Nga Postriba / Kreu i PD-së, thirrje për protesta: Çohu rini të largojmë diktaturën e krimit dhe korrupsionit

 

basha ne postribe“Pinjollët e atyre që i lyen duart me gjakun e heronjve të Postribës po mundohen hap pas hapi në aleancë me krimin ordiner, me trafikantët e njerëzit e drogës të kthejnë Shqipërinë në diktaturë hibride”

 

Gëzim Saliu

 

Nga Postriba, vendi ku u zhvillua kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, bëri thirrje dje për ngritjen e qytetarëve në protesta kundër asaj që e cilësoi si “diktatura e krimit dhe korrupsionit”. Pjesëmarrës në përkujtimin e 69-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës, kreu demokrat kërkoi nga rinia shqiptare që të mos lejojë asnjë shtypje tjetër. “Çohu rini e Shqipërisë, ju keni në genet tuaja fisnike mosmposhtjen nga diktatura e Enver Hoxhës, ju nuk mund të pranoni kurrë diktaturën e krimit, diktaturën e bandave, diktaturën e korrupsionit. Bashkë do t’i largojmë e do të kthejmë amanetin e martirëve të Postribës për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri perëndimore që ecën krah për krah dhe e nuk i sfidon aleatët euroatlantikë, në aleancë me krimin siç bën Ilir Meta e Edi Rama. Çohu rini e Postribës me baballarë, me të rinj me të reja, me Partinë Demokratike, t’i japim fund këtij regjimi të korruptuar e të hapim rrugën edhe një herë për Shqipërinë në Evropë”, – deklaroi Basha. Pas mesazhit të parë për protesta dhe stepjes në fillimin e sesionit të ri parlamentar, duket se me deklaratën e djeshme të kreut demokrat, opozita është e vendosur për të dalë në rrugë së bashku me mbështetësit e saj kundër mazhorancës qeverisëse. Më parë Basha ka theksuar se beteja e opozitës në këtë sesion do të zhvillohet në dy fronte: në Parlament, përmes kundërshtisë së nismave antiligjore të mazhorancës dhe dhënies së alternativës së djathtë, si edhe në rrugë, përmes protestave popullore duke kërkuar largimin e qeverisë së majtë.

 

Vlerësimi për kryengritjen

Në fjalën e tij në ngjarjen përkujtimore, lideri i opozitës shqiptare shprehu vlerësimet për kurajën dhe sakrificën e patriotëve të Postribës që u ngritën kundër shtypjes së regjimit komunist në vitin 1946. Sipas Bashës, ajo lëvizje është frymëzim për qytetarët dhe rininë e sotme për të mos u pajtuar me format e reja të shtypjes, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të dhunimit të votës e sundimit të krimit. “Ata patën vizion e kurajë për t’u rreshtuar pra para një ideali të madh kombëtar, siç është liria dhe dinjiteti i çdo anëtari të një kombi. Vizion i madh, vizion i madh realizimi i së cilit do ta kishte sjellë Shqipërinë 70 vite më parë në NATO e Evropë do ta kishte afruar në familjen e vlerave dhe standardeve të jetës, si BE e SHBA. Ideali i kryengritjes së Postribës nuk ka asnjë ndryshim nga ideali i kryengritjes së 1990-ës, liri, demokraci dhe Shqipëri si gjithë Evropa. Kujtoje dhe nderoje rini postribase, kujtoje dhe nderoje rini shkodrane, kujtoje dhe nderoje rini e Shqipërisë”, – u shpreh Basha para qindra të pranishmëve në këtë aktivitet.

 

Share it :