Pandemia zgjat pritjen e shqiptarëve, tre muaj për të marrë një vizë pune në Gjermani

Pandemia zgjat kohën e pritjes në ambasadat gjermane për bashkim familjar, bëhet e ditur nga një përgjigje e qeverisë gjermane në Bundestag.

Më shumë se një vit duhet të presin familjet nga Kosova e Serbia për t’u bashkuar me të afërmit e tyre në Gjermani. Ndërsa në ambasadat e Sarajevës dhe të Tiranës pritja për vizë bashkimi familjar shkon deri në dhjetë muaj, në Shkup deri në tetë muaj.

Këto shifra i jep qeveria gjermane në përgjigje të një pyetjeje me shkrim, të shtruar nga grupi parlamentar i liberalëve (FDP) në parlamentin gjerman (Bundestag), mbi gjendjen e digjitalizimit të procedurës së dhënies së vizave sipas rregullores se Ballkanit Perëndimor.

Kjo do të thotë se kohëzgjatja në pritje për një takim në ambasadë është zgjatur edhe më shumë, nga mesatarisht gjashtë deri tetë muaj që kishte qenë deri në mars të këtij viti për vizën për bashkim familjar, siç dilte në pah kohë më parë (prill 2020) nga një studim evaluimi i Entit të Punës për Rregulloren e Ballkanit Perëndimor.

Vonesa pandemie

Qeveria gjermane e argumenton këtë zgjatje me mbylljen e ambasadave gjatë Covid 19. Që nga 2 korriku 2020, ambasadat kanë nisur sërish të japin viza për një sërë rastesh të justifikuara, siç janë ato të bashkimit familjar. Përveç mbylljes së ambasadave, janë edhe masat e higjienës, që e ngadalësojnë edhe më shumë procedurën e dhënies së vizave. “Kështu për shembull, numri i njerëzve që duhet të jenë njëkohësisht në zyrat e pritjes dhe në sportelet e dhënies së vizave është i kufizuar, e kjo bën që koha e pritjes deri në takim në ambasadë, të bëhet më e gjatë”, argumenton qeveria në përgjigjen e saj.

Ndryshe qëndron puna me personat që vijnë në Gjermani me punë. Vetëm në Beograd, ata duhet të presin dy deri në tre muaj, e në Tiranë deri në tre muaj, deri sa të marrin një takim në ambasadë, shkruhet më tej në përgjigje. Në konsullatat e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk ka nevojë për pritje për vizë pune.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor

Më 26 gusht 2020 qeveria gjermane miratoi zgjatjen e së ashtuquajturës Rregullore të Ballkanit Perëndimor. Ajo u lejon edhe personave me kualifikim të ulët të vijnë në Gjermani për të punuar, nëse kanë një kontratë pune.

Ndryshe nga rregullorja aktuale, që ekziston prej vitit 2016, rregullorja e mëpasshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2021, parashikon një kufizim të kontingjentit prej 25.000 vetësh në vit. Sipas partisë opozitare liberale, zgjatja e rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila është kaq e vlefshme ekonomikisht, ishte veprim i drejtë, por jo kufizimi i numrit të personave.

Qeveria gjermane e justifikon këtë masë kufizuese me kapacitetet nëpër ambasada. Ndërsa liberalët propozojnë që në vend që të kufizohet numri i imigrantëve, më e udhës është që „ambasadave gjermane t’u jepet një mbështetje më e fortë në përpunimin e vizave“. Prej vitit 2021 Gjermania ka vendosur të hapë një Ent Federal për Çështje të Jashtme por ende është e paqartë se sa do të merret kjo zyrë edhe me vizat e Rregullores së Ballkanit Perëndimor.

Qeveria gjermane shpjegon ndër të tjera në përgjigjen e saj se procedura e lënies së takimit në ambasada është tërësisht e digjitalizuar në të gjitha ambasadat. Kërkesat si për vizat nacionale, ashtu edhe për ato Schengen, parashtrohen në internet: kërkesat për vizë dhe të dhënat pajisen me një kod digjital, me anë të të cilit mund të lexohen direkt nga sistemi i brendshëm i Gjermanisë. Në të njëjtën mënyrë kalojnë edhe shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë. Të dhënat përpunohen në mënyrë digjitale e të automatizuat nga Enti Federal i Administratës. Ndërsa vizat Schengen përpunohen në mënyrë të automatizuar, dokumentet e nevojshme për vizat nacionale kalojnë ende në rrugë postare nga njëra zyrë te tjetra.

Më 9 tetor 2020 rregullorja e Ballkanit Perëndimor do të shtrohet për miratim në Dhomën e Landeve (Bundesrat). Mbas kalimit në Bundesrat, rregullorja hyn në fuqi më 1 janar 2021./DW/

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.