Jetmir Olldashi
Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Kukësit, Mimoza Hajdarmataj, denoncon presionet që po bëhen nga qeveria në Tropojë për të manipuluar zgjedhjet
“Askush nuk mund ta kërcënojë apo shantazhojë popullin e Tropojës”. Pas një sërë denoncimesh të bëra nga deputetja e selisë blu mbi presionin që ushtron pushteti mbi banorët e Tropojës, kjo ka qenë deklarata që u jep mbështetje përkrahësve të opozitës në një bastion të saj. Zonja Hajdarmataj ka akuzuar segmente të administratës publike dhe qeverisë për presionin që po ushtrohet ndaj nëpunësve të thjeshtë. “Presioni që po ushtrohet për tjetërsimin e vullnetit të votës së tyre, madje edhe të familjareve të tyre në këmbim të vendit të punës është një rast i paprecedent në një sistem demokratik. Presioni dhe shantazhi ndaj punonjësve të administratës është shenjë e panikut që i ka zënë dyshen Rama-Meta për humbjen jo vetëm në Tropojë, por në gjithë Shqipërinë. Dhjetëra raste janë denoncuar nga punonjës të hidrocentralit të Fierzës, të cilëve u është kërkuar të paraqesin të dokumentuar me foto apo filmim votën e tyre nëse duan të jenë në punë edhe pas datës 22 qershor”. Ndërkaq, ligjvënësja e selisë blu garantoi çdo qytetar të kërcënuar nga pushteti se Partia Demokratike do të jetë pranë tyre. Deputetja e Tropojës garantoi se nuk do të lejohet manipulimi i asnjë vote të vetme, do të monitorohen rreptësisht çdo qendër votimi dhe do të garantohet e drejta themelore e njeriut, fshehtësia e votës. “Jemi këtu për të garantuar çdo votues, veçanërisht ata që janë në një presion të tillë që vota e tyre është e shenjtë dhe Partia Demokratike do të jetë pranë çdo qendre votimi për të vëzhguar, ndaluar dhe denoncuar çdo tendencë për shkelje të fshehtësisë së saj dhe më tej për të mbrojtur këdo që mund të cenohet për shkak të vullnetit të tij politik të përkthyer me votë në dt. 21 qershor”. Deputetja demokrate u shpreh e bindur në fitore. Ajo u kujtoi pushtetarëve se nuk kërcënohen njerëzit me bukën e gojës së fëmijëve, sidoqoftë kush e bën këtë veprim do të mbajë përgjegjësi të plotë dhe nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. “Askush nuk mund ta kërcënojë apo shantazhojë popullin e Tropojës. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Tropojës, votoni masivisht më dt. 21 qershor, shprehni vullnetin tuaj të lirë dhe mos lejoni t’ju nëpërkëmbin. Personat që kanë kërcënuar punonjësit e hidrocentralit me bukën e fëmijëve do të përgjigjen para ligjit. Bëni kujdes ju njohim, ju dimë me emër e mbiemër do të mbani përgjegjësi”. Zonja Hajdarmataj u shpreh e bindur se 21 qershori është festë e demokracisë, tropojanët dhe shqiptarët me votën e tyre do ta ndalin të keqen, do të votojnë për punë dhe dinjitet. Besnik Dushaj është kandidati i opozitës për Bashkinë e Tropojës. Zoti Dushaj la mandatin e deputetit për të kandiduar për kryebashkiak të qytetit verilindor. Tropoja njihet si bastion i djathtë dhe është edhe vendlindja e liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në 25 vjet demokraci rezultati i të djathtës në këtë trevë nuk është lëkundur asnjëherë dhe ka qenë e pastër dhe me diferencë në rezultat.
Fran Frrokaj: Unë veproj konkretisht, ndryshe nga rivali që vetëm flet
Edhe pak ditë na ndajnë nga një e kaluar jo korrekte për mënyrën e trajtimit të qytetarëve lezhjanë si nga bashkia ashtu edhe nga pushteti qendror, ndaj çdo njëri duhet të ndërgjegjësohet për të reaguar fuqimisht me votë në 21 qershor. Bashkia e Lezhës, nëpërmjet titullarit të saj, i ka neglizhuar qytetarët dhe problemet e tyre. Këto janë bisedat që kandidati për kryebashkiak të Lezhës ka zhvilluar me banor të lagjes “Skënderbeg”. Problemet tuaja janë krejtësisht të dukshme dhe aspak komerciale për shkak të fushatës. Mungesa e ndriçimit, e stolave në këtë lulishte të vogël, e qendrës shëndetësore jashtë kushteve për të trajtuar të sëmurët, infrastruktura e kësaj lagjeje dhe sigurisht si në çdo lagje edhe shërbimi i pastrimit është aq i cunguar saqë mund të vërehet lehtësisht kur përshkon këtë lagje. Kryebashkiaku në largim flet për projekte madhore, por në fakt harron se Lezha ka probleme të prekshme që ndeshën çdo ditë nga qytetarët e që presin zgjidhje. Mungesa apo zaptimi i trotuareve, biznese që mbyllen çdo dite për shkak të mungesës së politikave të njësisë vendore, cenimin e jetës së qytetarëve me veprimet e në shumë raste me mos veprimet e tij. Unë dua të nënshkruaj me ju një kontratë shoqërore e juridike në mënyrë që në ballafaqimet e nesërme të jemi konkret dhe të prekshëm me mbajtjen e premtimeve tona duke realizuar ato punime të cilat po i deklarojmë edhe tani. Ajo që është një çudi e madhe është fakti se në rrugët e Lezhës mungon thuajse plotësisht ndriçimi, ndërsa së fundmi kryetari në largim i bashkisë ka krijuar një kaos duke nisur punime elektorale, por nuk justifikohen 8 vitet e drejtimit të bashkisë në 8 muajt e fundit e aq më keq në 30 ditë para zgjedhjeve siç po veprohet aktualisht, ndaj duhet ndëshkuar ky model. Në programin tim për qytetin e Lezhës, një vend të rëndësishëm zënë rikualifikimi dhe shtimi i hapësirave të gjelbra për qytetarët, e ky nuk është thjesht premtim. Diferenca mes meje dhe rivalit Tusha është e dallueshme, e ajo lidhet me faktin e të vepruarit në mënyrë konkrete nga ana ime dhe shmangies totale nga premtimet të përfaqësuesit të LSI-së. Kam dhënë argumente që jam njeri i fjalës dhe i punës ndaj sistemimi i lagjes “Skënderbeg” do të jetë detyrimi im, si një obligim që në fakt duhet të ketë një kryeqytetas mes të barabartëve.
Alibeaj: Nuk më mungon guximi për t’u përballur në emër të qytetarëve
Përfaqësimi qytetar në bashkinë e madhe të fierit do të jetë çelësi për një qeverisje të mirë dhe të hapur. Senati i Fierit do të jetë garanci për mirëqeverisjen për Enkelejd Aliebaj kandidat i opozitës për bashkinë e Fierit i cili i ftuar në një takim të organizuar nga shoqata “Ëomen Millennium Netvork”. Kjo e fundit e organizoi takimin me synimin që të nxisë pjesëmarrjen në votime për pjesën gri të votuesve. Punësimi nëpërmjet uljes së taksave dhe ofrimit të mjediseve publike për të rinjtë si dhe profilizimi ekonomik I bashkisë së madhe janë mekanizma të përfshirë në programin qeverisës të z. Alibeaj. I pyetur nëse do të guxojë të përballet me pronarët e mëdhenj në bregdet por edhe ata të heshtur që posedojnë toka bujqësore në mënyrë abuzive siç është rasti i Gracallisë, Alibeaj u përgjigj se guximi por as kokëfortësia nuk I ka munguar gjatë eksperiencës së tij në politikë. Takimet e z. Alibeaj kanë vazhduar me forumin e gruas së PD-së, ku mori mbështetjen e plotë për të qenë në krye të Bashkisë së Fierit.




