Partia e 67-të!

Nga Basir Çollaku

Nga Basir ÇollakuFituan mercedezët e zinj, vilat e shëmtuara anës detit dhe rezidenca skandaloze, shkëlqesi ambasador Donald Lu. Ky është një realitet me të cilin po takohemi pas 21 qershorit 2015 dhe fatkeqësisht po shkohet drejt certifikimit të krimit nëpër zyra shtetërore. Për t’u fshehur nga kjo, mazhoranca po stërmundohet të ziejë debat tek opozita, tek humbja e saj e paralajmëruar në fakt. Ka një aksion mediatik tej përmasave të së zakonshmes, për të zhvendosur trajektoren e telasheve në opozitë, duke u shumëpërpjekur të bëjnë ngjarje të përditshme fajin e pafalshëm të kreut të opozitës Lulzim Basha, si përgjegjës për rezultatin e 21 qershorit për Partinë Demokratike. Ju na lajmëruat ne qytetarëve pas sjelljes arrogante të politikës për t’ju dëgjuar ju dhe ligjin shkëlqesi ambasador Lu. Madje, na u lutët të refuzonim, të qëllonim me votë kundër atyre, me mercedezë të zinj, vila të shëmtuara anës detit dhe rezidenca skandaloze, duke na thënë troç se kush janë të padehurit. E kështu thuajse jam i bindur se keni bërë shumë më tepër sesa ne. Populli ynë në kësi rastesh i kujton vetes shprehjen “paçim veten në qafë”, por nuk e meritojnë fëmijët dhe miliona qytetarë të pafajshëm këtë veturim kritik. Partia Demokratike nuk ka humbur zgjedhjet, por një përballje me “Partinë nr. 67” të regjistruar në zgjedhje, jashtë KQZ-së, sigurisht. Kjo parti është Mafia. Më vjen në ndihmë për të kuptuar atë çka ndodhur më 21 qershor 2015 ekspertiza në librin “Për të mos vdekur nga Mafia” të Pietro Grasso dhe Alberto la Volpe ku citohet Umberto Santino, studiues i fenomenit të Mafias. Ai thotë se “Mafia është subjekt politik me kuptim të dyfishtë, në radhë të parë sepse paraqet karakteristikat thelbësore të grupeve politike: një rregullore, një shtrirje territoriale, ushtrimin fizik të përbashkët, një aparat administrativ për të siguruar vëzhgimin e zbatimit të rregullave dhe ushtrimit të përbashkët…” dhe në radhë të dytë, sepse Mafia është prodhuese dhe prodhim i politikës, d.m.th. përcakton ose ndihmon në marrjen e vendimeve dhe në përzgjedhjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e pushtetit dhe shpërndarjen e burimeve, por së bashku me këtë prodhim mafioz të politikës mund të flitet për një prodhim politik të mafias…” Mafia jep ndihmesën e saj në prodhimin e politikës në tri mënyra të ndryshme: me të ashtuquajturat krime politike-mafioze; duke dërguar përfaqësuesit e saj në institucione; duke kontrolluar aktivitetin politik administrative…” Denoncimet se në listat e partive për kandidatë si kryebashkiakë kishte persona me rekorde kriminale, kryesisht në vepra të rënda si trafiqe të drogës, vrasje, përfshirje në organizata të krimit të organizuar, vinin nga partnerët tanë SHBA dhe BE. Ndodhi vetëm një reagim pas kësaj. Partia Demokratike tërhoqi nga gara kandidatin e saj në Këlcyrë, Gentian Muhametaj. Mazhoranca nën pohimet e bashkëdrejtuesve të saj Rama dhe Meta siguroi se listat e tyre ishin të pastra. Majtas, sipas tyre, nuk kishte asnjë trafikant, kriminel, bandit, të gjithë të ndershëm përballë drejtësisë. Sigurisht ky ishte dhe është mendim ndryshe nga faktet dhe informacionet e partnerëve SHBA dhe BE. Befasisht, PS-LSI, mbase të përgjumur, harrojnë se ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe Aleanca ka potenciale cilësore për të pasur dijeni për të dhënat të klasifikuara se kush janë të inkriminuarit. Kjo kujtesë e pavënë në punë nga qeveria solli në zgjedhje “Partinë nr. 67”, MAFIA-n, e gjitha kundër PD dhe opozitës, e gjitha kundër ofertës krejt ligjore e cilësore të Lulzim Bashës. Partia Demokratike të mërkurën me 1 korrik solli një listë më konkrete, me emra, të kandidatëve që, sipas saj, janë me rekorde kriminale, këta tashmë janë 7 kryetarë bashkish në Shqipëri, janë pushtetarë kontrollues të një të tetës së numrit total të bashkive të vendit. Partia Demokratike publikoi dhe akuzoi si persona me të shkuar kriminale kandidatët e dyshes Rama-Meta duke thënë se me gjithë angazhimin e SHBA dhe BE dyshja Rama-Meta në shpërfillje të hapur të angazhimeve të tyre formale, kandiduan në zgjedhjet vendore përfaqësues të botës së errët të krimit si Artur Bushi në Krujë, Artur Bardhi në Kurbin, Elvis Roshi në Kavajë, Ndoni në Këlcyrë, Tërmet Peçi në Tepelenë, Qaja në Devoll, Kokoneshi në Divjakë, Hasalla në Peqin, individë që ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota. Denoncimet e opozitës flasin për kanose dhe mbyllje biznesesh, dhunim të afërmish, rrahje, ndalim për të votuar, marrje të kartave të identitetit deri në kërcënime kriminale për rrëmbime fëmijësh, nëse flisnin në media. Nuk kanë qenë të fshehta, por mediatike rastet e kërcënimeve të kandidatëve për kryetarë bashkie të opozitës, si në Pogradec, Kamëz, Pukë, Vau i Dejës, Cërrik, Vorë, Klos, si dhe kandidatët për këshilltarët bashkiakë po të opozitës në Delvinë, Malësi e Madhe. Dosja e denoncimeve ka mbërritur në Bruksel, pasi tani ata janë kryetarë bashkie në shtatë njësi vendore, janë eprorët e eprorëve të tyre para zgjedhjeve. Kjo nuk është Partia Socialiste, as mijëra socialistët e thjeshtë qytetarë të përkushtuar në punën dhe djersën e tyre. Këta nuk janë as anëtarë të LSI-së apo votues të saj të zakonshëm me gjithë stimujt e çuditshëm në shumë raste. Këta kandidatë fitues janë “Partia nr. 67”, janë MAFIA që tani s’ka ndërmend të pyesë as kryetarët e tyre, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, bashkëfajtorë të njëllojtë me përzgjedhjen dhe vendimmarrjen dhe bashkëkryetarë të kësaj partie të re zgjedhore. Ata që po anëtarësohen po shtohen dhe kjo sjell dëshpërimisht kriminalizim të votës dhe pushtetit të ri të dalë nga gryka e Mafias. Ka një rast ngjashmëri me episode të qeverisjes në vendin tonë tani pas 21 qershorit. Ka një fazë frike dhe prag të rrëshqitjes në një stad ku mekanizmat e së shkuarës janë duke përsëritur vetveten. Do të përshtatej një përkufizim nga shpërthimi ndoshta pendues i një avokati ndonëse i dënuar, por që akuzon segmente të shtetit. Në librin “Bosët e rinj, kush komandon sot” të tre gazetarëve italianë përputhshmëria e gjendjes në vendin tonë vjen nën përshkrimin e akuzës së një avokati, Nino Mandala një avokat i akuzuar si i implikuar në krimin e organizuar dhe i dënuar për pjesëmarrje në organizata mafioze në një postim të tij më 3 tetor 2012, ngre zërin kundër klasës politike, duke aluduar për një model të ngjashëm kur sjelljet janë njësoj, duke akuzuar për grabitjen e parasë publike, siç krejtësisht po ndodh në Shqipëri. Ai shkruan: “Në çfarë dallojnë këto Mafie nga ajo që zakonisht kuptohet me Mafie? Sigurisht nga petku që veshin, që nuk i ngjason imazhit të egër të Cosa Nostra-s. Ama për sa i përket mizorisë, ata janë ndoshta edhe më të pashpirt dhe më vdekjeprurës se Cosa Nostra. Janë më agresivë, kanë plaçkitur të ardhmen e të rinjve tanë dhe kanë fshirë të shkuarën e të moshuarve tanë, na kanë zhveshur nga dinjiteti qytetar, duke na shndërruar në subjekte të varur, kanë vrarë mundësinë tonë për të zgjedhur dhe e kanë zëvendësuar me të vetmen zgjedhje të mundshme: rendjen e ethshme drejt mjeteve për të na çuar në zgrip. Na kanë vjedhur qetësinë e nevojshme për një cilësi minimale të jetës, na kanë detyruar të bashkëjetojmë me pasigurinë e të drejtës dhe me sigurinë e padrejtësive të përhapura, na dënojnë me pafuqinë dhe me poshtërimin e një skenari të pashpresë…” Partia nr. 67 duhet shkrirë, duhet nxjerrë jashtë ligjit, kushdo qofshin krerët, mbështetësit dhe anëtarët… Kreu i PD-së dhe i opozitës, Lulzim Basha, ka nisur këtë mision, ai duhet ta çojë deri në fund.

Share it :