PAVARËSIA E PUSHTETEVE

 

Nga Brikena Bogdo

Nga Brikena BogdoA mundet Kushtetuta të cenojë pavarësinë e pushteteve në një vend demokratik? Po, me mënyrën se si e arsyetuan gjyqtarët, përplasjen juridike-politike, Strazimiri vs. Ndoka-Ndreu. Me këtë arsyetim akti administrativ, nxjerrë nga Parlamenti Shqiptar (pushteti legjislativ), paska fuqi absolute mbi një vendim gjyqësor (pushteti gjyqësor). Me këtë vendim të gjykatës, sipas së cilës, procesi nuk duhej të fillonte aspak, i jepet pushtetit legjislativ, pushtet absolut, duke mohuar rrugët gjyqësore. Në vendim ata justifikohen me një shprehje romake, si për të treguar që ky vendim I tyre, është i bazuar tek kjo e drejtë. Por e drejta romake ka në themel pikërisht ndarjen e pushteteve. Kjo qëndroi më pas edhe në themel të së drejtës së modernizuar.

Kushtetuta përsëri, tregoi problematikat serioze të saj. Kushtetuta shqiptare,u interpretuaka deri aty sa të preket një parim themelor, pavarësia e pushteteve. Atëherë, kuptojmë se, përse i gjithë sistemi gjyqësore është një aleat, apo një deriçkë për t’u fshehur korrupsioni, apo në disa raste për t’u mbrojtur krimi. Ne e kemi në thelb problematikën, në sistemin gjyqësor, që në hartimin e kushtetutës, nga ku derivojnë të gjitha kodet e tjera. Amerika, superfuqi e botës, suksesin e saj ia dedikon forcës së kushtetutës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e popullarizuan atë me të gjitha format, por dhe me të gjithë pushtetet, duke nisur nga media, deri tek presidentët, (gjithëpërfshirja është thelbi i Amerikës, i mendësisë dhe suksesit të saj).

Me pushimin e çështjes “Ndoka-Ndreu”, ngrihet përsëri me forcë pyetja, kush i kontrollon gjyqtarët në Shqipëri dhe vendimet e tyre? Evropa dhe Amerika kanë ngritur mekanizma të shkëlqyera të mbrojtjes së ligjit dhe vendimeve gjyqësore. Franca ligjin e kalon së pari në një debat publik, ndërsa Amerika për ruajtjen e cilësisë së vendimeve gjyqësore, ka rritur mbikëqyrjen e publikut. Në Shqipëri përballemi me dy standarde. Kur kërkohet të kontrollohen vendimet gjyqësore, hasim në pengesën e “pavarësisë së gjyqësorit” dhe askush nuk mundet të kontrollojë apo interpretojë ligjet. Ndërsa në rastin Strazimiri, akti administrativ ndaj Ndokës Ndreut, qëndruaka mbi gjithçka dhe mbi vetë pushtetin gjyqësor (kjo çështje nuk duhej të fillonte kurrsesi). Duke i dhënë përparësi një akti administrative, vetëgjyqtarët kanë hedhur poshtë pavarësinë e pushteteve. Me këtë arsyetim pushteti gjyqësor, gjunjëzohet nga pushtetit legjislativ dhe akteve të saj ose thënë më ndryshe, shkërmoqet, zhvlerësohet.

Ajo që ndërkombëtarët kritikojnë fort tek sistemi ynë i drejtësisë është kontrolli shumë i dobët i vendimeve gjyqësore. Janë këto vendime që i kanë hapur rrugën korrupsionit në të gjithë sistemin tonë gjyqësor. Fatkeqësisht, edhe kur janë faktuar vendimet e padrejta të gjyqtarëve, ata kanë shkuar në prokurori dhe më pas në parlament dhe parlamenti e ka mbyllur çështjen.

Gjermania e ruan cilësinë pushtetit gjyqësor nëpërmjet kontrolleve të forta të vendimeve gjyqësore të gjyqtarëve. Në rastin e parë të një vendimi të parregullt, gjyqtari largohet menjëherë nga detyra.

Me çështjen Strazimiri përsëri u ngërthye pyetja. Kush e pengon reformimin e drejtësisë, apo më saktë ka interes që të mos reformohet? Përsëri e morëm përgjigjen, Politika.

Sapo pushoi çështja Strazimiri vs. Ndoka-Ndreu erdhën reagime, që fajësonin politikën për pazaret e saj. Ende politika qëndron mbi tre pushtetet ekzekutivin, legjislativin, gjyqësorin. Check and balance (kontrollo dhe balanco pushtetet) do mbetet iluzion. Pse?Thembra e Akilit mbetet politika. Kush e kontrollon politikën? Askush. Atëherë rrjedhimisht askush nuk mund të kontrollojë asnjë nga pushtetet.

Politika kërkon me dhunë supremaci mbi ligjin. Politika vs. ligjit, apo ligji vs. politikës është lufta, që do na lerë gjatë në tranzicion dhe shumë gjatë jashtë Evropës. Që politika gjithmonë i fut shkopinjtë nën rrotë jurisprudencës, kjo tashmë është e ditur Por, të forcosh shtetin ligjor, të realizosh pavarësinë e pushteteve, po tingëllon donkishoteske, sidomos në Shqipëri.

Me vendimin gjyqësor për pushimin e çështjes kundër Ndokës dhe Ndreut, ngritur nga deputeti Strazimiri, gjyqësori përsëri u modifikua, u keqpërdor, dhe u selektua politikisht. Brenda 2015 janë 17 raste, të goditjes për shkak të detyrës, ndaj të cilëve është marrë vendim fajësie, që kanë variuar nga 200 mije leke, në dënime me burg dy muaj deri në një vit. Kjo vërteton faktin që ligji ka fituar tashmë statusin e dy standardeve. Deputetët, speciet e veçanta, nuk dënohen, ndërsa njerëzit e thjeshtë, po.

Politika shqiptare në vetvete është peng e sistemeve korruptive duke penguar seriozisht revolucionarizimin e tyre. Ishte modeli i dështuar apo dëshira e dështuar, për të përmbushur thelbin e demokracisë, shtetin ligjor, do të mbetet hamletiane. Përsëri politika futi në linjë pyetjen ekzistencialiste: janë sistemet që bëjnë individin apo individët që bëjnë sistemet. Por e sigurt është që edhe një herë pushteti gjyqësor u përhumb në rrugën antiligjore. Atëhere shndërrohet në eminente vendosja e individëve të duhur për të zgjedhur sistemet e duhura. Në një studim të Mehdi Frashërit, botuar në media, më tërhoqi vëmendjen analiza e tij, ku mbi çdo sistem ai vinte ndershmërinë e individëve, që drejtonin shtetin.“Nuk ka rëndësi, në është sistem demokratik, republikan, apo diçka tjetër, rëndësi ka ndershmëria. Amerika e veriut, apo e jugut, kanë të njëjtin sistem demokratik, pra republikën, por jo të njëjtin zhvillim të institucioneve shtetërore” – shkruante ai.

Ishin këta pushtetarë të ndershëm, por edhe shtetarë vizionarë që kuptuan rëndësinë e prevalimit të ligjit mbi politikën dhe mbi ata vetë, larg kultit të individit. Bota përtej oqeanit, apo vendet e Evropës Perëndimore, njohën kultin e ligjit mbi kultin e individit, vizion që i hapi rrugën e zhvillimit dhe prosperitetit.

P.s. Në fillesat e demokracisë, u cilësua pesimiste ideja se do të duhen 30 vjet, që gjyqësori të futet në hullitë e duhura, për të fituar pavarësinë ndaj politikës, por edhe profesionalizmin. Sot, mbas shumë 25 vitesh, juristët, ata me flokë të bardha, shprehen me nota edhe më pesimiste; duhen edhe 100 vjet. Me sa duket, do të mbetet rebus shekullor, e ardhmja jonë ligjore.

Share it :