Artan Cena
Gjergj Cukali është arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë në zonën pranë “Tajvanit”. Poshtë sediljes së tij, policia gjeti një armë të llojit “Shotgan”
Aksioni ndaj një personi që merrej me shitje droge ka çuar në pranga edhe një personazh të njohur të krimit në Tiranë. Gjergj Cukali është arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë në një ndër zonat më të populluara të Tiranës, në rrugën “Ibrahim Rugova”, në zonën pranë “Tajvanit”. Policia e Tiranës në fakt ishte vënë në ndjekje të shokut të tij, Klaudio Begaj, i cili është arrestuar për trafik droge, por gjatë kontrollit poshtë sedijes së Cukalit në makinën e llojit “Porche” është gjetur një armë “Shotgan”. Pas kësaj menjëherë janë vënë prangat në kyçet e Cukalit i cili është ndaluar për “armëmbajtje pa leje”. Cukali njihet nga policia prej vitesh pasi ka qenë i përfshirë në disa ngjarje të bujshme në Tiranë ndërsa njihet si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”.
Prangosja e të fortit
Arrestohet Gjergj Cukali, “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”, të cilit i janë vënë prangat gjatë një aksioni për kapjen e një personi për trafik droge. Gjatë kontrollit të mjetit me të cilin udhëtonte i riu 36-vjeçar, i është gjetur një armë e tipit “shotgan” e fshehur poshtë sedijes së makinës me të cilën udhëtonte. Sipas burimeve nga policia mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 21:15 uniformat blu kanë shoqëruar 45-vjeçarin, Klaudio Begaj. Ky person i cili kërkohej për llogari të sektorit të anti-trafikut udhëtonte me automjetin tip “Porche” bashkë me 36-vjeçarin Gjergj Cukali. Poshtë sediljes së pasagjerit Cukali u gjet një armë tip “Shotgan” gjë e cila ka sjellë ndalimin e menjëhershëm dhe shoqërimin për në ambientet e policisë. Ai është shoqëruar në ambientet e policisë së kryeqytetit së bashku me Klaudio Begaj, 45 vjeç, i shpallur në kërkim për trafik droge. Ndalimi u bë nga forcat “Shqiponja” në rrugën “Ibrahim Rrugova” në Tiranë.
Kush është Cukali
Gjergj Cukali është një emër i njohur për policinë e kryeqytetit vite më parë, pasi në vitin 2004 u akuzua dhe vuajti dënimin për marrjen peng të Fatjon Demirlikës, më 17 korrik të vitit 2004, për lirimin e të cilit kërkuan një shumë prej 100 mijë eurosh. Si një ndër personazhet më të famshëm të botës kriminale në kryeqytet, Cukali është arrestuar dhe herë të tjera nga polica si pjesëtar i bandës së njohur me mbiemrin e tij “Cukali”. Bashkë me miqtë e tij Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, në konflikt me një tjetër bandë rivale ata morën peng Fatjon Demirlikën. Mosmarrëveshjet e tyre, sipas hetimeve të atëhershme, kishin filluar në Gjermani për shkak të disa pazareve të prishura në trafikun e drogës. Fillimisht policia kishte arrestuar Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika. Disa orë më vonë u arrit lirimi i Demirlikës dhe arrestimi i 4 pjesëtarëve të tjerë të bandës. Në përpjekje për t’i shpëtuar kapjes, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, shokun e ngushtë të Fatjon Demirlikës. Tre vjet më vonë, u arrestua Durim Gurzi si autori i vrasjes së Shimës pasi i kishte shpëtuar operacionit të mëparshëm ku u prangosën shokët e tij të bandës.
“Plas” kanabisi, policia shkatërron 3 mijë rrënjë në Berat dhe Shkodër
Mbi 3 mijë rrënjë kanabis janë prerë dhe asgjësuar përmes djegies nga efektivët e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të operacionit të koduar “Start 2015”. Në një krehje që i kanë bërë zonës së Komunës Sinjë, ka rezultuar se në fshatin Osmëzezë kanë qenë 7 parcela të hapura rishtas të kultivuara me bimë narkotike. Nga këqyrja u evidentua se në këto parcela ishin të kultivuara 3.049 rrënjë bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa. Bimët ishin nga 10 deri në 25 centimetra të larta dhe janë asgjësuar në vend me anë të djegies. Nga hetimet e kryera dhe nga informacionet e marra në rrugë operative autor i kësaj vepre penale dyshohet të jetë shtetasi me iniciale P. R., i cili u shpall në kërkim. Ndërkohë, në Shkodër gjatë ditës së djeshme nga strukturat e Policisë së Qarkut Shkodër u zhvillua një tjetër operacion antikanabis. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Mazrek të Komunës Guri i Zi në Shkodër, në vendin e quajtur Mbishkallë, ka bimë narkotike të mbjella, efektivat e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë kryer një kontroll të imtësishëm në këtë zonë ku si rezultat i kontrollit u evidentuan 4 parcela të kultivuara me bimë narkotike. Nga vëzhgimi i kryer nga grupi hetimor rezultoi se në këto parcela ishin të kultivuara 427 bimë narkotike kanabis sativa. Bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies ku një pjesë e tyre u mor në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve. Materialet i janë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Pranga ish-mësuesit nga Vlora, ngacmonte vajzat e mitura në autobus
Një ish-mësues nga Vlora është vënë në pranga në Tiranë pasi ngacmonte vajzat e mitura në autobusin e porcelanit. Arrestohet nga efektivët e komisariatit nr. 4 në Tiranë, pasi tentonte të kryente veprime të turpshme më një vajze 11 vjeçe. Kozma Buzo 71 vjeç nga qytetit i Vlorës, me banim në Tiranë, është prangosur në zonën e “Kodrës së Priftit” në kryeqytet, pasi tentoi të kapë me dhunë të miturën. Burime nga komisariati nr 4 bëjnë të ditur se i moshuari e ndiqte vajzën gjatë gjithë rrugës që ajo bënte nga shkolla për në shtëpi, madje edhe kur ajo hipte në autobus. Denoncimi u bë mbrëmjen e së martës nga babai dhe vajza në praninë edhe të psikologut.
Braktisi fëmijën në maternitet, kapet duke ikur jashtë vendit
Një 28-vjeçare e cila është vënë nën akuzë për braktisjen e foshnjës së saj të sapolindur në maternitet është kapur në tentativë për tu larguar nga Shqipëria. E reja, Emanuela Hamolli, banuese në Tiranë mësohet se është ndaluar në momentin e kalimit të kufirit në Pikën e Kalimit Kufitare në Portin e Durrësit. Në këtë udhëtim ajo nuk ka qenë e vetme por e shoqëruar nga një i ri me inicialet K. M. Ndaj saj kishte bërë kallëzim shtetasja B. Hamolli, duke thënë se e reja ka braktisur fëmijën e sapolindur në maternitet dhe është larguar. Lidhur me denoncimin e bërë ndaj 28-vjeçares u bë shoqërimi i saj dhe i personit që ndodhej me të, për zbardhjen e rrethanave të braktisjes së fëmijës.
Dy bullgarë nën hetim, futën makina të vjedhura në Shqipëri
Dy qytetarë bullgarë do të ndiqen penalisht nga policia e Korçës, pasi dyshohet se kanë sjellë në Shqipëri mjete të vjedhura jashtë vendit. Pas verifikimit të të dhënave nga Interpol Tirana, rezulton se mjetet janë vjedhur dhe më pas janë shitur në vendin tonë nga dy të hetuarit. Policia e Korçës ka bërë të ditur se në hetim janë vënë dy bullgarët me inicialet A. R., 62 vjeç nga Sofje, i cili dyshohet se ka trafikuar në vendin tonë një kamion tip “Mercedes-Benz” dhe S. S, 61 vjeç, po nga Sofje dyshohet se nga Porti i Durrësit ka trafikuar në Shqipëri një mjet tip “Land Rover”. Mjeti rezulton i vjedhur dhe blerësi i tij është një shtetas nga qyteti i Korçës. Policia tha se, ndaj dy të huajve rëndon akuza e trafikimit të mjeteve motorike.




