Nuk është vetëm nafta
Kriza e naftës po rikthehet si një nga goditjet më të forta mbi ekonominë globale. Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare po i detyron shtetet të kërkojnë mënyra të ndryshme për të amortizuar efektin te konsumatorët dhe bizneset. Disa kanë ulur akcizat, të tjera TVSH-në, ose kanë përdorur mekanizma të drejtpërdrejtë për të frenuar rritjen e çmimeve.
Në Shqipëri, goditja është më e fortë sepse nafta nis nga një nivel tashmë i lartë çmimi dhe barre fiskale. Nafta është 25–40% më e shtrenjtë se në vendet e rajonit, ndërsa taksat përbënin rreth 53% të çmimit final.
Ndryshe nga disa vende fqinje, ku u ndërmorën masa për uljen e akcizës ose TVSH-së, që nga marsi kur filloi kriza, Shqipëria ka lëvizur më ngadalë.
Mali i Zi përgjysmoi akcizën për Eurodieselin dhe uli atë për benzinën, ndërsa Maqedonia e Veriut uli përkohësisht TVSH-në për naftën dhe benzinën nga 18% në 10%. Shqipëria ka lëvizur më ngadalë dhe, edhe pas masave të njoftuara, çmimi mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut ndërkombëtar.
Por debati për naftën nuk duhet të kufizohet te çmimi në pikën e karburantit. Problemi është se nafta hyn në pothuajse çdo hallkë të ekonomisë. Është kosto për traktorin që punon tokën, kamionin që transporton mallrat, autobusin që lëviz qytetarët, fabrikën që merr lëndët e para dhe distributorin që i çon produktet deri te rafti i supermarketit.
Të dhënat e përpunuara nga “Monitor” tregojnë se efekti zinxhir është tashmë i dukshëm. Në bujqësi, karburanti përbën rreth 40% të kostos së shërbimeve të mekanikës bujqësore, ndërsa tarifat për plugimin dhe frezimin janë rritur 25–33%.
Në prodhimin e fertilizantëve organikë, rritja e transportit ka ndërprerë importin e lëndëve të para nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, duke ulur prodhimin rreth 25%. Për agropërpunimin, kostot e transportit janë rritur 10–30%, ndërsa në disa sektorë deri në 50%, duke kufizuar edhe hapësirën për investime dhe rritje pagash.
Presioni po ndihet edhe te prodhuesit e ujit të ambalazhuar, qeramikës, distributorët e ushqimeve dhe transporti publik. Operatorët e transportit raportojnë kosto shtesë prej 50–60 lekësh për litër karburant, ndërsa rritja e kostove ka sjellë edhe reduktim të autobusëve në disa linja.
Një tjetër dobësi është struktura e tregut të furnizimit. Mungesa e furnizuesve të integruar, me kapacitete në import, magazinim, përpunim dhe shpërndarje, kufizon mundësinë për të amortizuar goditjet e çmimeve përgjatë zinxhirit.
Në një treg të ekspozuar ndaj luhatjeve ndërkombëtare, kostoja kalon më shpejt nga një hallkë te tjetra, duke lënë më pak hapësirë për eficiencë dhe përthithje të rritjes së kostove.
Kjo kosto nuk zhduket. Kompanitë mund të përthithin përkohësisht një pjesë të saj përmes fitimeve më të ulëta ose shtyrjes së investimeve, por nëse nafta mbetet e shtrenjtë, presioni do të kalojë gradualisht te çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Ajo që nis si rritje e çmimit të karburantit mund të përfundojë në çmimin e ushqimeve, transportit, materialeve të ndërtimit apo shërbimeve, duke e çuar inflacionin për një kohë të gjatë mbi nivelin e shënjestruar prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Pikërisht për këtë arsye, nuk është vetëm nafta. Është kostoja e një ekonomie të tërë që lëviz mbi rrota. Dhe Shqipëria hyn në këtë krizë me një çmim karburanti ndër më të lartët në rajon, një barrë fiskale të madhe dhe një ekonomi ku transporti ka peshë të konsiderueshme në koston e prodhimit.
Kriza e naftës po nxjerr në pah një element të rëndësishëm të strukturës së ekonomisë: varësinë e saj nga një input bazë, çmimin dhe furnizimin e të cilit nuk e kontrollon.
Kjo varësi nuk përbën domosdoshmërisht një dobësi në vetvete, pasi në parim e gjithë ekonomia globale varet nga karburanti, por mënyra se si menaxhohet përcakton nëse goditja nga rritja e çmimeve do të përhapet në gjithë ekonominë apo do të amortizohet përmes eficiencës më të lartë, teknologjisë, diversifikimit të furnizimit dhe kapaciteteve prodhuese.
Përballja me një tjetër valë shtrenjtimi kërkon, për këtë arsye, të shihet përtej pompës së karburantit, te mënyra se si funksionon dhe përshtatet i gjithë zinxhiri ekonomik.
Edhe politika fiskale mund të përdoret për të amortizuar goditjen. Në kushtet kur buxheti kishte krijuar një stok prej rreth 662 milionë eurosh suficit në janar-gusht, ndërsa shpenzimet pritet të përqendrohen në fund të vitit, mund të shqyrtohet ulje e përkohshme e taksave, të paktën për disa mallra jetike dhe karburantin, në vend që presioni i kostove të kalojë i plotë te bizneset dhe konsumatorët.
Gjatë periudhës së pandemisë, kur u rritën çmimet e ushqimeve, qeveria preferoi të grumbullonte më shumë TVSH nga çmimet më të larta. Kjo përqasje rrezikon që, në periudha krizash me efekte zinxhir në ekonomi, një politikë fiskale që mbështetet te të ardhurat më të larta nga rritja e çmimeve ta përforcojë goditjen, në vend që ta frenojë apo ta zbusë atë./ Monitor




