Një letër për Gumenin

Nga Xhafer Sadiku

Xhafer SadikuDisa të persekutuar politikë, në shtator 2013, më kërkuan që në emër të tyre t’i dërgoja një letër të hapur Daut Gumenit, si reagim për një shkrim të tij në gazetën “Dita”, në numrin e 9 shtatorit 2013.

I ndodhur në pozitë të vështirë, ku nga njëra anë ishin ndjenjat e fyera të miqve të mi të përndjekur dhe nga ana tjetër vuajtjet e z. Gumeni në burgje, zgjodha rrugën e mesme: I shkrova në adresën e tij. Natyrish, nuk mora përgjigje. Me kërkesën kembengulese te miqve të mi, po bëj publike pjesë nga ajo letër:

 

I nderuar Zoti Gumeni,

Si lexues i shkrimeve e librave tuaja dhe merret vesh, si dashamirësi juaj, po u shkruaj këto radhë nga ndjesia që pata pasi lexova shkrimin tuaj me titull: “Kaq budalla e di popullin brigadieri i vrerosur?”

Shkrimi juaj më kujtoi rininë time si punëtor krahu në kooperativën bujqësore. Zakonisht brigadierët ishin komunistë dhe po të ishte ndonjë trim, ne të munduarit ndjeheshim disi më të sigurtë, por kur sillnin ndonjë tjetër, mjerë ne “armiqtë e klasës” dhe ata që ishin “rebelë”. Që ditën e parë rreth tij mblidheshin servilët për ndonjë përfitim, madje edhe ndonjë frikacak me “cen” në biografi i bëhej urë, e kjo ishte shenjë e keqe per ne.

Shkrimi juaj më bëri kureshtar të dëgjoja brigadierin e ri, i cili i servilosej “kryetarit” që e kishte emëruar në atë detyrë e që ndodhej në llozhë. Njëlloj si dikur, për të treguar besnikërinë e tij, brigadier i ri demaskonte armiqtë e klasës, që i kishte mundur, siç thoni ju, me votë plebishitare.

Kryetari në fjalë, që përvesh mëngët për të na treguar se zot në kooperativën tonë është ai e jo ne, zgërdhihej se brigadieri i ri, i përgjërohej se do të jetë gjithnjë besnik e nën urdhërat e tij…

Për të na mbushur mendjen se brigadieri i ri nuk ishte si i vjetri dhe për të gënjyer dinjitozët, kryetari kishte ftuar një grup ordinerësh analfabetë, të cilët i prezantonte si përfaqësues të të burgosurve politikë.

Në shkrimin tuaj më çudit koncepti “popull”, të cilit i referoheni, mirëpo më duket se ju nuk i konsideroni kështu edhe ata që votuan për brigadierin e vrerosur, sic e quani ju atë që ra nga pushteti. Kur lexova shkrimin tuaj sesi mu kujtua një batutë që përdorej në kohën kur sundonin të parët e plebishitarëve. Dhe thashë t’u pyes: po ata shtatëqind mijë shqiptarë që votuan për brigadierin e vrerosur, a janë popull?

Si ka mundësi që për ju, ajo pjesë e fshatarëve të ndershëm e të vuajtur të Tepelenës apo Dëshnicës, që votojnë për të djathtën, nuk janë popull. Pse, Z. Gumeni, vetëm ata janë popull që, kur dënoheshin baballarët tanë, brohorisnin: “Tradhëtarët në litar”, apo vetëm pinjollët e tyre janë popull?

Në fakt, ju dhe brigadieri i ri, keni të drejtë kur përmendni se kundër ish brigadierit kanë votuar njëmilion votues.

Jam i një mendje me ju, madje për këtë jam i bindur se sa herë të bëhen zgjedhje aq vota do të marrë dhe se ata janë shumica, pasi sipas studimeve të mia më rezulton se janë njëqind e pesëdhjetë mijë familje komuniste, shumëzuar me katër vota, plus katërqind mijë spiunë, bëjnë rrumbullak njëmilion vota. Dhe ju e dini; dosjet e minjve të gjirizit nuk i kanë brigadierët por “kryetari” dhe i përdor sa herë t’i duhen, herë në favor të njërës palë dhe herë të tjetrës. A nuk ndodhi kështu më 22 qershor 2013, në mbrëmje vonë. Pse, më kot e konsideronte armë besnike sigurimin e shtetit, diktatori? Po rezidentët? Ku janë ata zoti Gumeni? Apo hanë bar.

Kundër brigadierit “të vrerosur” u përdor e njëjta skemë në fillim në Kavajë dhe Mamuras dhe pasi funksionoi me sukses, u përdor në tërë vendin. Doni fakte?! Ja ku janë:

Komunistët e PPSH fitonin në mënyrë plebishitare me 99,99 %, deri më 1990 dhe dihet kush ishte pulsi i partisë. Ky është populli?

Më 31 mars 1991, komunistët e PPSH-së fituan në mënyrë plebishitare, ndërsa një vit më vonë, më 22 mars 1992, në mënyrë plebishitare fitoi PD. Pas tre muaj, në zgjedhjet lokale fitoi PS (ish PPSH), ndërsa më 1996, ishte PD që fitoi. Të dyja në mënyrë plebishitare.

Më 1997 komunistët fituan përsëri në mënyrë plebishitare, me kallashnikov, por në shtator 1998, demokratët, i futen komunistët në vrimë të miut.

Kur kryetari u lodh duke urdhëruar armatën e minjve të gjirizeve të votonte herë në favor të njërit e herë të tjetrit, vendosi të ndërronte brigadierët dhe i dha pushtetin brigadierit të “vrerosur”, por këtë radhë, me rezultat të ngushtë.

Ndërkohë, “kryetari” zëvendësoi brigadierin pijanec, që na mbushte mendjen se ishte ai që e kishte sjellë piktorin nga koshat e plehrave të Parisit. Kur u pa se brigadieri i ri nuk i mbante dot dy kunguj në një sqetull, atëherë, kryetari e la në pushtet përsëri brigadierin e vjeter, por i ngjiti pas ushtarin e Sillos, me ushtrinë e karkalecave.

Ju na thoni se brigadieri i vjetër pësoi humbje plebishitare; mirëpo unë druaj se, fjala vjen, sikur t’i teket kryetarit e të urdhërojë ushtarin e Sillos të bashkohet me zëvendësin e brigadierit “të vrerosur”, ku shkon plebishiti juaj?

Ju mund të thoni se këta nuk e bëjnë se e duan popullin. Gjepura. Këta nuk ia ditën të mirën babait të tyre shpirtëror, që i ngriti nga llumi dhe me pasuritë tona e punën skllavëruese të të përmbysurve, i arsimoi dhe i pasuroi. E patë si i flakën si leckë Tosin, Xhepin, etj?.

Në cilin vend të botës ndodh, që shefi i hafijeve të merret me politikë aktive, në kundërshtim flagrant me të gjitha ligjet e shtetit. A nuk ishte ky disa vite të shkuara që arrestoi disa arabë, punëtorë krahu në ndërtim, kinse terroristë, dhe i dorëzoi te Mubarak, i cili i vari?

Në bazë të konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar, ekstradimi në vendet që kanë dënimin me vdekje ndalohet. Por ne nuk i zbatojmë dhe flasim për drejtësi.

Nëse do të kishte drejtësi në këtë vend, duhej ta arrestonte, por ky ka mbrojtjen e kryetarit për llogari të të cilit kreu shërbimin në fjalë dhe në shërbim të të cilit janë vënë minjtë e gjirizeve.

A jeni në dijeni se shteti shqiptar, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, me legjislacionin evropian dhe me interesat e veta kombëtare, prej më shumë se dhjetë vjetësh është nën regjimin juridik të kapitulacioneve dhe privilegjeve në favor të shtetasve të huaj. Si informacion shtesë, mund t’i referohemi kritikës që ish presidenti Shirak i bëri vite të shkuara, Shqipërisë. Asokohe, në fuqi ishte frrota e brigadierit të ri që i vuri kularin në qafë shqiptarëve dhe i ktheu një shekull prapa…

Gjatë studimit në arkivin e shtetit për librin tim ‟Genocidi mbi kulakët”, gjeta një letër anonime për të cilën ishte dënuar Halim Xhelo Koçia. Ai i shkruante shefit të tij, se nuk ishte dakort t’i serviloseshin aq shumë mikut, pasi sipas tij, zot shtëpie jemi vetë, madje përdorte një shprehje: ‟Sikur miku të na thotë hani m…t, m…t do të hamë ne”.

Më ndje, Z. Gumeni, po këta plebishitarët, janë gati të dënden me m…t, veçse këtë radhë, ndryshe nga baballarët e tyre, që u dëndën me m…t nga lindja, i kanë dhënë garanci kryetarit se do të hanë vetëm m…n e tij, vetëm t’i lërë në krye që të na sundojnë ne, të përmbysurit, njëlloj si baballarët e tyre. Të ndritë shpirti, Dom Simon Jubani!

Nuk di sa të drejtë keni kur thoni se ‟…ky lloj brigadieri i punësuar në politikë nga Partia e Punës, beson vetëm në konceptet që i ka mëkuar ajo parti”, mirëpo mua nuk më mbushet mendja se partia e brigadierit të ri nuk është vetë Partia e Punës që ua kanë lënë trashëgim të parët, madje një nga krerët e saj, ka qënë shef i minjve të gjirizit. Apo këta janë burra të mirë se janë nga krahina juaj?!

Mirë se ca të drejta na i paska mohuar brigadieri i vrerosur, siç e quani ju, po ne të tjerët, çfarë bëmë?

A mund t’u pyes Z. Gumeni: Po zbardhjen e krimeve të luftës, që nuk parashkruhen, brigadieri nuk e bëri? Kush na pengoi ne për të shkruar dy rreshta, fjala vjen, për masakrën e Dukajt, më 25 korrik 1944, ku një kriminel nga Kuçi, që mban titullin ‟Hero i Popullit”, vrau 56 shqiptarë të çarmatosur, djem të rinj, madje kishte nga ata që nuk i kishin mbushur 18 vjeç? Pa llogaritur këtu po aq të tjerë që u vranë të rrethuar nga ‟trimat” me yll të kuq në ballë.

Dymbëdhjetë te rinj i vrau me dorën e tij, duke thënë se nuk bëhet Shqipëria me malokët. Disa nga këta fatkeqë ishin nga një familje e varfër nga Puka. Një pasardhëse e tyre, në emisionin ‟Forum” të Shijak TV, lutej tu gjente eshtrat. Lodhesh kot, moj e mjerë, krimineli i la pa varr se i pushkatoi buzë Vjosës dhe trupat e tyre i mori lumi. Në cilin vend të botës do të lihej pa u dënuar një krim i tillë lufte?

Pas fitores ‟plebishitare” të nëntorit 1944, ky kriminel, dilte dëshmitar në gjyqet politike. Në gjyqin kundër Javer Hurshitit, shpifi sikur ky kishte thënë përpara parisë së Kurveleshit: ‟Kurveleshi i Sipërm është vendi i kusarëve. Kurveleshi i poshtëm është vendi i komunistëve”. Dhe me shpifjet e tij e shpunë në plumb atdhetarin e njohur dhe plot të tjerë të pafajshëm.

Një tjetër kriminel dhe imoral, që pasi i shërbeu fashizmit deri në shkurt 1943 në detyrën e kryetarit të komunës, u bë komunist e shkoi në Përmet, ku formoi celulën komuniste. Aty urdhëroi vrasjen e atyre që e kundërshtuan në mbledhje, si patrioti Dervish Merko dhe ish aktivisti i shquar i ‟Vatrës”, Muke Përmeti dhe të birin, djalë i ri.

Pas kësaj u hodh në Dëshnicë dhe me urën e zjarrit në dorë, u vuri flakën fshatrave të Dëshnicës duke vrarë bijtë e saj, për ‟fajin” e vetëm se nuk donin luftën vëllavrasëse. Madje edhe si hakmarrje ndaj burrave të Dëshnicës për përbuzjen që i rezervuan në fshatin Goricë, kur nuk pranuan ta dëgjonin.

Në krimet e tij, ky nuk ishte vetëm, por në krye të një çete me banditë të Kurveleshit që u dyndën në Dëshnicë dhe pasi ja shtronin me të ngrëna e të pira në familjet e fisme të zonës, kërcënonin të zotët e shtëpisë se do t’u pushkatonin djemtë nëse nuk shkonin pas tyre. Pasi u dëndën për katër muaj në familjet e Dëshnicës, u vunë etiketën si reaksionare, duke u vjedhur sakrificat e 800 bijve të saj partizanë, madje duke falsifikuar historinë e tyre. Ku shkeli këmba e barbarëve, nga sytë e nënave nuk u tha loti dhe shamia e zezë nuk u hoq kurrë.

Se sa trima kanë qënë kusarët e Kurveleshit me yll te kuq ne ballë, nëse dëshironi, mund t’u vë në dispozicion dokumenta të firmosur nga vetë ata, madje edhe nga ‟Tërmeti”. Ju i njihni pasardhësit e tij, këta janë rilindasit? Dihet, tarafi i këtyre ‟heronjve”, të tërë të majtë, sundojnë vendin, madje me votat plebishitare. Si këta është e tërë ajo frrotë e ndyrë që shkatërroi pjesën tjetër të shqiptarëve që nuk mendonin dhe nuk vidhnin si ata.

A mund të durohet nipi i “Besnikut”, kur na jep leksione demokracie, ndërkohë viktimat e dajes nuk kanë varr? Dhe ju na flisni për popull. Apo meqe njihni disa ordinerë dhe kujtoni se të gjithë të burgosurit e të persekutuarit politikë kanë votuar për plebishitarët. Ju siguroj se gaboheni, Zoti Gumeni.

Në fakt, unë do të pranoja të votoja për një komunist të punësuar nga Partia e Punës, por kurrësesi për lakenjtë e punësuar nga të huajt. Se, a nuk ishin baballarët e këtyre ‟triumfatorëve” të rinj, që na vunë në qafë zgjedhën e Titos, Stalinit, Mao Ce Dunit dhe tani bijtë e tyre që u puthin çizmet ambasadorëve të huaj?

Unë do të ndaja të njëjtin mendim me ju, kur shkruani: ‟…kushdo që të mund të mendojë t’i falë ato zullume të rënda, nuk i fal populli fukara as tragjedinë e Gërdecit e as vjedhjen ‟patriotike” me qindra milionë euro në rrugën gjysmake Rrëshen-Kalimash. Nuk i fal populli fukara grabitjet e pasurisë kombëtare anë-e-mbanë vendit, nga kromi tek nafta e tek bakri dhe ari. Nuk e fal populli i varfër shitjen e shelfit detar dhe as shitjen e interesave kombëtare për hesape të mbajtjes së pushtetit sa më gjatë nga një skotë e sëmurë. Populli i varfër, sado bujar që është treguar këtë shekull edhe me pushtetarët e tij të sëmurë për sundim, nuk i fal dot atij lloj pushteti vrasjet e protestuesve të pafajshëm në atë 21 janar të përzishëm”.

Mirëpo, le t’i marrim me radhë:

Së pari; ky popull fali vrasësit e mbi 5000 të vrarëve, të jeni të sigurt, kështu do të ndodhë edhe kësaj here.

Po edhe sikur t’i dënojnë, kë të dënojnë dhe kush t’i dënojë? Të dënojnë atë gjeneralin e Gërdecit, dhëndërrin e ish shefit të sigurimit të Tepelenës, që më 23 qershor kandidonte për partinë e brigadierit të ri? Apo ish ministrin e mbrojtjes ta dënojë kunati i vet, biri i një ish shefi të sigurimit?

Pastaj, kush t’i dënojë? Ata që varën Havzi Nelën apo bijtë e tyre që janë gjyqtarë dhe prokurorë? T’i dënojë brigadieri i ri? Apo bijtë e kusarëve që janë bërë gjyqtarë. Besoni vërtet?!

Ju besoni se u vodhën qindra milionë euro pa lejen e kryetarit? Po dënohet kryetari? Po edhe sikur, kush ta dënojë? Po kapitulacionet?

Ju shkruani se ‟nuk e fal populli i varfër shitjen e shelfit detar dhe as shitjen e interesave kombëtare për hesape të mbajtjes së pushtetit sa më gjatë nga një skotë e sëmurë”.

Zotëri! Ju, bëj me dije se në një akt ndërkombëtar të vitit 1921, firmosur nga katër Fuqitë: Anglia, Franca, Japonia dhe Italia; në disa nene sanksionohet çështja e kufijve të Shqipërisë.

Sipas këtij akti, në rast se do të lindëte nevoja për saktësimin e kufijve të Shqipërisë me ndonjë fqinj të saj,ndryshimi bëhej në marrëveshje midis tyre. (Sa për dijeni, mbi këtë akt ndërkombëtar është bërë këmbimi i dy dhomave të manastirit të Shën Naumit me disa hektarë sipërfaqe pylli e toke bujqësore).

Në rast se nga ky ndryshim, cënoheshin interesat e një shteti të tretë, ky shtet ka të drejtë të ankohet te shtetet firmatare të këtij akti.

Sa sipër, ndryshimi për shelfin cënonte interesat e Italisë, pasi sipas akteve ndërkombëtare, në ngushticën e Otrantos nuk mund të dalë një shtet i tretë.

Për këtë arësye Italia ka mbeshtetur caktimin e kufijve të Shqipërisë brenda hapësirës së saj etnike dhe kur u pa se projekti nuk mund të realizohej për shkak të ndryshimeve në terren, vendosi ‟shtyllat e Herkulit” në kufirin jugor të Shqipërisë.

Sa herë Shqipëria nuk ka qënë në gjendje të garantojë brigjet lindore të ngushticës së Otrantos, Italia ka tentuar ta mbrojë vetë duke u hedhur në Vlorë. Kështu shkruhet në të gjitha aktet ndërkombëtare, por këto nuk i bën publike historiografia komuniste.

Ka të ngjarë, që brigadieri i “vrerosur”, si njeri i kënduar, ta ketë ditur këtë akt dhe nuk e prish terezinë. Nëse doni ta verifikoni sa thashë, librin që ka dokumentin që citova mund ta gjeni në sallën e Albanologjisë të Biblotekës Kombëtare.

Pastaj, a mund të reagonte aq vakët pala tjetër, sikur të mos kishte një akt të tillë? Apo u tremb nga ‟ndershmëria” e gjykatës tonë dhe “infermieri i gomerëve”. Ju e patë vetë reagimin për një ndërtesë gjysëm të rrënuar në qytetin e Përmetit, madje u ‟tund” Brukseli.

Ju me të drejtë pyesni: ‟Po ku ta gjejë ndjenjën e bukur të përgjegjësinë qytetare, një skotë pushteti gjysmëkomuniste, gjysmënaziste e gjysmë feudale? Ku ta gjejë ndjenjën aq njerëzore të përgjegjësisë qytetare një skotë pushteti me frymë barbare dhe e skllavëruar nga korrupsioni?”

Në fakt edhe unë kam kohë që mendoj të njëjtën gjë, madje po punoj mbi një temë të tillë, pasi më ka frymezuar folklori dhe historia. Që kur isha fëmijë dëgjoja këngën: O Gjirokastra me vulë/ ç’e bërë Sheme hajdunë. Apo atë këngën për birbilenjtë kusarë, që vanë në litar vetë. Apo ate tjetren: Djem e vajza si lastare/I ka partia ushtare. E plot te tjera

Ju flisni për fitimtarë e të mundur.

Fitimtarët e vërtetë, Z. Gumeni, nuk është populli, por këta plebishitarët që përdoren për të zhvatur pasurinë e kombit të tyre për llogari të të huajve dhe për të kthyer në skllevër shqiptarët.

Përsa i përket së djathtës, unë mendoj se ajo nuk vdes kurrë, pasi atë e ka bërë historia dhe me vlerat e saj i ka rezistuar regjimit gjakatar. Një gjë është e sigurt, infermieri i gomerëve dhe dekoruesi i vrasësve, nuk do të bëhet kurrë lider i njerëzve të lirë.

Lufta kundër atij që ju e quani brigadier i vrerosur, është vazhdim i demonizimit të figurave me profil të lartë politik që në Shqipëri ka një histori 100 vjeçare. Qëllimi ka qënë dhe mbetet eliminimi i politikanëve të krahut kombëtar për të sunduar vendin shërbëtorët e të huajve. Këtë rrezik e kishte parashikuar në kohën e vet Sami Frashri dhe i kanë denoncuar më pas Faik Konica, Nikolla Naço, Nikolla Lako, Mehmet Konica etj. U ndritë shpirti.

Këto, i nderuar zotëri, janë rrethanat që brigadierit të vrerosur, siç e quani ju, nuk do t’i hyjë gjëmb në këmbë dhe asnjë atdhetari në përgjithësi. Ata kanë fituar betejën me historinë.

Problemin e ka pushtetari i ri: A do të ketë aq shumë kocka që t’ua hedhë zagareve që lehin për të?

Shtator, 2013

Share it :