Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, inspektuan dje përfundimin e punimeve të tunelit të parë të Rrugës së Arbrit, i cili nisi rreth një vit më parë. Sipas kreut të qeverisë, ky është ndër projektet më të rëndësishme për Bulqizën dhe të gjithë Qarkun e Dibrës. “Vetë kjo vepër domethënëse e këtij tuneli të domosdoshëm për Rrugën e Arbrit, që u financua dhe u realizua në kohë rekord, tregon sa shumë më tepër do të ishte bërë në këtë kohë, nëse nuk do na kishte dalë përpara një mal me borxhe për t’i shlyer dhe nëse nuk do të kishim shlyer deri tani 550 milionë dollarë borxhe të prapambetura të qeverisë tjetër. Gjithsesi, me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që Rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë të Kinës”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, ministri Cani tha: “Nga vjeshta fillon Rruga e Arbrit me tunelin e dytë, shumë më i gjatë se ky dhe me Urën e Vashës, që është shumë e lartë dhe një nga veprat e rralla në Shqipëri. Ky është premtimi kryesor që ne kemi dhënë për të gjithë Qarkun e Dibrës”. Ndërkohë, duke iu rikthyer shtyrjes së moshës për minatorët, Rama tha se Bulqiza është tashmë një realitet i transformuar për banorët e saj. Shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda” është tashmë një ndërtim model, me teknologjinë e gjelbër, e pajisur me ashensorë për personat me aftësi të kufizuar, palestra verore dhe dimërore, fusha sportive dhe sistem ngrohjeje qendrore. Po ashtu Unaza e re e qytetit të Bulqizës është një tjetër investim që ka nisur, ndërsa pedonalja e qytetit do të shndërrohet në një hapësirë rekreative për qytetarët me ndriçim, trotuare dhe gjelbërim.
Gjinushi: Supersurpriza e PSD-së në zgjedhje do të jetë Fieri
Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha dje se Partia Socialiste do të humbasë në disa zonë të majta të saj që i ka pasur të sigurta ndërkohë që edhe atje ku do të fitojë, kjo fitore do të jetë e diskutueshme ndërkohë që fitoren e ka pasur të sigurt në tavolinë. Ndërkaq ai theksoi se forca që drejton do të dalë fituese në garën për Bashkinë e Fierit ku garon ish-deputeti socialist Albert Çaçi. “Të ishe në koalicion me PS të quanin parti satelitore ndërsa kur del më vete të quajnë revanshist. PS luajti keq ndërkohë që kryefushata është në Fier për ne. Kemi fitore të sigurt në Fier pasi kemi ditur të ndërtojmë grupe pune e të punojmë kokë më kokë me njerëzit. ASHE do humbasë në Fier sepse ka disa parti të djathta brenda, ka shumë parti mbushëse. Ka edhe aleanca me hile. Në dy vjet qeverisje ka bërë shumë pakënaqësi dhe kjo është një mënyrë që do ketë rrjedhje votash”, – u shpreh Gjinushi për “Ora News”. Nga ana tjetër në deklaratat e tij kreu i PSD-së nuk ndal kritikat ndaj PS-së e cila sipas tij nuk ka përmbushur premtimet e saj. “Vota u dha që të luftohej korrupsioni, por çfarë ndodhi, ndodhi që ai është injektuar më keq. Pakënaqësia është në rritje, ka një konsum të PS duke pohuar se ish ushtarakët u lanë në hije, por që nuk dihet ku do të shkojë vota e tyre. PSD futet e vetme në këto zgjedhje duke mos pranuar një koalicion me PS-në dhe LSI-në duke synuar votat e të majtëve tradicionalë dhe atyre të majtëve të lënë pas dore nga pushteti”.




