Para të krimit/ Sekuestrohen në Shëngjin qindra apartamente dhe dy resorte turistike

 

Artan Cena

arrestimPronat me vlerë më shumë se 10 milionë euro janë në pronësi të Astrit Nimanit, i cili akuzohet në Itali për evazion fiskal. Ai u arrestua në Serbi një vit më parë dhe është ekstraduar

Qindra apartamente banimi, dyqane dhe resorte turistike, prona të Astrit Nimanit, janë sekuestruar në Shëngjin. Pasditen e së martës, Policia e Shtetit ka bërë të ditur përmes një komunikate për mediet se është realizuar ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit Astrit Nimani, banues në Lezhë, të cilat kapin një vlerë tregu rreth 10 milionë euro. Policia shton se veprimet e fundit vijnë në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2013, të regjistruar për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, e të ndjekur me metoda proaktive për një periudhë njëmujore nga Sektori për Krimin Ekonomik-Financiar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

 

Sekuestrimet e pronave

Me vendim gjykate policia ka sekuestruar 10 milion euro të investuara në resorte dhe komplekse banimi në plazhin e Shëngjinit. Policia sqaron se kjo pasuri me 3 pallate me 230 apartamente banimi dhe një hotel me 5 kate i përkasin shtetasit Astrit Nimani i cili aktualisht vuan dënimin në Itali pasi është i dënuar për trafik narkotikësh dhe evasion fiskal. Në njoftimin për sekuestron e kësaj pasurie policia bënë me dije se hetimet një mujore të krimit ekonomik në drejtorinë e Lezhës në bashkëpunim me prokurorin kanë arritur në konkluzionin se ky kapital është përftuar nga pastrimi i parave. Pasuritë e vëna nën sekuestro në plazhin e Shëngjinit: Një godinë 5-katëshe, hotel-bar-restorant me sipërfaqe totale 7940 m2, një godinë 13-katëshe, me sipërfaqe totale 5000 m2, ku përfshihen: 65 apartamente banimi, njësi tregtimi dhe garazhe, një godinë 10-katëshe, me sipërfaqe totale 9500 m2, ku përfshihen: 90 apartamente banimi, njësi tregtimi dhe garazhe parkimi. Në Shqipëri hetimi ndaj Nimanit ka nisur 2 vite më parë ku ai u arrestua në Serbi për llogari të shtetit Italian, ku më pas u ekstradua dhe vuan dënimin pasi ndaj tij gjykata e Milanos kish vendosur në mungesë 7 vite burg për trafik narkotikësh dhe evazion fiskal.

 

Pronat e Nimanit

Referuar të dhënave në qendrën kombëtare të regjistrimit të bizneseve Astrit Nimani rezulton të jetë administrator dhe ortak me 40% i kompleksit turistik “Marina San Giovani”, “Emiri Palace” në Shëngjin, biznes ky i regjistruar në 6 qershor të 2013-ës. Sekuestro është ekzekutuar nga Policia e Shtetit këtë të martë ndërsa hetimet për këtë pasuri në vlerë 10 milion euro janë ende të hapura, pasi burime nga prokuroria sqaruan se po hetohen dhe disa person të tjerë të përfshirë në të njëjtin aktivitet kriminal si Astrit Nimani. Siç njofton policia, këto pasuri dyshohen se janë produkte të veprimtarisë kriminale, të kryera nga shtetasi Astrit Nimani, i cili është arrestuar më 15 nëntor 2013 në Serbi, ndërsa më 20 dhjetor të po atij viti është ekstraduar drejt Italisë, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Roma. Kjo pasi, Gjykata e Apelit e Milanos në Itali, e ka dënuar më 26 nëntor të vitit 2009 shtetasin Nimani me 7 vite heqje lirie, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

 

Hetimi, 16 lazaratas përfundojnë në Gjykatën e Krimeve

 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq 16 banor të Lazaratit, për sulmin me armë ndaj policisë gjatë aksionit për shkatërrimin e parcelave të hashashit. Sipas prokurorisë, është provuar tashmë se 16 të pandehurit janë personat që qëllonin me armë në drejtim të policisë, për të ndaluar operacionin e asgjësimit të parcelave të mbjella me hashash. Zbardhja e emrave të tyre, është bërë me ndihmën e ekspertëve të policisë shkencore që kanë identifikuar gjurmët e gishtave në armët që janë gjetur në vende të ndryshme të hedhura nëpër fshat. Në mesin e të pandehurve, ka edhe të akuzuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe trafikimin e tyre jashtë Shqipërisë.

 

Riatdhesohen 44 shqiptarë, shkelën rregullat e lëvizjes Shengen

 Janë riatdhesuar 44 shtetas shqiptar në vend pasi shkelën rregullat e qëndrimit në zonën Shengen .Operacioni i riatdhesimit u zhvilluar nga autoritetet suedeze në bashkëpunim me ato Franceze dhe Gjermane dhe gjatë fluturimit shoqërimi i shtetasve shqiptarë është bërë nga oficerët e tyre. Shqiptarët u kthyen në atdhe sot rreth orës 15.30, nëpërmjet një fluturimi riatdhesimi të përbashkët me ç’arter, organizuar nga autoritetet Suedeze. numri total i të kthyerve është 44 shtetas, ku 31 janë kthyer nga Suedia, 8 nga Gjermania dhe 5 janë kthyer nga Franca bën me dije policia e shtetit në një njoftim për mediet. Të gjithë të kthyerit janë penalizuar për 5 vjet mos të udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen.

 

 Pranga të riut, i gjendet arsenal armësh dhe maska në shtëpi

 Policia e Shkodrës ka arrestuar gjatë ditës së djeshme një 20-vjeçar, pasi në shtëpinë e tij i është gjetur arsenal armësh. Benard Mhillaj, nga Lezha kishte marrë me qira një apartament në Shkodër. Në kontrollin e ushtruar në këtë apartament në lagjen “Partizani” policia gjeti një pistoletë TT, me krehër të vendosur me 6 fishekë, një thikë në formë biçaku me gjatësi të përgjithshme 21.5 cm, si dhe një maskë me ngjyrë të zezë. Mbi të riun rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe mbajtjes së armëve të ftohta, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Gjyqi ndaj imamëve, dëshmitari: Nuk më ka çuar Muslimani në Siri

Ndonëse Prokuroria po thërret në gjykatë dëshmitare për të provuar akuzat ndaj 9 të pandehurve te akuzuar për dërgimin e luftëtareve në Siri, këta të fundit nuk ngurojnë që edhe para trupit gjykues, ta cilësojnë si detyrim luftën përkrah vëllezërve të tyre. Para gjykatës, këtë gjatë ditës së djeshme ishte thirrur për të dëshmuar Besmir Duka. Ai deklaroi se ishte besimtar mysliman dhe se drejt islamit e kishte shtyrë i pandehuri Fadil Muslimani, me të cilin jetonin në një lagje. I pyetur nga prokurorja, dëshmitari ka mohuar se ai i kishte kërkuar të shkonte në Siri. Por megjithëse përgjigja nga ana e dëshmitarit ishte në favor të të pandehurit, ky i fundit duke komunikuar me dëshmitarin pohoi se mesazhi i liderit të tyre ishte se “kush nuk lufton në Siri, do të dënohet nga Zoti”. Madje tentativës së trupit gjykues për t’i ndërprerë fjalën, i pandehuri Muslimani i është kundërpërgjigjur duke u thënë se për sa kohë ata dëgjonin gjyqtarët që arrestoheshin duke marrë me miliona për korrupsion, duhet të kishin durim të dëgjonin ata, që nuk kishin bërë asnjë krim. Duka ishte dëshmitari i parë dhe i vetëm, i cili u paraqit gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi pesë dëshmitarë të tjerë të thirrur nga Prokuroria, nuk ishin paraqitur. Seanca e radhës është lënë për datën 23 qershor.

 

Share it :