Plani do të përfshijë ambiente për sportistët elitarë, por edhe për të rinjtë e Tiranës që do të duan të stërviten në këto ambiente
Kompleksi “Dinamo” do të rikthehet në funksion të plotë me një emër të ri. “Tirana Olimpik Park” do të ketë një pistë olimpike vrapimi, ku do të stërviten atletë të disiplinave të ndryshme.
Përveç atletikës, fusha e futbollit do të jetë në parametra bashkëkohorë për të stërvitur ekipet kombëtare të moshave. Minipallati i lojërave me dore mund të jetë një ndër pjesët më të bukura të projektit, i cili do të shërbejë edhe për aktivitetet e shkollave dhe të universiteteve, por edhe për përfaqësueset e këtyre sporteve. Në parkun e ri do të ketë një pishinë olimpike dhe pedana e hedhjeve në ujë. Dhe kjo natyrisht lehtëson notarët që të stërviten më mirë dhe të garojnë sistematikisht. Gjithashtu, në këtë ambient do të vendosen edhe zyrat e federatave të ndryshme, por edhe zyrat e Komitetit Olimpik Shqiptar, duke u zgjidhur në këtë mënyrë një problem madhor lidhur me funksionimin e këtyre organizmave. Në këtë park sportiv do të ketë hotel për grumbullim për përfaqësueset dhe mensë për sportistët elitarë. Në parkun sportiv do të kenë mundësi të vijnë të stërviten edhe të rinjtë e kryeqytetit, për t’u krijuar mundësinë e ushtrimit të përgatitjes fizike. E gjitha kjo u prezantua dje në ambientet e kompleksit Dinamo, ku ishin mbledhur dashamire dhe personalitete të botës së sportit dhe jo vetëm. Në ceremoninë e përurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e parkut, Kryeministri Edi Rama u shpreh se sporti që i ka munguar jetës komunitare të vendit do të jetë më i pranishëm pas ndërtimit të kompleksit. Rama shtoi se kompleksi i ndërtuar fillimisht në vitet 80 do të transformohet tërësisht. “Do të ketë vend për shumë kategori sportistësh dhe për federatat e shumësportëshit, të cilat kanë 25 vjet që mbijetojnë nëpër skuta të mbetura që nga koha e vjetër. Në këtë park olimpik të gjitha federatat do të kenë hapësirën e tyre dhe të gjitha së bashku do të krijojnë një pol administrativ të sportit nën ombrellën e KOKSH. Më në fund pas rreth 2 dekadash do të ketë një hapësirë sportive. Do të kemi një sallë moderne të lojërave me dorë që do të shfrytëzohet jo vetëm nga ekipet por edhe nga shkollat me aktivitetet e tyre sportive. Ne synojmë që sportin ta kthejmë në një pjesë të kurrikulës universitare”. Në vijim të fjalës së tij, Rama u përqendrua te bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit që e mori si shembull që duhet ndjekur në të ardhmen. “Edhe me FSHF jemi në një pozicion më dinjitoz si shtet, sepse kemi transformuar rrënjësisht një stadium, po ndërtojmë një tjetër në Shkodër dhe po bashkëpunojmë për të vazhduar më tej si dhe për të realizuar edhe objektivin madhor të përbashkët të stadiumit të madh kombëtar të Tiranës”. Kryeministri shprehu bindjen se projekti i parkut olimpik do të hapë një kapitull të ri për sportin, ndërsa shtoi se sportistët elitarë sot po trajtohen në bazë të të gjitha angazhimeve që ka shteti ndaj tyre. Kompleksi Dinamo është ndërtuar në vitin 1989, si pjesë e klubit Dinamo, për sporte të ndryshme. Për kohën e diktaturës, kompleksi blu, ishte një ndër investimet më të mira në fushën sportive. Por që nga atëherë, nuk ka njohur asnjë investim tjetër, dhe gjendja e tij ka degraduar gradualisht. Gjendja aktuale e kompleksit Dinamo është në kufijtë e skandalit, por ky investim do ta rikthejë në lulëzimin e dikurshëm.
Berisha: Favore me tenderin, zgjidhet më i shtrenjti
Për ndërtimin e parkut olimpik ka folur edhe ish-kryeministri Berisha. Tenderi i përzgjedhur sipas ish-kryetarit të PD-së është më i shtrenjti nga ofertat e ofruara, duke shprehur se kjo është bërë për qëllime përfitimi. “Edi Rama po rrihte gjoksin sot per ndertimin e Parkut Olimpik e 5 milione dollare qe ai i dha per kete qellim Lindita Nikolles. Kete afere te re korruptive e denoncova ne dy seanca parlamentare. Keshtu, nga 8 kompani qe moren pjese ne tenderin per Parkun Olimpik, 7 me cmimin me te lire skualifikohen dhe tenderin e fiton cmimi me i shtrenjti fare!”, – ka thënë nga profili i tij në “Facebook” Sali Berisha.
Muça vjen në krye të Tiranës
Shkëlqim Muça zyrtarizohet në krye të Tiranës. Presidenti i bardhebluve, Refik Halili, e pranoi publikisht se ka arritur marrëveshjen me 55-vjeçarin, i cili prej ditësh përflitej se do të merrte drejtimin e 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Të njëjtën gjë konfirmoi vetë Muça, i cili rikthehet në shtëpi pas një mungese të gjatë 8-vjeçare. Kjo do të jetë hera e katërt që Muça drejton Tiranën pas eksperiencave në sezonet 1994-1996, 1999-2000 dhe 2005-2007. Halili u shpreh se e kishte zgjedhur Muçën, për faktin se e njeh mirë ambientin bardheblu, pasi ka punuar edhe si shef klubi, por nëse nuk do të ketë rezultate, atëherë do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime. Një tjetër lajm i mirë për tifozët e Tiranës është arritja e marrëveshjes me mbrojtësin Roland Gërxhalliu. Sipas Halilit, mbetet thjesht firmosja e kontratës, pasi për gjithçka tjetër palët kanë rënë dakord. Ndërkohë mësohet se Tirana po ngulmon për të transferuar në kryeqytet mbrojtësin vlonjat, Franc Veliu, i cili më shumë mundësi do ta mbyllë aventurën me Flamurtarin. Në garë për Veliun është edhe Partizani, që në këtë derbi me Tiranën avantazhohet nga fakti që luan në Europa League.
Mesi: Juventusi, një ekip i madh
Finalja e Ligës së Kampioneve sa vjen e po afron ku Barcelona dhe Juventusi do të kërkojnë të kurorëzojnë më së miri një sezon fantastik. Blaugranët përvetësuan të shtunën e shkuar Kupën e Mbretit ku njeriu kopertinë për katalanasit ishte sërish 4 herë fituesi i topit të artë Lionel Messi. Argjentinasi është arma më e fortë në duart e Enriques dhe në finalen e madhe të Championsit, diferencën pa diskutim do ta bëjë edhe forma e numrit 10. 27 vjeçari u shpreh në lidhje me përballjen ndaj bardhezinjve duke mos kërkuar të përcaktojë se cila skuadër niset e avantazhuar. “Kemi luftuar shumë për të mbërritur deri këtu, është vërtetë diçka e veçantë që jemi pjesëmarrës në këtë finale, Juventusi është një skuadër e madhe dhe asgjë nuk mund të merret për e sigurt, gjithçka mund të ndodhë”, – theksoi Leo Messi. Më pas ylli i blaugranëve nuk kishte se si mos të ndalej tek largimi i Xavi Hernandezit nga Barcelona, duke e cilësuar katalanasin si lojtarin më të mirë spanjoll të të gjitha kohërave dhe se ndihet krenar që ka luajtur me të. Lionel Messi këtë sezon është rikthyer në nivelet më të larta, pasi edicionin e shkuar edhe për shkak dëmtimesh nuk shfaqi maksimumin e tij. Goli i parë i shënuar kundër Bilbaos në finalen e kupës së mbretit do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që pavarësisht ngjyrave të zemrës e dashurojnë këtë sport.
Brazili dhe Gjermania shkëlqejnë në botërorin e 20-vjeçarëve
Brazili e nisi me fitore Botërorin e 20-vjeçarëve, që po zhvillohet në Zelandën e Re, pasi mundi në sfidën e parë të Grupit E, Nigerinë, pas një 90-minutëshi emocionues. Skuadra amerikano-jugore kaloi në epërsi me anë të Gabriel që në minutën e katër, por gjashtë minuta më pas nigerianët arritën të barazonin me Isaac. Skuadra afrikane në mënyrë surprizë kaloi në avantazh me Musa Yahayan, por Gabriel riktheu shifrat në baraspeshë në të 34-ën. Në pjesën e dytë Seleçao vulosi fitoren me golat e Boschilla dhe Judivan. Në takimin tjetër të grupit dhe Hungaria arriti një fitore bindëse, pasi mundi 5-1 Korenë e Veriut duke marrë dhe ajo 3 pikët e para. Në Grupin F, Gjermania regjistroi një fitore të thellë duke mundur 8-1 Ishujt Fixhi. Për skuadrën evropiane spikati Mukhtar, autor i 3 golave dhe Stark që realizoi gjithashtu një dygolësh, ndërsa shtatë gola u shënuan dhe në sfidës mes Uzbekistanit dhe Hondurasit, me këtë të dytën që fitoi 4-3 falë dy golave të Bryan Rochez.





