Përgjimet në burg/ Kush e tradhëtoi Erion Veliajn?

Përgjimet në burg/ Kush e tradhëtoi Erion Veliajn?

Pse ai shfryn kundër Ulsi Manjës: “Qelbësirë”, “katundar” dhe thotë se “nuk ka për t’ia falur kurrë”

Zbardhja e përgjimeve që i shërbyen apelit të GJKKO-së për të lënë në burg Erion Veliaj nuk e kanë rëndësinë e tyre as tek sharjet spektalolare që ai bën për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja dhe as tek porositë që ai jep për mediat proqeveritare të cilat i kontrollon për të ushtruar presion mbi SPAK-un. Në mes tyre fshihet një element tejet interesant që ka të bëjë me datën kur do të zhvillohej procesi për masën e arrestit të kryebashkiakut në detyrë.

Po të lexohen me vëmendje bisedat e përgjuara mes tij të vëllait Arbërit dhe bashkëshortes Ajolës, dallohet qartë strategjia që ai ka pasur për datat 11 dhe 12 mars, data kur do zhvillohej procesi i tij. Veliaj shpresonte që duke ushtruar presion ai do të lirohej nga burgu.Erion Veliaj është përgjuar ti ketë thënë në një bisedë të vëllait Arbrit se “duhet mbajt presingu Lal, se dita e martë është e pandryshueshme, kshu që katër ditë kemi’. “three days to freedom”. Po gjatë të njëjtës ditë disa orë më vonë ai flet edhe me guan, Ajola Xoxën. Edhe për të mesazhi që duhet të përcjellë tek media është i njëjtë. “Thuaji ktyre… ta mbajne presionin se këto katër ditë janë vendimtare”. Domethënë o dal këto katër ditë, o rri këtu edhe katër muaj. Kismet pastaj Gjykata e Lartë. Mbas Zgjedhjeve. Kshu që këto katër ditë janë vendimtare”, thuhet në përgjimet e siguruara dhe botuara nga CNA.

Pra boll të lexosh këto telefonata dhe kuptohet qartë se në ditët e para të marsit ish personazhi nr 2 më i fuqishëm në hierarkinë e rilindjes ka pasur shpresë se në apelin e GJKKKO-së ai do të lirohej. Ai nuk e diskuton se kur të vijë koha e Gjykatës së lartë do të jetë më i sigurtë por ky është një proces që do të zgjasë mbi katër muaj

Po cilët faktorë ia kanë dhënë Erion Veliajt këtë shpresë. Pse ai ëndërronte ta linte qelinë ku i rrezikohej jeta, i burgosur përkrah kriminelëve të tjerë? Vetëm po të kuptohet kush i ka shkelur syrin mund të merret me mend edhe se kush e ka zhgënjyer dhe lënë në baktë atë. Nga përgjimet e dala deri më tani ai targeton vetëm një njeri: ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja të cilin e ofendon si “qelbësirë”, “katundar” për të cilin shtton se “nuk ka për t’ia falur kurrë” dhe se “do ta mbysë me thonj”. Po a kishte fuqi Ulusiu i vetëm ti ngjallte shpresat dhe më pas ta zhgënjente Veliajn, apo kjo punë shkon dikund “Ma nalt”?

©Lapsi.al

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.