishullin e Ustikës dëshmohet si nga Petro Marko në rrëfimet e tij, nga Andrea Bora (Petro Marko) i cili e përzgjedh si një nga personazhet kryesorë të romanit të tij “ Një natë dhe dy agime”, duke ruajtur emrin origjinal, ashtu edhe nga kujtimet e U. Terracini-t e dokumente zyrtare që dalin nga arkivat italiane. Në një dokument të lëshuar nga Kuestura e Romës dhe drejtuar Ministrisë së Brendshme Italiane, më 27 nëntor 1942 saktësohet se për shkak të rrezikshmërisë politike që paraqiste Gigante është internuar në kampin e përqëndrimit të Ustikës (6).
FAKT: Prania e Antonio Gigante-s në ishullin e Ustikës.
Në kujtimet e tij Petro Marko (libri B) rrëfen se gjatë dimrit të vitit 1942/43 Ustika ishte në krizë të madhe. Ra një sëmundje dhe shumë të internuar italianë vdiqën. Antonio Giganten e ka gjetur në ishull (7). Edhe në romanin e tij, ku Antonio Gigante tanimë është shndërruar në personazh kryesor, takimi i parë mes dy antifashistëve ndodh në barakën e të internuarve shqiptarë (8). Nel novembre 1942 Antonio Vincenzo Gigante venne ufficialmente scarcerato dal penitenziario di Civitavecchia (Roma) ma per la sua “pericolosità” il Questore di Roma chiese al Ministero degli Interni che fosse inviato in una località di confino. Sbrigate le pratiche burocratiche, il trasferimento a Ustica avvenne nel gennaio del 1943, come risulta dai documenti ufficiali.
Listës së përputhjeve i shtohet edhe përshkrimi fizik dhe moral i Antonio Gigante-s dhënë nga Petro Marko kryesisht në romanin e tij Një natë dhe dy agime.
Le të njohim fillimisht si e sjellin dokumentet e kohës portretin e A. Gigantes.
(Descrizione fisica e caratteriale di Gigante)
FAKT: Para se të shpërndahej nje fotografi e tij, konsullata italiane në Bernë e përshkruan kështu në një shkresë që i dërgon Ministrisë së brendshme.
un meridionale, alto, sbarbato dai capelli folti neri (Libri A f. 25), një vit më vonë, më 1928 shkruhet: aggiungiamo pero che il Gigante porta adesso quasi abitualmente occhiali cerchiati all’americana (Ibidem, f. 26) apo il giudice guardando il suo aspetto fisico, così ben messo, di elegante portamento, la sua faccia e i suoi occhiali da intellettuale…(po aty, f. 30)
Petro Marko e ka njohur pas viteve të gjata mundimesh nëpër burgje. Ai e përshkruan si “një njeri të hollë, të gjatë, me flokë borë të bardhë, që mbante syze dhe sytë i mbyllte shpesh herë (9). Me një zë të dobët, por të ëmbël, ndonëse ende i ri dukej sikur i kishte kaluar të tetëdhjetat. Antonio Gigante, që Petro Marko ka njohur në Ustikë “vetëm emrin dhe shpirtin e kishte të tillë” (prej gjigandi -MSB) pasi ishte katandisur kockë e lëkurë dhe shikimi i ishte dobësuar shumë (10).
FAKT: Le foto segnaletiche scattato a Gigante nel 1942, quando lasciò il carcere di Civitavecchia per essere inviato al confino di Ustica, dove erano reclusi i più irriducibili opositori al regime, lo mostrano, a dispetto dei suoi appena 40 anni, invecchiato, smagrito e ricurvo. Petro shkrimtar e jep atë të sjellshëm e fisnik, një njeri që dintë të ngjallë admirimin dhe respektin e të tjerëve.
Gjiganti tani dukej më i afërt dhe më i dashur. Ishte shumë i sjellshëm, më fliste me fisnikëri, me atë zërin e tij të hollë e pak të dridhur që i shkonte fizikut të tij. Që ditën e parë që na erdhi në barakën tonë, atje në Ustika, ndjeva respekt për të… atë respekt që ndiejnë ushtarët e rinj ndaj veteranëve të shumë betejave, të mbushur me plagë… këto ditët e fundit respekti ndaj tij m’u shtua edhe më tepër. (Libri C, f.482)
FAKT: Ricordi di Umberto Terracini, dirigente comunista, anzi uno dei fondatori del Pci, che insieme a Gramsci accumulerà più anni di galera e di isolamento ad opera del regime fascista. Tra i due si stabilirà un forte legame, non solo sul piano umano, ma anche su quello dell’identità politica.
“Egli veniva la sera alle riunioni di Partito, e, la domenica, alle maggiori assemblee e alle manifestazioni popolari. E vi recava quel senso di pacatezza, di equilibrio, di composta responsabilità che doveva procacciargli rapidamente la fiducia dei compagni,
per indicarlo a posti di responsabilità e di guida del movimento operaio.”
( Libri A, f. 18)
I justifikuar, i përputhshëm dhe bindës edhe përshkrimi që Marko na bën të ditur në librin C, f. 487: Në këto biseda (për vajzat MSB) Gjiganti nuk merrte pjesë. Dëgjonte dhe shkonte drejt përpara. Nuk qeshte, po vrenjtej e nxihej, siç ishte vrenjtur dhe nxirë rinia e tij në qelitë e burgjeve politike… Rinia e tij e humbur….
Në kujtimet e bashkëkohësve Gigante aveva l’abitudine di vivere in solitudine, abitudine alla gallera, il fascismo gli aveva distrutto nel carcere la giovinezza e la vita familiare. (Libri A, f. 68)
- Ndodhi ndoshta reale
Mbledhjet e celulave në kamp
Marko i kushton një kapitull të vecantë jetës politike në ishull, mënyrës sesi ishin të organizuar, si funksionin celulat mbi bazën e kombësive, si koordinoheshin veprimet nga një komitet me dy përfaqësues nga çdo kombësi, si organizohej shpërndarja e informacionit të marrë në rrugë të fshehta nga radio të ndryshme e si shpërndahej në kamp.
Pasi mbrritëm në Ustikë, çështja e parë ishte që ne të lidheshim me shokët e atjeshëm, dhe ashtu bëmë. Më pare u njoha mire me shokun nga Foxhia, që ishte i vjetër. Ai, gjatë bisedave, më tha se aty ishin nja dhjetë komunistë italianë, që kishin celulën e tyre dhe ishin lidhur me partinë ilegale, në Palermo dhe në continent. Nuk vepronin fare dhe asnjë ndihmë e asnjë material nuk merrnin. Kur erdhi Antonio Xhigandi, me të cilin bisedova gjatë për shokët italianë që kasha njohur në Spanjë dhe në Francë, më foli edhe ai për situatën e mjerë të shokëve italianë. “Vetëm në Ventontene dhe në Ponza ka shokë që janë gjallë”.
Me shokët jugosllavë u lidhëm më lehtë. Kishte shumë shokë sllovenë, kroatë dhe malazezë. Çdo grup kishte celulën e vet, por komiteti ishte një, me përfaqësi nga çdo kombësi… Krijuam një komitet të përbërë nga dy shokë për çdo kombësi. U bënë zgjedhjet. Mua më zgjodhën si komandant ushtarak dhe shokun Alois, slloven, si komisar… (Libri B. f. 365)
Fjalimet dhe diskutimet
Ka shumë gjasa që të kenë ndodhur situatat që Petro shkrimtar përshkruan në romanin Një natë dhe dy agime. Por në kushtet kur të dhënat dokumentare mungojnë, bëhet gjithnjë e më shumë e vështirë të ndash të vërtetën nga trillimi artistik. I tillë është fjalimi që Gigante mban para dy të vrarëve në Burgun e Ustikës:
U afrua pranë varrit një italian i hollë e i gjatë. Sikur i merreshin këmbët. Flokët i kishte borë të bardhë. Mbante syze dhe sytë i mbyllte shpesh here.
-Compagno Antonio! Compagno Albanese! – foli ai.
Të gjithë u ngritën në këmbë. Disa fshinin djersët. Djersët apo lotët? Zëri hollë, si i atij të burgosurit që pashë për pak çaste në burgun e Palermos, e bënte më tragjike fytyrën e atij që fliste, i bënte më prekëse fytyrat e dy të vdekurve. – Ne vdesim për jetën… vdesim që jeta të jetojë… – Sytë i mbyllte shpeshherë, duke shikuar varret e çelura. – Varret tona janë panteone të jetës. Kalvari ynë është rruga e jetës. Therroria jonë është flamuri i jetës. Po, shokë të dashur, jeta nuk varroset… Siç nuk varroset dielli… – Lidhi duart në gjoksin e tij të ngushtë. Çeli gishtërinjtë e hollë dhe mori pamjen e një martiri para togës së ekzekutimit. – S’kam se ç’t’ju them… Varri juaj flet shumë, flet gjuhën e përhershme të mundimeve tona për lumturinë e njeriut. Varri juaj kurdoherë do të flasë e së bashku me varret e mijëra e mijëra shokëve të tjerë do të bëhet megafon i fuqishëm i kushtrimit kundër së keqes që mundon sot botën, kundër ligësisë, kundër vdekjes, kundër shtypjes, kundër barbarisë, kundër tiranisë, kundër gjakësorëve… kundër atyre që ju vranë ( Libri C f. 307-308)
apo situatat e diskutimeve të gjata në mbledhjet e celulave antifashiste në ishull:
Ne mblidheshim shpesh dhe mendonim si të zotëronim situatën në ishull …
Gjendeshim në frontin midis dy ndërluftuesve. Prandaj menduam ta merrnim ishullin. U mblodhëm dhe biseduam; bëmë planin.Pushtimi nuk ishte i zorshëm. Do të asgjësonim më parë garnizonin italian të dobët; pastaj, me armët që do merrnim, do të sulmonim garnizonin gjerman të zbulimit. Ne ishim shumë dhe të vendosur. Plani u përpunua mire dhe u pranua nga të gjithë. Antonio Xhigandi dhe Nikolasi thane: “Po sikur të pyesim dhe Dushan Kermaunerin? Është shok i vjetër dhe me përvojë të madhe, është dhe gjakftohtë!” E thirrëm dhe i njoftuam vendimin që kishim marrë. … Dushani foli më gjatë. Na bindi. Prandaj e anuluam vendimin. (Libri B f. 37)
Marko- Apostull i Krishtit të Kuq
Mbetet i diskutueshëm dhe më afër trillimit edhe cilësimi që Petro Marko i bën Gigante-s si Krishti i kuq (11) ndërkohë që të dënuar të tjerë, për shkak të bindjeve të përbashkëta politike dhe veprimtarisë së përbashkët e cilësojnë vetë Markon (Andrea Borën) si apostull të Krishtit të kuq. Ky cilësim shfaqet mëse një herë në roman (12).
Ka fakte që Gigante, asokohe militant në Federatën e Socialistëve të Rinj, pësoi arrestimin e tij të parë në Brindisi, në 1920, në një manifestim të hapur të organizuar nga CGIL dhe nga Partia socialiste kundër dërgimit të trupave ushtarake në Shqipëri (13).
“Sheshi i ndërgjegjeve të shitura”, gjithnjë me atë zhurmë, me ato ngjyra gri. Gri në kalldrëm. Gri në fytyrat dhe në kurrizet e skeleteve lëvizëse që u ngjanin një morie krimbash. Më kaluan pranë disa dhe as që më vunë re. Po njëri syresh më kapi për dore, më nguli sytë e tij që i llamburitnin e më pyeti:
-Si e ke profetin?
-Cilin profet?
-Krishtin e kuq.
I shastisur s’dija ç’ti përgjigjesha. Po si shkreptimë më ra ndërmend fytyra e tij, zëri i tij aty në sheshin e apelit, kur e cilësoi Krisht Gjigantin.
-Pse e quan Krishti i kuq?
-Se fytyrën e ka si të Krishtit dhe mendjen si të Leninit… – qeshi si pa të keq. – I ziu ai! Ne nuk luftojmë me fjalë si ai dhe gjithë vulëhumburit si ai… Mos je edhe ti apostull i tij? Ki mendjen o i shkretë, se do plakesh para kohe dhe s’ke për të arritur gjë?…. Atëhere shko, shko pas gjurmëve të Krishtit të kuq, pa ke për të parë se si do të katandisesh për pak vjet… Do të plakesh… Do të ngordhësh… pa i shijuar asgjë kësaj jete qeni. (Libri C, f. 3)
Largimi nga Ustika drejt Palermos
(Da Ustica verso Palermo. Presenza di Gigante nella nave.)
Imazhi i fundit ku historia mund të përputhet me kujtimet e Petro Markos është udhëtimi nga Ustika drejt Palermos me anije dhe prania e A. Gigante-s në të. Më pas rrugët e tyre ndahen: Aty nga muaji maj, pamë se gjermanët po iknin. Për ne ishte shenjë e mire, se frikën ua kishim. Një mëngjes erdhën dy vaporë për të na marrë. Me shpejtësi u dha urdhri që të zbrisnim në mol. Morëm ato tesha që na duheshin, dhe në rrëmujë, si një ushtri e dërrmuar në tërheqje, na zbritnim grupe-grupe dhe të palidhur na futnin në vapor. Unë kërkoja shokët: Ilon, Gaqon, Makbulen. Vançi ishte me mua. Në vapor isha me Nikolasin, Xhigandin, me familjen Çeki e të tjerë. Arritëm në Palermo e të gjithë u grumbulluam në një shesh. Na lidhën e na nisën për në Monreal në këmbë. Aty ndenjëm një javë. Na hipën në tren dhe u nisëm për në kontinent. Nuk gjente shoku-shokun. Aty më thane se I kishin pare shokët e mi (Ilon, Gaqon, Makbulen) të hipnin në trenin e parë. Duke udhëtuar drejt Mesinës, shikonim popullatën në rrëmujë, në panic. Kishim frikë se mos na mitralonin ose na bombardonin aeroplanët aleatë. Kapërcyem kanalin e Mesinës mbi ferrabot dhe treni drejtohej tani për në very. Për ku? Asnjë nuk e dinte se ku na shpinin. Trena të tjerë plot me të burgosur dhe të internuar ishin nisur përpara trenit tone. Shikonim qytete. Kalonim tunele të shumta. Drejt veriut: Për ku? Pse nuk na lironin? Disa u hodhën nga dritaret dhe ikën? Mendova të hidhesha dhe unë. Po shokët? Pas disa ditësh arritëm në një kamp, në Alatri, Frosinone. Kampi quhej Frasketi. (Libri B f. 378)
III. Ndodhi të trilluara. Gigante dhe Gramshi në Ventotene
Nuk mund të themi me siguri nëse bëhet fjalë për një moment konfuzioni apo zgjedhjeje të qëllimshme, për t’i dhënë më shumë rëndësi personazhit të Gigante-s, kur Marko shkrimtar pohon për Giganten se “edhe me Antonio Gramshin kishte qenë në një qeli. Pastaj e kishin internuar në Ventotene. Po, për dënim, e dërguan aty në Ustika. Unë e dëgjoja me shumë vëmendje. Më pëlqente toni i ëmbël i zërit të tij. Më vinte keq për të.. Tridhjetë e pesë vjeç ishte dhe dukej sikur i kishte kaluar të tetëdhjetat. Asnjë ndihmë s’i vinte. Në Ventotene ishte fare mire, se e mbante kolektivi i të dënuarve politikë. (Libri C, f. 312)
Faktet kokëforta dëshmojnë për të kundërtën. Gigante ka qenë i burgosur në Civitavecchia dhe prej andejmi është transferuar në Ustikë.
Dëshmon Umberto Terracini: Io lo incontrai nel 1935 nella Casa Penale di Civitavecchia… Il lungo carcere preventivo non aveva lasciato segni sul suo viso, e neanche nel suo spirito…. E per due anni, giorno per giorno, vivemmo assieme la nostra vita e le nostre attese, assieme agli altri che, come noi, avevano anteposto ad ogni altra cosa l’amore di libertà, che era una cosa sola con l’amore di paria. Io uscii nel 1937 dal Reclusorio di Civitavecchia per passare alla deportazione di Ventotene. Ma Vincenzo Gigante vi restò ancora per alcuni anni, fino a quando, nella beffa consueta della liberazione ottenuta e del confino irrogato, non venne portato in catene nell’Isola di Ustica. (Libri A, f. 20)
Kjo nuk përjashton që Gigante dhe Gramshi të jenë njohur, por nuk mund të jenë takuar në burgun e Civitavecchias. Ishin takuar në fillim vitet ’20 të shekullit të kaluar në Romë, ku Gigante ishte transferuar nga Brindisi dhe punonte si murator dhe bënte pjesë në sindikatat e ndërtimit. Ishin takuar me siguri edhe në Rusi, ku Gramshi ishte bërë si i shtëpisë dhe Gigante kishte frequentuar “universitetin” e Leningradit që nga 1925. Nuk duhet harruar që Gigante bënte pjesë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Italiane me Toliatin dhe drejtues të tjerë historikë dhe ishte përgjegjës i “zyrës teknike”, që në gjuhën e komunistëve të asaj kohe nënkuptonte zyrën që merrej me organizimin e jetës klandestinë, që gjente bazat e strehimit dhe merrej me sigurimin e jetës së anëtarëve dhe drejtuesve të partisë, gjetjen e pasaportave dhe letërnjoftimeve false, si dhe fondeve financiare.
Kur Gigante mbrrin në Civitavecchia jemi në vitin 1934, Gramshi është i sëmurë rëndë dhe transferohet në klinikën e Formias. Të dy pra nuk kanë pasur mundësi të takohen, për më tepër që në partinë komuniste ndihej tanimë një çarje e thellë: nga njera anë “toliatistët”, ata që gjendeshin jashtë Italisë (Rusi, Francë, Zvicër, Belgjikë, shtabi qendror i partisë dhe të tjerët që vuanin në burgjet fashiste. Ndër këta të fundit edhe komunistë të orëve të para, nga Gramshi tek Terracini, që ndodheshin në burg që nga 1927, kur filluan të funksionin gjyqet speciale. famëkeqe.
Situatat dhe ngjarjet e zhvilluara në kampin e Alatrit.
Çfarë ndodhi me Giganten e Markon pas largimit nga Ustika? Disa muaj pas qëndrimit në Ustikë, vecanërisht pas zbarkimit anglo-amerikan në Sicili, të gjithë antifashistët që mbaheshin në Sicili u transferuan në gadishull. Gigante, për “rrezikshmërinë që paraqiste u transferua në Renicci (Anghiari) në Toskanë, në një kamp përqëndrimi ku mbaheshin partizanët sllavë të kapur në Jugoslavi nga pushtuesit nazifashistë. Me shumë gjasa, policia fashiste ka dashur të veçojë e të dërgojë në kampe të ndryshme komunistët që do të paraqesnin rrezikshmëri nëse do të vazhdohej të mbaheshin bashkë. Mund të jetë kjo një arsye që Gigante përfundon në Renicci dhe Marko në kampin e Alatrit (14).
Në fakt dëshmia e Petro Markos antifashist për Antonio Gigante-n në kujtimet e tij (Libri B) mbyllet në transferimin në vapor nga Ustika në Palermo. Ai nuk e përmend më as kur mbrritën në Monreal të lidhur me zinxhirë e ku mbetën për mëse një javë, as në hipjen në trenat që i shpinin drejt veriut e as në kampin ku i dërguan. Ndërkohë që disa shqiptarë së bashku me të burgosur të tjerë të Ustikës, gjithnjë sipas dëshmive të Markos, i dërguan në një kamp afër Arecos (në Toskanë). “Asnjë nuk e dinte se ku na shpinin. Trena të tjerë plot me të burgosur dhe me të internuar ishin nisur para trenit tonë.” Shikonim qytete, kalonim tunele të shumta. Drejt Veriut: Për ku? Pse nuk na lironin Disa u hodhën nga dritaret dhe ikën. Mendova të hidhesha dhe unë. Po shokët? Pas disa ditësh arritëm në një kamp në Altri, Frozinone. Kampi quhej Frasketi. Ishte plot me të reja sllovene dhe kroate, motrat dhe të fejuarat e partizanëve. Ishin shumë. (Libri B, f. 379)
Prania dhe reagimi i Gigante-s më 25 korrik 1943 në kampin e Alatrit.
Kështu që gjithcka që pasqyrohet në romanin Një natë e dy agime pas këtij momenti, lidhur me A. Gigante-n është një trillim i pastër artistik. Nuk përputhet historikisht prania e tij e njëkohshme me Markon në kampin e Alatrit. Ndoshta vërtet do të kishte ndodhur ashtu siç e përshkruan Marko shkrimtar reagimin e Gigante-s më 25 korrik 1943 kur merr vesh arrestimin e Musolinit.
Dhe, gjersa ne të shkëmbenim ndonjë pyetje për sa po na zinin veshët, dëgjuam përjashta:
-Mbaroi Musolini! Mbaroi Musolini! E arrestuan! E arrestuan!
Gjigantit i ranë syzet. Përplasi gavetën në mur dhe thirri si i çmendur:
-Finalmente!
Ne kujtuam se shkalloi. Nxori këmishën, e bëri copa-copa dhe ashtu pa syze – sa ndryshe dukej tani, si një gjigant i vërtetë i zgjidhur nga zinxhirët që gati po shembte edhe barakën tonë – u ngrit e na puthi të gjithëve me rradhë, një herë e dy herë, e tri herë e pastaj ma kapi kokën mua, ma lagu me lotët që i rridhnin sikur të ishin grumbulluar prej shekujsh, e më thoshte gati pa frymë:
-Vëlla Andrea! Vëlla! Vërtet? Vërtet? Vërtet mbaroi kasapi i Italisë?
(Libri C, f. 497)
Të dhëna arkivore e dëshmi bashkëkohësish (15) vërtetojnë praninë e Gigante-s të mbyllur në kampin e përqëndrimit të Angiarit (Toskanë) më 25 korrik, datë kur Mbreti e detyroi qeverinë fashiste të dorëhiqej dhe urdhëroi arrestimin e Musolinit.
Largimi nga kampi i Alatrit.
Pas 8 shtatorit Antonio Gigante merr në dorë situatën në kampin e Angiarit dhe meqënëse nuk mund të drejtohej drejt Jugut të pushtuar nga gjermanët, u bashkohet grupit të partizanëve dhe niset drejt Dalmacisë, ku fillon një aktivitet të dendur në rradhët partizane. I arrestuar përsëri dhe i cfilitur nga torturat (16) mendohet të ketë vdekur në vjeshtë- dimrin 1944/45 në kampin e Risiera di San Saba.
Petro Marko në kujtimet e tij rrëfen se u largua në shtator nga kampi i Alatrit me dy shokë të tjerë për të përfunduar edhe ai në rradhët e luftës partizane në Terni, në veri të Italisë. Tetori i vitit 1944 e gjen në Shqipëri.
Kjo është e vërteta, sa i takon Gigante-s; për çdo rast të cituar në romanin “Një natë e dy agime” (dhe këto nuk janë të pakta), pas largimit nga Ustika, Petro Marko i dorëzohet me shumë gjasa fantazisë.
Si një nga etërit e antifashizmit italian Gigante mbetet një njohje e rëndësishme për Petro Markon. Respekti për të dhe idealet e përbashkëta bëjnë që rrëfimi për Giganten të jetë i ndjerë dhe figura e tij të përshkruhet me shumë dhembshuri. E vërteta subjektive e fakteve që ai na jep si në rrëfimin autobiografik ashtu edhe në roman mund të na shërbejnë pjesërisht për të mbushur një boshllëk të dhënash që mungojnë lidhur me atë cka ndodhur me A. Gigante-n gjatë periudhës së qëndrimit në ishullin-burg të Ustikës.
Shënime:
2-Antonio Vincenzo Gigante u lind në 1901 në Brindizi (Itali). Është një ndër të parët që anëtarësohet në rradhët e partisë komuniste italiane. Sindikalist nga më aktivët nis më 1925 një karrierë revolucionari e kundërshtues të regjimit fashist së cilës do t’i kushtojë të gjithë jetën. I skeduar si “i rrezikshëm dhe vazhdimisht i ndjekur nga agjentët e OVRA-s arrestohet në 1933. Gjyqet Speciale e dënojnë me 20 vite burgim. Në dimrin e 1942-43 dërgohet si i internuar në ishullin famëkeq të Ustikës. Arrestimi I Musolinit e gjen në kampin e përqëndrimit të Renicit (Toskanë). Pasi largohet nga kampi militon në rradhët partizane. Riarrestohet në 1944 dhe torturohet barbarisht. Mendohet të jetë ekzekutuar dhe djegur në krematoriumet e San Sabës në Trieste. I është dhënë pas vdekjes “Medaglia d’oro al valor militare.
3-Vittorio Bruno Stamerra, gazetar profesionist. Ka punuar si gazetar në “Gazzetta del Mezzogiorno” të Barit, në TG3 e RAI-t. Ka drejtuar gazetën “Quotidiano” e Leces, Brindizit e Tarantos nga 1982-1996. I apasionuar pas historisë bashkëkohore e gazetarisë investigative, bashkëpunon me televizione, gazeta e revista “La stampa” e Torinos, “Avanti” e “Paese sera” të Romës. Ekspert i teknikave të komunikimit e shkrimit drejton “Hobos edizioni” si dhe është editorialist i ‘Senzacolonne”. Jeton e punon në Brindisi (Itali). Frut i kërkimeve ndër arkiva shtetërorë e privatë janë edhe përgatitja e disa botimeve me karakter dokumentues që i kushtohen periudhës së rezistencës antifashiste në Itali dhe figurave qendrore të saj, kryesisht në rajonin e Pulias.
4-“Na morën ashtu siç ishim, na drejtuan drejt limanit të madh plot vaporë, kaike e varka. Arritëm në liman, na çuan drejt një bankine dhe aty na hipën në në një vapor të vogël. Të gjithë, zinxhir, u ulëm në kuvertë. Duke u larguar, kthenim kokën pas për të pare Palermon e madhe… Të gjithë i mbanim sytë drejt veriperëndimit, drejt detit të hapur të Mesdheut, se mos na fanitej Ustika. Ustika skëterrë, ku të dënuarit kishin vetëm një liter ujë për të pirë. (Libri B: f. 353)
Erdhën dhe na hoqën zinxhirin dhe prangat, të cilat i hodhën në një hambar, siç dukej me ato pranga dhe me atë zinxhir ai vapor bënte prej shumë vjetësh atë linjë: Palermo- Ustikë.(ibidem, f. 355) Në një korridor të gjatë pamë shumë të tjerë. I kishin lidhur. Pas tyre na lidhën edhe ne. Prangat në duar. Pastaj zinxhiri i gjatë që lidhte njërin pas tjetrit (Libri C, f. 192).
Na numëruan. Na bënë apelin. Na hoqën zinxhirin e gjatë. Prangat mezi i ngritën disa karabinierë dhe i shpunë në vapor. Patjetër për të sjellë të tjerë.(Ibidem, f. 196)
5- Kujton Umberto Terracini: Io uscii nel 1937 dal Reclusorio di Civitavecchia per passare alla deportazione di Ventotene. Ma Vincenzo Gigante vi resto ancora per alcuni anni, fino a quando, nella beffa consueta della liberazione ottenuta e del confine irrogato, non venne portato in catene nell’ Isola di Ustica. (Libri A, f. 20)
6- Shih dokumentin e botuar nga V. B. Stamerra në shtojcën dokumentare të librit A.
7- “Kur vajtëm ne aty, gjetëm pak komunistë dhe antifashistë italianë: njëri nga Foxhia, që nuk ia mbaj mend emrin, dhe njëri nga Brindizi, Antonio Xhigandi. Ai nga Foxhia kishte shumë vjet aty dhe rronte shumë keq. (Libri B, f. 365).
8- (Andrea Bora alias Petro Marko): Italiani që foli te varrezat, quhej Antonio Gjiganti. Ishte ai shok për të cilin na kishte folur Aloisi. Erdhi e na gjeti në barakën tone. Ishte përgjegjësi i grupit Italian. Kishte bërë dhjetë vjet burg. Edhe me Antonio Gramshin kishte qenë në një qeli. Pastaj e kishin internuar në Ventotene. Po, për denim, e dërguan aty në Ustika. Njeri me horizont të gjerë. Na fliste për gjendjen e Ustikës. Na e zbërtheu fare mire tërë situatën në ishull.(Libri C, f. 309)
9- U afrua pranë varrit një italian i hollë e i gjatë. Sikur i merreshin këmbët. Flokët i kishte borë të bardhë. Mbante syze dhe sytë i mbyllte shpesh here. Shikimi i tij ishte i dobët. (Libri C: f.307)
Kur ai italian i hollë e i gjatë, me flokë të bardhë e me syze, heshti, fryu një fllad e psherëtiu në degët e qiparisit.(Ibidem, f. 308)
Pasi ndenji me ne më se dy orë, deshi të largohej por ne e mbajtëm për drekë. Hëngri me ne. E vura re se purenë me bathe e hante ngadalë, si në një drekë zyrtare. Nuk lëvizte duart. As buzët. Nuk fliste. Përtypej shumë ngadalë dhe nuk e kthente kokën. Kur i flisnim nuk përgjigjej. Ndoshta nuk dëgjonte. Ndoshta mendonte. Ashtu dukej: sikur mendonte. Edhe duart e tij sikur mendonin…
(Ibidem, f.310)
Në fakt Gigante vuante nga sëmundje e mëlcisë dhe këtë e dëshmojnë edhe familiarët e tij. Ndoshta kjo mund te ketë ndikuar në faktin që hante ngadalë. (Libri A, f. 87)
10- Unë e dëgjoja me shumë vëmendje. Më pëlqente toni i ëmbël i zërit të tij. Më vinte keq për të.. Tridhjetë e pesë vjeç ishte dhe dukej sikur i kishte kaluar të tetëdhjetat. Asnjë ndihmë s’i vinte.
(Libri C, f. 312)
Fliste Gjigandi dhe shpjegonte arsyet e vdekjeve në masë. Gjigandi vetëm emrin dhe shpirtin e kishte të tillë. Ai ishte katandisur me gjithë mend kockë e lëkurë. Edhe shikimin e kishte të dobët. Edhe zëri mezi i dilte. (Ibidem, f. 417).
11- Gjiganti u ul me përtim dhe ngriti më lart pantallonat se nuk kishte rrip.Tani dukej më i hollë, i gjatë e i thatë, me atë fytyrë pa ngjyrë, si të Krishtit në Golgota. Syzet herë pas here i rregullonte në hundë më mirë se nuk i qëndronin. Flokët e tij të bardhë i jepnin pamjen e një mendimtari. (Libri C f.483).
12-Apostull! Apostull1 më bërtiti njëri.- është apostulli… apostulli! U thoshte shokëve. –A i shqiptari që dashuronte në Ustika! Oh, oh… ja dhe Krishti i Kuq! Ja dhe Anita Garibaldi…
………..
Gjigandi i habitur, hoqi njëherë syzet, i vuri përsëri dhe duke ulur kokën përpara i shikonte me rradhë…
-Po ç’jeni ju –i pyeti.
-Ne? – tha poeti, duike bërë një hap përpara drejt nesh. – Ne jemi të ringjallurit, o zoti Krisht. Kiameti u bë… Jeta u shemb… dhe sipas profecisë sate ne u ringjallëm dhe presim Gjyqin Universal…Ndërroi tonin e zërit dhe duke qeshur shtoi: -jemi ne, bijtë e Ustikës. Ibidem, f. 506
13- FAKT Si ha notizia, infatti, che Gigante subì il primo arresto a Brindisi, nel 1920, quando militante della Federazione Giovanile Socialista, partecipò ativamente a una dimostrazione di piazza organizzata dal Cgil e dal Partito Socialista proprio contro l’imbarco del corpo di spedizione militare in Albania.
(Libri A, f. 17)
14-Dopo qualche mese di permanenza a Ustica, in particolare dopo lo sbarco degli angloamericani in Sicilia, tutti gli antifascisti reclusi in Sicilia vennero trasferiti sulla Penisola. Gigante, per la sua “pericolosità”, venne trasferito a Renicci (Anghiari) in Toscana, in un campo di concentramento dove erano rinchiusi i partigiani slavi catturati in Jugoslavia dagli occupanti nazifascisti.
15-Le notizie giunte sino a noi danno Gigante recluso nel campo di concentramento di Renicci, nei pressi di Anghiari in Toscana, alla data del 25 luglio 1943, quando il governo fascista fu dimissionato dal Re, che fece arrestare Mussolini.
Il nuovo Presidente del Consiglio, il maresciallo Badoglio, promise di liberare tutti i prigionieri politici, ma rinviava in continuazione la piena attuazione del provvedimento. (Libri A, f. 50)
Idem:
Sopratutto per quanto riguardava Gigante. Tant’è che l’8 settembre 1943, Giuseppe di Vittorio, ex deputato al Parlamento, ritenne di dover intervenire sul ministro degli Interni Ricci, con la seguente lettera per la liberazione dal campo di concentramento. La questura di Roma, in 13 novembre 1943 esprime parere sfavorevple alla richiesta “ in vista dei precedenti politici del nominato in oggetto ed in considerazione della sua pericolosità.
16- Imazhi i fundit fizik për të: Gigante procedeva lentamente, a fatica, il corpo piegato e senza più vigore. Erano già due mesi che lo torturavano senza riuscire a farlo parlare, nè mai vi riuscirono.
(Libri A. F. 70)



