
Violeta Murati
Megjithëse është botuar dhe vepra e tij njihet tashmë gjerësisht, për shkrimtarin Mitrush Kuteli nuk ka një botim monografik apo shkencor për krijimtarinë e tij. Kjo mungon.
Gjithashtu kjo do t’i bënte mirë këtij autori për të sqaruar disa anë të errëta, për të cilat është lënë në heshtje prej `44-ës e deri më `90-ën. Ende sot qarkullojnë pasaktësi mbi veprën e tij, që deri në njëfarë mase me mundësi të kufizuara financiare janë kujdesur trashëgimtarët, familja. Janë pikërisht këta, që prej një muaji kanë nxjerrë në qarkullim librin “Netë moldave”, me tregime e shënime, ku ngrihet një nga debatet më të mëdha, çfarë lidhet me heshtjen e Kutelit në diktaturë.
Nuk dihet saktësisht pse u dënua Kuteli; tezat hidhen midis Kosovës dhe përfshirjes së tij, angazhimit në luftë përkrah forcave gjermane, madje me zëra se u bë pjesë e “Rojës së hekurt”. Me një histori të hershme, kjo vjen e zbardhur vetëm pas 25 vitesh nga familjarët.
Pas çlirimit dënohet me dy vite burg, por shkrimtarë të rëndësishëm, zyrtarë të kohës, por edhe sot, shkruajnë të pasigurtë në bëri një apo dy vjet burg?! Kuteli heshti dhe u mor vetëm me përkthime në diktaturë, iu ndalua botimi! Ai u fshi nga lista e shkrimtarëve, ashtu si shumë të tjerëve pas `45-ës.
Trashëgimtarët për herë të parë ndalen në këto momente, duke dhënë versionin e tyre mbi këto ngjarje të jetës së shkrimtarit. Atalanta, Doruntina dhe Pandeli Pasko në librin “Netë moldave” japin në parathënie e tij dëshminë e tyre, çfarë ka ndodhur me “njollën e errët” kur Kutelit iu edha akuza si “armik i popullit” dhe u dënua “për agjitacion e propagandë”, ndërsa ngrihen nën zë akuza politike, mirëfilli.
Personazhi që i adresohen drejtpërdrejt është shkrimtari Ismail Kadare, të cilin e rëndojnë me akuzën se ka thënë të pavërteta për jetën e Kutelit, të lidhura me momentet që kanë vendosur fatin e tij në diktaturë. Arsyeja pse janë përgjigjur tani, në një libër për të atin, si duket kanë ngacmimin, si shkak, nga dy botime: eseistika “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, si dhe libri i fundit i Kadaresë, “Mëngjeset në kafe Rostand”, me pretendimin se edhe pas diktaturës ky shkrimtar ka bërë të njëjtat “gabime”, si shkrimtarët zyrtarë të kohës, duke mos saktësuar të dhënat mbi jetën e Kutelit, që i kushtoi ndalimin e së drejtës së botimit.
Kuteli dhe “Netë moldave”?!
Parathënia është: “Fantazma e Stalingradit dhe Mitrush Kuteli”. Këtu sqarohen nga trashëgimtarët disa anë të errëta që lidhen mes Kutelit dhe Kadaresë, po sidomos në hapjen dhe njohjen e shkrimtarit. Botimi “Netë moldave” ishte përfshirë brenda librit “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur”, për të cilin Kuteli i pati drejtuar më 19 nëntor 1945 një letër Ministrisë së Kulturës, ku kërkonte një “autorizim” për ta shtypur. Në fakt, tregimi “Netë moldave”, siç bëhet me dije në parathënie, është botuar së pari në mars 1944, në revistën “Kritika” të Arshi Pipës. Një “ngjarje pa ngjarje” në dimrin e vitit 1941, kur Kuteli ndodhej në Ukrainë që sipas trashëgimtarëve ishte i mobilizuar në trupat rumune që u dërguan në frontin rus. Në parathënie të “Netë moldave”, sqarohet se ishte mobilizimi i detyruar, pasi Kuteli jetonte e punonte në Rumani si shtetas rumun.
Shënime dhe kujtime nga muajt e këtij mobilizimi, familjarët shënojnë se kishte botuar që më 1943 si tituj më vete ose teksa shkruante për Kosovën, për Taras Shevçenkon, apo kur i paraqiste lexuesit këngë popullore. “Kutelit as nuk i shkonte në mend ta fshihte këtë episode të jetës së tij, aq më pak të kishte frikë se kjo një ditë mund t’i kthehej në akuzë politike: historitë e luftës ishin ende të gjalla dhe njihej mirë dënimi i njerëzve “të padëshiruar” me dërgim në frontin e luftës. Për çdo qytetar kjo ishte fatkeqësi, ndërsa në raste si rasti i Kutelit, ishte ndëshkim: ai, dr. Pasko, drejtor i Bankës Kombëtare në Bukuresht, u kishte bërë rezistencë projekteve në favor të kapitalit gjerman e në dëm të pasurisë vendase në Rumani: për këtë miqtë i kishin thënë të bënte kujdes, mbasi i kishin hapur një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës” (Kuteli, letra drejtuar bashkëshortes (Testamenti), Hylli i Dritës, nr. 3-4, 1994, f. 74).
Trashëgimtarët e Kutelit ndalojnë në këtë çështje duke e paraqitur ndoshta si argumentin kryesor për përndjekjen e shkrimtarit në diktaturë, ku shënojnë se “dy vite pas luftës, “mobilizimin e detyruar” filluan t’ia përflisnin (jo ballazi) si “angazhim në luftë”, në krahun e forcave gjermane që sulmuan Bashkimin Sovjetik”. Shtojnë se e bënë edhe pjesë të “Rojës së hekurt”, një fakt që e kundërshtojnë, se Kuteli s’kishte asnjë lidhje.
Madje, këmbëngulet me bindje përse i ka ardhur “dënimi” Kutelit, se “duke mos gjetur dot një element për të fajësuar në veprimtarinë praktike si ekonomist apo si publicist e shkrimtar, e sulmuan jo për një veprim të tij, po për një pësim!”
Në “Netët moldave”, trashëgimtarët hedhin mendimin, ndoshta për herë të parë, se kjo akuzë vinte nga rrethet letrare.
Me këtë akuzë argumentojnë si nisi “heshtja” ndaj Kutelit, refuzimi. Rasti është kur iu kërkua Kutelit të hartonte një tekst të lëndës së folklorit për Institutin e Folklorit që pritej të ngrihej, ku i kishin ofruar të angazhohej si pedagog.
Familjarët tregojnë se Kuteli e punoi dhe e dorëzoi tekstin, por kaluan muaj dhe përgjigje s’mori.
A ishte Kuteli në “armatën e hekurt”?!
Për këtë histori merret dëshmia e nipit të tij, Misto Marko, i cili ka thënë se Kuteli ka shkuar vetë në drejtorinë e Institutit dhe përgjigjen ia ka dhënë Dhimitër S. Shuteriqi: “Nuk të duan sepse ti ke qenë me Gardën e Hekurt në Rumani” (Ditari i ekonomistit Dr. Pas (Mitrush Kuteli), Tiranë 2015).
Këtë përgjigje e ka treguar edhe Skënder Luarasi, shkruajnë familjarët, kur Kuteli në sallën e pedagogëve të Institutit u ka hedhur mbi tavolinë “një tufë gazeta dhe revista ku disa pedagogë të pranishëm shfaqeshin në foto të veshur me këmisha të zeza e me simbole të Musolinit tek merrnin pjesë në manifestimet fashiste”.
Situata vjen e treguar nga Skënder Luarasi: “Ju nuk më doni se paskam qenë në Gardën e Hekurt në Rumani, por ju nuk kini asgjë si këto për mua! Ja ç’kini qenë ju këtu”, – u ka thënë atyre Kuteli. Më 16 maj 1947 e arrestuan. U dënua me pesë vite si “armik i popullit” për “agjitacion e propagandë”. U lirua me falje, në maj 1949. Familjarët shkruajnë në parathënie se ende nuk gjenden të dokumentuara as akuza dhe as akuzuesi. Gjithë sa hodhëm më lart, tregon vetëm një argument mbi një version të mundshëm nga ana e trashëgimtarëve pse u dënua Kuteli. Ata thonë se pas kësaj situate, siç edhe dihet, Kuteli u “tkurr” brenda profesionit të përkthyesit, duke ngarkuar për këtë situatë sigurisht “kolegët” e letrave, që kanë pritur rastin për ta goditur.
Familjarët shkruajnë se Shuteriqi, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte ndër të parët që i “quante budallallëqe” shkrimet kritike të Kutelit, duke i lëshuar edhe akuzën politike si “anëtar i rojës së hekurt të fashizmit rumun”.
Sigurisht që trashëgimtarët e shkrimtarit sërish këmbëngulin se s’ka pasur asnjë lidhje me këtë akuzë, po ashtu i referohen edhe vërejtjes së studiuesit Aurel Plasari se etiketimi i bërë nga Shuteriqi ka pasur qëllime “keqdashëse” dhe se ishte një “shpifje ahistorike”.
Trashëgimtarët shprehen se pas Shuteriqit, nga letrarët e lidhur me Partinë, zyrtarë të rëndësishëm e vazhduan “akuzën nda Kutelit” në vitet `50, por me zë të ulët edhe pas vitit 1967, kur shkrimtari nuk jetonte më. Ky është shkaku i vërtetë, sipas familjarëve, pse Kutelit iu ndalua botimi dhe njohja me veprën e tij, për pasojë dhe shkollimi normal i fëmijëve.
Riaktivizimi i “mobilizimit”, trashëgimtarët akuzojnë Kadarenë
Trashëgimtarët e Kutelit e quajnë “fantazma e mobilizimit” atë që, sipas tyre, pësoi dhe e përndoqi gjithë jetën shkrimtarin. Tani historia ka të bëjë me përfshirjen e shkrimtarit Ismail Kadare në “ngjarjet e jetës së Kutelit”, që në parathënien e “Netë moldave”, shënohet se situata ishte e njëjtë si në fillimvitet `50. Këtu trashëgimtarët i referohen parathënies së botimit frëngjisht të prozës së Migjenit me autor Kadarenë, që pas dy viteve erdhi edhe në shqip, me titullin “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”. Çfarë i shqetëson trashëgimtarët është fakti se Kadare, në parathënien e tij, përmend Kuteli pa treguar kujdes për detajet e jetës së tij dhe se “ia tregon këto lexuesit si një legjendë urbane, me shumë pandehma, përsëritje thashethemesh të dëgjuara andej këtej e fantazi, pothuaj sikur Kuteli të ishte një personazh i krijuar dhe jo një njeri real, që kishte bërë jetën e vet, me veprime të ndërgjegjshme dhe me pësimet e veta”.
Është shumë i ashpër ky reagim, kur familjarët thonë më tej se Kadare në trajtimin e tij nuk ndryshonte nga “qëndrimi zyrtar i asaj kohe ndaj “problemeve” me biografitë e personaliteteve, të pranuar në vijë të përgjithshme si “pozitivë””.
Botimin për herë të parë më `88-`90 të serisë me pesë vëllime të veprës së Kutelit për familjarët ishte shenja e parë, e qartë, e rehabilitimit të shkrimtarit. Trashëgimtarët thonë se në këtë rast kanë qarkulluar në disa rrethe zyrtare disa shkrime autobiografike të Kutelit.
Për ta mori fund përndjekja me dëshminë e penalitetit të babait të tyre, ku shkruhej: “dënuar si armik i popullit me pesë vjet heqje lirie”, ku nuk llogariteshin dhe as lehtësonte situatën e tyre tri vitet e faljes së dënimit.
Më `84 Kuteli ishte përfshirë në “Anthologie de la prose albanaise”, dhe jo pa qëllim përmendet në parathënie se një nga shkrimtarët e njohur francezë, Pierre Gamarra, i pati dhënë vlerësime të jashtëzakonshme mbi rrëfenjën “Vjeshta e Xheladin Beut”. Por këto komente familjarët thonë se ishin hequr në botimin shqip të këtij vështrimi duke e konsideruar si “dëshmi për rezervat e disa qarqeve letrare të Tiranës ndaj Kutelit”. Ndërsa serinë me pesë vëllime e pati prezantuar në një analizë Nasho Jorgaqi, për të cilin familjarët japin rezerva se ndiqte formulën zyrtare të jetëshkrimeve që “pastroheshin” nga episode “me problem”, duke mos përmendur as mobilizimin në Rumani dhe as burgosjen në Shqipëri.
Familjarët tregojnë se ishte bërë kërkesa për t’i pasqyruar këto faqe të jetës së Kutelit, përderisa në vende të tjera janë shkruar “me fantazi dhe pasaktësi”, këtu në serinë e vëllimeve ishte vendosur të mos përfshiheshin duke lënë jashtë çdo gjë që lidhej me këto tema, si dhe Kosovën. Familjarët tregojnë se ndonëse me këto zhvillime, libri i Kadaresë “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” ishte gati për t’u botuar në frëngjisht, për të cilën të tre familjarët, Atalanta, Doruntina dhe Pandeliu, sjellin dëshmitë e tyre dhe zbardhin raportin e fundit të Kadaresë me Kutelin, duke reaguar me dëshmi personale, për herë të parë në “Netë moldave”.
Dëshmia e Atalanta Paskos, letra që i tregoi Jusuf Vrioni dhe frika ndaj Kadaresë
E bija e Mitrush Kutelit, Atalanta, ka treguar në parathënie njohjen familjare që kishin me Jusuf Vrionin dhe se ky i fundit i pati treguar për “fletën e shkruar në frëngjisht”, ku thuhej se Kuteli ka qenë “i mobilizuar rastësisht në trupat rumune Kryqet e hekurta”, “i vetmi shqiptar që mori pjesë në betejën e Stalingradit”, dhe “për habinë më të madhe u kthye i gjallë që andej” etj., etj. Këto fjalë Vrioni i tregoi se ishin të Kadaresë dhe se do të ishte shumë e vështirë për t’i rregulluar para botimit.
Për këtë rast, Atalanta shkruan se Jusufi i kishte kërkuar të mos e mësonte Kadare se dikush e kishte lexuar materialin që po përkthehej, duke i treguar që do të dorëzohej në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” për t’u daktilografuar. “Fisniku Jusuf Vrioni, jo vetëm si njeri, por edhe si jurist, e dinte ç’bënte: ai duhej të mbronte veten, por nga ana tjetër s’mund të linte pa mbrojtje dhe emrin e mikut të tij të vuajtjeve”, – shkruan Atalanta.
Dëshmia e Doruntina Paskos, Helena Kadare u ankua se u lexua dorëshkrimi
Nga përshkrimi del se dorëshkrimi në frëngjisht i Kadaresë, ku përmendej edhe Kuteli, po mbahej nën masa vëzhguese të rrepta, përderisa ekzistonte një lloj frike për t’u përballur me të, qoftë edhe për potencën si shkrimtar zyrtar i kohës. Këtë e tregon edhe dëshmia e Doruntina Paskos, vajza tjetër e Kutelit, që punonte në atë kohë në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, e cila thotë se si kishte mundur të lexonte çfarë shkruhej në dorëshkrimin frëngjisht për babain e saj, shkruar nga Kadare. Në atë kohë, punonte edhe bashkëshortja e Kadaresë, Helena, në po të njëjtën shtëpi botuese, dhe se ishte ankuar se “dikush mundi të lexonte një material në proces botimi”!
Dëshmia e Pandeli Paskos, në `89-ën letër Kadaresë për pasaktësitë
Ka një mendim unik mes tre fëmijëve të Kutelit në raport me dorëshkrimin frëngjisht të shkruar nga Kadare. Ata tregojnë se nga njëra Kadare e ngjiste Kutelin në “disa shkallare më lart në hierarkinë letrare dhe nga ana tjetër e gruponte me ata shkrimtarë që pëlqehen nga regjimet reaksionare dhe tiranike?!” Këtë e kanë konsideruar kthim mbrapa në çështjen e rehabilitimit të Kutelit dhe një prezantim aspak të saktë për botën e jashtme, së cilës i drejtohej, “mbasi regjimi tiranik për të cilën flitej aty, veç të tjerave, i kishte ndaluar Dhimitër Paskos librin “Tri probleme me Bankën Kombëtare”.
I biri i Kutelit, në dëshminë e tij, të përfshirë në hyrjen e “Netë moldave”, thotë se pavarësisht nga kjo konsideratë, Kadare shkruan të pavërteta dhe pasaktësi për jetën e shkrimtarit. Kështu të tre fëmijët e Kutelit menduan t’i shkruanin Kadaresë për ta njoftuar mbi pasaktësitë duke menduar se mund të sillnin “rreziqe”. “Ishte pranvera e vitit 1989 dhe askujt nuk ia merrte mendja ç’do të ndodhte në Evropën Lindore në gusht e më tej nëntor të atij vit”, – shkruan Pandeliu. Ai tregon se kur u këshillua me miq të Kadaresë, (pa përmendur emra) dhe adhurues të Kutelit e kishin paralajmëruar të bënte kujdes!
Pinjolli i Paskëve thotë se vendosën ta shkruanin letrën, prej dy faqe të daktilografuar dhe ia dërguan në shtëpi Kadaresë, së bashku me dy shkrime autobiografike të Kutelit. Letra tregon se iu dorëzua Helenës, meqë Kadare nuk ndodhej në shtëpi.
Çfarë përmbante letra? Pandeliu tregon: “Në letër kisha renditur disa fakte për mobilizimin e Kutelit në një nga dy armatat rumune (jo tek Rojet e hekurta) dhe njoftimin për një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës (rrjedhojë e qëndrimit antinazist të Kutelit në Rumani). Vëreja se ai ndodhej në Shqipëri qysh në shtator 1942, datë e mbështetur nga materialet autobiografike që shoqëronin letrën. Saktësoja pozicionet administrative që kishte mbajtur Kuteli nga vjeshta 1942 deri në shtator 1943 dhe historinë e konfliktit me gjermanët për të shpëtuar arin shqiptar (kuptohet s’bëhej fjalë për dorëzim çelësash partizanëve). M’u duk me vend ta njoftoja shkrimtarin se Babai dhënë dorëheqjen nga Banka pasi nuk pranoi kursin antishqiptar mes dinarit jugosllav dhe lekut shqiptar dhe se nuk u arrestua “të nesërmen e kthimit nga Jugosllavia”, po të paktën 9-10 muaj më pas, kur ish shkëputur nga Banka dhe merrej me letërsi. Përsëris edhe një herë se ishte prilli i vitit 1989 dhe trajtimi i çështjeve të tilla ishte mjaft delikat. Kuteli mbetej ende i ngarkuar me njollën “armiku i popullit” dhe kushdo që do të zhbironte nëpër dokumente e gjykatës, do ta gjente të cilësuar si të tillë”, – shkruan Pandeli Pasko.
Familjarët shprehen se deri tani nuk është bërë e mundur thënia e të vërtetave pse heshti Kuteli pas çlirimit, që sipas tyre nuk lidhej me çfarë shkruan Kadare në parathënien e librit për Migjenin.
Por cili ka qenë reagimi i Kadaresë pas letrës së familjes Pasko? Pandeliu shkruan se “reagimi i z. Kadare nuk ishte ai që do të dëshironim, pasi në botim u ndryshuan vetëm tre katër fjalë, konkretisht “mori pjesë në betejën e Stalingradit si oficer i ushtrisë gjermane”, u bë “iu afrua Stalingradit si oficer i ushtrisë gjermane”.
Kjo përplasje mes familjarëve dhe Kadaresë vazhdon edhe në botimin më të fundit, “Mëngjeset në kafe Rostand”, për të cilën reagojnë sërish duke thënë se është shkruar “me një lehtësi të pavend” kur thotë se “Pasko kish bërë një apo dy vjet burg (f. 82), ndërsa në f. 66 shkruhet se Pasko kishte bërë një vit burg”. Po ashtu familjarët tërheqin vëmendjen për cinizmin e Kadaresë kur shkruan se “…sipas një pëshpërime jo fort të besueshme, kishte gjasë që Pasko ishte i vetmi shkrimtar, jo vetëm në Shqipëri, por në krejt kampin socialist, për të mos thënë në krejt botën, që duke qenë oficer në luftën e Stalingradit, nga ana e gjermanëve, ishte kthyer shëndoshë e mirë” (!)…
Akuza e trashëgimtarëve vjen e drejtpërdrejtë: Kadare ka thënë të pavërteta dhe kjo është një dëm i madh ndaj figurës së Mitrush Kutelit, sidomos jashtë Shqipërisë.
“Meqenëse Kadareja ka krijuar një autoritet të madh ndërkombëtar e kombëtar, ai vetë si përhapës i kësaj të pavërtete, mendoj se rëndohet me një përgjegjësi të madhe ndaj figurës së Kutelit”.
“Netët moldave” të Kutelit
Për të zbardhur këto “anë të errëta” të Kutelit trashëgimtarët vendosën të botonin librin “Netë moldave”, një botim i veçantë bashkë me materialin letrar që merr si pikënisje “marshimin”, siç e quajnë familjarët, të Kutelit drejt Frontit të Lindjes ose ku përmendet Stalingradi. Trashëgimtarët tërheqin vëmendjen se me këtë qëllim, në rastin e Kutelit të kuptohet se “kapota e ushtarakut s’ka asnjë lidhje me njeriun brenda saj, që mbetet e paprekur nga ideologjitë të cilat pjellin luftëra”. Shënohet në parathënie se nga thënie e shkrime të familjarëve është mësuar se rrugëtimin drejt frontit ia ndërpreu një telegram i dërguar drejt Bukureshtit nga Korça, ku ai njoftohej për sëmundjen e rëndë të së ëmës në Pogradec (Ditari i ekonomistit, Dr. Pas, Tiranë, 2015, f. 147).
Gjithë materialin e botuar në “Netë moldave”, Kuteli e kishte botuar në vitet `43-`44 në libra ose në shtypin periodik të kohës. Veç tregimeve, episodeve dhe përjetimeve në tokën e Ukrainës gjenden edhe portrete letrare, në formë kornize apo digresioni. Këto trashëgimtarët i kanë sjellë të shkëputura nga pjesa tjetër e lëndës.
Janë përfshirë në këtë libër edhe dy letra dërguar Lasgush Poradecit, e para në maj `41, Kuteli shkruan se ka ndërmend të kthehet në vendlindje, dhe e dyta, në janar 1942, thotë se ka qenë i mobilizuar, por tashmë ndodhej në Bukuresht. Familjarët shënojnë se asnjë nga tregimet dhe shënimet e këtij libri nuk u përfshinë në përmbledhjen me pesë vëllime të viteve 1988-1990.




