Artan Cena
I dënuari prej datës 20 qershor është larguar jashtë vendit dhe policia nuk e di se ku ndodhet. Gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Dytë ka prishur vendimin për lirimin e të akuzuarit kryesor për krimin
Arben Frroku është dënuar me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Vendimi është marrë nga Apeli i Krimeve të Rënda gjatë ditës së djeshme. Pas dhënies së pafajësisë nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë, Prokuroria e kishte apeluar vendimin duke kërkuar dënimin me burg për jetë. Gjatë seancës së djeshme Apeli ka vendosur që ta dënojë atë. Arben Frroku nuk ka qenë i pranishëm gjatë dhënies së vendimit, ndërsa familjarët e tij kanë bërë të ditur se ai nuk ndodhet në Shqipëri që prej disa ditësh. Pas dhënies së vendimit me burg përjetë, ka reaguar edhe avokati i Frrokut, Genc Gjokutaj. Sipas tij, “Gjykata janë nën presionin politik”. Gjokutaj ka thënë se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. “Është një vendim nën presion, ka kohë që drejtësia është nën presion. Megjithatë, ne do ndjekim rrugën ligjore pasi nuk kemi shteg tjetër për të kundërshtuar. Gjykata ka dhënë vendim në kundërshtim me të gjitha aktet që përmban në dosje. Problemi është kur nuk gjykon Gjykata, është një nga ato raste kur shoqëria duhet të ndalet, pasi tani ka mbetur të merret fashikulli i gjykimit të bëhet publik, të bëhet njohuri popullor. Këtu flitet për gjykata nën presion, ka një trysni nga politika. Dekriminalizimi, një qëllim i tillë nuk mund të arrihet pa respektuar procedurat siç janë, me instrumente politik të ndërhysh në drejtësi është një eksperiment i vështirë dhe i pamundur. Ne do të bëjmë rekursin në Gjykatë të Lartë”, – u shpreh avokati Gjokutaj.
5 ARGUMENTET E PROKURORISË
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda duhet të ndryshohet për sa i përket deklarimit të pafajshëm të të pandehurit Arben Frroku për kryerjen e veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuara”, në bashkëpunim, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, pasi ky vendim mendojmë se nuk është i arsyetuar drejt dhe vjen si rezultat i një çmuarje, analizë dhe interpretimi të njëanshëm dhe me mungesë objektiviteti të provave të cilat i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Gjykata në mungesë të një transparence, jashtë seancës gjyqësore ka arritur në konkluzione të cilat do të duhej të diskutoheshin gjatë debatit gjyqësor, mbi kërkesën e palëve apo dhe kryesisht, lidhur me këqyrjen e CD-ve që lidhen me pamjet e vendit të ngjarjes dhe rrugëve rreth saj. Gjithashtu, në këtë gjykim nga ana e gjykatës është refuzuar që të merren prova mbi kërkesën tonë, prova të cilat lidheshin me dëshmitarin e mbrojtur Arben Ndoka dhe që kishin të bënim mbi kërcënimet që i bëheshin familjes së tij, para dhënies së dëshmisë në gjykatë apo dhe me dekonspirimin e identiteteve të tij të bëra prezent nga i pandehuri në një intervistë për televizionin “News 24”. Në konkluzionet përfundimtare të datës 18.3.2015, renditëm provat të cilat në harmoni me njëra-tjetrën, provonin më së miri tej çdo dyshimi kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohej i pandehuri Arben Frroku.
Së pari, identifikuam motivin i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjes me armë të viktimës.
Së dyti, provuam mekanizimin e kryerjes së kësaj vrasje, si numrin e personave, mjetet e përdorura, itinerarin e ndjekur prej tyre, etj.
Së treti, provuam praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes, e konkretisht në rolin e ekzekutorit.
Së katërti, rrëzuam alibinë e tij lidhur me qëllimin e vajtjes së tij të menjëhershme në Greqi natën e ngjarjes.
Së pesti, provuam mundësinë e largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit deri në momentin e kalimit të tij në pikën e kalimit kufitarë Kapshticë-Korçë.
Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit është ndalur kryesisht, duke ç`vlerësuar provat e paraqitura nga ana jonë, e duke marrë në konsideratë e çmuar, si dhe duke i dhënë vlerë të paracaktuar provave të paraqitura nga ana mbrojtjes, të cilave nuk ju ka bërë të njëjtën analizë të hollësishtme në kuptimin e vërtetësisë së tyre, pra duke përdorur një standart ndryshe.
Sipas arsyetimit të gjykatës, provohet se i pandehuri Arben Frroku natën e kryerjes së krimit, e pikërisht nga ora 17:30 deri në orën 21:27 ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, tip “Mercedes Benz GL”, me targa AA 008 DC nga kompania e tij “AML Grup” në zonën e Misto Mames këtu në Tiranë, deri në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë. Arsyeja e largimit drejt Greqisë e të pandehurit pasditen e datës 24.02.2013 sipas gjykatës, ishte për t`u interesuar të nesërmen më datë 25.02.2013 rreth kushëririt të tij Sokol Frroku, i cili gjendej me leje të përkohshme nga Institucioni i Ekezekutimit të Vendimeve Penale, ku po vuante një dënim penal për një krim në fushën e narkotikëve. Gjatë itinerarit të lëvizjes nga Tirana në Kapshticë, i pandehuri po sipas gjykatës, ka përdorur për të komunikuar numrat e tij celularë 0692053021 dhe 0694002554. Me këta numra celularë gjatë segmentit rrugor Tiranë-Kapshticë, ka komunikuar me dëshmitarët Arnisa Guri, Korado Deda, Gjon Gjoni, Gëzim Deda dhe Mark Frroku.
– Gjykata për të provuar arsyen e largimit të të pandehurit Arben Frroku nga Tirana në drejtim të Selanikut pasditen e datës 24.02.2013 u mbështet tek dëshmitë e familjarëve dhe shokëve të të pandehurit siç janë dëshmitarët Mark Frroku, Besnik Toma, etj., si dhe nga deklarimet e bëra nga vetë i pandehuri Arben Frroku në hetimet paraprake, të cilat u lexuan pasi kundërshtoi të pyetej dhe u administruan gjatë gjykimit, sipas neneve 370/2 e 371 të Kodit të Procedurës Penale.
Por, ndryshe nga ç`farë thuhet në vendimin e gjykatës, shpjegimet e të pandehurit Arben Frroku dhe familjarëve dhe shokëve të tij kanë ndryshuar gjatë hetimit dhe gjykimit të kësaj çështje lidhur me arsyjen e vajtjes së tij në Greqi.
Këto dëshmi janë parë në mënyrë të njëanshme nga gjykata duke mos marrë në konsideratë ndryshimet në këto deklarime të cilat janë marrë në seancë gjyqësore.
Fillimisht, të pyetur menjëherë pas ngjarjes me datë 24.02.2013, si i vëllai i tij dëshmitari Mark Frroku dhe familjarët e tjerë të tij, nuk kishin informacion lidhur me të pandehurin Arben Frroku.
Të nesërmen më datë 25.02.2013 e në vijim, të pyetur mbi largimin e të pandehurit Arben Frroku në drejtim të Greqisë, ata shpreheshin në deklarimet e tyre se kishte shkuar atje, pasi më datë 25.02.2013, kishte një gjyq kushëriri i tij Sokol Frroku i arrestuar nga policia Greke.
Në vijim, gjatë gjykimit shpreheshin se arsyeja e vajtjes në Greqi ishte takimi me një avokat për interesa të kushëririt të tij Sokol Frroku. Për këtë, po ndalemi tek spjegimet e dy prej dëshmitarëve, për të provuar se si ato kanë ndryshuar nga hetimi në gjykim, e konkretisht të dëshmitarëve Mark Frroku e B.T.
Në deklarimin e bërë para Prokurorit, më datë 24.02.2013, dëshmitari Mark Frroku ndër të tjera deklaron se: “…Sot më datë 24.02.2013 unë dhe Arbeni kemi qënë në Laç për të parë ndeshjen midis Kamzës dhe Tërbunit, pasi unë dhe Arbeni jemi aksionerë të ekipit të Tërbunit. Unë kam ikur në Laç me makinën time së bashku me djalin e dajës Jak Jaku dhe djalin e tezes Besnik Toma. Arbeni ishte me makinën e tij bashkë me Vlash Gjonin, nipin Leon Gjoni. Gjatë ndeshjes kemi qënë bashkë në tribunë. Edhe pas ndeshjes jemi kthyer për Tiranë sejcili në makinën e vet. Deri tek dogana në të hyrë të Tiranës kemi qënë njëri pas tjetrit, pastaj se kam parë më. Unë kam shkuar tek rruga e Durrësit në zyrat e Partisë Krisjan Demokrate, pasi jam Sekretarë i Përgjthshëm i kësaj partie, ndërsa për Arbenin nuk di të them se ku ka shkuar. Nuk më kujtohet saktë, kur kam arritur tek zyrat e partisë apo kur kam dalë nga zyrat e partisë kam marrë në telefon Arbenin dhe kam biseduar me të për punë pune, nuk e kam pyetur se ku ishte. Veç këtij komunikimi nuk kam patur komunikim tjetër vetëm kur ka ardhur policia në shtëpi rreth orës 20;30. E kam marrë në telefon Arbenin dhe e kam pyetur se ku ishte. Ai më tha se ishte në Korçë me Jak Jakun dhe do të shkonte në Selanik për t`u takuar me djalin e xhaxhait i cili kishte marrë disa ditë leje për të dalë nga burgu. I komunikova që e kërkonte policia dhe më tha se do të kthehej në Tiranë. Pas këtij momenti nuk kam komunikuar më me Arbenin…”. Këto deklarime janë përdorur për kundërshtime të dëshmisë së dëshmitarit Mark Frroku gjatë gjykimit sipas nenit 362 të K.Pr.Penale dhe bazuar në nenin 371 të K.Pr.Penale janë bërë pjesë e fashikullit të gjykimit. Pra, na rezulton se vëllai i të pandehurit Arben Frroku, dëshmitari Mark Frroku, natën e ngjarjes më datë 24.02.2013, rreth orës 22;00 kur është pyetur para prokurorit, nuk dinte se ku ishte vëllai i tij mbazditen e datës 24.02.2013 dhe vetëm nga biseda telefonike rreth orës 20;30 e kishte mësuar se i pandehuri po shkonte në Greqi, për të takuar kushëririn. Por, në gjykim ky dëshmitarë lidhur për këtë moment më datë 23.04.2014 shprehet se; .. Mbasi kemi parë ndeshjen jemi nisur secili me makinën e vet. Unë me makinën time dhe Beni me makinën e vet. Kemi pasur edhe disa makina të tjera, shokë tonë dhe njerëz tonë me vehte dhe tek rreth rrotullimi i doganës jemi ndarë. Unë kam ardhur tek biznesi tek rruga e Durrësit në hyrje të ambasadave, ndërsa Beni ka shkuar tek biznesi jonë në Misto Mame. Unë e kam dit që Beni, jo vetëm unë, por gjithë familja, shokët e miqtë tanë që Beni do shkonte në Greqi në lidhje me një çështje të kushëririt tonë që kishte të hapur në Greqi..” . Po ti referohemi deklarimit të bërë nga i pandehuri Arben Frroku me datë 13.12.2013, rezulton se dëshmitari Jak Jaku ishte shoferi i dëshmtarit Mark Frroku dhe meqënëse shoferi i Arbenit, shtetasi Vlash Gjoni nuk ishte mirë nga ana shëndetësore, mori shoferin e Markut, dëshmitarin Jak Jaku. Pra dëshmitari Mark rezulton se nuk ka ditur asgjë mbi lëvizjet e vëllait të tij, shoferit të tij e kështu me rradhë.
Gjykata nuk e ka vlerësuar siç duhet këtë dëshmi. Po në këtë drejtim vjen dhe dëshmia e Besnik Tomës i cili është kushëriri i të pandehurit Arben Frroku. Ky dëshmitarë ka qëndruar si shofer i dëshmitarit Mark Frroku, gjatë gjithë ditës më datë 24.02.2013. Dëshmitari Besnik Toma, i pyetur gjatë gjykimit shprehet se ishte në dijeni që i pandehuri Arben Frroku do të ikte në drejtim të Greqisë pasditen e datës 24.02.2013 së bashku me dëshmitarin Jak Jaku për faktin se kishte një gjyq kushëriri i tij Sokol Frroku në Selanik. Por në fakt, gjatë pyetjes së këtij shtetasi në fazën e hetimeve paraprake, e konkretisht natën e ngjarjes më datë 24.02.2013 rezultoi se ai nuk kishte asnjë dijeni për ikjen në drejtim të Greqisë të të pandehurit, duke mos e deklaruar një fakt të tillë. Këto deklarime janë përdorur për kundërshtime të dëshmisë së dhënë prej tij në gjykatë sipas nenit 362 të K.Pr.Penale dhe në bazë të nenit 371 të K.Pr.Penale janë bërë pjesë e fashikullit të gjykimit. Por ajo ç`farë ne konstatojmë në arsyetimin e vendimit të gjykatës është fakti se deklarimet e bëra në fazën e hetimeve paraprake nga dëshmitarët Mark Frroku dhe Besnik Toma si dhe nga dëshmitarë të tjerë që mbrojnë argumentat e të pandehurit edhe pse citohen në vendim se janë përdorur për kundërshtime të dëshmisë së tyre sipas nenit 362 të K.Pr.Penale, nuk përshkruhen dhe nuk analizohen për kundërshtitë thelbësore midis dy qëndrimeve të tyre. E në vijim, merren si të mirëqena thëniet në gjykatë dhe vendosen në themel të arsyetimit, në kuptim të alibisë së provuar, se i pandehuri po lëvizte në drejtim të Greqisë, natën e ngjarjes sipas një plani të paracaktuar për të cilën ishin në dijeni të gjithë familjarët dhe shokët e tij.
Një standard vlerësimi ndryshe të provave mban gjykata lidhur me dëshmitë e dëshimtarëve Esmeralda dhe Anila Lamaj, ku jo vetëm në citimin e dëshmisë së tyre nuk jepen të plota qëndrimet që ato kanë mbajtur para gjykatës rreth raporteve të viktimës me të pandehurin të dhënave se ky i fundit e ka kërcënuar para ngjarjes, por gjen vend kundërshtimi i dëshmisë së tyre me deklarimet e dhëna në fazen e hetimeve paraprake, të kërkuar nga mbrojtja dhe të pranuara dhe të administruara nga gjykata. Gjykata po në këtë kuadër, nuk ka çmuar dhe vlerësuar si duhet edhe disa prova të tjera të sjella nga ana jonë gjatë gjykimit dhe të cituara në konkluzionet përfundimtare, të cilat rrëzojnë alibinë e të pandehurit mbi arsyen e ikjes së tij në Greqi, e konkretisht; Biseda telefonike e përgjuar, e cila është zhvilluar më datë 25.02.2013 në orën 00:00:07 midis të pandehurit Arben Frroku (i cili kishte shkuar ne Selanik pas vrasjes) me numrin celular 00306973173278 që përdorej nga dëshmitari Sokol Frroku në Greqi dhe bashkëjetueses së tij, dëshmitares Artenisa Guri me numër telefoni 0696006069, ku në bisedë e sipër i pandehuri i thotë se: “neser ka nji gjyq kushëriri im, neser ishalla i prehet bo, për tjerat so tu plas k…, ato derrat vazhdojnë punën e vet”. Pra i pandehuri i ka dhënë “vijën e sjelljes” bashkëjetueses Artenisa, e cila kur është pyetur në ditët në vijim këtë arsyetim ka shprehur para Of.Pol.Gjyqësore.
Letërporosia e ardhur prej autoriteteve gjyqësore Greke, më datë 18.07.2013. Nga kjo letërporosi janë administruar këto akte dhe të dhëna;
– Në seancën e datës 04.04.2013, zhvilluar në gjykatën e Selankut në Greqi, i pandehuri ndër të tjera shprehet se; “… Banoj në Tiranë dhe nëna ime është me origjinë greke. Në Greqi vij shpesh për punë dhe kohët e fundit vij për të vizituar kushëririn tim Sokol Frroku që ndodhet në burg….Nuk kam asnjë lidhje me krimin që më atriubohet. Momentin e krimit isha jashtë Tirane, isha rrugës për të ardhur në Greqi. Kisha një takim të programuar me avokatin e kushëririt tim, këtë e dinte prej kohësh edhe familja ime. Ndjekja ime është politike….unë jam pronar i një skuadre që kishte fituar, bastet kishin shkuar mirë dhe kjo ishte arsyeja se pse isha i gëzuar. Kërkoj që të mos ekstradohem..”.
– I pandehuri Arben Frroku, pyetur nga Of.Pol.Gjyqësore më datë 25.02.2013, lidhur me lëndën narkotike të gjetur në dhomën e hotelit së bashku me dy kushërinjët e tij është shprehur se; “…kam 5 vite që jam përdorues jo i rregullt (hera herës) i kokainës dhe herën e fundit e konsumova në orët e para të mëngjesit të datës 25.02.2013…. Sasia e kokanës që ishte në vend të dukshëm dhe që ua dorëzova juve ishte pjesë e mbetur e një sasie të papërcaktuar kokaine që ma ofroi pa para Jak Jaku pak përpara arrestimit, një pjesë të së cilës e kam konsumuar së bashku me Jak Jakun dhe Sokol Frrokun në dhomën e hotelit të sipërpërmendur…”.
– Shtetasi Sokol Frroku nuk kishte asnjë gjyq të planifikuar ditën e hënë datë 25.02.2013, por ai tashmë ishte i dënuar për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe ishte duke vuajtur një dënim penal të dhënë nga gjykatat greke. Ai gjendej me leje të posaçme nga data 19.02.2013 – 25.02.2013, të dhënë nga “Burgu Bujqësor Asandhra, Greqi”.




