Gëzim Saliu
Vendimi për mosdhënien e numëruesve ka hapur debate brenda koalicionit të majtë. Idrizi: KQZ e Kolegji u ndikuan nga presioni i partive të mëdha, vendimi i 2009-ës tregon se kemi të drejtë
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ai i dhënë më pas nga Kolegji Zgjedhor që la pa numërues në zgjedhjet vendore Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka sjellë krisjet e para në aleancën e re mes forcës së drejtuar nga Shpëtim Idrizi dhe partisë kryesore të koalicionit të majtë të kryesuar nga Kryeministri Rama. Përmes një bashkëbisedimi me gazetarët lidhur me këtë çështje nga selia e PDIU-së, Idrizi deklaroi dje se kjo vendimmarrje erdhi vetëm në saj të presionit të partive të mëdha. Në këtë kontekst, ai nuk ngurroi të kërcënonte aleatët e PS-së dhe LSI-së se në rast se nuk garantohet me ligj mbrojtja e votës për forcën që ai drejton, atëherë theksoi Idrizi, PDIU nuk do të mbështesë kandidatët e dy forcave kryesore në zgjedhjet vendore në 61 bashkitë e vendit. “Ne po e ndjekim në dinamikë procesin, nuk kërkojmë as bisedime dhe as lëmoshë nga askush dhe ne patjetër që do ti drejtohemi aleatëve tanë për të marrë garancinë ligjore që vota e PDIU nuk do të preket. Nëse nuk e marrim këtë garanci ligjore padyshim që nuk do të kenë mbështetjen tonë në të gjithë Shqipërinë, por do tu drejtohemi të gjithë votuesve tanë të votojnë PDIU akoma më shumë që interesi jonë më i madh është në votat për Këshill”, – deklaroi kreu i PDIU-së.
Deklaratat
Në reagimin e tij ndaj vendimit të Kolegjit që i dha të drejtë qëndrimit të mëparshëm të KQZ-së, e cila vendosi qe numëruesi i katërt në zgjedhje pas PS, PD dhe LSI ti takonte Partia Republikane, Idrizi nuk nguroi të përmendte për të disatën herë presionin e forcave kryesore. I pyetur nga “Standard” se nëse kjo ishte një akuzë për kreun e PS-së dhe njëkohësisht kryeministrin Rama, ai tha: “Jam i keqardhur nga sjellja e aleatëve. Të flasim hapur duke i vënë emrin gjërave, Partia Socialiste dhe LSI nuk u sollën ashtu siç duhej në KQZ”. Sipas kreut të PDIU-së i takonte KQZ-së që të përcaktonte se nga cili krah duhet të përfitonte numëruesit forca që ai drejton. “Ne jemi përballë duke thënë kemi dy mandate sipas ligjit në 2013 dhe jemi rreshtuar në ASHE, por mesa duket dikush i trembte këtej se do prishin zgjedhjet, dikush nuk e prekte dot anëtarin e dytë të mazhorancës se bëhej nami dhe ne ngelëm në drejtim të paditur”, – deklaroi ai. Ndërkohë duke e cilësuar vendimin e KQZ-së dhe Kolegjit krejtësisht antiligjor Idrizi pohoi se me këtë veprim u faktua situata e rëndë ku gjendet sistemi i drejtësisë në vend. Në këtë kontekst ai iu referua deklaratave të ambasadorit amerikan për gjykatësit duke e konkretizuar këtë qëndrim me vendimmarrjen e trupës gjyqësore në Kolegj. “ I referohem deklaratave të ambasadorit të SHBA-ve që tha se disa gjyqtarë duhet të pushohen e disa të tjerë duhet të shkojnë në burg”. Në takimin me mediat, kreu i PDIU-së bëri po ashtu të ditur se në kushtet kur numëruesit do t’i mungojnë në tavolinat e numërimit të votave, ai ka vendosur të ngrejë një trupë që do të monitorojë procesin e numërimit të votave.
Mungesa e kuorumit në seancën e kaluar/ Grupi i PS-së, Ruçi kritika deputetëve: Sot të jeni të gjithë në sallë, mos flisni për fushatë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi i kërkoi dje të gjithë deputetëve që të jenë të pranishëm në seancën plenare e ditës së sotme. Duke marrë shkas nga seanca e kaluar, ku mungesa e kuorumit në sallën e parlamentit bëri të pamundur votimin e ligjeve në rendin e ditës, Ruçi theksoi dje se deputetët duhet të jenë të pranishëm në punimet e Kuvendit. Sipas burimeve pranë selisë së PS-së ai ka theksuar se ajo që ndodhi javën e kaluar nuk duhet të ripërsëritet më. Por angazhimi në fushatë, gjë që solli edhe javën e kaluar ngërçin në votim, u vu re edhe dje në mbledhjen e grupit ku pjesëmarrja e deputetëve ishte e ulët. Ndërkaq një tjetër pikë ku u përqendruar në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar në mbledhjen me dyer të mbyllura me deputetët e PS-së ishte kërkesë që në diskutimet e tyre në Parlament të fokusohen në projektligjet që janë në rendin e ditës dhe jo tek fushata elektorale.
Fletë votimi të posaçme/ KQZ: Personat e verbër dhe PAK do të votojnë për herë të parë në mënyrë individuale
Personate e verbër dhe PAK do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë në mënyrë individuale në zgjedhjet vendore të 21 qershori. Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha bëri të ditur dje se KQZ-ja në këto zgjedhje do krijojë fletë votimi të posaçme dhe shabllone për njerëzit që nuk shikojnë, ndryshime të cilat do të bëjnë votimin pa shoqërues. “Në çdo Qendër Votimi, për të dy fletët e votimit, do të jenë të disponueshme shabllonët përkatës. Modelet e shablloneve i janë shpërndarë organizatave përfaqësuese, për të bërë të mundur që këta zgjedhës të njihen paraprakisht me to dhe ditën e votimit t’i përdorin me lehtësi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është investuar në mënyrë të vazhdueshme për zgjedhësit me aftësi të kufizuar, për t’i krijuar brenda mundësive, secilës kategori, kushte optimale përshtatshmërie në Qendrat e Votimit ku ata janë të regjistruar”, – tha ajo. Po ashtu edhe për personat me aftësi të kufizuar, zëdhënësja e KQZ-së theksoi se në qendrat e votimit do vendosen rampa, me qëllim që atyre të mos iu pengohet lëvizja dhe të votojnë normalisht. “KQZ me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar, ka arritur të ndërtojë rampa të përhershme në disa qytete të vendit dhe brenda mundësive të tij në disa objekte ku ka shumë QV, ditën e zgjedhjeve do të vendosë rampa druri”, – theksoi Hoxha.
Ambasadori i SHBA-së/ Lu: Me votë refuzoni politikanët kriminelë, mos e shisni atë. Nëse s’votoni mos u ankoni
Ambasadori i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, u bëri thirrje dje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në 21 qershor. Nga një takim në Korçë ku u zhvillua Akademia Politike Rinore me pjesëmarrjen e anëtarëve të forumeve rinore të partive politike, Lu theksoi dje rëndësinë e votimit nga të rinjtë. “Ky është një vend ku të rinjtë zotërojnë fuqinë – fuqinë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe fuqinë për ta ndryshuar të gjithë sistemin politik. Ju keni fuqinë të refuzoni politikanët kriminelë, blerjen e votës dhe retorikën politike inatçore. Por, ju e keni këtë fuqi vetëm nëse votoni”, iu drejtuar diplomati amerikan të rinjve të Korçës. Më tej duke vënë në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, ambasadori iu referua një shprehjeje që përdoret në Amerikë ku tha se “nëse nuk voton, mos u anko”. “Të gjithëve na pëlqen të ankohemi për udhëheqësit tanë. “Ju keni fuqinë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Mos i shisni votat tuaja. Mos dëgjoni retorikën politike inatçore. Dhe më e rëndësishmja, ditën e votimit, mos qëndroni në shtëpi. Votoni”.




