Violeta Murati
Në një rresht, në hollin e Teatrit Kombëtar, janë ulur “mësuesit” dhe përballë “nxënësit”. Ndonëse jo të gjithë aktorët ishin “nxënës” të regjisorit Pirro Man që rikthehej pas 15 vitesh. Pjesa e mbetur, ata të rinjtë e sotëm, duke parë befasishëm se sa shumë falënderohej, si puthej madje edhe dora, si i përuleshin… deri në mbërritjen e thënies se “Pirro Mani na bëri të harronim që jetonim në komunizëm”?! Më tej, dikush tjetër, duke i uruar mirëseardhjen regjisorit, tha se ishte mjaft i kënaqur se po bëhej ky takim i artistit të madh me kolektivin!
Ato pak mbresa e kujtime që dëgjoheshin me vështirësi nga akustika e zhurmshme e hollit, lidheshin kryesisht me punët nën diktaturë. S’ishte ditë për të thënë se sa të mbytura nga propaganda ishin veprat e krijuara, po ashtu as ditë për të ndarë manipulimin ideologjik apo siç njihet ndryshe lavazhi i trurit edhe përmes kinematografisë… Pirro Mani me “madhështinë” e regjisorit e aktorit të dikurshëm, zëmadh, që ka një pasuri të konsiderueshme të krijimtarisë në vitet më të arta të komunizmit, ka kujtuar pak nga sekuencat e groteskut të diktaturës përballë vënies së veprës. Në fakt, para pak kohësh çiftit Mani i është kushtuar një vepër në teatër, se si jeta e tyre artistike ka shkuar duke përgjuar pas dere, simbolikisht me valixhe në duar se një ditë sigurimi do të trokiste edhe tek ta. Në këtë “frikë” çifti Mani ka kaluar pa i ndodhur gjë në diktaturë, ndryshe nga kolegë të tij, që u përballen, e denoncuan, u burgosën, deri në marrjen e jetës.
Nga ana tjetër, veprat vazhdojnë të jenë aty, në Arkivin e Filmit e të Teatrit, pa u zbërthyer asnjëherë çfarë ndodhi me deformimet historike të kohës. Ndoshta ky reflektim do ishte më i vlefshëm se sa hosanatë si në kohë të Enverit.
Sigurisht reflektimi ndodhi dje, kthimi pas në kohën e diktaturës sepse kjo plejadë aty është perceptuar, por një formë që sot bëhet ironi, e të tjerë që ndoshta qëndrojnë në heshtje për talentin e shpërdoruar. Rasti pse kjo pritje, dje, për Pirro Manin lidhej me dramën e shkruar prej tij, “Njeriu hibrid”, që trajton luftën e klasave në Shqipërinë e viteve ‘70, e cila do të vihet së shpejti në skenën e TK-së. Sikur kjo të ishte shkruar vërtetë në vitet ‘70, Pirro Mani do kishte arsye të tjera të takimit nëse do kishte shpëtuar “gjallë” nga burgjet e komunizmit. Mund të ishte një gur më pak në kontributin për ndërtimin e socializmit, dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit.
Por, Pirro Mani u bë një nga personalitetet më të shquar teatrin shqiptar të socrealizmit, si pedagog, dhe për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Që nga 1967-1992 ka qenë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është vlerësuar si mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës me shfaqjet kulminante “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12-të” etj., për këto kontribute në diktaturë iu dha titulli “Artist i popullit”.




