Përplasja në Kuvend/ Berisha: Ekonomia në pikiatë, borxhi 80%. Rama: 23 qershori ju shokoi, mbase 21 qershori ju ftillon

Gëzim Saliu

berisha ne parlamentIsh-kryeministri: Njeriu që deklaroi se kishte 3000 euro në 2011-ën bëri vilën e teknologjisë më të fundit. Po pallati i bashkëshortes që nuk ka asnjë faturë? Rama: Për llafe jeni ju, për punë jemi ne

Pavarësisht se ka sjellë boshatisjen e sallës së Parlamentit, fushata elektorale për zgjedhjet vendore prej dy javësh tashmë ka ndikuar edhe në “ndezjen” e debatit mes palëve politike, ku në seancën e djeshme nuk munguan akuzat e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Nga ana e saj, opozita i përqendroi akuzat mbi çështjen e bashkëshortes së kandidatit të majtë, e cila, sipas demokratëve, ka pasur lidhje me një personazh të mafies ndërkombëtare e ndërsa mazhoranca iu kundërpërgjigj atyre përmes akuzave për ish-kryeministrin Berisha si edhe për kreun e opozitës dhe Bashkisë së Tiranës. Ky i fundit, sipas të majtëve, është i vetmi kryebashkiak që ka dhënë leje për veten e tij për të ngritur një kat shtesë në banesën ku jeton. Pjesë e debatit ishin edhe akuzat për pasuritë e Kryeministrit Rama, i cili, sipas paraardhësit të tij Berisha, ndryshe nga sa akuzon, është i vetmi që nuk duhet të flasë për ndërtimet dhe pasurinë e politikanëve. Ndërkohë, përballja në Parlament u përqendrua gjithashtu edhe tek situata ekonomike si edhe tek ndryshimet e pamjes së institucioneve dhe qyteteve, për të cilat opozita akuzoi shumicën qeveritare se përmes tyre ka sjellë përfitime për njerëzit e pushtetit.

 

Debati Berisha-Rama

Për ish-kreun e qeverisë shqiptare, pasardhësi i tij Rama nuk ka ndërgjegje të flasë për shtetin kur me paratë e përfituara prej tij po i jep vetes një shtëpi luksi. “Por çdo gjë ka një moral. Vila dhe themelet duken, dhe nga kush? Nga njeriu që kishte deklaruar se kishte gjithsej 3000 euro në vitin 2011, lexoni mediat. Si u bë ajo vilë e teknologjisë më të fundit? Po pallati që nuk ka asnjë faturë? A ka pallat tjetër në Tiranë pa asnjë faturë përveç atij të kryetarit tuaj apo të bashkëshortes së kryetarit tuaj? Më thonë nëse ekziston dhe nëse ka ndërgjegje shtetërore këtu apo jo. Sepse po mburret sikur po bën shtet. Çfarë shteti po bën?”, – deklaroi ish-kryeministri Berisha. Më tej ai akuzoi deputetin e PS-së, Ervin Bushati, se mandatin e ka vetëm për shkak se ka qenë i implikuar direkt që Kryeministri Rama të përfitonte tokën për shtëpinë në Surrel, me 2 dollarë. “Ti ke ndonjë lidhje direkte me truallin e Edi Ramës në Surrel? Gojët e liga thonë se mandati yt qëndron në atë çmim, gojët e liga thonë se ka një marrëveshje, por di që Edi Rama ka deklaruar se truallin e vilës së tij e ka blerë me 2 dollarë. Ti je i implikuar direkt në çmimin 2 dollarë të truallit të vilës së tij”, – tha Berisha. Nga ana tjetër ish-kryeministri lëshoi alarmin kur tha se borxhi ka arritur në 80%. “Ky njeri bërtiste i tërbuar nëpër tribuna për borxhin, por çfarë ndodhi me kredinë që ua shet me mburrje, e çon në 80% borxhin kur ekonomia është në pikiatë, eksportet kanë rënë me 13%”. Ndërkaq, në kundërpërgjigje nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Rama, duke iu drejtuar paraardhësit të tij dhe opozitës, tha se shpreson që zgjedhjet e 21 qershorit t’i sjellin në vete. Po ashtu ai ironizoi edhe drejtuesin aktual të Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. “Kur morët në dorë Bashkinë, i bëtë luanët vegjetarianë. Dhe kopshtin zoologjik e keni bërë kur lopa ha kahun. Më tregoni një vend ku pisllëku është bashkë me mirëqenien. Nuk po merremi me zonat urbane si katunde që i keni në kokë, pasi nuk e di se ku i keni parë. 23 qershori ishte shok shumë i fortë për ju dhe mbase 21 qershori ju ftillon”, – tha Rama. Ndërkaq, duke u fokusuar tek projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me BERZH-in, “Shërbimet me në qendër qytetarin”, kreu i qeverisë tha se qeveria e kaluar mori iniciativën për projektin “Shqipëria dixhitale”, por duhej shumë punë për t’u kthyer nga letra e bakallit tek teknologjia. “Shihni borxhin që latë mbrapa. Ata laboratorë nuk i duhen dreqit ashtu siç e bëtë ju. Ne krijuam fondin e dixhitalizimit dhe kemi vënë në dispozicion brenda kësaj periudhe më shumë se 30 milionë dollarë”, – u shpreh Rama.

 

Replikat për Bashkinë e Beratit/ Berisha: Kushëriri i Metës ka marrë 45 mijë hektarë. Kryeparlamentari: Ja dha Genc Ruli

 

Sali Berisha: Kushëriri i parë i Ilir Metës, kandidat për Beratin z. Sinaj, që ka përfituar 44 hektarë tokë me qera për 99 vjet duke shmangur çdo procedurë.

Ilir Meta: Më vjen keq që po gënjen, se nuk po të ndaloja për gënjeshtrat e tjera. Më dëgjo 1 sekondë.

Sali Berisha: Unë kam dokumente…

Ilir Meta: Ti i ngatërron letrat dhe del keq, ato i ka bërë ministri i Bujqësisë Genc Ruli, të keqinformuan. Nuk e kam kushëri të parë, nuk është ai, është e shoqja që ka konkurruar dhe letrat i ka firmosur Ruli.

Sali Berisha: Në atë kohë u nisën, por ju i sosët.

Ilir Meta: Shikoji letrat nga fillimi në fund, të keqinformojnë e irritohesh dhe del bllof.

Genc Pollo flet nga vendi

Ilir Meta: Ti Genc e ke mbështetur kandidatin tonë për kryetar Qarku, ke thënë është djalë i shkëlqyer. Prapë do t’i marrë votat e demokratëve ai.

 

Share it :