Një tjetër përgjim “trondit” Maqedoninë

Zoran ZaevLideri i Lidhjes SocialDemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev publikon një tjetër përgjim, që hedh dritë mbi vdekjen e botuesit të së përjavshmes, “Fokus”, Nikola Mladenov. Ai ishte një prej gazetarëve më të njohur të Maqedonisë dhe humbi jetën mbrëmjen e 27 Marsit të vitit 2013, pas një aksidenti rrugor në hyrje të autostradës të Shkupit.

Një ditë më pas, u gjet i pajetë disa metra larg makinës që kishte rënë në humnerë. Versioni përfundimtar i hetimeve të Prokurorisë ishte se shkaku I vdekjes ishte aksidenti. Nga biseda e përgjuar, mes Ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska dhe zëdhënësit të MPB-së, Ivo Koteski mësohet se makina me ngjyrë gri e gazetarit, në pjesën e pasme ka ngjyrë të kuqe dhe të zezë. Ata kërkojnë që ky fakt të mos bëhet publik.

Udhëheqësi i LSDM-së kërkoi të zhvillohet një hetim i plotë dhe i vërtete mbi vdekjen e Mlladenov sepse provat e fshehura-sipas tij- tregojnë makina e gazetarit është goditur në anën e pasme të saj. Partia në pushtet VMRO-DPMNE, megjithëse i cilëson të montuara publikimet e Zaev, shprehu mbështetjen për hetime të reja mbi shkakun e vdekjes së gazetarit Mladenov.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev komentoi edhe protestat e dhunshme përpara ndërtesës së Qeverisë, mbrëmjen e së martës dhe tha se ka individë që synojnë të nxisin incidente. Ai bëri thirrje për protesta paqësore dhe dinjitoze.

Share it :