Pa shpjegim, por ndodh! Nuk ndalet rënia e euros/ Valuta evropiane arrin minimumin e saj historik
Kursi i këmbimit të Euros me lekun e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke prekur një minimum të ri historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.34 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me 1.5%, ndërsa me bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur nivelin 3.3%.
Ashtu siç edhe pritej, tremujori i dytë i vitit i ka forcuar edhe më shumë presionet zhvlerësuese mbi Euron. Kjo tendencë është e lidhur me rritjen e flukseve valutore hyrëse.
Sipas agjentëve të këmbimit, oferta valutore në treg është e bollshme, ndërsa kërkesa nuk shfaq luhatje të mëdha.
Banka e Shqipërisë po vazhdon të luajë një rol rregullues mbi tendencën e rënies së kursit të këmbimit, por blerjet e saj nuk janë të mjaftueshme për ta ndalur plotësisht këtë rënie.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, për objektivit të rritjes së rezervës valutore, por në pjesën më të madhe në funksion të qëllimit për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të Lekut. Sasia e valutës së blerë u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, në periudhën 2024-2025 Banka Qendrore ka blerë afërsisht dy miliardë euro në tregun valutor, blerje që vetëm sa e ka ngadalësuar rënien e Euros




