PD mbron votën e qytetarëve’/ Ina Zhupa: Rikthyem mandatin e këshilltares Edlira Gjidede në Sarandë
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar përmes një video-deklarate lidhur me rikthimin e mandatit të këshilltares bashkiake të Sarandës, Edlira Gjidede, pas një beteje ligjore në Gjykatën Administrative të Lushnjës.
Sipas Zhupës, mandati i Gjidede ishte hequr në mënyrë të padrejtë nga Këshilli Bashkiak i Sarandës, pavarësisht se institucionet shtetërore kishin konfirmuar se nuk ekzistonte asnjë papajtueshmëri apo konflikt interesi.
Në deklaratën e saj, deputetja demokrate tha se beteja nisi në tetor të vitit 2024, kur Këshilli Bashkiak votoi për heqjen e mandatit të këshilltares, me argumentin se ajo ushtronte detyrën e edukatores në kopshtet e Sarandës, ndërsa mbante edhe mandatin si këshilltare bashkiake.
Zhupa theksoi se Partia Demokratike iu drejtua Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ILDKPI-së, institucione që sipas saj konfirmuan me shkresa zyrtare se nuk kishte shkelje ligjore apo konflikt interesi. Megjithatë, sipas deputetes, shumica në Këshillin Bashkiak vendosi të mos i marrë në konsideratë këto qëndrime dhe i hoqi mandatin Gjidede.
Ajo e cilësoi vendimin e gjykatës si një fitore për mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe përfaqësimit të tyre në institucionet vendore.
Sipas Zhupës, Edlira Gjidede do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak Sarandë për të vijuar përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
Deklarata e plotë:
Ndodhem në Gjykatën Administrative Lushnjë, jam bashkë me këshilltaren bashkiake Edlira Gjidede, tashmë me një betejë të fituar, për të mbrojtur mandatin e saj. Mandatin që i dhanë qytetarët e Sarandës. Në një betejë që ka filluar që nga tetori i vitit 2024, në mënyrë të paprecedentë Këshilli Bashkiak i Sarandës vendosi të votonte për t’i hequr mandatin, sepse zonja punon edukatore në kopshtet e Sarandës dhe kishte edhe mandatin e saj si këshilltare.
Betejë e paprecedentë. Ne shkuam te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, shkuam në ILDKPI, të dyja institucionet prodhuan shkresa zyrtare që nuk kishte papajtueshmëri të mandatit dhe konflikt interesi. Mirëpo patronazhistët në Këshillin Bashkiak të Sarandës nuk pyetën për shkresa shtetërore dhe prapë se prapë ia hoqën mandatin. Ne u detyruam të vinim të bënim një betejë ligjore në Gjykatën Administrative në Lushnjë. Bashkë me avokatin Marash Logu, kemi bërë këtë betejë dhe sot kemi arritur që të fitojmë mbrapsht mandatin e qytetarëve të Sarandës.
Kjo është një betejë që u bë për të mbrojtur votën e qytetarëve.
Është një betejë që u bë për të treguar që Partia Demokratike nuk tërhiqet, Partia Demokratike i shkon deri në fund kauzave të saj. Unë si deputete dhe si drejtuese politike e Sarandës jam krenare që Edlira do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak Sarandë, do të shkojë atje për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke kthyer mbrapsht atë mandat që donin t’ia rrëmbenin patronazhistët, por që nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin kurrë.
Sepse Partia Demokratike, ne njerëzit që përfaqësojmë këtë parti, do të qëndrojmë gjithmonë në krah të qytetarëve. Do ta mbrojmë votën deri në fund dhe do të jemi në një betejë shumë shpejt në zgjedhjet lokale për t’ia kthyer jo vetëm Këshillin Bashkiak, por edhe Bashkinë e Sarandës, qytetarëve të Sarandës




