Pasaporta në Bruksel, tigani në Tiranë

Pasaporta në Bruksel, tigani në Tiranë

Nga Lutfi DERVISHI

Imagjino një vend…

Ku rubineti s’të sheh me përçmim, por të ofron ujë të pastër 24 orë në ditë, pa orar, pa pompë lagjeje, pa bidona plastike në shtëpi e depozita mbi çati. Ujë që pihet, jo që lihet të kullohet para se të përdoret.

Imagjino një treg…

Jo tregun ku perimet dhe frutat janë me forma perfekte dhe ngjyra llamburitese, por një treg ku frutat dhe perimet rriten pa pesticide, ku domatet kanë shije, jo vetëm ngjyrë, ku mishi rritet pa hormone dhe pulat shiten pa salmonele.

Imagjino fermerin…

.. që ka subvencione, ka treg, ka mjete, ka krenari.

Ai nuk kultivon veç perime kultivon dinjitet

Imagjino çmimet e ushqimeve…

…kaq të ulëta saqë grekët, maqedonasit, madje dhe italianët vijnë për të bërë pazarin e fundjavës: imagjino “shopping turizëm”.
Imagjino një vend

Ku një apartament nuk është më i shtrenjtë se një hotel në Paris. Ku shtëpitë janë për banim, jo për spekulim. Një vend ku të rinjtë blejnë shtëpi me kredi me interes zero e mbështetje nga shteti.

Imagjino spitale…

…ku mjekët nuk janë lodhur nga mungesa e pajisjeve dhe ilaçeve dhe janë krenarë për sistemin që e trajton pacietin si qytetar, jo si statistikë. Imagjino një vend, ku mjekësia është shërbim, jo lotari.

Imagjino shkolla…

…ku fëmijët mësojnë në klasa të pastra, me libra që nuk ngjajnë si të përdorur në luftën e parë botërore. Mësuesit janë të respektuar, të paguar dhe të trajnuar dhe nxënësit nuk janë vetëm për të kaluar testet, por për tu aftësuar për jetën.

Imagjino qytete…

…me parqe, pemë, ajër të pastër. Pa tym, pa plehra, pa trafik të përjetshëm. Me transport publik që vjen në kohë, madje jo vetëm autobuze por edhe me tren e tram!
Jo tren e trame imagjinare as 3D, por real

Imagjino drejtësi…

…që punon si një orë zvicerane, pa vonesë. Ku dosjet nuk bëhen kapicë e statistikë, një drejtësi që njeh vetëm të drejtën.
Imagjino… pensionistët…

…që nuk presin bonusin në prag të zgjedhjeve, por planifikojnë pushimet. Pensioni është për të shijuar jetën që të ka mbetur jo për mbijetesë.
Imagjino pensionistët në parqe e pyje orbitale duke shëtitur niperat e mbesat e duke folur për letërsi dhe jo për çmimet e ilaçeve.
Imagjino zgjedhje…

…ku votuesit votojnë të lirë, me ndërgjegje, jo me frikë. Dhe fiton kush ka më shumë ide, jo kush ka më shumë zyra shteti në dispozicion. Imagjino një vend ku punonjësit e administratës as që e mbajnë mend se për kë parti votojnë.

Imagjino sikur..

…këtyre banorëve një ditë prilli t’u afrohet Pasaporta Evropiane, jo si premtim në fushatë zgjedhore, por si fakt i kryer: urdheroni merreni. Por njerëzit, e këtij vendi me mirësjellje, thonë:

“Faleminderit! Nuk na duhet. E kemi ndërtuar Evropën këtu.”

Dhe kush e di…

…ndoshta një ditë do jenë gjermanët që do aplikojnë për leje qëndrimi në këtë vend jo për të punuar, por për të mësuar si ndërtohet një ëndërr.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.