Eurodeputetja qipriote Theoharous: Grup eurodeputetësh për vëzhgimin e zgjedhjeve në jug të Shqipërisë, ka informacion për manipulim të listave zgjedhore në zonat e minoritetit grek
Greqia mund të përdorë veton ndaj Shqipërisë në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kështu theksohej në artikullin e gazetës austriake “Der Standard”, e cila përmes një shkrimi lidhur me marrëdhëniet tensionuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e kufirit detar, pohoi se ekziston mundësia që Athina të bëhet pengesë e Tiranës për procesin e integrimit. Duke analizuar reagimin e ministrisë së Jashtme pas deklaratave të kryeministrit Rama lidhur me çështjen e kufirit dhe zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit në konferencën për shtyp me homologun Vuçiç, gazeta austriake theksoi se brenda saj ka një kërcënim të Greqisë për të vendosur veton për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. “Është një paralajmërim, paralajmërim që lë të kuptohet se Greqia mund të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ashtu siç po bën me Maqedoninë”, – shkruante “Der Standard”. Ndërkaq reagimi i ministrisë greke theksonte: “Udhëheqësit politikë në fqinjin tonë po rrëshqasin nga shinat çdo ditë e më shumë. Rikthimi te logjika dhe ligjet ndërkombëtare është rruga më e mirë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”. Më parë Kryeministri Rama i pyetur në konferencën për shtyp me homologun Vuçiç pak ditë më parë lidhur me çështjen e kufirit detar me Greqinë tha: “Ne nuk do të negociojmë interesin kombëtar për hir të fqinjësisë së mirë”. Po ashtu ai nuk nguroi ta cilësonte si ndërhyrje të padrejtë dhe krejtësisht të papërshtatshme reagimin e Athinës zyrtare për zgjedhjen e kreut të PDIU-së Idrizi si nënkryetar parlamenti.
Eurodeputetja qipriote
Ndërkaq, eurodeputetja qipriote e grupimit popullor në Parlamentin Evropian, Eleni Theoharous, i kërkoi dje Tiranës zyrtare të ratifikojë marrëveshjen detare me Greqinë. Sipas saj Shqipëria duhet ta bëjë këtë në mënyrë që Qipro ta mbështesë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. “Greqia i hapi dyert shqiptarëve në vitet `90, kur ju sapo kishit dalë nga një shkatërrim total dhe një varfëri e madhe. Greqia strehoi shumë emigrantë. Nuk më duket korrekte tani që të ketë pretendime kundrejt Greqisë apo detit grek. Kjo vjen nga pretendimi që ishulli i Otonisë në veriperëndim të Kërkirës së Korfuzit nuk ka zonë ekskluzive ekonomike. Kjo nuk është korrekte. Sipas të drejtës detare, te gjitha ishujt kanë zonën e tyre ekskluzive. Kështu që Shqipëria duhet te ratifikoje marrëveshjen detare dhe të sillet mirë, që ta mbështesim në anëtarësimin në BE”, – tha ajo për “ABC News”. Ndërsa sa i takon marrëdhënieve Tiranë – Athinë, eurodeputetja qipriote kritikoi reagimin e qeverisë greke për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit, pasi e konsideroi atë si ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi tjetër. Nga ana tjetër, ajo pohoi se i ka kërkuar Parlamentit Evropian të dërgojë një grup eurodeputetësh për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në jug të Shqipërisë, pasi ka marrë informacion për manipulim të listave zgjedhore në zonat e minoritetit grek. “Në bazë të këtij informacioni, rezulton se qeveria shqiptare po manipulon zgjedhësit dhe ata nuk mund të shprehin vullnetin e tyre me votë siç kanë të drejtë ta bëjnë dhe zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme. Kjo është arsyeja për të cilën ngrita shqetësimin gjatë debatit për Shqipërinë. Ndaj dua të trajtohet çështja. Unë dua që të hetohet ky problem dhe të dërgojmë një mision vëzhgimi, në mënyrë që të kemi garancitë e duhura, që zgjedhjet do të jenë të ndershme”, – deklaroi eurodeputetja qipriote.
Për Këlcyrën/ PD tërheq kandidatin, SHBA: Lëvizje e guximshme. Muhameti: S’bie viktimë e sherrxhinjve
Partia Demokratike vendos të tërheqë përfundimisht kandidatin e saj për Bashkinë e Këlcyrës, Gentian Muhameti, nga gara e 21 qershorit. Ky vendim i forcës më të madhe opozitare u përshëndet dje nga Ambasada Amerikane, e cila përmes një postimi në “Twitter” theksoi: “SHBA përshëndet lëvizjen e guximshme të Partisë Demokratike & partive të tjera mbi dekriminalizimin si dhe mbështet përpjekjet në vazhdim për të pastruar politikën në #Shqipëri”. Menjëherë pas reagimit të Ambasadës Amerikane reagoi vetë edhe kandidati Muhameti, i cili e përshëndeti qëndrimin duke e quajtur atë si një vendim parimor që nuk ka lidhje me emrin e tij personal. Në një reagim për mediat Muhameti u shpreh kundër vendimmarrjes së Bashës për largimin e tij nga gara. “Qëndrimi i Ambasadës Amerikane është i përgjithshëm dhe nuk ka lidhje me një kandidat të vetëm. Ky qëndrim është i mbështetur në disa të dhëna që unë nuk i njoh. Unë njoh të dhënat e mia, që njeh edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Të dhënat dhe faktet e mia flasin për një kartelë penale të pastër, të konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Italisë. Unë i kam qëndruar larg këtij sherri, sepse sherrxhinjve përgjigjen jua kam dhënë brenda partisë, duke depozituar provat dhe dokumentet, njëlloj siç kanë bërë kandidatë të tjerë, por edhe sepse këtë çështje, kam vendosur ta zgjidh përfundimisht me Ambasadën Amerikane, Ambasadën Italiane dhe opinionin publik, me fakte dhe dokumente, të nesërmen e zgjedhjes në krye të bashkisë. Fushata dhe respekti ndaj zgjedhësve të mi, më kërkon të mos shpërqendrohem dhe të mos bie viktimë e sherrxhinjve”, – tha ai. Ndërkaq, vendimi i PD-së u kundërshtua dje edhe nga mbështetësit e Gentian Muhametit në Këlcyrë të cilët dolën në një protestë duke kërkuar dhe vazhdimin e garës. Simpatizantët i bënë thirrje PD-së që Muhameti të vijojë të jetë kandidat për kryetar Bashkie, në të kundërt do të dorëzojnë teserën e PD-së. “Nuk e njohin kandidatin tjetër të PD Bujar Fezga”, – tha ai. Situata e vështirë në Këlcyrë ka detyruar sekretarin e Përgjithshëm të PD Arben Ristani të zhvillojë një takim në Përmet ku kërkoi që e gjithë mbështetja e strukturave të PD-së t’i kalojë kandidatit të ri, Fezga. “Ai do punojë për fitoren e PD-së. Fezga është kandidat i pavarur”. Dy ditë më parë kreu i PD-së Lulzim Basha i kërkoi KQZ-së çregjistrimin e kandidatit te Këlcyrës Gentian Muhameti. Ndonëse ne kërkesën zyrtare nuk përmenden arsyet e këtij qëndrimi burimet pranë selisë blu bëjnë të ditur se shkak për këtë qëndrim të kryedemokratit ka qenë mosverifikimi i pastërtisë se figurës sipas kritereve të vendosura nga Basha në lidhje me rekordet kriminale.




