Mehmetaj, e ftuar në studion e ‘Report Tv’, deklaroi se Rama dhe qeveria e tij nuk e kanë të gjatë pasi tani qytetarët i kanë parë gabimet që ata kanë bërë.

Gjithashtu Mehmetaj sqaroi se vendimi për nisjen e protestave në vend nuk ishte vetëm i LSI-së por edhe i qytetarëve pasi vetë ata do të përcaktojnë edhe përmasat e këtyre protestave.

Më tej Mehmetaj u shpreh: “Nuk është një gjë që varet vetëm nga ne. Për të dalë në protestë nuk ishte një vendimmarrje vetëm nga ne, na shtyn dhe qytetarët, sepse e thënë në gjuhën e qytetarëve ‘nuk mban më’. Përmasat e protestës do ia japin qytetarët. Ne nuk do ndalemi me kaq, do vijojë me gjitha grupet e interesit. Do bëjmë protestë deri sa kjo qeveri të mos jetë më. E them me bindje se Rama dhe kjo qeveri nuk e kanë të gjatë. Populli është këtu, i ka sytë në ballë, dëgjon e shikon, ndaj dhe kjo nuk mund të tolerojë më”.

E pyetur se pse LSI mban një qëndrim të ashpër ndaj ndërkombëtarëve, Mehmtaj u shpreh: “Nuk di që Kryemadhi të ketë mbajtur qëndrime të ashpra ndaj ndërkombëtarëve. Qëndrimet e kolegëve nuk mund t’i komentoj. Ndërkombëtarët janë në Shqipëri për të kryer funksione, por pasojat i vuajmë ne, për sa kohë kemi një qeverisje të papërgjegjshme. Roli i ndërkombëtarëve duhet të ishte më i qartë. Qëndrimi i LSI është që duhet të jemi ne që garantojmë të ardhmen dhe zgjidhet nuk mund t’i presim nga jashtë”.

Ndërsa pyetjes se pse LSI-ja nuk i justifikon paratë e përdorura në SHBA, Mehmetaja sqaroi: “Ne jemi njohur sot nëpërmjet medias, nga media juaj, që ekzistoka një raport i tillë në KQZ. Neve nuk na është përcjellë ky lloj raporti në asnjë rrugë. Neve na është përcjellë raporti që KQZ ka bërë gjatë fushatës zgjedhore, ku çdo veprim i LSI ka qenë konform rregullave. LSI prej gati 2 vitesh ka marrë një iniciativë të sajën për të qenë transparente në lidhje me fondet. Kjo gjendet duke u futur në faqen zyrtare të LSI, ku janë të gjitha shpenzimet”.