Gëzim Saliu
Ish-kryeministri: Ku janë reformat e qeverisë? Diskriminuat shqiptarët në mënyrën të tmerrshme, Rama shëtit nëpër Shqipëri si kuçedër duke u thënë shqiptarëve se do t’u presë ujin
Opozita akuzoi dje në seancën parlamentare, mazhorancën qeverisëse se po ngre skema manipulimi për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Ish-kryeministri Berisha në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit deklaroi se kreu i qeverisë ka mobilizuar kriminelë si vendas ashtu edhe ndërkombëtarë për të shkatërruar zgjedhjet, ndërsa deputetja demokrate Jozefina Topalli foli për një skemë të mirorganizuar në Shkodër për blerjen e votës.
Deklaratat
Për ish-kreun e qeverisë shqiptare, mazhoranca e majtë po bënë përpjekje të papërmbajtura për të rrënuar zgjedhjet vendore. “Po bëni përpjekje të papërmbajtura për ti rrënuar ato, për ti bërë vendit një dëm të pallogaritshëm. Keni mobilizuar mafien kombëtare dhe ndërkombëtare për të rrënuar zgjedhjet në Shqipëri. Dhe ju garantoj se do dështoni”, – tha ai. Ndërsa ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli zbardhi në Parlament skenarin e blerjes së votës që sipas saj po aplikohet në Shkodër. “Para një jave në spitalin e Shkodrës ka ndodhur diçka e padëgjuar ndonjëherë ndaj një mjeku shumë të nderuar. Deputeti rilindas i ka shkuar në zyrë, i ka kërkuar dy tendera dhe i ka kërkuar gjithashtu me dhunë, kërcënim, vende pune. Çfarë po ndodh në Shkodër nga deputeti rilindas, e keni parë ju në media sesi jeni kthyer tek kuponi, tek triska për të blerë votën? Japim kuponin 5000 lekë, i kërkojmë numrin e votave që i përgjigjen shifrës 5000 lekë dhe i drejtojmë te dyqani ku merren në këmbim të votës xhinse, të brendshme apo ndonjë bluzë”.
Reformat e qeverisë
Nga ana tjetër në fjalën e tij në Parlament, ish-kryeministri Berisha u mbështet edhe tek situata në vend duke i cilësuar antireforma të gjitha masat e ndërmarra nga qeveria në këtë 18 muaj. “Të quash arritje reformën e pensioneve se zgjatët 2 vite moshën e pensionit të njerëzve më të vuajtur të kontinentit, njerëzve të cilët u shkrinë si skllevër në një sistem skllavërie modern, ky është cinizëm ekstrem”, – tha ai. Më tej Berisha tha se eksodi i shqiptarëve në vendet e BE-së vjen pikërisht prej keqqeverisjes. “Këto janë dy rastet që kanë kërkuar shqiptarët azil politik masiv pas viteve 44 – 45. Ambasadat dhe tani qeveria e dështimeve totale. Po pse po ikin këta njerëz? Sepse ai atje të paktën një racion bukë e ka, ilaçe ka, fle ashtu kolektivisht me njerëz të tjerë në dhomë por përsëri është më mirë se sa në mjerimin ku i zhytët ju”. Më tej duke iu referuar ligjit të arsimit, Berisha tha se kryeministri është paguar miliona euro për atë ligj. “Ja u them edhe një mijë herë se është paguar miliona. Faktikisht rrënon një sistem të tërë, edhe ashtu siç ishte, i brishtë ishte, edhe ashtu siç ishte kishte nevojë për reforma, kishte nevojë për mbështetje. Dhe ju premtuat se do rrisnit me 5.2% buxhetin për arsimin, në një kohë kur rritët në 1000% buxhetin tuaj familjar. Dhe tani çfarë bëni me ligjin? Tinëzarë. Kërkoni që ligjin ta shtyni sapo studentët të hynë në provime, që të mos ketë protesta dhe më pas të miratoni ligjin”, – deklaroi ish-kryeministri.
Betohen 8 deputetët e rinj të Kuvendit
Seanca e djeshme nisi me betimin e 8 deputetëve të rinj të cilët fituan mandatin për shkak të kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit që u zgjodhën nga radhët e deputetëve. Pesë nga deputetët e rinj janë gra, duke e çuar në 31 numrin e grave në sallën e parlamentit ose në 22% të anëtarësisë së Kuvendit. Deputetët e rinj nga mazhoranca janë: Bujar Çela i cili mori mandatin e lënë nga kandidati për Bashkinë e Fierit Armando Subashit. Ndërkaq, mandati i deputetes Majlinda Bufi i kaloi zonjës Antoneta Shima e ndërsa me kandidimin e Artur Bushit në krye të Bashkisë Krujë mandati i kaloi Shkëlqim Troplinit. Edlira Çekrezit mori mandatin e deputetit pas kandidimit të deputetes së LSI-së Majlinda Rira në garën e 21 qershorit. Ndërkaq nga kampi i opozitës mandatin e Halim Kosovës e mori Asllan Dogjani, mandatin e kandidatit për Bashkinë Elbasan Ardian Turku e mori Arbiola Halimi, mandati i deputetit Besnik Duzha i kaloi zonjës Mimoza Hajdarmatajt e ndërsa mandatin e deputetes demokrate e cila kandidon për kryetare bashkie në Shkodër Voltana Ademi, e mori Irma Koplikut.
Akuzat dhe replikat e plota/ Debati në Kuvend, batutat pa mikrofon të deputetëve. Cili është ministri me historinë rozë?!
Bogdani: Të paktën për krenaristët duke i parë festën që kanë këtë javë 17 majin, me që është dita e krenaristëve, por mos harroni se për qytetin e ndershëm jeta është më e vështirë, ekonomia e familjeve më e cenuar dhe dinjiteti më i dhunuar.
Berisha: Shkoni në Surrel, shihni sarajet 1 milionë e gjysmë euro. Është bërë Surreli si me qenë fshati Don Korleones. Shkoni, ndiqni këta ministra se si u pasuruan. Dasmën thotë ma bëri mamaja, del me 200 mijë euro vila. Dhe dëgjoni ç’thotë (Veliaj). Punët e mira bëhen pa lekë, thotë. Ky është slogani hajdutit. Dhe është i pacipë fare
Beqaj nga vendi: Si s’të vjen zor…
Berisha: Po vjedh me kushëririn Beqaj 6 milionë euro për check up-in e familjarëve të vet. Keni krijuar farmaci virtuale, mbi 20.
Ndërhyn Ahmetaj nga vendi
Berisha: Pusho aty ti, mos fol nga mbrapa. Reformat në ato ministri të cilat bëjnë mbledhje për të mos folur për historitë rozë të ministrave. A e dini ju që në ministrinë tuaj bëhet mbledhje dhe thuhet mos flisni për historinë rozë të ministrit…
Berisha, Arben Çukos: Dhe mos mendo ti se me ato komplimentet që ti i bën Kryeministrit në shesh nuk marrin vesh lushnjarët se cili është ai. Mos mendo t’i bësh dush me kotësira. Po t’i thoshe që këtu qytetari yt, Zela, u var në qeli se e burgose për 35 dollarë.
Çuko nga vendi: Do i presim hundën atij që gënjen.
Berisha: KLSH ka gjetur se Traku Fest nuk është zhvilluar fare. Dhe Traku Fest i përkiste Ministrisë së Kulturës, por do ta bënte ai sepse do rregullonte kalanë për dasmën e tij. Shkoni pak në Teatër. Një bixhozxhi që luan gjithë ditën bixhoz, ka vënë kryetaren si kryeideatore të teatrit, i vëllai ministres është omnipotent, i gjithëfuqishëm merr dhe drejtorin si actor në pjesë, se do mbushë xhepat. Ka vendosur në opera kushërirën, ajo mund të jetë e talentuar nuk them por ama është përzënë nga çdo orkestër. Jo për paaftësi, sepse nuk i vë në diskutim aftësitë personale asaj
Pollo: Me çfarë u be vila e çiftit kryeministror, s’dua ta paragjykoj po të dalë e të bëjë transparencë.
Braçe: Mos fol me ne, drejtohu nga ata të tutë, hajde mos i drejto knej nga ne kur flet.
Pollo: Taksa të larta, korrupsioni, varfëria dhe eksod.
Braçe: Kush je ti mer, nga vjen ti mer, kush është ky mo…
Blushi: Maqedonia nuk është një shtet demokratik, shtypet opozita, të drejtat etnike, ka autokraci. Shqiptarët në Maqedoni janë në krizë përfaqësimi. Të mbështesim demokratët në Maqedoni… Sa i përket vizitës së Erdoganit në këmbim të dhuratës ai kërkoi largimin e një organizate. Ne nuk jemi palë në konfliktin politik që ka Turqia. Askush nuk mund të vijë këtu të na kërkojë që nuk bëjnë kundërshtarët e tij për arsye politike. Më intereson liria jonë për të vendosur. nuk mund ta pranoj, ne nuk jemi koloni e askujt.
Topalli: Çfarë po ndodh në Shkodër nga deputeti rilindas, e keni parë ju në media se si jeni kthyer tek kuponi, tek triska për të blerë votën? Japim kuponin 5000 lekë, i kërkojmë numrin e votave që i përgjigjen shifrës 5000 lekë dhe i drejtojmë te dyqani ku merren në këmbim të votës xhinse, të brendshme apo ndonjë bluzë
Ilir Beqaa, Topallit: Mos pini më duhan në ambiente publike!




