Makina e deputetit Tom Doshi u aksidentua sot në aksin Shkodër-Velipojë. Automjeti me të cilin udhëtonte Doshi, Audi, u përplas në Qafe Shtiqen, në hyrje të Velipojës me një BMV që drejtohej nga shtetasi Ramazan Gjeka, nga Hoti i Ri. Makina e Deputetit drejtohej nga shoferi i tij, Klodian Mema. Nga aksidenti nuk raportohet për të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se drejtuesi i BMV –së, në tentativë për të shmangur përplasjen me një tjetër makinë, ka devijuar nga rruga, duke goditur makinën e Tom Doshit, në krahun e shoferit.
Policia rrugore po kryen veprimet hetimore që do të çojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Shoferi i deputetit Doshi është shoqëruar në polici për të dhënë sqarime, bashkë me të edhe shtetasi Ramazan Gjeka.




