Banori pjesëmarrës në protestën e 21 Janarit: Më ka thënë do të përmbysim regjimin e Sali Berishës, por ky është regjimi i Sali Berishës, të më lërë pa punë?
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje kandidatët për kryetarë bashkie në Mallakastër ku kandidon Agron Kapllanaj, në Memaliaj garon Sadik Xhelili, në Tepelenë Veip Çela, në Këlcyrë Gentjan Muhameti, në Përmet Niko Shupuli dhe Kolonjë Viktor Duro. Situata e rëndë ekonomike dhe zhgënjimi për premtimet e pambajtura dhe braktisjen që qeveria u ka bërë qytetarëve ka bërë, sipas demokratëve, që të bashkohen në aktivitete prezantuese të kandidatëve qytetarë të djathtë e të majtë. Njëri prej pjesëmarrës edhe në protestën e 21 Janarit i thirrur nga Edi Rama për të rrëzuar “regjimin e Berishës”, ia bën haram votën që i ka dhënë. “Jam i plagosuri i 21 Janarit, më ka mashtruar. Më ka thënë do të përmbysim regjimin e Sali Berishës. Ky është regjimi i Sali Berishës, të më lërë pa punë? Ky është regjimi i Sali Berishës që më premtoi? Ku është premtimi i tij? Turp e faqja e zezë! Këtu jemi mbledhur në një terror psikologjik. Nusja ime është kryetare e Këshillit Bashkiak nga Partia Socialiste për qytetin e Memaliajt, çunin e kam nënkryetar të FRESSH-it nga Partia Socialiste. Mesazhi im është: Mos gënjeni dhe mos mashtroni popullin shqiptar”, – tha ai. Ndërkaq, një tjetër banor pohoi: “Siç kam vuajtur në kohën e Enverit, se po më ngjethen mishtë, ashtu po vuaj edhe sot me këtë qeveri”.
Takimet
Ndërkaq, në takimet në Këlcyrë, Përmet dhe Ersekë, Basha tha se qytetarë janë të zhgënjyer, në varfëri dhe mjerim, nga premtimet e pambajtura të mazhorancës. Kryetari i Partisë Demokratike u ka kërkuar qytetarëve të bashkohen për të larguar të keqe pasi kjo është zgjidhja dhe jo largimi i qytetarëve. “Kam qenë anëtar i PS-së, jam vetë i gjashtë në familje, me fëmijë të sëmurë. Asistencën sociale na e preu PS-ja. Më premtuan për punë, do të punësojmë. Vete te kryetari i Bashkisë, punë s’ka. Vete te PS-ja, më thotë ja ku është mali shko mbill lule. Kam një çupë 8 vjeçe dhe nuk po i paguaj dot as 20-mijëlekëshin mujor për kursin se nuk kam asnjë të ardhur”, – deklaroi një banor. Nga ana e tij, Basha theksoi: “Në qoftë se për ne këto dy vite në opozitë kanë qenë ashtu si për fat të keq i parashikonim, vite gënjeshtrash, vite dështimesh, vite mashtrimesh, vite të shtrëngimit të lakut në fyt për çdo qytetar. Për votuesit e majtë këtu në Kolonjë dhe kudo në Shqipëri dhimbja është e dyfishtë, është e dyfishtë sepse i kanë gënjyer, i kanë mashtruar, i kanë braktisur, u kanë marrë votën dhe i kanë poshtëruar më keq se votuesit tanë. Se njësoj si para 25 vitesh as hedhja e gurit, as hedhja e karriges, as hedhja e fajit diku tjetër nuk do t’i shpëtojë nga gjykimi popullor më 21 qershor”.
Zv.kryetari i KQZ-së Biba, kundër Luzit: Kodi nuk i ndalon partitë të bëjnë fushatë
Kodi Zgjedhor nuk i ndalon partitë politike ta nisin fushatën elektorale para afatit të përcaktuar. Numri dy i KQZ-së, Denar Biba, ndryshe nga kryetarja Lefterie Luzi, deklaroi se madje as mediat nuk mund të gjobiten nëse e transmetojnë këtë fushatë. “Vlerësoj se periudha 30-ditore e fushatës është më se e mjaftueshme që partitë politike dhe kandidatët të arrijnë të shpalosin programet dhe të njihen nga qytetarët. Nga ana tjetër me keqardhje më duhet të pranoj se Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë ndalesë që kjo fushatë të fillojë më herët, fatkeqësisht siç ka nisur. Aq më pak të ketë parashikuar legjislacioni penalitete në lidhje me median, e cila është në plotësisht në detyrën e saj kushtetuese për të informuar qytetarët. Ligji nuk e ndalon, paçka se në bindjen time dhe të zonjës Luzi ky është një veprim i tepruar”, – tha ai.
Zëvendësimi i deputetëve/ Kush vjen në Parlament nga 5 qarqe, kush zëvendëson Kosovën, Ademin, Turkun dhe Subashin
Mbledhja e djeshme e KQZ-së mori vendim edhe lidhur me zëvendësimin e deputetëve që janë larguar nga Parlamenti, për shkak se do garojnë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kështu në vendimin për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatëve në listat shumemërore të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, për plotësimin e vakancave të njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë” KQZ vendosi që: “Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të z. Ardjan Turku, t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Demokratike, në Qarkun Elbasan, znj. Arbjola Halimi”. Ndërkaq pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të Halim Kosovës ky do t’i jepet kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Demokratike,në Qarkun Tiranë Asllan Dogjani. “Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të znj. Voltana Ademi, t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Demokratike,në Qarkun Shkodër, znj. Irma Kopliku. Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të z. Besnik Dusha, t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Demokratike, në Qarkun Kukës, znj. Mimoza Hajdarmataj. Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të z. Artur Bushi, t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Socialiste, në Qarkun Durrës, z. Shkëlqim Troplini”, – thuhej në vendimin e KQZ-së. Ndërkaq, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të Armando Subashit KQZ i dha mandatin kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Socialiste, në Qarkun Fier, z. Bujar Çela. “Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të znj. Majlinda Bufi, t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Socialiste, në Qarkun Fier, znj. Adelina Rista. Pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të znj. Miranda Rira, t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim,në Qarkun Elbasan, znj. Edlira Çekrezi”, – theksohej në vendimin e marrë nga KQZ.
Kuvendi zgjedh me 74 vota Kristaq Trajën në krye të KKRT-së
Mes debateve të deputetit demokrat Genc Pollo dhe nënkryetarit të Komisionit të Medias, deputetit socialist Alfred Peza, u zgjedh dje në Parlament kreu i Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar, Kristaq Traja. Me 74 vota pro dhe një votë kundër Traja u zgjodh si drejtues përballë tre kandidatëve të tjerë, Artan Mullaj, Andi Kananaj dhe Blerim Kolës të cilët nuk mundën të merrnin dot votat e nevojshme për të kaluar. Një tjetër ligj i rëndësishëm që u miratua dje ishte edhe ai i rezolutës për AMA-n i cili ka kaluar nga qeveria me 75 vota pro dhe 16 vota kundër. Projektligji për ratifikimin e ndryshimit nr. 4 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme, ka kaluar në Kuvend me 91 vota pro. Ligj tjetër i cili u miratuar me 94 vota pro dhe asnjë kundër ishte ligji për Shërbimin Postar në Republikën e Shqipërisë. Gjatë seancës në Kuvendin e Shqipërisë u miratua edhe projektligji për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, si dhe është ratifikuar Protokolli i 16-të i Konventës “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”.




