Pasqyra ku nuk shihet asgjë

Pasqyra ku nuk shihet asgjë

Qeveria shqiptare ka ngritur një portal digjital për të provuar hapjen e saj radikale, por “Pasqyra e Flamingos” ofron vetëm një iluzion transparence

Në mëngjesin e kaltër të bregdetit të Vlorës, Laguna e Vjosë-Nartës dhe gadishulli i Zvërnecit ngjajnë me një nga ato hapësira ku koha ka mbetur e pezullt. Këtu, mes pishave detare, ujërave të qeta ku strehohen pelikanët dalmatë e tufa flamingosh dhe heshtjes së Manastirit shekullor të Shën Mërisë, peizazhi ka ruajtur një egërsi thuajse të paprekur.

Por kjo qetësi u thye përfundimisht kur zonën e vizitoi Ivanka Trump, e cila ndezi qirinj në manastir, fotografoi ligatinat dhe konsumoi darka zyrtare me Kryeministrin Edi Rama, dhe kur bashkëshorti i saj, Jared Kushner, e bëri këtë enklavë natyrore kryeartikull të investimeve ndërkombëtare.

Ndërsa bulevardet e Tiranës u mbushën me figura rozë flamingosh nga protestuesit e “Revolucionit të Flamingove” që brohorisnin “Atdheu nuk është për shitje”, ekzekutivi shqiptar vendosi t’i përgjigjej presionit publik me një armë teknologjike: portalin zyrtar “Pasqyra e Flamingos”. Slogani i tij rezonon me një siguri thuajse biblike: “Çdo dokument ka burim, datë dhe gjendje. Asgjë nuk fshihet, asgjë nuk retushohet. Të dhënat janë publike. Verifikimi është proces. Besimi është rezultat.”

Por a është kjo “Pasqyrë” një dritare e hapur drejt llogaridhënies, apo thjesht një sipërfaqe e lustruar xhami që reflekton vetëm atë që pushteti dëshiron të tregojë?

Kur futesh në arkivin e dokumenteve të portalit qeveritar, përshtypja e parë është ajo e një disipline strikte burokratike. Qeveria ka ngarkuar dhjetëra skedarë PDF: vendime të Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), urdhra kryeministrorë, shkresa kadastrale dhe pasaporta monumentesh natyrore.

Mes tyre renditet edhe dokumenti “Përmbledhje e takimeve të Grupit të Negocimit të Marrëveshjes”.

Sa herë që kritikohet për mungesë transparence, qeveria tregon me gisht këtë përmbledhje për të dëshmuar se shteti po negocion me rreptësi e profesionalizëm me investitorët e huaj.

Por nëse e lexon këtë dokument me syrin e gazetarisë hulumtuese, velloja teknokratike fillon e shkëputet. Dokumenti ofron përmbledhje institucionale mbi procedurat, por nuk sqaron asnjë nga pyetjet thelbësore që trazojnë publikun: Cilat janë kompromiset konkrete me territorin? Çfarë përfiton mjedisi përballë një zhvillimi 4-miliardë eurosh? Cili është bilanci real i përdorimit të pronës publike?

E vërteta e “Pasqyrës” reflektohet te faqja 2 e portalit. Aty, në katër rreshta që mbajnë vulën e kuqe “NË PRITJE”. Në “Pasqyrë” nuk janë reflektuar pikërisht ato dokumente që zbulojnë të vërtetën e madhe që fshihet pas projekteve miliona euro të premtuara.
Projekti arkitektonik i Zvërnecit, Deklarata mjedisore (Vlerësimi i thelluar), Studimi mjedisor nga investitori dhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis i thelluar.

Në një proces normal, vlerësimi mjedisor dhe projekti urbanistik duhet të jenë parakushti mbi të cilin ngrihet çdo bisedim apo dhënie statusi strategjik. Në “Pasqyrën e Flamingos”, vendimet politike dhe negociatat me investitorët janë kryer e “miratuar” prej kohësh, ndërsa studimi nëse ky projekt shkatërron apo jo ekosistemin mbahet prej muajsh me statusin “në pritje”.

Qeveria e quan këtë “dosje të hapur”. Në fakt, kjo është një transparencë me pika: publike janë letrat burokratike që justifikojnë projektin, ndërsa të padisponueshme mbeten të dhënat shkencore që mund ta rrëzonin atë.

Protokolli si mburojë

Nëse portali i qeverisë rreket të paraqesë një botë me korrespondenca institucionale të pastra, investigimet e rrjetit gazetaresk OCCRP dhe shteg.org zbulojnë se pas tokave të Zvërnecit fshihet një realitet plot hije kriminale, të cilin asnjë “Pasqyrë Flamingosh” nuk e përmend.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga gazetarët, tokat mbi të cilat planifikohet zhvillimi i resortit luksoz në Lagunën Vjosë-Nartë janë bërë objekt i dy hetimeve shpërthyese nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Në qershor 2026, SPAK kërkoi arrestimin e 20 personave të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të drogës e pastrimit të parave, ndërsa një urdhër i Gjykatës së Posaçme vendosi “sekuestro parandaluese” mbi një llogari bankare që mbante mbi 110 milionë euro.
Transaksionet e shitblerjes së tokave ndërmjet shtetasit Artur Shehu, i identifikuar nga prokurorët si i dyshuar për trafikim ndërkombëtar narkotikësh e pastrim parash, dhe kompanisë “Albanian Land Development sh.a.”, entiteti që ka blerë pronat për llogari të projektit të resortit.

Një hetim tjetër paralel i SPAK-ut zbulon se pjesë të mëdha të tokës në Zvërnec u siguruan përmes falsifikimit të dokumenteve. Përfaqësuesi i Artur Shehut në këto transaksione, Pëllumb Petritaj, rezulton i dënuar më parë e në procedime të shumta pikërisht për tjetërsim e falsifikim pronash në qarkun e Vlorës. Ndërkohë, banorët vendas deklarojnë prej dekadash se tokat e tyre janë grabitur me vendime gjyqësore të trilluara.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama deklaron në Parlament e për mediat ndërkombëtare se investitorët janë prestigjiozë dhe i nënshtrohen kontrollit rigoroz kundër pastrimit të parave, struktura e pronësisë ngjan me një “matrioshkë” gjeopolitike.

Mes iluzionit të transparencës

Kur qeveria shqiptare e pagëzoi portalin e saj me emrin “Pasqyra e Flamingos”, ajo ndoshta kërkonte të krijonte një metaforë poetike të transparencës. Por në optikë, pasqyra është një mjet që nuk të lejon kurrë të shohësh se çfarë ka prapa saj; ajo vetëm tregon atë që i vendos përballë.

Në këtë kuptim, iniciativa e qeverisë për transparencë nuk është me të vërtetë reale. Ajo është një “transparencë e selektuar e tipit PR”, e dizajnuar për të qetësuar partnerët ndërkombëtarë dhe për të krijuar iluzionin e një shteti teknokratik.

Vërtetësia e kësaj transparence do të matet vetëm atëherë kur portali të mos mjaftohet me “përmbledhje takimesh” të negociatorëve zyrtarë, por të publikojë studimet e plota mjedisore dhe projektin arkitektonik që sot mbahen “Në pritje”.

Që në mendje mos na reflektohet një “transparencë e selektuar e tipit PR”, qeveria të japë përgjigje publike se si një projekt me status strategjik ngrihet mbi toka të sekuestruara nga SPAK dhe të kontestuara nga banorët lokalë.

Që portali të mos reflektojë iluzionin e transparencës, minimumi duhet të kishte zbardhur të gjithë zinxhirin e pronarëve përfitues, duke nisur nga kompanitë hije 1-eurose në Amsterdam e deri te miliarderët kataras, apo dhe rolin e biznesmenëve ndërmjetës shqiptarë.

Deri në ditën kur në portal nuk do të gjejmë qoftë dhe një dokument të tillë, “Pasqyra e Flamingos” mbetet thjesht një instalacion digjital.

Përtej “Pasqyrës”, mbi ujërat e ligatinës së Zvërnecit, flamingot e vërteta vazhdojnë të fluturojnë mes kërcënimit të ekskavatorëve, ndërsa në portalin e qeverisë vazhdon të shfaqet vetëm ajo që pushteti kërkon të shohim: pafundësi letrash zyrtare, pas të cilave e vërteta mbetet tërësisht e fshehur./ Shteg.org

Share it :