Gëzim Llojdia
Ibrahim Vasjari në librin mbi ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në qarkun e Vlorës
-Zjarre të brendshme, shkruan Ibrahim Vasjari, është historia shqiptare e kohës së luftës së fundit. Si u ngatërruan ngjarjet dhe vetë njerëzia në këto kohë te turbullta, çfarë reflekton kjo kohë pafundësinë e mistereve, që karakterizojnë ekzistencën e qenieve njerëzore për të thënë të vërtetën historike, në rrethana të caktuara.
Një roman që “zbulon” martirët e Luftës së Dytë Botërore, një rrëfim i mbështetur mbi fakte nga koha e kësaj lufte, e përqendruar në zonën e Vlorës, pasi ka ndërtuar bërthamën, gjithë historinë që nga koha e fraksionit të quajtur ndryshe “xhepistët” dhe deri në ditët e fillim-lirisë, Ibrahim Vasjari rrënjëzon historinë duke e kthyer atë në një vepër të mirëfilltë letrare. Një vrasje e punonjësit të arkivit sekret. Ndërkaq që hap pas hapi e kapitull pas kapitulli do të futeni e do të dilni nëpër labirinte errësire, tunele, kurthe që kanën ngjarë çuditërisht në kohën e luftës së përbotshme. Autori ka marrë e trajtuar ngjarjet në zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër. Ngjarjet e vërteta të ndodhur në këtë qark kanë shokuar jo pak njerëzinë se përdhe ndodhën dhe çfarë shkaku, por në fund cili ishte edhe atentatori që kurrë s’u mësua. Kur punoja gazetar, një ditë erdhi një veteran i nderuar që kërkonte të bënte një denoncim nga koha e luftës. Flitej për atentatin që iu bë një ndër pinjollëve të njohur të familjes Sharra në Vlorë.
-Unë kam marrë pjesë në atentat, tha ai. Shumëkush foli se këta pleqtë që kanë shkuar në myqe, nuk u besohet, por e vërteta ishte e bardhë si mëngjesi si pika e vesës që bie përmbi prarimin e lodhur të gjethes.
Ngjarjet, që ngjanë në qarkun e Vlorës, në kohën e luftës së përbotshme, kanë shumë mistere të shoqëruara me pse dhe nga kush? Ajo që lexohet terror nuk bënë fjalë për pushkë të hedhura nëpër qytet. Lexohet rrëzime njerëzish nëpër rrugë ku nga ftohtësia e plumbave godiste nën mishin njerëzor të kundërshtarëve. Janë të lodhur netët nga vrasjet. Janë të mërzitshme sot kronikat nga përsëritja e tyre. Në vend të vazhdimit të jetës boerja e saj ishte çmenduria që pikasi nëpër qytete dhe rrugët e Shqipërisë. Jetët e ardhur me mundime nëpër familjet e varfra shqiptare nëpër shekuj të thinjur, iknin çuditërisht çdo ditë në tokën që kishin luftuar brez pas brezi, por shpirti i një populli kurrë nuk vdesë. Ardhja e Dushanit në qarkun e Vlorës, dhe nëse shqiptarizojmë emrin dushmani, shfaqet qartazi çfarë fshihet pas tij dhe të tjerëve, që fshehën krimet.
Mbi shpatullat e kundërshtarëve, qysh se pushteti u mbajt nga njerëzit e grykës së pushkës rrodhi gjaku. Çdo ditë që gdhihej quhej garbi dhe mot tramundanë, të gjithë të asaj kohe e njohin atë guaskë. Koha nxori në ranishte sa i rremë ishte ai regjim.
Një detaj tepër i veçantë nuk është ndeshur më parë në rrëfimet letrare.
Asgjëkundi nuk e kemi ndeshur këtë pjesë. Nipi duhet të pështyjë gjyshin e tij, të rreshtuara përpara shkollës së fshatit. Faji i vetëm. Gjyshi ishte vëllai i fraksionistit. Ky detaj i gati i thjeshtë është tregues i madh për luftën klasore që u bë në këtë vend në 50 vitet e socializmit. Një shtresë trysonte dhe shtypte tjetrën, që rrudhej dita-ditës, mpakej kohë pas kohe.
Autori ka nxjerr në pah një sërë ngjarjesh të cilat kanë mbetur mister në kohën e luftës, në qarkun e Vlorës, nuk dihen rrethanat dhe as autorët, por dihen qëllimet. Vlora ka mbajtur mbi supe edhe një pjesë të madhe të luftës së dytë botërore. Fshatrat në jug u ndanë me kundërshti në dy pjesë:të Partisë dhe të Ballit. Madje kishte fshatra në Kurvelesh të ndarë me sinorë. Sinori i partisë, sinori i ballit. Prishja e kësaj balance me prishje të Mukjes, solli tragjedi ndër shqiptarët, efektet e të cilës u ndien deri në vitet ‘ 90. Përvoja e gjatë e autorit si mësues nëpër shkolla të këtij qarku( arsye biografike) ka gjezdisur si bleta duke qëmtuar pjesët që duhen për të rrëfimin. Si puna e mjeshtrit. Kërkon gurët në stivë për ti vendosur në mozaik. por hajde të gjeç, atë që i dihet rrëfimit. Autori e ka zgjidhur me përvojën e tij. Çdo pjesë në vendin dhe kohen e duhur, thotë populli.
Dëshmive artistike të kohës po u prezantojmë një dëshmi autentike që ka nxjerrë gazeta “Flamuri” në vitet ’50 në botimin e saj periodik në Romë.
Vrasjet e kundërshtarëve:Ushtarë ose komandantë të Ballit Kombëtar u zunë ose me pabesi ose gjatë luftimeve u vunë përpara torturave të tmerrshme. Disa nga torturat që përmend kjo gazeta janë:u rropën, u nxorën sytë, u thyen eshtrat, u hoqi organet seksuale. Fakti përmendet se në spitalin e Vlorës u grumbulluan shumë njerëz të këtyre atrociteve, njerëz me veshë të prere, me gjuhë të prerë, me hundë të prere, me sy të hequr. Çfarë kohe edhe e kujt inkuizicioni i përket?Në fund të fundit përse kjo sakrificë me njerëz kapicë të masakruar, ëndrrën për pushtetin e kishin zgjidhur ndërkaq. Në Korçë u zbuluan të masakruar trupat e vëllezërve Bulgareci. Në Lushnjë kryetari i shtatmadhorisë Mehmet Shehu pushkatoi 63 ushtarë rob të B. K, të cilët disa i vrau, disa i varrosi për së gjalli. Vritet njeriu si pulë, ndërsa drithërohemi kur bie një gjethe pemësh.
Në janar 1944 u zbulua në Shispkë afër Korçës një gropë e madhe me 184 shqiptarë të masakruar. Disa prej tyre të identifikuar si Bame Gjonomadhi u gjet i rrjepur gjer në gjysmë. Cila ushtri chingizkane kishte udhëtuar në këto ane? Cila hordhi kishte përdorur mënyrën me mizore për të mbytur njerëzit dhe më tepër kundërshtarët politik duke i kaluar ne plumb?
Por ajo që rrëfehet si terror i madh është hyrja në Tiranë e ushtrisë Çlirimtare. Në nëntor 1944 në rrëmujën e parë u futën nëpër shtëpia dhe u rrëmbyen rreth 400 vetë që përfunduan në plumb, duke ja vunë fajin gjermanit që ishte në ikje e nxitim. Në Shkodër u vranë 50 vetë.
Parulla: Parulla që ka përfshirë këto ekzekutime ka qenë: “Vdekje fashistëve, litar ballistëve, plumb reaksionarëve, tradhtarëve dhe armiqve të popullit”. Cila fushëpamja e vendit në vitet e para të çlirimit?
Vendi ishte i mbushur me kampe dhe fusha përqendrimi. Burgjet që ndërtoi fashizmi nuk u mjaftuan. Shumë shtëpi private u kthyen në burgje. Burgjet e kësaj kohe paraqisnin një pamje lemeritëse. Torturat si në kohën e invazioneve. Djegie, ngulje gozhdësh, copëtim mishi. Ashtu provoi prifti Dom Ndre Zadeja. Si vdiq në Shkodër Simon Dragjati, Në fushë Krujë Baba i teqesë Myrteza Kruja, në Tiranë, Kol Kuqali të cilët mbasi u torturuan u lëshuan nga dritaret e burgut. Kur burgjet shqiptare u inspektuan nga të dërguarit e posaçëm sovjetikë gjendja fillon e rëndohet më tepër. Me rastin e arrestimeve të vitit 1946 flitet se vetëm në Tiranë u morën 270 vetë nga burgjet, u torturuan dhe u pushkatuan.
Kampet e përqendrimit:
20 mijë vetë gjendeshin në burgje dhe fusha përqendrimi. Fushat më të mëdha të përqendrimit. Krujë, Burrel, Kavajë, Maliqi.
1-Kampi i Burrelit me 3600 vetë
2-Kampi Bedenti tek shkëmbi i Kavajës me 17800 të internuar
3-Kampi i Vlocishtit të Korçës me sinonimin “Kampi i vdekjes “me 1200 të burgosur
4-Kampi i Maliqit me 2300 të internuar
5-Kampi i Tepelenës me 1050 të internuar
6-Kampi i Pojanit me 800 vetë.
Ishte ky krijim i letrave te botes, kur regjimtarët e Tiranës. Një krijim shprehet se kur çlirimtarët fituan menduan se çfarë dhuratat duhej t’i bënin popullit të vetë. Dhe menduan të ndërtojnë një burg. Kur shkuan ta inaugurojnë panë se burgu ishte boshë, mirëpo atëherë u kujtuan e thanë:”Ku është parë burg, pa të burgosur brenda?Nuk ke çfarë ti heqësh kësaj fabule, që në botë u krijua si letërsi dhe u kushtohej diktatorëve apo mbretërve fitimtarë, mirëpo në Shqipëri e pa vetën brenda një realiteti. Ose bota i krijonte, regjimtarët i ndërtonin sipas këtij projekti.
Policia: 15 mijë policë
Policia:15 mijë policë mbaheshin gati dhe përdoreshin për të kryer goditjet. Pusia dhe tradhtia kishte filluar që gjatë luftës me ekzekutimet e Azis Sharrës, Azis Camit, Besnik Cano, Qertamundin Sulo, Dhimitër Fallo ky djalë i një katundari nga Korça kur shkoi në BS dhe pa se çdo të thotë një vend ku liria ishte zhdukur, tregoi rrezikun që do të sillte komunizmi. BBC stacioni prestigjioz anglez ka bërë mjaftë komente duke i cilësuar të gjithë këto veprime lufta civile ne Shqipëri. Vetëm duke lexuar kronikat e saj mund të kuptosh se çfarë kohe e atyre viteve kishte nxjerrë në shtrojën e një lufte kundër të mundurve nga lufta. Kështu vdes në Burrel nga torturat Novruz Mahil Hitaj nga Smokthina e Vlorës. Nga torturat çnjerëzore ndërroi jetë djali 17-vjeçar Ejup Lepenica. Në burgun më famëkeq të Burrelit thotë një kronikë ndërruan jetë nga torturat Muço Sherif Gjoni, Sulo Sheu. Vritet Haxhi Ibrahim Tresteniku. Mbas viteve mërgimi në Australi kthehet nga dëshira për mëmëdheun. Nga plumbat mizore të komunistëve vriten në Tiranë, vëllezërit Myftar e Gafur Jegeni, u arrestuan dhe u vranë pas plasjes së bombës në legën ruse në Tiranë. Nën një njoftim tjetër shkruhet se: “na lajmërojnë se në burgun e Shkodrës ka vdektë i mbytur nga torturat çnjerëzore Jakup Dervishi. Nga torturat e tmerrshme vdiq në burgun e Shkodrës Sadik Gruda. Një njoftim tjetër sjell këtë rast Përmendim vetëm se rreshter Hito Hitoja ka varrosur në një kanal të Korçës këta të internuam:ish-nënkolonel Tefik Hoxha, Baba Qazmi kryetar i sektit bektashi, At Josif Papamihali, kryetar i kishës katolike të Korçës.
Me pushtimin e Shqipërisë nga ana e gjakësorëve të kuq, shkruan Dom Zef Shestani, Imzot Thaçi u ndry ne selinë e vetë, porsi në një kala tue prit qetësisht e i gatshëm menin bolshevikë. E pa priftin e tij të vramë e të burgosën, kishat të mbyllura kuvendet e profanume djelmin e nëpërkëmbur, por ai s’u shtrua deri kur ra si bien heronjtë. Mbas tij ra Emzot Volaj Ikpeshkvi i ri e i fortë, i cili aqë shumë i shërbeu rezistencës kombëtare. Dhe nuk kaloi shumë kohë thotë Dom Shestani, që Imzot Gjini, Abati i Mirditës, u martirizuar prej zhullivje të kuq e mbylli varg e të persekutuarve imzot Vicenc Prenushi, shqiptari, poeti, mbrojtësi i vlerave shpirtërore, që i gjallë i vuri Shqipërisë së tij kunore”Gjethesh e lulesh” dhe u shpërblye me një kurorë ferrash ashtu si mjeshtëri i madh në malin e kalvarit… .
Shifra:Përqindja e vdekje tek të burgosurit është 20% në vit. Ndërsa sëmundjet kalojnë 30% çdo ditë. Nga torturat kanë vrarë veten edhe Sh. Sharra, A. Ruci, K. Misrasi.
Ka filluar në Tiranë një gjyq kundër rezistencës komuniste të akuzuarit janë”Iliaz Toptani, Selim Daci, Muhamed Hoxha, Kasem Sheu, Seid Bylkybashi, Shahin Qosja, Zenel Canaj, Pjetër Ghin Kola, Nikoll Gjin Kola, Ndue Rrapi, Hysen Voka, Osman Daka, Tefo Petro, Vangjel Dhima. akuza i paraqet si agjentë të grekëve, jugosllave anglo-amerikanëve Vatikanit etj. Lajmërim i fundit që vihet re është më 23 tetor 1951 u dënuan me vdekje Seid Bylkbashi, Vangjel Dhima, te tjerët me burgim të rënda e shumë vite burgime. Një kronikë tjetër e përmotshme shkruan se u dënua me vdekje Sinan Ali Hamiti, i cilësuar reaksionar dhe armik i pushtetit. Në çastet kur po i merrej jeta thirri:”Rroftë Shqipëria, rroftë Balli Kombëtar”. Në fashikullin nekrologji thuhet se vdiq në fushën e përqendrimit në Kamzë Riza Cocka komandant i BK për Korçën dhe Pogradecin. Xhafo Qeni nga Progonati vdiq në burg, nga torturat. Në burgun e Durrësit nga torturat dha jete edhe Hajdar Shehu, etje.
Nëse, nuk do të merremi me pjesë të tjera të teknikës artistike, ajo që të tërheq vëmendjen është gjuha që ka përdorur autori për personazhet në roman. Gjuha e folur e lebërve ka disa veçanti, ajo njihet në tingëllimin e disa fjalëve apo përdorimin e tyre karakteristik nga krahinat e tjera të vendit. Autori ka përdorur shumë fjalë të krahinës madje të fshatrave të Labërisë, dhe më saktë të lumit të Vlorës, që njihen si të tilla ndërkohë, janë në fjalorin e përditshëm lab.
Ajo, që të bënë përshtypje është se autori ka mjaftë njohuri mistike të cilat i kanë shërbyer për të shqyrtuar njëherazi shumë dukuri dhe ngjarje të cilat duken se s’do të kenë ndonjëherë shpjegim.
Ngjarjet e luftë së fundit duken sikur janë pleksur në këtë të fshehtë të fshehur ndër skuta e labirinte pa udhë dalje. Shumë dukuri, fenomene që nuk i shqyrtojmë dot ngase dëshmitarët nuk ekzistojnë, atëherë hynë në veprim misticizma për të rikthyer edhe një herë një faqe të zhdukur, por veçse në një çast, në një vegim të shkurtër, shkreptimë energjie, duhet të dimë se si ka qenë atë vit mjegullnaja e çuditshme sipër, ashtu kanë rrjedhur edhe ngjarjet. Në këtë zonë është i njohur paganizmi përpara fillimit të besimit dhe përhapjes së feve. Autori ka ditur të eci përmes, tyre por pa i cekur ato duke pasur si orientim friken dhe besimin, që mbizotëron tek çdo njeri.
Këto dukuri u bënë mbizotëruese si njëra dhe tjera sipas kohës dhe regjimeve, që ndërkaq kaluan përmbi këto troje arbërore. I kishte rënë në pjesë shqiptarit, për ti hequr përmbi kurriz.
Një fakt tjetër i veçantë është shtresa shoqërore, që zënë vend në roman që janë të ndryshme të përfaqësuar nga personazhe të ndryshëm. Por, goditja që ato marrin tregojnë dallimin. Ndër krijimet e pasviteve ‘90 është folur pak ose aspak për fraksionistët të njohur si kundërshtarët të PK, shpirti i tyre caqe kozmike kapte ndërkohë e kuptuan qysh herët dhe për ta nuk ka por as mundet të gjenden arsye sado të forta, që ti mbanin të gozhduar, nën atë llagëm të ftohtë që vinte nga armiqtë tanë shekullorë, serbët të cilët realisht kishin dorë në vendimmarrje. Autori përmend me pseudonim jugosllavin, që është ndryshe D. Mugosha ose dushmani, dora e të cilit ka kryer masakra ndër shqiptarë në jugë
Letra e Mehmet Shehut drejtuar Mugoshës, pjesë e zbardhur tek Sang. trad. e tregon qartazi se çfarë ishte ky personazh:”Nuk kishin parti, shkruan M. Shehu, por kishin dhe ishim komunistë bashibozukë, ishim një “turli” me zarzavate të hidhura e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat tuaja mundëm të seleksionoheshim, të formojnë partinë tonë komuniste, ta forcojmë. Na dhatë dorën, na mësuat, na ngritët si mëma foshnjën”.
Përse u persekutuan një shtresë e caktuar, kjo dihet tashëm dhe nuk kërkon analizë, por, këtu do të citojë Dr. Ismail Boçari. Ne shënimet e tij shkruan:”bejlerë e agallarë dhe borgjezia jo vetëm qe kane luftuar me arme për te çliruar vendin por gjate luftës kane shpëtuar nga litari dhe vdekja shume nga djalëria shqiptare që luftonte për liri… … … … … .
Romani i autorit Ibrahim Vasjari është një krijim dinjitoz ndër botimet e këtij autori, që e ka nisur aktivitetin letra me botimin e poezive në vitet 60 ne faqet letrare të gaztës: “Zëri i rinisë”, por për arsye biografike ju ndalua botimi. Ky botim serioz është një shembull i gjallë me temë nga lufta e fundit, ku autori trajton me objektivitet ngjarjet, autorët dhe gjykon dhe vete kohën për gjëmën që solli.




