Pas hetimit/ Krimet e Rënda, tjetër kërkesë: Të sekuestrohet pasuria e Ismailajt

 

Artan Cena

Krimet e RëndaBazuar në hetimet e Prokurorisë ai dyshohet se ka përfituar shumën e 5 milionë eurove përmes mashtrimit në mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ

Pas arrestimit, Prokuroria Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e rreth 5 milionë dollarëve në total të biznesmenit Kastriot Ismailaj dhe familjarëve të tij, për mashtrim me pasoja të rënda. Bazuar në hetimet e Prokurorisë ai dyshohet se ka përfituar shumën e 5 milionë eurove përmes mashtrimit në mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Në njoftimin zyrtar dërguar sot nga Prokuroria thuhet se “Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e rreth 18.5 milionë lekë të reja, 940 mijë dollarë amerikanë të gjendura në llogari bankare dhe bono thesari, si edhe dy automjetet Daimler Chrysler dhe Voksvagen Pasat, të regjistruara në emër të Kastriot Ismailajt, si edhe familjarëve të tij. Ndaj Ismailajt, i cili aktualisht është në masën e sigurisë “Arrest në burg” në vijim të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, Prokuroria për Krime të Rënda rreth një muaj më parë ka kërkuar konfiskimin edhe të rreth 3.4 milionë dollarëve. Pra, deri në këtë fazë të hetimit, në bazë të dy kërkesave dërguar gjykatës, e para në fund të muajit Prill 2015 dhe e dyta sot, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda, në cilësinë e strukturës kompetente për kryerjen e hetimeve në kuadër të ligjit “Antimafia”, kërkon në total konfiskimin e rreth 4.3 milionë dollarëve, 450 mijë eurove dhe dy automjeteve.

 

Çfarë kërkon prokuroria

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e rreth 18.5 milionë lekë të reja, 940 mijë dollarë amerikanë të gjendura në llogari bankare dhe bono thesari, si edhe dy automjetet “Daimler Chrysler” dhe “Vokswagen Passat”, të regjistruara në emër të shtetasit Kastriot Ismailaj, administrator i shoqërisë “Adriatic Develoment Corporation LTD”, si edhe familjarëve të tij, pasi ky shtetas është duke u hetuar në kuadër të ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”. Ndaj këtij shtetasi, i cili aktualisht është në masën e sigurisë “arrest në burg” në vijim të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”, Prokuroria për Krime të Rënda rreth një muaj më parë ka kërkuar konfiskimin edhe të rreth 3.4 milionë dollarëve. Pra, deri në këtë fazë të hetimit, në bazë të dy kërkesave dërguar gjykatës, e para në fund të muajit Prill 2015 dhe e dyta në datë 17.06.2015, Prokuroria për Krime të Rënda, në cilësinë e strukturës kompetente për kryerjen e hetimeve në kuadër të ligjit “Antimafia”, kërkon në total konfiskimin e rreth 4.3 milionë dollarëve, 450 mijë eurove dhe dy automjeteve. Shtetasi Kastriot Ismailaj ka qenë administrator i disa kompanive, një prej të cilave ka pasur si aktivitet kryesor mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Nga një hetim që po zhvillohet nga i Prokuroria e Tiranës, ai dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale” në vlerë mbi 5 milion euro. Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se shtetasi Kastriot Ismailaj është ortak apo administrator i disa shoqërive tregtare të rregjistruara në Shqipëri, të cilat përgjithësisht nuk kanë aktivitet tregtar por në llogaritë e këtyre shoqërive janë kryer transaksione financiare, të cilat shkojnë në disa milionë euro.

 

Prokuroria merr në dorë dosjen e Vorës: Po bëhen verifikime

Pas Durrësit dhe Kavajës, Prokuroria ka nisur hetimin edhe për shtimin e emrave fiktivë në Bashkinë e Vorës. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se pas kallëzimit të depozituar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe policia, menjëherë organi i akuzës ka nisur verifikimet. Dy oficerë të Policisë Gjyqësore kanë sekuestruar regjistrimin e gjendjes civile të Bashkisë, ku janë shënuar emrat e 600 personave për të cilët, si ne rastin e Durrësit, pretendohet të jenë regjistruar në Bashkinë e Vorës me kontrata fiktive qiraje. Gjithashtu, hetimi ka nis edhe për noterin, i cili ka përpiluar këto kontrata. Por këtë të mërkurë, në Prokurori janë paraqitur edhe dy kallëzuesit e Fiqiri Ismailit, të cilët kanë pretenduar në polici se kryetari aktual i bashkisë, u kishte dhënë nga 10 mijë lekë në këmbim te votës. Ata janë marrë në pyetje nga prokurori Albert Demirneli, nga ku kanë pretenduar se kanë shkuar në firmën “Agro-Blend” për të takuar bashkiakun dhe pasi janë larguar, ai u ka futur në xhep shumën nga 10 mijë lekë. Por burime nga Prokuroria, kanë bërë me dije ky hetim është ende ne fazën e verifikimeve për të parë nëse jemi përpara një vepre penale. Gjithashtu, Prokuroria ka marrë masa për të përballuar ngjarjet që mund të jenë ditën e zgjedhjeve ku janë shtuar prokurorët në të gjitha linjat, ndërsa policisë i është kërkuar që në çdo incident, të mos kryhet asnjë veprim pa praninë e prokurorit.

 

Zgjedhjet vendore, policia nis me shërbime të përforcuara

 Afrimi i ditës së zgjedhjeve lokale ka bërë që edhe Policia e Shtetit të marrë masat e saj dhe të kalojë me shërbim të përforcuar. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se, “në zbatim të detyrave të parashikuara “Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë periudhës zgjedhore për organet e qeverisjes vendore, 21 qershor 2015”, me qëllim planifikimin, organizimin dhe zbatimin e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor për organet e qeverisjes Vendore, si dhe ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor kanë kaluar në shërbim të përforcuar që prej orës 07:00 të datës 17 qershor 2015”. Të gjitha shërbimet e Policisë duke filluar nga dita e sotme do të kryejnë 12 orë shërbim. Njëkohësisht Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në tërësi, për parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale. Vëmendje e posaçme i është kushtuar masave policore edhe për sezonin e ri turistik.

 

Prangoset i riu në Kukës, bënte thirrje terroriste

 Një i ri është vënë në pranga pasi akuzohet për thirrje terroriste. Ditën e djeshme, policia e Kukësit ka arrestuar një person i cili akuzohet për thirrje terroriste. Mësohet se në pranga ka rënë 32-vjeçari Likajes Alidini, nga fshati Orgjost, Komuna Zapod. Nga burime pranë policisë lokale mësohet se Alidini, dyshohet të ketë lëshuar thirrje me qëllim nxitje terrorizmi. Ndërsa bëhet e ditur se 32-vjeçari, rezulton të ketë qenë i dënuar më parë në Holandë për veprën penale të vjedhjes.

 

Share it :