Vlerësohen nga panairi i librit në Fier autorët: Nasi Lera, Rita Petro, Maku Pone, Fran Ukcamaj, Agim Vinca
Edhe jashtë qendrës mund të mëtohet letërsia, si proces akut nëpër të cilën kalon në realitetin shqiptar. Raporte të tilla nuk vlejnë vetëm për mbledhje panairesh si shenjë e qartë e biznesit të librit, por edhe në raste të veçuara siç u shfaq në panairin e librit në Fier. Në katër ditë simpoziume, promovime të autorëve të letërsisë vunë në qendër produktin letrar vendas, duke iu afruar dhe problematikave më të thella që has letërsia shqipe e traditës dhe ajo bashkëkohore. Autorë të letërsisë shqipe e studiues të të ftuar nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, i dhanë një frymë të re këtij panairi, duke konkurruar me aktivitetet dhe pjesëmarrjen edhe panairin më të fundit të librit në Tiranë, gjatë festivalit “Tirana Open” që u mbajt një muaj më parë. Ky ka qenë një nga konkluzionet që kanë shprehur personalitete të letrave shqipe, si Nasho Jorgaqi, Ali Aliu, Jorgo Bulo, Agim Vinça, Behar Gjoka etj… Pjesëmarrësit dhe të ftuarit kanë qenë të pranishëm në tri konferencat më të rëndësishme shkencore të këtij panairi: 1-Libri dhe problemet e tij në aktualitetin e sotëm, ku kanë referuar Ali Aliu, Moikom Zeqo, Muharrem Jakupi, Irena Toçi, Valbona Nathanaili, Abdullah Zeneli etj. Autorët u shprehën se kryefala e këtij panairi është të ndërtohet një treg i përbashkët i librit shqip dhe autorëve shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, si dhe trevave të tjera shqipfolëse. Ky ka qenë një nga synimet kryesore, ku studiuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka u shpreh në simpoziumin e ditës së parë se “duhet të kemi një treg të njësuar të librit shqip dhe jo tregje të ndara”. Zejnullah Rahmani botues i “Buzukut” në Prishtinë u shpreh se lexuesi i Kosovës e njeh më tepër letërsinë e krijuar brenda kufijve të Shqipërisë, sesa njihen ata autorë që kanë krijuar historinë e letërsisë shqipe të Kosovës këtu në Shqipëri. Surpriza e ditës së parë ishte fakti që Ministri i Kulturës së Kosovës, njëkohësisht edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, autor i më se 30 veprave studimore për letërsinë shqipe doli të ishte një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë moderne shqipe. U vlerësua nga kritika si poet befasues i lirikës erotike dhe të dashurisë ndër letrat shqipe. Ndërsa studiuesi Ali Aliu tha për të se “ka mbushur boshllëkun tematik të letërsisë së Kosovës, e cila për kushtet specifike historike ka trajtuar poezinë patriotike dhe të mbijetesës së kombit. Studiues të tjerë evidentuan se poezia e Kujtim Shalës zë një vend me rëndësi në letërsinë shqipe. Studiuesi Behar Gjoka në kumtesën e tij ka bërë një portretizim më të plotë të Kujtim Shalës si krijues duke e analizuar në lidhjen e tij mes studiuesit e krijuesit. Gjoka tha se “një stad tjetër i studimeve letrare Kujtim M. Shala, marrëdhënien me letërsinë, e përçon në situim të trefishtë, si poet, pedagog i universitetit të Prishtinës, mbi të gjitha studiuesi i verifikimit të letrave shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore. Në larminë e studimeve, përftohen tiparet e udhëtimit të pazakontë, të ndërlidhjes së shkrimit të librave, për shumë autorë, të pranishëm dhe të munguar. Marrëdhënia me autorët, përgjithësisht është marrëdhënie me tekstet, kundruar në optikën semiotike, të hapësirës së parrokshme intertekstuale. Me këto tekstet, ka skicuar një dukuri të përveçme, po kaq edhe një stad tjetër të interpretimit të letrares në shkencën e letërsisë shqipe”. Dita e dytë e panairit më 22 maj ka pasur në fokus krijimtarinë e Fatos Arapit, si një ndër vokacionet kulmore të poezisë shqipe sipas recensave të Ymer Çirakut, Ali Aliut, Bashkim Kuçukut, Bardhosh Gaçes, Adem Xheladinit, etj. Dhe dita e tretë e panairit pati në qendër të vëmendjes dy figurat; Fan Nolin dhe Faik Konicën, dy personalitete – miq e rival të përjetshëm,sipas Nasho Jorgaqit, i cili njoftoi audiencën për histori e dokumente të panjohura rreth jetës së tyre në këtë simpozium. Në mbrëmjen e ditës së shtunë u ndanë edhe çmimet për prurjet e reja në letërsinë shqipe për autorët Nasi Lera, Maku Pone, Rita Petro, Fran Ukcamaj, Agim Vinça




