Pas vitit 2016/ Kriteret për mësuesit që të mbajnë vendin e punës

Kriteret për mësuesit që të mbajnë vendin e punës“Të gjithë punonjësit arsimor nën moshën 55 vjet duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë marrë licencën për ushtrimin e profesionit”

Strategjia e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e arsimit parauniversitar përcakton rregulla të reja për mësuesit dhe trajnimet e tyre. “Trajnimi të konceptohet si e drejtë dhe si detyrë e të gjithë mësuesve dhe si përgjegjësi e MASit, e njësive arsimore vendore dhe e institucioneve arsimore.  MAS-i të ofrojë programe shtetërore trajnimi për punonjësit arsimorë dhe të hartojë për këte qëllim marrëveshjet e duhura me institucionet përkatëse.  Njësitë arsimore vendore të financojnë programe kualifikimi të mësuesve, ofruar nga agjenci  trajnuese me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e Ministrit.  Ministria, njësitë arsimore vendore dhe shkollat të kujdesen për përdorimin e TIK-ut nga të gjithë punonjësit arsimorë, pavarësisht specializimit të tyre dhe të hartojnë e të mbështetin programe në këtë fushë.  Institucioni arsimor të njohë mësuesit dhe specialistët me objektivat e politikave arsimore institucionale, vendore dhe qendrore dhe me ofertat për trajnim”, – parashikon dokumenti I MAS

 

Trjanimi I mesuesve

Trajnimi i mësuesit të baraspeshojë të drejtën e individit me detyrën për trajnim. Ai, ndërkaq, është dhe nevojë e shtetit për të përmirësuar arsimin ndaj, për rrjedhojë, duhet të mbizotërojë financimi publik. Punonjësit arsimorë do të trajnohen të paktën 3 (tri) ditë në vit, me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Përqindja e buxhetit arsimor qeveritar të përcaktohet mbi bazën e ligjit, i cili vendos kufirin e poshtëm të kësaj përqindjeje. (p.sh., të paktën 3% e Buxhetit të Shtetit për arsimin parauniversitar të shpenzohet për trajnimin e punonjësve arsimorë). Shpërndarja e financimit për trajnim të jetë e veçantë dhe të realizohet sipas formulës “për punonjës”. MAS-i duhet të veçojë dhe t’u dërgojë njësive arsimore vendore një fond, për t’ua dhënë shkollave që kanë nevojë për shtesë të fondeve publike për trajnime. Kjo nevojë duhet të identifikohet sipas treguesve të efektivitetit të shkollës. Shteti duhet të marrë përsipër shpenzimet e mësuesit për trajnimet që kontribuojnë për titujt e karrierës së tij dhe për shërbimin në qendrat këshillimore publike, por jo për shpenzimet për trajnime që nuk janë të planifikuara nga shkolla dhe për këshillime në qendra private këshillimore. Gjithashtu, e drejta për të ushtruar detyrën e drejtuesit të shkollës do të sigurohet përmes një licence të njohur nga MAS-i, e vlefshme për një periudhë të caktuar kohore. Sigurimi i licencës për dhe rifitimi i saj në përfundim të afatit të caktuar të arrihet pas një procesi trajnues, pa shkëputje nga puna, përmes moduleve që ofrojnë njohuri dhe kompetenca profesionale në funksion të udhëheqjes së shkollës. Licenca të fitohet pas vlerësimit të paketës profesionale të aspiruesit për drejtues dhe të marrjes së provimit përfundimtar. Institucionet kryesore të sistemit të formimit dhe të zhvillimit profesional të drejtuesve do të jenë MAS-i, IZhA dhe Fakultetet që formojnë mësues. Kualifikimi i punonjësve arsimore do të jetësohet në funksion të plotësimit të nevojave, interesave dhe të cilësisë së formimit të nxënëseve dhe të nxënësve. Do të reformohet kualifikimi periodik i punonjësve arsimorë (mësues, drejtues shkollash, punonjës socialë, psikologë, etj.), duke e bazuar procesin dhe arritjet mbi treguesit e vlerësimit të vazhduar të punonjësit që kualifikohet. Punonjësi arsimor që nuk e fiton kategorinë e kualifikimit në provim dhe riprovim, të konsiderohet i paaftë për të ushtruar profesionin.

 

Kriteret

Pas vitit 2016, të gjithë punonjësit arsimor nën moshën 55 vjet duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë marrë licencën për ushtrimin e profesionit. Punonjësit arsimorë mbi këtë moshë, duhet të kenë dëshmuar, përmes provimit përkatës, zotërimin e kompetencave profesionale të kërkuara. Do të zhvillohet procesi i licencimit dhe akreditimit të mësuesve, si dhe zbatimi i procedurave për monitorim të vijueshëm. Licencimi i mësuesve do të shërbejë si parakusht për të zënë një vend pune si mësues. Procedura e kërkesës për vend pune, e miratimit dhe e zgjidhjes së konflikteve do të hartohet dhe do të miratohet formalisht nga Qeveria dhe MASH-i. Kjo duhet të realizohet së bashku me përsosjen e strukturave akredituese dhe reformimin e programeve të trajnimit të mësuesve. Reforma arsimore synon një sistem arsimor modern, i cili të nxitë rritjen e qëndrueshme ekonomike, konsolidimin e demokracisë si dhe suksesin në dialogun dhe konkurrencën me vendet e rajonit dhe më gjerë. Reforma që po ndërmerret shërben si mbështetje reale për realizimin e nismave qeveritare.  Programet e formimit të mësuesve duhet të përfshijnë metodologjitë e kërkimit dhe të hulumtimit, që mësuesit e rinj të jenë në gjendje të zbatojnë kërkimin arsimor në praktikën shkollore. Njohja e tyre me shkollën dhe me nxënësit duhet të nisë që me fillimin e studimeve. Programet e reja, për të gjitha kategoritë e mësuesve, të reflektojnë risitë e kurrikulës së APU-së, të pasurohen me lëndën e TIK-ut dhe me teknikat e hartimit të testeve për vlerësimin e nivelit të zhvillimit të kompetencave. Të gjitha këto, pritet të sigurojnë që studentët të vijnë në auditorë për të diskutuar dhe jo për të riprodhuar ato që u janë dhënë në leksion, në libra dhe në materiale të tjera, të shtypura apo në formë elektronike.

 

Problemet

Dokumenti I strategjisë për zhvillimin e arsmit 2013-2020 thotë se sot në sistemin arsimor ka shumë probleme, duke filluar nga arsimi bazë. “Arsimi bazë u ofrohet fëmijëve të moshave mbi 6 vjeç, zgjat 9 vite dhe është i detyruar. Struktura e nivelit fillor, në arsimin e detyruar, ka ndryshuar me planin e ri mësimor të vitit 2004. Në bazë të kësaj strukture, kohëzgjatja aktuale është 5 vjet. Nxënësit i frekuentojnë IA-të që ofrojnë arsim bazë deri në moshën 16 vjeç. Personat që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të pjesshme. Rreth 92% e nxënësve që përfundojnë arsimin bazë vijojnë në arsimin e mesëm të lartë. Raporti mësues nxënës, për arsimin bazë, është përafërsisht 1:16. Ndërsa, numri i shkollave private, që ofrojnë arsim bazë, përbën 8.5% të numrit të nxënësve. Ato ofrojnë shërbimet e tyre për 7.2% të numrit të përgjithshëm të nxënësve tanë. Infrastruktura fizike nuk i përgjigjet në të gjithë shtrirjen e tij (sidomos në zonat rurale) kërkesave bashkëkohore. I shtohet kësaj dhe mbështetja e pamjaftueshme e procesit mësimor me mjete didaktike, laboratorë (aplikativë ose demonstrativë), pajisja me mobile të përshtatshme në mbështetje të mësimit, etj. Ka vijuar braktisja e shkollës dhe është e pranishme dukuria e fëmijëve aktualisht jashtë sistemit arsimor, çka ka bërë që arsimin bazë të mos frekuentohet kryesisht nga fëmijët e shtresave në nevojë, sidomos ata romë. Aktualisht, në Shqipëri ka rreth 5000 fëmijë romë të moshës 3-16 vjeç. Niveli i regjistrimit të fëmijëve në shkollë, në moshën e caktuar sipas ligjit, është i ulët, ndërsa 1 në 2 fëmijë romë në moshë shkolle e ka braktisur shkollën. Fenomeni bëhet edhe më shqetësues për vajzat rome dhe për fëmijët e familjeve me të ardhura të pakta, të zonave të thella malore, për vajzat në zonat me mentalitet të prapambetur dhe me probleme të tjera sociale”, – thuhet në document.

 

Share it :